nga Pavjo Gjini
“Teatri është skena ku shohim pushtetin tek çmendet.”
Anonim
“I çmendur nuk është vetëm një lypës që kujton se është mbret, por edhe një mbret që kujton se është mbret.”
Slavoj Zhizhek
Perdet hapen. Në rolet e lajmëtarit, të një pakti bërë diku fshehtazi dhe rishtazi, shfaqen një menaxher dhe një sekretare. I pari duket i gjithi lajm, figura e shërbëtorit i cili kënaqet kur shpall si realitet ëndrrat e pronarit. E dyta duket e gjitha e dërrmuar, figura e një skllaveje e cila i ka shërbyer aq shumë pronarit pas perdes sa mezi po qëndron në skenë. Lajmin kanë rënë dakord që do ta japë dhe mbajë menaxheri, ngase sekretarja kishte disa kohë që, e thënë me eufemizëm, nuk ndihej mirë. Menaxheri ka një përparësi ndaj sekretares, ai e ka kuptuar urdhëresën e pronarit, “Mos guxo të mos kënaqesh me mua, edhe nëse të dhemb”. Ndërsa sekretarja mendon se mjafton bindja ndaj urdhrave dhe durimi deri në vdekje i lodhjes. Prej asaj nuk pritet as që të kënaqet! Gjithnjë pasioni i saj nuk ka qenë ndonjë dëshirë e vetja, por ofrimi i vetes si instrument për të plotësuar dëshirat e të tjerëve. Ajo ishte perverse e kulluar, për të e rëndësishme ishte që zotëria të dëshironte në çdo rast, jo ajo vetë. Nëse pronari nuk dëshironte ky ishte fundi i botës për të. Sa herë pronari thoshte se po i shijonte diçka, menaxheri thoshte se po i shijonte edhe më shumë atij, dhe sa herë kishte dyshime nëse pronari nuk po shijonte, sekretarja pyeste, “a nuk po dëshirojmë zotëri?”
Kështu, sikur të ishte aktor në prova shtëpie, me një lehtësi lemeritëse, menaxheri shpall se pronarit i ka thënë një tjetër pronar se meqë nuk ka lekë me rregullue njërën prej pronave, atëherë mundet t’ia shesë atij truallin dhe ai do t’i rregullojë atij një alamet prone me famë botërore. Pronari kishte rënë dakord me pronarin. Menaxheri përsërit shpesh se ky quhet stil tirons. Atij i lezeton aq shumë ky stil sa sugjeron t’ia përsërisin. Menaxheri është në Ekstazë. Sa më shumë dëshira pronarësh të mblidheshin për t’u plotësuar aq më shumë shumohej kënaqësia e tij. Ndërsa sekretarja kishte filluar të villte herë pas here përgjatë pushimeve të mbledhjeve. Tashmë për të ishin bërë tepër dëshira pronarësh për t’u bashkëmundësuar. Trupi nuk po ia pranonte më. Sekretarja përpiqej ta justifikonte veten me sublimitetin e sakrificës së saj, por kjo s’kishte pikë rëndësie. Prej asaj nuk kërkohej as të mos villte!
Për dreq, sekretarja kishte shkuar një muaj më parë të shihte tek vihej në skenë Makbethin. Dihej se sekretarja shkonte shpesh në teatër, por ajo ishte nga ato spektatoret me shije të dyshimtë estetike të cilat identifikohen me Oresta, Edipa, Medea e Makbetha. Skena e Lady Makbeth çmendur tek imagjinonte duart me gjak nga vrasja e të shoqit i ishte ngulitur aq shumë në trup saqë tani ajo shihte kudo duart e saj të mbuluara me të vjellat e lodhjes nga dëshirat e pronarëve. Tashmë sekretarja mbante shënime dhe villte, ajo nuk mund të fliste më. Dihej se edhe kur fliste sekretarja i vendoste në siklet bashkëbiseduesit me perversitetin e saj naiv. E megjithatë sekretarja kishte lexuar, parë dhe përkthyer mjaftueshëm vepra klasike në karrierë sa tashmë trupi i saj ishte bërë skena ku përplaseshin forca të mëdha teatrale. Sekretarja kishte lindur për t’u sakrifikuar për gjënë e gabuar.
Për t’u ardhur në ndihmë në këto ditë të vështira, menaxheri kishte thirrur një klient kthyer në Shqipëri pas krizës në Greqi. Klienti kishte debolesë të madhe për menaxherin. Menaxheri ishte i vetmi njeri që arrinte të dhunohej, të dhunonte dhe të kënaqej në të njëjtën kohë. Klienti kishte menduar se vetëm në teatër ishte e mundur kjo, jo më kot ishte bërë aktor, madje aktor tepër i mirë falë këtij kompromisi me dhimbjen. Prandaj për klientin takimi me menaxherin ishte një ngjarje fatlume, si rënia në dashuri. Ai mendonte se ata ishin bërë për njëri-tjetrin. Në një moment të jetës së tyre të dy kishin marrë të njëjtin vendim dhe kjo i bënte ata tepër të ngjashëm, mendonte klienti. Sipas tij, sipas tyre, meqë dhunës nuk kemi çfarë i bëjmë, atëherë bëjmë mirë të kënaqemi me të. Jo më kot, sa herë diskutonin në banak për të ndërtuar diçka, të dy mendonin se duhej shkatërruar diçka tjetër më parë. Dukej sikur në fëmijëri figura e mamasë u ishte ngatërruar me të babait dhe çdo figurë babai në jetë e kishin parë si një mama alternative.
Me t’u dhënë lajmi nga menaxheri, klienti u ekzaltua së tepërmi. Ai filloi të hipë përmbi banak pa menduar se ç’do të thoshte, por me dëshirën që bashkë me menaxherin të hiqnin bluzat dhe të luanin rolin e punëtorëve të ndërtimit ndërkohë që kënaqeshin duke shkërmoqur banakun. Klienti e kishte parë shpesh menaxherin me mëngët përvjelë tek bënte sikur rregullonte bahçen e pronës. Gjithnjë kishte menduar t’i kërkonte që në mbjelljen/mbledhjen e radhës me miqtë e tij menaxheri të mbillte me ndonjë gjë me të, por me kushtin që t’i hiqnin bluzat kur të shkrepeshin aparatet. Klienti mendonte se kjo do ishte një performancë fantastike për një kalendar fotografish mes tyre. Edhe menaxheri edhe sekretarja u habitën nga gatishmëria e klientit për t’u regjistruar nëpër aparate me ta. Kishte pasur edhe klientë të tjerë që e kishin bërë këtë, por ama kundrejt një shërbimi që i kishin kërkuar pronarit. Një klient, për shembull, vinte në lokal shpesh vetëm për të shpërfaqur se ai ishte më kodoshi aty, pasi e kishte bërë pronarin për t’i shërbyer ndonjë thërrime nga prona. Menaxheri e qetësoi klientin duke ia lënë të hapur shtegun për kalendarin dhe duke i thënë se për momentin e rëndësishme ishte që klienti me gëzim t’ua përsëriste klientëve të tjerë lajmin.
Kështu si më sipër kishin rënë dakord dy pronarët për skenarin me një akt dhe tre ose katër personazhe që do luheshin nga aktorë të lindur për to. Sipas tyre kaq mjaftonte që shfaqja të konsiderohej e mbyllur me sukses akoma pa u shfaqur. Skena për ta ishte vend prove për shfaqjet e tyre pas perdes. Pronarët provat i bënin në skenë dhe shfaqjet pas skene. Shfaqjet e menaxherit dhe të sekretares ishin provat e pronarëve. Dhe me një vetëbesim të çmendur në fuqinë e tyre artistike pronarët iu dhanë nga një shkelm bythëve dhe i nxorën aktorët në skenë. Menaxheri, sekretarja dhe klienti ia filluan menjëherë aktrimit me një vetëbesim akoma edhe më të çmendur në vetëbesimin e çmendur të pronarëve. Menaxheri fliste si lajmëtar, sekretarja villte si kurban dhe klienti miratonte si ai kori cinik grek.
Dhe shfaqja dështoi që në hapje. Një llogari qendrore ishte bërë gabim. Ky ishte teatër, jo kinema. Në kinema ishte kollaj. Ti flet për një publik përtej kamerës i cili presupozohet se ekziston. Ndërsa teatër pa spektatorë nuk ka dhe spektatori është terror për aktorët e teatrit. Sepse mjafton vetëm një spektator të bëjë mosbindje civile, të thërrasë nga errësira e publikut një thirrje si nga abisi i qenies, një “Jo” apo qoftë edhe një atak paniku te ndonjë nga publiku, dhe e gjithë shfaqja shkrumbohet në moment, pa asnjë shans për rikuperim, të paktën jo për atë mbrëmje në vazhdim.
Aq më tepër që atë mbrëmje spektatorë ishin vetë trupa e teatrit. Ata që u ngritën menjëherë në këmbë u ngritën nga aktrimi tmerrësisht i dobët në skenë dhe shija tmerrësisht e keqe e regjisorëve. Akuza u lëshua menjëherë se këto janë, “ose prova jo serioze, sepse po hiqen si shfaqje, ose shfaqje jo serioze, sepse po hiqen si prova”. Nga errësira e tmerrshme e sallës me bindje u ngrit zëri, “regjisori është çmendur! Këtu po risillet miti i shkatërrimit pa teatër!” Trupa e teatrit u acarua së tepërmi. Medoemos, sepse ishin thirrur për të kontribuuar në ndërtimin e shfaqjes, dhe jo në skizofrenitë e pronarëve; sepse trupa e dinte se shfaqjen të dobët apo të mirë e bëjnë aktorët, ndërsa të dështuar e bëjnë vetëm regjisorët. Më intuitivët, pra më të drejtit, thanë përsëri nga errësira e sallës, “plani i provave është shtruar gabim! Pse po bëni sikur e dini që tani se si do luani?!” Ky ishte një kor i vërtetë grek i cili po ngrihej nga salla për në skenë, nga errësira për në dritë.
Sigurisht nga salla dolën edhe spektatorë me vetëbesimin trefish të çmendur në mbështetje të vetëbesimit të çmendur të aktorëve për vetëbesimin e çmendur të pronarëve. Këta ishin spektatorë të transplantuar. Por kjo nuk ka pikë rëndësie më. Shfaqja-provë ka marrë fund tashmë! Maskat kanë rënë mbi skenë. Aktorët pa maska janë çmendur. Errësira e sallës përballë tyre tek pështyn zëra dhe ide nga hiçi po i tmerron. Menaxheri dhe klientët janë mbledhur kruspull si fëmijë dhe përplasin këmbët mbi dysheme pse shkuarja në treg me mamanë nuk shkoi siç e kishin shijuar. Të dy bërtasin me të madhe, “hiqmuni zëra! Dua të shoh dhe të mos dëgjoj, siç kam bërë përherë!” Ndërsa sekretarja ishte dorëzuar në gjunjë në mes të skenës, tamam si e bërë gati për t’u pushkatuar nga pronarët pas koke. Ajo dëgjonte zërat nga salla dhe villte në mes të skenës. Pamja e saj kishte marrë formën e një shatërvani me formë gruaje. Ajo tashmë përkthente në mënyrë të përkryer zërat në të vjella. Ajo ishte e vetmja që nuk kishte pasur kurrë probleme me fantazmat, sepse mendonte se detyra e saj ishte t’i përkthente dhe jo t’i kuptonte. Një rapsode e shkëlqyer që transmetonte gjithë jetën fantazma që nuk ua dinte kuptimin. Ajo ndoshta ishte i vetmi personazh tragjik aty, pre e përjetshme e lojërave të fatit. Ndërsa pronarët ishin të çmendurit e vërtetë. Sepse i çmenduri, kishte vënë re një filozof, dallohet jo se sillet si i tillë, porse çmend çdokënd rreth e rrotull tij.
Tashmë shfaqja e kthyer në makth ka marrë fund. Të gjithë e dinë se aktorët e pronarëve janë për t’u tërhequr zvarrë nga skena, ose prej vetë pronarëve pas perdeve, për të përgatitur shfaqjen e radhës pasi të kenë nxjerrë mësime nga provat, ose prej aktorëve-spektatorë që t’i shpëtojnë nga pronarët. Megjithatë, as prej këtyre dy alternativave, për momentin, asnjëra nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që skena është liruar. Maskat e braktisura mbi të po presin aktorë të denjë për spektatorë të denjë për të luajtur kryevepra të denja. Militantë të teatrit hipni dhe merrini maskat, skena është e jona!
(c) 2018, autori
Shkrimi është si një koktej detoks për të gjithë të neveriturit nga arroganca, ku feta e limonit në anë të gotës ka shijen e shprehjes:
“Plani i provave është shtruar gabim! Pse po bëni sikur e dini që tani se si do luani?!”
Ne fund, pata pershtypjen se luzmat e te vjellave te sekretares do te irritonin spektatorin, i cili i kthyer ne nje turme dhe mes asaj trahallie skene te pergjithshme, ku nuk dallohej me kush ishte aktori dhe kush spektatori, do te vraponte e do ta linconte sekretaren. Pronari do te shikonte me sy nga menaxheri, sikur te pyeste, c’po bejne ata, ndersa menaxheri do mblidhte supet, sikur ti thosh, se nuk po kuptonte akoma gje. Dhe edhe turma kur te pyetej me pas se c’kish bere, do te mblidhte buzet si te mos e kuptonte pyetjen.
Duket se pushteti i Rames ka çmendur Derhemin, i cili thote se:
– ….. në rast se ka bythë kryeministri me gjithë ata që e rrethojnë që të shemb dhe këto pemë dhe Teatrin, ta provojnë se do kalojë mbi trupat tanë
http://www.panorama.com.al/derhemi-ngre-tonet-dhe-kercenon-ramen-nese-ke-bthe-hajde-dhe-shembe-teatrin/
A ka çmendur Derhemi apo i ka folur Rames me te vetmen gjuhe qe Rama njeh ?
Pafuqia kronike ndaj pushteteve tiranike, bashkuar me mendesine e krishtere te sakrifices ku njeriu eshte Qengji, ka prodhuar (jo vetem ne shqip) shprehje qe riprodhojne mbrojtjen e nje vlere me sakrifikimin perballe kasapit. Po ashtu, pushteti nuk duhet te çmende ate qe e peson pushtetin, por duhet te çmende ate qe e keqperdor.
Ne fakt, vetembrojtja legjitime e trupit/jetes nuk eshte i vetmi motiv qe duhet ta shtyje dikend te shkoje tek zgjidhja finale, sepse kjo nenkupton qe çeshtja publike behet e denje vetem kur kthehet ne çeshtje private.
Nje pushtet tiranik eshte çeshtje publike qe kerkon armiqesi publike dhe zgjidhje finale publike, nuk ka pune fare privatja dhe trupi per t’u mbrojtur, aq me pak vetesakrifikimi.
Eshte njesoj si dhenia e jetes si deshmor i atdheut apo kombit, ne fakt, ne lufte duhen njerez te pergatitur, qe dine te vrasin, jo njerez dosido qe japin jeten, biles keta qe ne lufte japin vetem jeten, jane te demshem per moralin dhe per levizjet taktike te njesive luftarake.
Historia shqiptare e te voglit kunder te madhit, nuk ka prodhuar Davidin qe vret Golian, por ka plazmuar nje kulture te qendreses finale, ”last stand”, Oso Kuka me barotin, Mic Sokoli dhe topi, Kruja qe nuk pushtohet pa vdekur edhe shqiptari i fundit, shkembi i malit ku malesori heroik pasi ka shkrepur fishekun e fundit, nxjerr kamen, shpaten, jataganin per nje vdekje heroike trup me trup, bunkeri i Enverit, ku ushtari shqiptar perballon bombardime ajrore dhe te artilerise armike, per te shtene mbi armikun edhe fishekun e fundit para se pashmangshem te vdese.
Keshtu kultura shqiptare toleron pa fund gjithe te keqijat e nje pushteti, derisa çdo individi t’i shkoje thika ne palce personalisht, ku pastaj si ne ’97 nuk ngel gje tjeter veçse te merren armet per t’u mbrojtur dhe rrezuar pushtetin tiranik.
Nuk ka pse te jete me keshtu, nuk ka pse reagimi te jete domosdoshmerisht privat, nje xhep i vjedhur, nje e drejte e shkelur, nje simbol i dhunuar, aty ku nuk mban me, qe te realizohet nevoja per nje qendrese finale.
Shteti eshte i shqiptareve nuk eshte i pushtetareve, teatri eshte i shqiptareve nuk eshte i pushtetareve, nuk jane shqiptaret te vegjlit dhe pushtetaret te medhenjte, nuk ka nevoje per nje qendrese finale, pas nje shkembi, brenda nje keshtjelle apo nje bunkeri, biles as per nje qendrese finale para nje Teatri.
Ramen e kane braktisur thuajse te gjithe, i iku edhe antishqiptari Velo, qe kesaj radhe gjeti frymezimin te rreshtohej me kulturen shqiptare, biles e kane braktisur edhe komentuesit e Temes, Dites dhe Shqiptares, veçanerisht per t’u permendur, talebanet e Temes.
Nuk eshte Teatri per nje qendrese finale, do mjaftonte nje tende e vogel para kryeministrise, me 1 person per turn e me tej impenjimi per nje referendum abrogativ te ligjit e nese Rama do t’u vidhte shqiptareve referendumin, atehere te gjithe para kryeministrise.
Derhemi nuk është aspak i marrë, thjesht bën atë që ndjen se duhet bërë dhe e ka aq mirë ai deli djalë, Artist!