Kur shkruaj ndonjëherë për dëmet që ia sjell shqipes purizmi, si përthyerje e kombëtarizmit në kulturën e gjuhës, një nga kritikat që më bëhet rregullisht është se “po e teproj”, se “nuk ka asnjë të keqe”, se “problemi nuk ekziston”, dhe kështu me radhë; edhe pse unë gjithnjë mendoj se praktika e ndërhyrjes në leksik për të zëvendësuar fjalë veç e lëndon leksikun si sistem, gjuhën vetë dhe komunikimin; dhe se mirëmbajtja e shqipes publike ka nevojë për profesionalizëm, jo zelltari ideologjike.
Për ta ilustruar këtë, po parashtroj këtu në vijim disa vëzhgime që pata rastin të bëj tani së fundi, në një nga prozat shqip më të lexuara dhe, për mua, më të arrira, të shekullit të XX.
Sapo marr në dorë romanin Dimri i vetmisë së madhe[1] të Ismail Kadaresë (botim i Onufrit, i vitit 2012), më ngecën sytë te ky paragraf (f. 6):
Kur Besniku doli në rrugë, ora nuk kishte shkuar ende shtatë e gjysmë. Mbrëmja ishte e lagët. Ai pa njerëzit e parë veshur me mbipetk nëpër bulevardin e madh dhe pothuajse u çudit, sikur të bënte një zbulim të papritur. Kishte ardhur përnjëmend vjeshta.
Dhe sytë më ngecën pikërisht te kjo fjalë, mbipetk, të cilën nuk e mbaj mend ta kem hasur ndonjëherë dhe që, me siguri, nuk ka qenë në botimin origjinal të romanit.
Kam shkruar disa herë për këto ndërhyrje “higjienizuese” që u janë bërë teksteve klasike të Kadaresë, në botimet e reja – për të hequr fjalë të gjykuara si “të huaja” dhe për t’i zëvendësuar ato me gjithfarë neologjizmash dhe preciozizmash.[2]
Në parathënien e botimit të vitit 2012 të romanit, tashmë të rikthyer në titullin e kryehershëm Dimri i vetmisë së madhe, ndërhyrje të tilla janë likuiduar nga Kadareja si “retushe artistike që autorit i janë dukur të vlefshme”; por më poshtë do të orvatem të tregoj se cilësimi “artistike” për zëvendësime të tilla fjalësh do të ishte shumë zemërgjerë.[3]
Në shembullin e cituar më lart, mbipetk ka dëbuar nga teksti fjalën pardësy.[4]
Po pse më ngecin sytë te kjo mbipetk? Sepse është fjalë e pazakonshme; dhe sepse i referohet një teme – petk – që është edhe ajo e rrallë në shqipen e sotme dhe me siguri edhe në tekstet e këtij autori.
Origjinalisht, paragrafi i cituar synonte të krijonte një farë atmosfere – ardhjen e vjeshtës. Edhe po të ketë pasur fjalën pardësy, këtë e përdorte shqipja rëndom aso kohe, dhe ndoshta e përdor edhe sot po aq rëndom. Asnjë problem praktik nuk i krijojnë fjalë të tilla përdoruesit. Përkundrazi, ato i japin një arsye për të ekzistuar ideologut purist.
Në leximin e tanishëm, ose pas ndërhyrjes leksikore, ky paragraf e ndërron edhe synimin: në vend që të përgatitë skenografinë përkatëse (vjeshta, shiu, zymtësia etj.), kthehet në një vitrinë ku reklamohet neologjizmi mbipetk. Efekti zhvendos vëmendjen dhe, në analizë të fundit, e sakrifikon rrjedhshmërinë diskursive për një parim ideologjik/didaktik.[5]
Prandaj edhe mund të bëhet pyetja: kjo fjalë e pazakontë, mbipetk, a është në shërbim të tekstit, ose të veprës; apo është futur për të promovuar një utopi leksikore të autorit a të redaktorit gjuhësor të tekstit? Unë besoj se ajo nuk i shërben tekstit; dhe se, duke qenë kaq e rrallë dhe e panjohur për lexuesin, e vë tekstin (dhe tërthorazi edhe veprën) në shërbim të një një ideologjie që nuk ka lidhje me artin. Një roman, aq më tepër i kalibrit të lartë si “Dimri”, nuk mund të ripërshtatet dhe as të fillojë të përdoret si manual ilustrativ për përdorimin e fjalëve të rralla dhe neologjizmave të shqipes: si lexues i hershëm dhe i apasionuar pas veprës, unë ndihem personalisht i lënduar.[6]
Ja edhe një shembull i ngjashëm, këtë herë nga faqja 16:
“Liri,” e ndërpreu Kristaqi, “në vend që me thashetheme politike të merren këta që banojnë poshtë nesh,” ai bëri me dorë nga fundashtroja, “po merresh ti?”
Fundashtroja? Origjinali ka dyshemeja – fjalë e rrënjosur në shqipe; por që tani shkarkohet “nga detyra” për shkak të biografisë së keqe, për t’u zëvendësuar me një gjë amorfe dhe krejt kundër-intuitive, sa kohë që dyshemeja nuk është gjë që shtrohet, siç është, për shembull, shtroja.
Në qoftë se ka njeri që gjen diçka sado pak artistike te kjo fjalë, fundashtrojë, dhe tek akti i përdorimit të saj në vend të fjalës shqipe krejt të rëndomtë dysheme, është i lutur të ma shpjegojë.[7]
Për purizmin kanë thënë edhe se e varfëron gjuhën. Ja një shembull, nga faqja 12, se si mund të ndodhë varfërimi (është momenti kur Besniku vjen për vizitë në shtëpinë e Zanës):
Besniku bëri një lëvizje me kokë, që donte të thoshte “mirë”, dhe u ul në njërën nga ndenjëset.
Kjo ndenjëset ka zëvendësuar kolltuqet e origjinalit, që ka përfunduar në listën e zezë të fjalëve për t’u spastruar thjesht për shkak të biografisë së keqe, si fjalë e huazuar nga turqishtja-osmanishtja. Pa çka se ndenjëse në shqipe ka prirje të specializohet për “sediljet” e një makine a të një avioni, ose ato të një teatri a salle kinemaje; ose për t’u përdorur krahas kolltuk. Tani, një shqipe që ka edhe ndenjëse, edhe kolltuk në përdorim, me kuptime të ndryshme, është më e pasur se një shqipe që e nxjerr fjalën kolltuk përjashta, pa çka se kjo ende është pjesë e leksikut bazë të shqipes.
Nuk di kush i ka bërë këto spastrime në tekstet e Kadaresë; refuzoj të besoj që t’i ketë bërë autori vetë. Me logjikë, më shkon mendja te ndonjë redaktor i zellshëm, por tone-deaf ndaj gjuhës, ose pa vesh gjuhësor; një lloj buldozeri, që shkallmon ç’t’i dalë përpara. Nuk e pranoj dot që një shkrimtar t’i trajtojë kështu tekstet e veta, jo për t’i përmirësuar artistikisht, por për t’i higjienizuar, në emër të një parimi a kriteri që, në çdo rast, nuk është letrar por ideologjik.
Purizmi jo vetëm e varfëron, por edhe e pështjellon gjuhën. Ja një shembull si ndodh kjo (f. 8):
Kapërceu rrugën te vijat e bardha dhe hyri në barnatore. Te sporteli shërbente një farmaciste e bukur. Ajo po i shpjegonte një fshatari plak përdorimin e barnave. Fshatari dëgjonte i hutuar […] Një çast ajo ngriti sytë, si për të kërkuar një mbështetje tek ata që prisnin. Sytë e saj takuan rrëshqitazi sytë e Besnikut dhe [ajo], duke ngritur supet lehtë, buzëqeshi. Ja dhe gjarpri, tha ai me vete. Sytë i kishin shkuar pa dashur te simboli i farmacisë, mbi qelq.
Le të shohim se çfarë i ka bërë purizmi këtij pasazhi: më parë, kemi fjalën barnatore që zëvendëson farmaci; një ndërrim i pranueshëm, meqë barna, për medikamente (ilaçe) ka hyrë tashmë në ligjërimin libror, duke e shtyrë ilaçe në kufijtë e ligjërimit bisedor (gjë e mirë, pasurim). Nga ana tjetër, traktori që ka lëruar paragrafin, nuk ka prekur fjalën farmaciste, edhe pse mund ta kish zëvendësuar edhe këtë me barnatare[8]; tek e fundit, është më koherente që në një barnatore të punojë një barnatare (po aq koherente sa edhe që në një farmaci të punojë një farmaciste).
Dhe lexuesi mund të pyesë: ç’bën një farmaciste në barnatore? Pse jo në farmaci? Çfarë të keqe i ka sjellë shqipes farmaci, që u dashka zëvendësuar, dhe për më tepër në mënyrë të izoluar, ose pa prekur çerdhen e fjalës? Për më tepër, fjala farmaci shfaqet në tekst vetëm dy rreshta më poshtë: “simboli i farmacisë”; meqë këtu zëvendësimi me barnatore nuk do të funksiononte – sepse farmacia tani nuk është më dyqani (tregtiza!) ku përgatiten e shiten barna, por shkenca dhe teknologjia dhe praktika e përgatitjes së barnave (në shqipen e puristëve do të ishte barnataría, njëlloj si vreshtaría dhe kopshtaría dhe këpucaría).
Normalisht, çrregullimi që sjell një huazim i ri në gjuhë është se përdoruesit nuk e kuptojnë: në qoftë se unë përdor fjalën grintë/grinta në një telekronikë sportive me kuptimin “shpirt luftarak, vendosmëri,” atëherë jam duke u folur (dhe duke u shkelur syrin) dëgjuesve që dinë italisht; sepse të tjerët nuk do të më kuptojnë. Mirëpo fjalët që vihen në shënjestër prej puristëve – dhe këtu kam parasysh pikërisht kopshtarët e prozës së ribotuar të Kadaresë – nuk e kanë këtë problem, përkundrazi. Janë fjalë që njihen dhe përdoren rëndom; ndërsa fjalët e sjella për t’i zëvendësuar nuk i kupton kush. Për shembull, fjala mbipetk, në korpusin Albanian National Corpus me rreth 20 milion tokens ndeshet vetëm në tekste të I. Kadaresë, çfarë përbën një anomali.
Në raste të caktuara, zëvendësimi shkon aq larg, sa të prekë ndërkombëtarizmat – shenjë kjo e një purizmi zelltar, të dalë jashtë kontrolli. Sjell si shembull paragrafin më poshtë, ku përshkruhet procesi i larjes së filmit në një laborator fotografik:
Laboranti e nxori njërën letër. Xani afroi kokën. Ishte një grup partizanësh, por pamja ishte kaq e zbehtë, saqë fytyrat e tyre ngjanin krejt pa jetë. Xani shkrofëtiu. Bëje mirë, thirri. Zhdrivillimi nuk ka mbaruar, zotni, tha tjetri, dhe e zhyti letrën përsëri (f. 34).
Kjo fjalë, zhdrivilloj, që në fjalorët del me kuptimin “shpalos, shtjelloj”, zëvendëson fjalën proces të origjinalit; një ndërkombëtarizëm, që nuk i sjell asnjë problem shqipes. Çfarë përparësish do të sillte zhdrivillim ndaj procesit? Ndoshta duke u specializuar si term i përpunimit të fotografive? Nga teksti kjo nuk del e qartë; dhe, në çdo rast, dyshoj shumë se lexuesit do ta kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë.
Një kontroll i shpejtë dhe aspak shterues i tekstit lë të kuptohet se ndërhyrja në leksikun e tekstit origjinal ka qenë e zellshme, por jo sistematike. Kështu, në f. 23 lexojmë për një “mesore të redaksisë”, e cila nuk është veçse korridori (e kam të pamundur ta kuptoj atë mendje që shqetësohet nga fjala korridor); ndërkohë, në f. 260, ftohemi në hollin e teatrit, një anglicizëm shumë më pak i rrënjosur në leksik se korridori. Shembuj të tillë të inkonsistencës, dhe do të ketë me siguri të tjerë, lënë të kuptohet sikur ndërhyrja në tekstet është bërë më shumë në mënyrë demonstrative, ose në fasadë; çfarë e pështjellon lexuesin edhe më, përveçse cenon integritetin diskursiv dhe leksikor të veprës.
Sërish do t’i kthehem pyetjes që bëra më lart: kush i ka bërë këto ndryshime në leksik? Nuk dyshoj se Kadareja i ka miratuar në parim; por cilësia materiale e ndërhyrjeve, dora e rëndë dhe vrazhdësia, mungesa e ndjesisë së tekstit dhe harmonisë, natyra prej arnash dhe shurdhëria ndaj asaj që do ta quaja tingëllim të fjalës në kontekst, të gjitha këto më bëjnë të dyshoj se “fajtori” për këtë prishje të teksteve shqip do të jetë ndonjë redaktor çfarëdo, pa vesh letrar, pa vesh gjuhësor, që i është vërsulur tekstit me egërsi mekanike.[9]
© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të revistës.
[1] Veçanërisht i dashur për mua në adoleshencë, ky roman në versionin e parë u botua në periudhën kulturorisht të errët që pasoi Plenumin IV të KQPPSH të vitit 1973 dhe flakërimin e luftës “kundër shfaqjeve të huaja” në kulturë dhe në art. Pati aq sukses në atë kohë, sa u zhduk sakaq prej librarive dhe në shtëpitë tona prisnim radhën për ta lexuar. Për mua që sapo kisha nisur shkollën e mesme, Tirana e romanit ishte qytet i dëshiruar.
[2] Në studimin sistematik që u kam bërë zëvendësimeve të tilla dhe ndërhyrjeve të ngjashme te Kështjella, besoj se kam provuar që pas tyre qëndron jo vetëm dëshira për të pastruar leksikun, por edhe vullneti për të rishikuar vizionet historike. Për këto të fundit, autori mund të mbrohet me shpjegimin se, kur e botoi romanin për herë të parë, kish qenë i detyruar që të bënte disa kompromise me politikat letrare dhe kulturore të regjimit; dhe se vetëm tani ka mundur që t’ia japë romanit formën e dëshiruar. Por ky shpjegim nuk vlen për arnat leksikore: politikat gjuhësore të regjimit totalitar kanë qenë njëlloj puriste.
[3] Krahasimin filologjik të motërzimeve të këtij romani në rrjedhë të viteve e ka ndërmarrë në mënyrë sistematike Brunilda Dashi, nga Universiteti La Sapienza, në Romë. Ky krahasim është shtrirë edhe në fushën e leksikut, edhe pse përshtypja ime është se kjo studiuese ose mjaftohet që t’i katalogojë dallimet që gjen, ose i përshëndet ndërhyrjet e autorit si pozitive; por po e rezervoj gjykimin, sepse nuk i kam gjetur dot të gjitha punimet e saj me këtë temë.
[4] Këtu dhe më poshtë po i referohem botimit me titullin “Dimri i madh”, të vitit 1977, nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.
[5] Kadareja e ka futur këtë fjalë, mbipetk, edhe te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”:
në stadiumin ku po bëjmë tani gërmime, vjen vazhdimisht një vajzë e bukur dhe pret të fejuarin, kur ai ka stërvitje. Kur bie shi, vesh një mbipetk blu dhe rri aty në një kënd, nën shtyllat e tribunës, duke ndjekur me sy lojtarët që stërviten. Stadiumi i zbrazët është i trishtuar. Shkallët prej çimentoje janë të lagura. Gropat nxijnë anëve. E vetmja gjë e bukur është ajo, me atë mbipetk të tejdukshëm blu….
Dhe pastaj te “Kronikë në gur”:
Nëna, dyllë e verdhë, me duart që i dridheshin ndezi fenerin, ndërsa babai hodhi në kokë një mbipetk të zi, ia mori fenerin dhe shkoi të hapte portën.
Por mbipetku i “Kronikës” është tjetër nga ai i “Gjeneralit”. Origjinali ka: “babai hodhi në kokë mushamanë e zezë”.
[6] Kadareja, dhe veçanërisht ndjekësit e tij, mbajtësit e valixheve, hapësit e dyerve të makinës dhe mbrojtësit e tij publikë, tregojnë kujdes të madh për mirëmbajtjen e figurës së tij publike në Shqipëri, ndaj çdo sulmi që i bëhet dhe çdo njolle që ia vënë detraktorët. Unë besoj se kultura shqiptare do të përfitonte më shumë sikur një pjesë e këtij zelli dihatës të tregohej për mirëmbajtjen e trashëgimisë së veprës letrare me autor Kadarenë. Kultura e sotme shqip nuk funksionon dot mirë pa praninë aktive dhe të integruar të kësaj vepre – dhe kur them kështu, nuk kam parasysh përmendjen e saj në lista, as ekspozimin e saj në MURE librarish, as përfshirjen e saj në kurrikulumet shkollore të detyruara (një farë mallkimi), as zhurmën e përvitshme për Nobelin; por leximin dhe rileximin e saj nga brezi që nuk e ka njohur periudhën totalitare. Ndryshe nga shumë zhurmëtarë të sotëm publikë, mua më intereson përvetësimi letrar i veprës, jo përdorimi (dhe abuzimi) politik dhe ideologjik i suksesit të kësaj vepre.
[7] Mehmet Elezi e ka përfshirë fjalën në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (me rreth 41,000 fjalë që “nuk gjinden në FGJSSH”) në trajtën fundshtrojë, duke e shoqëruar me një ilustrim nga romani Hija i Kadaresë dhe duke shtuar se “e zëvendëson plotësisht fjalën dysheme”.
[8] Por mbase edhe jo. Ja si e përshkruan barnatarin Martin Camaj:
Luka, nji plak trupshkurtë e i thatë ka te barijtë ndër Alpe famë njeriu magjík dhe nji emën krenár që nuk e ka askúsh: barnatari. Verë e vjeshtë gjindet në mal, me një torbë lëkure krahaqafë, e vjetër e që dikúr ishte rrëshíq, ku tash shtue mbrendë lule e barna të thata, rranjë e gjetje. Edhe duert e tij janë si rranjë e teshat si gjethe e u vjen era bimësí si me pasë nji pyll në krah.
Barnat shërúese Luka i njeh me emën. Ai thotë: çdo njerí apo mal ka nji emën si unë, për shembull barnatár! Ky, si njerí magjík, mbahet si bestytës e thotë: vetëm barnat që kanë nji emën shërojnë, sidomós ethet! Andáj disá sosh kanë edhé emna sëmundjesh: bar lie, bar fruthi, bar lëngimi. Mekët thonë: barnatari âsht njerí fantastík!
Mund të jetë ashtú, por Luka në të vërtetë si shitës barnash malore âsht edhé nji reklamist!
[Grammatica Albanese, Edizioni Brenner 1995, f. 52-53]. Teksti ka natyrë didaktike, meqë sillet si copëz leximi në një gramatikë, por dëshmon se barnatari do të mund të përshtatej më mirë si fjalë shqipe për it. erborista, angl. herbalist, sesa të zëvendësonte me pahir fjalën farmacist.
[9] Për shkrime të ngjashme me këtë më lart, më kanë sulmuar personalisht dhe egërsisht në publik. Gjithnjë e kam bindur veten se ka qenë fjala për gjeste personash mendjevarfër, që duan t’i bien në sy për mirë dikujt që adhurojnë si idhull (Kadaresë), jo për veprime të urdhëruara dhe të bashkërenduara nga Kadareja vetë. Nuk mund të pretendoj që ky autor të ushtrojë kontroll mbi të gjithë ata që i mblidhen rrotull dhe që, njëlloj si langonjtë në një gosti mesjetare, nguten të përfitojnë nga çdo kockë që bie poshtë tavolinës. Mua më duket krejt normale që vepra e Kadaresë të lexohet në mënyrë kritike, pikërisht për shkak të peshës që ka në kulturën e sotme: tek e fundit, edhe kritika – qoftë edhe ajo me natyrë të specializuar si imja – është pjesë e efektit dhe jehonës kulturore të një vepre. Përkundrazi, lavdërimi i pakushtëzuar i veprës dhe sakralizimi i saj do të ishin mënyra më e mirë për ta mumifikuar Kadarenë si autor dhe për ta shndërruar në thjesht armë të gjithfarë luftrave të neveritshme për pushtet dhe supremaci.
Dysheme ka kohe qe la marre goditje. Zevendesohet rendom me cimento, pllaka apo parket, ne varesi te perberjes. Jam rritur me verejtjet, mos u ul ne cimento, mos I mba kembet (zbathur) ne cimento etj. Pardesy perdoret fare pak , ngjan me shume si nostalgjizem, edhe sepse pardesyja ka humbur pike ne garderobe. Ndenjese dhe ulese duket te kene filluar te perdoren po nuk jane kristalizuar ende ne kuptime specifike. Kolltuk duket me shume si reference luksi apo pushteti me kuptime negative. Gjithsesi gjuha eshte gjithnje ne zhvillim dhe nuk ka zhvillim po nuk u lejuan progresistet te flasin.
Dyshemeja mund të ketë marrë krisje dhe të jetë gati të na shkas nga duart, pardon, nën këmbë, por vështirë që fundashtroja t’ia zë vendin më bukur… nuk është shumë larg nga fundëshpina: “fshije të lutem fundashtrojën”, “i dhashë një larë fundashtrojës”, “fërkoje mirë fundashtrojen”… Mos, të lutem! (aman!) 🙂
Fundashtroja apo fundshtroja nuk ka per t’ia zene vendin, sepse thuhet laj apo fshij dyshemene nuk eshte se perdoret edhe aq shume, me e rendomte eshte fshiva/lava guzhinen apo dhomen apo lava cimenton, apo fshiva poshte. Fundashtroja nuk ka per te hyre ne perdorim perderisa po del nga perdorimi dyshemeja.
Ideja eshte qe dyshemeja nuk eshte fjale e qendrueshme, perderisa populli e perdor gjithnje e me pak, keshtu qe ne te ardhmen mund te zevendesohet ose te humbase fare perdorimi. Kadareja duke vene nje fundashtroje. e ben lexuesin qe ta kape me intuite, jo vetem pas 50 vjetesh, por edhe pas 500 vjetesh, gje qe dyshemeja nuk e ben dot, ashtu si nuk e bejne dot nje thes turqizma te tjere, me te cilat robi perplas koken kur lexon autoret e vjeter.
Nga ana tjeter, shqipja ka pak fjale me theks ne rrokjen e fundit, se si rregull e ka ne foljen e parafundit, kurse turqizmat si rregull jane ne te fundit, me perjashtimet e rastit kuptohet. ja psh
temenà, teneqè,teneqexhì,tenxherè,tepsì,teqè, terezì,terzì,tezgjàh,tokà,topàll,turlì,turshì etj etj etj
Meqenese nuk perdorim theksin ne te shkruar ( gje fort e paarsyeshme), nuk arrijme ta dallojme kerdine qe do te behej me shenjen e theksit per shkak te turqizmave, qe jane shumica derrmuese jashte theksit normal te shqipes.
Kur nuk pershtatesh dot, bej gati valixhet dhe ik.
Hyllin, ca nga këto që thua nuk i ke të sakta: p.sh. që fjala “dysheme” nuk është e qëndrueshme dhe mund të dalë nga përdorimi; që “shqipja ka pak fjalë me theks në rrokjen e fundit” (ku e gjete këtë xhanëm? Janë me qindra, në mos me mijëra: të gjitha fjalët abstrakte me prapashtesat -i, -ri, -si!) e të tjera. Mjafton një kërkim në Google, për të parë që firmat e ndërtimit përdorin rregullisht “dysheme” në materialet e marketingut; sepse NUK KA fjalë tjetër të pranueshme. “Fundashtroja” është një tik nervor, një figurë leksikore, një eksperiment për mua i dështuar; nuk më duket se ka shans të hyjë në gjuhë, sepse të futësh një fjalë të re në gjuhë (e theksoj GJUHË, jo ligjërim) është e kushtueshme – në çdo pikëpamje. Veç kësaj, ty të ka shpëtuar thelbi i shkrimit tim – që nuk ka të bëjë me përpjekjet për të zëvendësuar fjalë të huaja, ose për “pastërtinë e gjuhës” në përgjithësi, por me përpjekjet për ta bërë këtë duke ripunuar tekste me natyrë letrare. Vërtet Naimi bëri diçka të ngjashme para 100 e ca vjetësh, por atëherë shqipja e tij ishte e vetmja, nuk kishte shqipe tjetër për Rilindjen; ndërsa sot zëvendësime të tilla zakonisht bëhen nëpërmjet ndërhyrjeve në terminologji.
Ka pak me theks fundor, sepse rregulli i shqipes thote se bie ne rrokjen e parafundit dhe kur ka nje rregull do te thote qe te tjerat jane pak (ne fjaleformime te caktuara transferimi i theksit eshte funksional).
Dyshemè nuk perdoret si me pare, ka kohe qe menjanohet nga e folura e perditshme, nuk lahet/fshihet dyshemeja por cimentoja,pllakat apo parketi, ose edhe thjesht pertoke apo salloni,dhoma; diçka bie nga tavolina pertoke apo hidhet pertoke, jo ne dyshemè, pllakat apo parketi, vihen ne dhome, sallon, banje,por jo ne dyshemè. Duket qarte qe fjala ne perditshmeri menjanohet me sa eshte e mundur.
Kjo nuk do te thote se eshte zhdukur, nuk e thashe gjekundi diçka te tille, thjesht permendet atje ku nuk menjanohet dot; firmat e ndertimit thua ti, shume bukur, jà nje shembull ku nuk menjanohet dot, por mund te kete te tjere.
Nje fjale e tille nuk ka nje status gjuhesor per bukuri te zotit, si llafi qe bie shishe,zarf, kat apo kulle, keshtu qe gjasat e zevendesimit ne te ardhmen jane te larta. Nqs firmat e ndertimit qe permende vendosin te shkruajne fundashtroje, kjo as nuk i prish as nuk i ndreq ndonje pune folesit ne perditshmeri, do u krijoje nje problem fillestar dhe kaq.
Ne letersi autori e vendos vete si do t’u flase brezave te rinj, per me teper qe turqizmat ne shqipen e autoreve te vjeter, por edhe tek Kadareja, vendosen shpesh per efekte letrare, te cilat jane te vlefshme per kohen por pastaj per brezat e rinj behen te palexueshme.
Noli psh perdor derbederet per efekt rime, po derbederet, te cilet kane qene ushtare te parregullt te shekullit 19, sot nuk njihen fare, biles edhe ne kohen e Nolit fjala do kete qene duke dale, si kane dale shume fjale te tilla te fjalorit ushtarak turk, si çaush, qe ka ngelur si mbiemer po njehere e nje kohe e dinin qe ishte grade ushtarake ( apo xhelil, spahi,dizdar etj).
Nje autor ende sot per efekte letrare mund te perdore turqizma, psh fjalen xhuma, per e premte, si ta zeme nje bejtexhi i kafeneve virtuale mund te shkruaje;
Kete xhuma/andej nga Luma/mu drodh suma/ se erdh’ Puma (pseudonimi i te fortit te zones se Lumes).
Por, kjo zgjidhje neser do te jete e paefektshme, sepse xhuma, duket qarte qe ka per t’u zhdukur. Xhuma eshte barbarizem tipik do thuash ti, nuk eshte si dyshemeja, por dyshemese i eshte tronditur statusi, ndoshta neser do te zhduket, atehere hedh nje fjaleformim te guximshem (mund te jete i suksesshem ose jo).
Po nuk jane vetem turqizmat, shume fjale te urta popullore nuk perdoren fare nga brezi i ri, i dine se i kane degjuar po nuk i perdorin, keshtu qe nuk do t’i percjellin. Kush shkruan apo ka shkruar duke perdorur shume fjale te urta, duhet te mendohet mire ne pleqeri per ndryshime, se neser s’do te kuptohet, pra edhe lexueshmeria e vepres se tij do te bjere pertoke ne te ardhmen. Per fjalet e urta ka nje skene te bukur Renato Pozzetto ne nje film te vjeter italian:
https://www.youtube.com/watch?v=MIp5uOHUI8s&t=188s
Hyllin keshtu i bie te heqim nga qarkullimi edhe TAVAN, ÇATI, MUR. Fundja s’ka ndonje te keqe perveç qe duhen gjetur zevendsues te sakte e te plote. Se psh ç’rendesi ka ta heqim dysheme e te themi pllaka, çimento, drrasa, a ku di un ç’tjeter, apo qofte edhe fundshtroje, po kur vjen fjala per te thene “çmim dysheme”, si t’ia bejme? te themi çmim fundshtroje? Apo çmimi pllaka, apo çmimi çimento?
E dyta, lidhur me shqetsimin e shkrimtarit (e jo vetem te Kadarese) per lexueshmerine ne te ardhmen, me duket pak si argument i sforcuar dhe artificial. Se nqs shtrohet ky problem per lexueshmerine e Kadarese nga brezat e ardhshem, atehere si eshte zgjidhur ky problem per Shekspirin, Tolstoin, Dikensin etj, etj, Cdo shkrimtar shkruan duke perdorur fondin e fjaleve qe ka ne dispozicion ne kohen kur e shkruan vepren, Se pastaj i bie qe shkrimtaret duhet te mbeten gjalle ne perjetesi se ndryshe nuk do te perditesojne dot leksikun ne veprat e tyre.
Po ngeli fati i dyshemese tek si do i themi çmimit dysheme, atehere dyshemese i eshte shembur dyshemeja nen kembe. Jà ti them fluturimthi,nja dy mundesi, çmimi i fundem ose çmimi i poshtem dhe per çmimin tavan, çmimi i eperm ose çmimi i lartem. Qameti i madh se si do i themi çmimit dysheme, qe perdoret po a jo nga 20 persona ne dite ( edhe ata me ndjeshmeri te atille gjuhesore, qe mund te perdorin edhe çmimi mullar, çmimi shpute ose çmimi herdhe e te mos e kene problem).
Persa i perket autoreve te medhenj qe permende, ata kane qene ne pararoje te zhvillimeve ne gjuhet perkatese. Shekspiri ka perdorur ne gjithe veprat e tij 25 mije fjale, prej te cilave plot 2 mije jane shekspirizma, pra te krijuara prej tij, dmth 8% e fjalorit te Shekspirit eshte i perbere nga shekspirizma.
2/3 e atyre 2 mije fjale perdoren ende sot ne anglisht, 1/3 nuk e ka perballuar dot kohen.
https://www.illibraio.it/shakespeare-parole-414160/
Me siguri bashkekohesit e kuptonin Shekspirin fale intuites, se 8% fjale te reja, jane shume fare.
Ne shqip, te jesh ne pararoje te zhvillimeve do te thote te formosh fjale te reja dhe te zevendesosh barbarizma.
Sidoqofte, turqizmat ne shumicen derrmuese jane shume kokeforte e nuk duan te integrohen, ose shqipja eshte kokeforte dhe nuk deshiron t’i integroje.
Nga pikepamja fonetike, turqizmat permbajne shume k,g dhe ç,xh. Shqipja ka 4 mije vjet qe shumicen e k-ve e g-ve te veta indoeuropiane i ktheu ne dh,s,z, duke marre keshtu nje profil te caktuar.
ç e xh, jane dy germa qe krijojne probleme ende sot, sepse nuk po treten dot , nuk po kristalizohen dot ne gjithe arealin shqiptar dhe turqizmat jane pjese e problemit.
Sipas K. Topallin, shqipja e lashte e kishte theksin si rregull tek rrokja nistore si gjithe gjuhet indoeuropiane, por zhvillimet gjate lashtesise se vone, mundesuan zhvendosjen e theksit tek rrokja e parafundit, ku eshte ende sot.
Turqizmat perkundrazi e kane tek rrokja e fundit, duke mos pranuar te integrohen tek rregulli i shqipes.
Turqizmat nuk para kane pranuar parashtesa e prapashtesa te shqipes ne fjaleformim, por kane kerkuar dhe gjetur ato turke, si -llek,-llar,-çi,-xhi, duke krijuar keshtu nje fole arezash brenda shqipes.
Shume nga -ë ne lakimin e femerores i takojne turqizmave, sepse femerorja e atyre shumices se atyre shqip per shkak te theksit tek rrokja e parafundit nuk marrin -ë ne fund. Jà edhe ndikimi ne inflacionin e ë-ve ne shqipen e shkruar.
Mund edhe te admirohet rezistenca e turqizmave ndaj rregullave te shqipes, ose e kunderta, rezistenca e shqipes ndaj turqizmave, por sidoqofte e verteta, çeshtja eshte se ketu ka papjtueshmeri te rendesishme, te cilat do te perfundojne me siguri me humbjen e njeres pale dhe jam i bindur se nuk do te jete shqipja ajo qe do te humbase.
Uo,uo, uo hyllin hold the horses, shembullin me “çmim dysheme” ta solla vetem per te mbeshtetur idene qe kur zevendsohet, apo pushkatohet nje fjale duhet bere kujdes qe te zevendsohet gjithandej si kur perdoret ne kuptimin e drejtperdrejte, ashtu edhe lehtesisht apo teresisht figurativ. Po e shof se “dyshemeja” duhet te te kete bere ndonje gje jo te mire se nuk e kuptoj gjithe kete mllef qe paske me te shkreten,
Ajo qe ke shkruar per Shekspirin, jo vetem nuk e zgjidh problemin e “modernizimit” te leksikut te shkrimtareve te vjeter, ose shume te vjeter, perkundrazi vetem i heq edhe ato pak lecka qe i kishin mbetur dhe e nxjerr fare lakuriq. Nuk jane te gjithe Shekspire dhe e dyta nuk di qe Shekspiri ta kete shkruar Hamletin apo Makbethin nja 30 a 40 here. Perkundrazi, i shkroi nga nje here dhe ato shekspirizma qe mbeten, mbeten dhe ato qe vdiqen vdiqen. Pa me thuaj sot kush ia perditeson Iliaden Homerit?
Sa per ç dhe xh, une do te thosha shyqyr qe i kemi se na lejon te shqiptojme korrekt edhe ne shume gjuhe te tjera fjalet qe i permbajne keto tinguj. Me duket se sa i takon bashketingelloreve gjuha shqipe ka nje pasuri fonetike te lakmueshme. Nese ka pjese te arealit shqiptar (sic e quan ti) qe ç e xh nuk po treten dot dhe njerezia thote q’kemi ne vend te thote ç’kemi, apo i menqur ne vend te i mençur, kjo vetem pasqyron punen veçanerisht te dobet qe bejne mesueset e gjuhes ne ate areal, sepse mesa duket edhe vete nuk e kane shume te “çarte” se kur duhet te shqiptojne ç e kur duhet te shqiptojn q, e kur duhet gj e kur duhet xh.
S’kam gje me dyshemene, po nuk ruhet me fanatizem nje turqizem qe po shkon drejt statusit te arkaizmit. Ti mund te thuash ta ruajme psh fjalen topçi dhe te quajme oficerin e artilerise, topçi qe hedh gjyle, ose me thjesht gjylexhi, krijojme keshtu nje fjale te re per shqipen.
Per Shekspirin me duket se nuk u kuptuam. Shekspiri ishte 10 hapa para Kadarese, se e beri ne rini, ate qe po perpiqet te beje Kadareja ne pleqeri. Ti mos kujton se anglishtja ne kohen e tij, s’kishte plot frengjizma, latinizma apo arkaizma gjithfaresh ? Anglishtja ende sot mban neper qilare keltizma te kohes se mbretit Artur.
Ato 2000 fjale mos pandeh se nuk i gjeje dot ne latinishten e kohes apo ne frengjizmat qe kishin mbushur per 5 shekuj tejembane Angline dhe anglishten?
ç e xh jane problematike ne vetvete, veçanerisht xh, e cila gjendet ne turqizma dhe ne as edhe nje fjale te vetme shqip. Po pe xh e ke o turqizem o latinizem i shek 20. s’ka asnje fjale shqip me xh, nada,nul,zero. Tjeter gje pastaj qe rezistencen xh-se po ia ben gegerishtja, po kjo s’ka lidhje me mesuesit, kjo ka lidhje me faktin qe gegerishtja nuk gjen dot rehat me ate germe., e ke parasysh kur nuk ta tret stomaku nje ushqim, hidhi ereza sa te duash, piqe shume, kendoji kenge ose beji joga, e ke kot. Jà jepu kinezeve te pijne qumesht, 95% e tyre do shkojne ne banjo ose do pine ndonje gje per pastrim.
Hyllin, e di çfare nuk me pelqen me ty ne kete diskutim? Nje here thua:
“Ti mund te thuash ta ruajme psh fjalen topçi dhe te quajme oficerin e artilerise, topçi qe hedh gjyle, ose me thjesht gjylexhi, krijojme keshtu nje fjale te re per shqipen.”
Mirepo une nuk e kisha fare ndermend kete punen e topçiut, dhe ti lehtesohesh duke bere gjoja dialog me mua, por duke me vene mua ne goje fjalet qe do ti, rrjedhimisht kjo pushon se qeni dialog dhe kethehet ne nje monolog tendin. Nejse.
Pastaj, me poshte po sipas te njejti stil thua:
“. Ti mos kujton se anglishtja ne kohen e tij, s’kishte plot frengjizma, latinizma apo arkaizma gjithfaresh ? Anglishtja ende sot mban neper qilare keltizma te kohes se mbretit Artur.” Dhe me poshte akoma:
“Ato 2000 fjale mos pandeh se nuk i gjeje dot ne latinishten e kohes apo ne frengjizmat qe kishin mbushur per 5 shekuj tejembane Angline dhe anglishten?” (By the way, edhe sot e kesaj dite ka nga ata qe thone: L’anglais n’est qu’un français mal prononcé, qe me thote mua, edhe palladini Shekspir nuk e shpetoi dot anglishten nga te gjitha frengjizmat).
Ti nuk mund te dish se çfare kujtoj une, apo çfare pandeh une.
Keto jane truke qe ti i perdor per t’i dhene te drejte vehtes. Mirepo une nuk te pyeta ty asfare se cfare beri Shekspiri me latinizmat, a frengjizmat e kohes. Sado gjenial te kete qene Shekspiri (gje qe nuk po ia mohon njeri, te pakten jo une), sado fjale te reja te kete stisur, puna eshte qe sot pas sa te duash shekujsh jo te gjitha neologjizmat e Shekspirit i kane rezistuar kohes, Keshtuqe pyetja ishte kush i perditeson veprat e Shekspirit. Dhe sidomos pyetja tjeter qe ti kishe bere sikur nuk e kishe degjuar:
PO “ILIADEN” E HOMERIT KUSH E PERDITESON?
Sa per ate qe thua qe nuk ka fjale shqipe me “xh” ke shume te drejte. Ne te gjithe fjaloret e gjuhes shqipe qe munda te shfletoj nuk e gjeta zerin “XH”. Me thene te drejten nuk pata durim te sigurohem qe “xh” nuk egziston as ne mes te fjaleve, po per kete po te besoj ty.
Kurse per dallimin e ç me q, po nuk pertove hidhi nje sy ketu:
https://www.learncroatian.eu/blog/the-croatian-letters
dhe shiko qe te njejtin problem per te dalluar č nga ć, (qe jane si ç me q ne shqip) e kane jo vetem te huajt qe duan te mesojne kroatisht, por edhe kroatet vete. Megjithate askujt nuk i ka vajtur ne mendje te pushkatoje ndonjeren nga keto ne favor te tjetres.
Kete punen e perditesimit me duket se e ke marre si ke dashur, meqe me bere te njejten kritike.
Une fola per lexueshmeri dhe kah, guxim profetik, jo per perditesim ne kuptimin qe po shoh te kembengulesh. E fute Shekspirin tani po e braktis, po Shekspiri kulmin e fames e mori 100 vjet pasi vdiq dhe gjuha e tij, me gjithe fjalet e reja qe futi, stabilizoi anglishten per si e njohim.
Per ta perditesuar ne kuptimin tend mendojne ata qe paguhen per ate pune, besoj duhet te jene gjuhetare.
Homerin lere jashte muhabetit se homerishten nuk e kuptonte mire as Homeri, duke qene se nuk bazohej tek nje dialekt i vetem grek. Homeri qe ne fillim u pershtat ne dialektet greke. Nqs Homeri do ish lene ne homerishte nuk do e lexonte kush. Ishte jashte lexueshmerise, kahut e guximit profetik, ose edhe falimentoi ne kete drejtim.
XH-ja eshte ne fjalor per te na kujtuar se nje germe mund te shtohet ne alfabet edhe ne menyre arbitrare dhe nje shtet mund te vazhdoje edhe pas 100 vjetesh te torturoje me nje tingull gjysmen e banoreve te vet. Po rendesi ka qe ti te kesh nje tingull per te mesuar me lehte gjuhet e huaja, se tingujt ne alfabetin e shqipes per ate duhen. Sa mire do ishte te kishim ndonje kh te mesonim me lehte arabishten, po nuk u ka shkuar mendja atyre.
Problemi i ç nuk eshte vetem nese eshte ç e çenit apo ç e qekiqit, por edhe tek inflacioni qe ka pase ne toskerisht, ku te gjitha ‘tsh’-te u kthyen ne ç dhe shume ”sh” u bene ç, si te , gjeç, beç, mbaç,mbaroç, pastroç etj dhe ti duhet ta kesh mire parasysh sa perdoret kjo forme ne toskerisht, te beç, do te beç, u beç etj.
Nqs ç e çenit apo ç e qekiqit ka nja 1500 vjet qe nuk eshte zgjidhur si mendon ti se do ta zgjidhin mesuesit, kur Fryma e Shenjte nuk duket te kete zbritur ndonjehere ne keto ane.
Sidoqofte diskutimi nuk ishte specifik per keto tinguj, po mjafton fakti qe u perqendrua diskutimi ne to, per te konfirmuar se turqizmat me pranine e madhe te ç-se e xh-se vetem sa e perkeqesojne problematiken.
E shof çe eshte e kote me vazhdue me i ra me qekiq kesaj pune.
Mendoj se fenomeni eshte jashte gjuhesor . Sot patjeter te gjithe duhen te duken te rinj, prandaj ndesh pensioniste te veshur me blu xhins nen pardesy. Pale ca plaka pffff … metalic plaka me lekure jevgu te percelluar nga llampat alogjene.
Eshte nje fakt ne Shqiperi qe perdorimi i fjaleve te huazuara ka qene gjithmone perdorur si metode “auto-superioriteti” ne gojen e atij qe flet. Ne fillim ka qene turqishtja, pastaj italishtja, ca kohe rusishtja… sot c’do fjale qe vjen nga okisdenti eshte e pare si nje e vertete e pamohueshme bile pa u vertetuar hipoteza. Eshte kthyer ne nje gje te zakonshme dhe mendoj te rrezikshme sepse lete huazime nuk kuptohen nga te gjithe por pranohen si aksioma te padiskutueshme. Me pelqen dhe e mbeshtes idene qe pardesyja (pardessus ne frengjisht) te jete mbipetk, po ashtu si dhe penxherja te jete dritare. Bravo atyre lingusiteve ose Kadarese(!) qe kane kryer kete pune. Eshte pune e paqme dhe gjeneza e hipotezave te ardhme qe i kudervihen tezës serbe si shqipja eshe gjuhe qe vjen nga dako-romanja… ju kerkoj ndjese per huazimet e mija ne gjuhe te huaja ne kete tekst.
Si te shkrimi i para disa vjeteve, per te njejten teme, thjesht roman tjeter, mendoj se Kadareja ka ne plan lexueshmerine e vepres per brezat e rinj. Nga shembujt, si atehere si tani, autori ka zevendesuar fjale qe jane arkaizma, fjale me status te cenuar sot, fjale qe kane probleme fonetike me shqipen, perfshire ne jo pak raste edhe mosrespektimin e vendit te theksit ne shqip dhe jo fjale te integruara si kat, shishe, mall,kulle,zarf,tave, qejf,niseshte, lejlek, llokume,raki,patellxhan,panxhar etj, apo turqizma te perdorimit fetar, hoxhe ,imam, xhami, sheh e turqizma te perdorimit historiko-politik, si sulltan,bej,aga, vezir etj.
Rasti i mbipekt per pardesy, tregon qe Kadareja i ofron lexuesit te se ardhmes nje fjale intuitive ne vend te nje fjale qe ne te ardhmen ka gjasa te jete historizem. Historizmi e demton leximin e vepres, meqenese duhet marre ne konsiderate lexuesi mesatar dhe jo vetem ai qe ka qejf historine.
Po njesoj prania e arkaizmave turke apo turqizmave me status te sotshem te diskutuar, ka per ta vrare rrjedhshmerine e vepres ne te ardhmen, keshtu qe Kadareja ndermerr hapa ndonjehere te guximshem ne fjaleformim, qe gjithsesi i lene vend intitutes se lexuesit per te kuptuar fjaleformimin.
Do thoja se nqs Kadareja do te mos kete fatin e Fishtes, padyshim duhet t’i pastroje gjithe veprat, qe t’i beje te lexueshme per brezat e rinj.
Fishta ka shume turqizma, aq sa per ne sot duhet nje fjalor turqisht-shqip per t’i kuptuar, se shpesh nuk mjafton konteksti. Ndersa me gegerishten e Lahutes veshi heret a vone mesohet, me turqizmat duhet fjalor.
Nqs Fishta ne vitet ’30 do te kish bere punen e sotme te Kadarese (do e kish shume me te veshtire), duke na lene nje botim te pastruar te Lahutes ta zeme te 1939, atehere me siguri do te ish me shume i lexueshem dhe me shume i lexuar nga brezat e sotem.
Naimi perdori fjale te reja e beri pastrime, qe asokohe do kete çuditur dynjane, se te lexoje dritare per penxhere, shumekujt do i jete dukur lajthitje ose blasfemi, duke ndjekur nje rruge thuajse profetike.
Nuk eshte se Naimi beri ndonje gje te re, se zevendesimi i turqizmave ekzistonte dhe ne vendet fqinje, Greqi e Bullgari ishte ne kulmin e vet, thjesht mendoi per rrugen e pashmangshme te shqipes.
Shqetesimin per brezat aktuale Kadareja nuk ka si ta kete, duke qene se botimet e vjetra jane ato qe jane lexuar masivisht nga brezat aktuale, po ashtu do te vazhdojne te kalojne dore me dore e brez pas brezi, ne fund te fundt gjenden kudo neper tezgat e Tiranes e jo vetem.
Botimet e reja jane ato qe do te ribotohen pas 50 apo 100 vjetesh apo edhe 500 vjetesh dhe duhet te kesh pak guxim profetik si Naimi, qe te jesh i lexueshem.
Tahir Dizdari ka pase identifikuar gati 4500 turqizma ne shqip, shume prej te cilave kane dale plotesisht nga perdorimi qe heret, por ende sot diku tek 1500 turqizma vazhdojne te qarkullojne lirshem.
Nga krahinat e Shqiperise, ato qe kane pase me shume turqizma, kane qene Shkodra ne Veri, Tirana ne qender e Gjirokastra ne jug. Nuk e di nese sot Tirana ka ndryshuar qasje, po e shoh te veshtire qe Shkodra e Gjirokastra, te kene humbur kreun e renditjes per turqizmat ne Veri e Jug.
Pse turqizma është e deklasuar më shumë se shkodranizma apo gjirokastritizma, mos vallë këto të fundit janë më pak kastrizma apo, thënë “autoktonikisht”, tredhje?
Autori i shkrimit,A.Vehbiu ka plotsisht te drejte.Mania e dlirsimit ne thojza te romaneve te hershme,nga I.Kadare,i humbet muzikalitetin krejt vargut,pasi fjala “shqipe, ngjan e futur me dhunë,ndaj ska natyrshmeri por ngjan si shterzim.Dyshi ne simbolizmin numëror, ka kuptimtimin e diçkaje qe gjendet prore poshtë,dhe njeherazi figurativisht,diçka e metë e mangët.Ndaj dysh-dyst(nga mendja)-dystaban-dysheme etc kanë rrjedhjshmëri.Fjalori i Mehmet Elezit si sfide,ndaj fjalorit te Androkli Kostallarit dhe bashkpuntorve te tjerë te tij,kinse si dliresues pasurues,eshte pothuajse krejt i pavlere,dhe me e keqja perserites.Ah nese flasim per fjalorin e 1958 ne ngjyre te kuqe,i Mahir Domit me te vetet,eshte bisede tjeter.Gjithsesi Fjalori i 1980 megjithe,ideologjizmin e kohes eshte me gjithperfshiresi.Shume e bukur e gjetur pjesa,e barnatarit te M.Camaj,qe fare mire siç thote autori, mund te zevendesoje fjalen erboristeria,por jo domosdoshmerisht fjalen;farmaci.Do kisha dashur nga autori, nje shkrim shpjegues mbi Fjalorin Etimologjik te Kolec Topallit,mbi risite apo plotnite, qe sjell krahasuar me fjaloret e parardhes.Une per vete,dhe nje pjese fort e mire e shqiptarve,nuk kemi nje dijeni apo dituni, mirfilli rreth ketij fjalori(porosi edhe e Fahri Xhares zelltarit te paperkulur).
Më falni për përdorimin e disa fjalëve me prejardhje të huaj.
Ato zëvendësimet (sforcimet ose shtrëngimet) e llojit “mbipetk”, “fundashtrojë” etj. mendoj se janë thjesht “masturbime mendore” (janë neologjizma sintaksore – ku “neologjizëm sintaksor” është edhe ai një neologjizëm sintaksor)… pra mund ta shfryjmë fantazinë tonë duke imagjinuar se pse janë bërë zëvendësime të tilla: me pak fjalë “masturbimi mendor” është shprehja e mendimeve thjesht vetëm për kënaqësinë për ta bërë këtë, por jo për të krijuar diçka…