Shqipen pusullë, me kuptimin “copë letre e shkruar shpejt, që i dërgohet dikujt, it. bigliettino”, e kanë identifikuar si ose huazim nga sllavishtja (e vjetër kishtare) posъlъ me kuptimin “lajmëtar”, ose huazim nga turqishtja pusula me kuptimin “busull”, duke iu referuar Meyer-it në rastin e parë, Boretzky-t dhe Dizdarit, në të dytin. Shprehja “e ka humbur pusullën” lë të kuptohet se ka ndodhur një kontaminim me fjalën busull, ose të paktën me fjalën turqisht për “busull” (pusulá); sepse përndryshe një copë letër e shkruar dhe busulla vështirë se t’i përkasin së njëjtës pemë polisemike. Në fakt, dikush që ka humbur pusullën sillet ose vepron në mënyrë të çoroditur, si të ketë humbur orientimin (it. perdere la bussola). Duke qenë busulla instrument orientimi karakteristik për detarin, kuptimi i fjalës (dhe funksioni i instrumentit) nuk do të kenë qenë shumë të qarta për brendatokën shqiptare; që këtej, me gjasë, edhe përafrimi imagjinar mes një instrumenti që tregon drejtimin gjeografik dhe një cope letër me udhëzime si të arrish diku (pusulla).
Një kontaminim i ngjashëm do të ketë ndodhur me foljen premtoj, të cilën e sjellin si huazim relativisht të ri nga italishtja promettere (Buzuku e ka prometuom); dhe pikërisht në togfjalëshin nuk më premton koha, që gjithnjë duket sikur i përket ligjërimit libror. Gjatë një leksioni, Mahir Domi pat përsiatur se kjo premton duhej të ishte një shtrembërim i një huazimi tjetër modern nga italishtja, permeton (nga permettere, me kuptimin “lejoj”), si në shprehjen: se il tempo lo permette, “nëse e lejon koha”. Dy huazime nga italishtja janë shkrirë në një, edhe pse në një kontekst specifik. Çfarë do të shpjegonte edhe ngjyrimin libror të shprehjes vetë – i cili i detyrohet ngjyrimit të huazimit të pa-asimiluar permeton.
Të dy shembujt ilustrojnë një dukuri të njohur në gjuhësi si “etimologji popullore” (Volksetymologie), të përkufizuar si ndryshim në një fjalë ose në një frazë, që vjen nga zëvendësimi i një forme pak të njohur me një formë më të njohur. Një shembull do të ishte anglishtja cockroach (buburrec), që vjen nga spanjishtja cucaracha, por që pastaj është ri-analizuar si e përbërë nga dy fjalë të anglishtes, cock dhe roach. Edhe anglishtja liquorice (“jamball”), së bashku me italishtjen liquirizia, e ruajnë një lidhje fonetike me liquor (lat. liquare, “lëngëzoj”), pa çka se fjala e ka origjinën nga greqishtja γλυκύρριζα (glycyrrhiza), me kuptimin “rrënjë e ëmbël”.
Etimologjia popullore i shton gjuhës një aromë poetike, ndonjëherë tejet sugjestive, si në dy shembujt e mësipërm, të pusullës dhe të kohës që (nuk) premton. Një njeri që “ka humbur pusullën” dhe sillet si i çoroditur, mund të përfytyrohet edhe si dikush që ka humbur udhëzimet ose programin – robot i deprogramuar, harduer i mbetur pa softuer. Aq më tepër në rrethanat e sotme, kur fjala pusullë në kuptimin e vet kryesor po vjen duke u vjetruar (meqë askush nuk shkruan më sot pusulla; mjaftohet të dërgojë një SMS), shanset janë që pusullë të ruhet në përdorim vetëm në kuptimin “orientim”, falë shprehjes përkatëse. Edhe ideja e kohës si agjenci me kapacitet për të premtuar ose për të mos premtuar të na ndihmojë mund të interpretohet si aluzion se, kur duam të bëjmë diçka, gjithnjë duhet të merremi vesh paraprakisht me kohën, ose t’ia marrim “besën” (premtimin, zotimin). Si të thuash, aftësia për të parashikuar kohëzgjatjen e diçkaje përthyhet në aftësi për të negociuar një marrëveshje me “kohën”.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa leje.