Për gjestin e shqiponjës nga Xhaka dhe Shaqiri në ndeshjen mbrëmë kundër Serbisë dhe polemikat pasuese:
Shqiponja është shenjë në thelb tribale, që i referohet përkatësisë etnike. Dy lojtarët gëzuan edhe si shqiptarë që janë.
Me sa di unë, nuk është shenjë që ndjell dhunë; nën të nuk janë bërë gjëkundi as vrasje as masakra.
Atë gjest e kanë bërë dhe vazhdojnë ta përfushin gjithfarë figurash të pashijshme, batakçinj, hipokritë, demagogë, edepsëzë, parazitë, shfrytëzues – por le të mos e identifikojmë akoma me kombëtarizmin kitsch të anti-serbëve llafazanë të kolltukut.
Le të mos e braktisim në DUART e tyre.
Nga ana tjetër, nuk mund t’u kërkosh as Shaqirit dhe as veçanërisht Xhakës të harrojnë se nga vijnë dhe cilët janë. Ndjenjat e përkatësisë etnike nuk lihen siç lihet duhani.
Historitë e tyre personale etnike dhe familjare janë ndikuar – për keq dhe hidhtas – edhe nga politikat dhe ëndjet nacionaliste të Serbisë (lexoni për ta).
Ne, që i pamë duke bërë shenjën, i pamë në televizion. Nuk ishim ATJE. Mbase edhe nuk e ndiem sa duhet atmosferën e neveritshme që kishin krijuar, në stadium, disa tifozë të Serbisë.
(Këtë e përmendi edhe Lichtsteiner, kapiteni i ekipit zviceran. Ky e ka mirë parasysh se, për qëndrime të tilla në Itali kundër lojtarëve me ngjyrë – nga Koulibaly te Niang dhe Matuidi, klubeve u janë vënë gjoba të rënda.)
Të vërehet edhe se gjesti i fundit i Shaqirit, që hoqi fanelën dhe u tregoi muskujt tifozëve, nuk ishte gjest vanitoz alla Cristiano Ronaldo, por citim i një gjesti të ngjashëm të Balotelli-t: statujë e revoltës anti-raciste.
Nëse na thonë se gjeste të tilla janë provokuese dhe duhen shmangur në një kompeticion sportiv, mua më vjen në mend që PROVOKACIJA, edhe në kontekste të tilla, zakonisht ka filluar nga ana tjetër.
Ka një kulturë të tifozerisë dhe të futbollit serb, që themelohet mbi dhunën, fyerjen, racizmin dhe provokimin. E pamë para disa vjetësh, se çfarë ndodhi në Beograd, kur tanëve u thyen karriget në kokë.
Futbolli nuk mbahet dot steril nga politika; përkundrazi, mund të na kujtojë se çfarë ka që nuk shkon në politikë, mes të tjerash, edhe RACIZMI anti-shqiptar i tifozerive serbe.
Le që, si çdo sport tjetër kompetitiv, edhe futbolli është dhunë e ritualizuar, që shpesh rimerr – në trajta të pranueshme – rivalitete që përndryshe do të ishin ndezur dhe shuar në fusha jo stadiumesh, por betejash.
Është gjithnjë më mirë që shqiptarët të ndeshen me serbët në futboll.
Dhe më në fund, si dikush që nuk impresionohet fort nga gjestet etnike teatrale, po e them se, po të kisha qenë mbrëmë në fushë dhe të kisha shënuar gol, do ta kisha bërë edhe unë shqiponjën.
Bravo Zvicra, për fitoren!
(c) 2018, autori.
Shënim: shkrimi më lart doli dje si status në faqen time në Facebook, nga ku e morën edhe disa media elektronike.
Per mua ishte nje gjest banal , provokacion per serbet qe kishte perballe por edhe per zviceranet per te cilet po luante . Ne nje moment te tille gezimi ne vend te perqafoj shoket e skuadres mendja i shkon te provokoj kundershtarin qe mbetet nje gjest i ulet e shtang edhe shoket. Me gjestin e tyre nuk i kalojne ata tifozet e dehur te “o sa mire me qene shqiptare”.
Eshte interesant te kujtohet ketu qe te njejtin gjest, festues pasi shenonte gol, ma do mendja pa asnje lidhje me shqiptaret, bente edhe sulmuesi Anelka. Mund te shihet ne youtube. Madje kam pershtypjen se kur e bente Anelka kete gjest, shqiptaret ende nuk e kishin lidhur me shqiponjen e flamurit.
Pra i bie qe serbet nuk protestojne dhe hidherohen aq shume nga gjesti ne vetvehte, perndryshe do te kishin paditur edhe Anelka-n, por acarohen prej kombesise se atij qe ben gjestin. Besoj se mund te merret si rrethane lehtesuese.
Ja edhe nje video ku shihet Anelka te beje shenjen e …….. shqiponjes(?)
https://www.youtube.com/watch?v=Qj78YsOBV9Q&t=89s
Nqs per serbet eshte provokim simboli shqiptar I lirise, aq me keq per ta. Vetem krimineli dhe mbeshtetesi I krimit mund ta shohe si provokim nje simbol lirie. Nuk do me ngelej hatri nqs popujt e shtypur dhe roberuar neper bote ta benin te tyrin kete simbol, meqe nje nderkombetarizem i tille nuk ekziston.
Për fat të keq vihet re se për serbët çdo loje dhe marrëdhënie me shqiptarët perceptohet sikur të ishte loja e fundit dhe marrdhënia e fundit, dhe aspak e parë nga këndvështrimi e etikës së një serie lojrash, vazhdimësisë, dhe një marrdhënie midis fqinjësh. Çfarë i bën serbët në këtë rast ” humbës të keq” ose “sore loosers”, sespe në mëndjen e tyre nuk ka shanc të dytë. Për to çdo kompeticion është hakmarrje, dhe një fitore përfundimtare, dhe e kundërta perceptohet si katastrofë.
Unë nuk mbaj mënd që Shqipëria të ketë protestuar ndonjëhërë se për çfarë bejnë tifozët serbë në shkallët e stadiumit. Dhe në fakt shumë mirë bën. Por nuk i numëroj dot rastet kur kemi dëgjuar provokacia edhe për gjënë më të vogël që bëjnë shqiptarët, si në fushë edhe jashtë saj.
Ndërkohë problemi është se rezultati përfundimtar i lojës është ai që është jo sepse Xhakaj dhe Shaqiri bënë shqiponjën me duar, as edhe pse tifozat serbë i stigmatizuan gjatë gjithë ndeshjes këta dy lojtar. Në fakt, rezultatin e përcaktuan aftësitë sportive në fushë. Ndonëse qëlloi që këto aftësi t’i shfaqnin dy shqiptarë. T’i drejtohesh organeve të FIFA për të përjashtuar këta sportistë për diçka që nuk ka të bëjë me thelbin e kompeticionit sportiv, duket se bie në kundërshtim me nocionin e pranimit dinjitoz të humbjes në nivel sportiv, duke e ngritur atë në rangun e një konflikti politik, që i tillë nuk ishte. Pra serbët e duan fitoren me çdo kusht. Keta kanë nevojë për ndëshkim dhe hakmarrje (revenge) për të justifikuar ndjenjën e “sore looser” që i kap, edhe nëse këto nuk arrihen në fushën e sportit, por diku në burokracinë e FIFA.
Diku lexova se Ministri i Jahstëm Serb e kishte intrpretuar edhe fitoren ndaj Kosta Rikës, një nga shtetet e para që ka njohur pavarsinë e Kosovës, si një hakmarrje e vonuar dhe “sweet revenge”.
Dëgjoja psikologun Jordan Peterson që ndërsa fliste për lidhjen që kane lojrat e fëmijëve me zhvillimin e sensit të moralit të së mirës dhe të së keqes, përmendëte edhe një eksperiment të kryer nga neurologut Jaak Panksepp. Ky i fundit kish vënë re se dy minjtë adoleshent kur liheshin vetëm ngërtheheshin direkt në një lojë fizike me njëri tjetrin. Por nëse një nga minjtë ishte të paktën 10% më i madh në fizik se tjetri, i kishte shancet të fitonte gjithë kohës. Megjithatë miu më i vogël nuk do vazhdonte të luante nës nuk do lihej të fitontë nga miu më i madh të paktën 30% të kohës. Pra si të thuash miu i madh për hirë të vazhdimësisë së lojës duhet t’i nryshonte sjelljen. Në thelb Peterson beson se moraliteti është emergent (thelbësor) dhe se bazohet në rregullat e një seri lojrash, dhe jo e një loje të vetme. Vetëm kështu marrin kuptim nocionet e “fair play”, pranimi dinjitoz i humbjes, por edhe përgëzimi i kundërshtarit për fitoren. Si të thuash për t’i dhënë vetes mundësi dhe siguri për të fituar një herë tjetër.
Në këtë rast shqiptarët kanë qënë dhe janë më të vegjlit, dhe është fatkeqsi që fqinjët tanë nuk kanë as instinktin e miut, për një ‘fair play’ sipas një nocioni darvinian.
https://goo.gl/images/y34ohL
Ja dhe New York Times me një përmbledhje. Përmend gjithashtu Aleksandar Kolarov, kapitenin e skuadrës serbe me tre gishtat lart, si simbol i genocidid serb, që duket se po anashkalohet.
midis gjithfare problemesh qe ka mentaliteti serb, kryesori eshte se nuk dine te humbasin
Serbet jane per tu qare hallin,nuk eshte thjesht humbja ne vetvete,por moskaperdimja qendron tek ndeshja vendimtare per kualifikim e Serbi-Brazil,perball Svicer-Costa Rica,kjo e fundit tashme e skualifikuar.Mbas eliminimit te pare nga kombtarja Shqiptare,ne Europianin e para dy vitesh,vjen eliminimi i dyte ne boteror,shqiptaret behen macja e zeze e Serbise,sikurse Italianet e perbuzur nga mendjemedhenjte Gjermane.Shenja e Shqiponjes,po te ishim ne kohe te tjera,do te ishte edhe nje”casus belli”per kacafytje te pergjakshme,me serbet si protagoniste.