Ja një klishe e gazetarisë trash: rrit temperaturat, për efektin e një femre seksi, mundësisht gjysmë të zhveshur, ndaj një publiku mashkullor, nën kontroll hormonal.
“Ylli televiziv rrit temperaturat në Tenerife” (Tema), “Modelja seksi rrit temperaturat në Dubai” (Mapo), “Dua Lipa i rrit temperaturat me poza joshëse në bikini” (Blic), “Rita Ora rrit temperaturat, poston foto me bikini” (Panorama), “33-vjeçarja kanadeze rrit temperaturat në Korenë e Jugut” (Panorama), “Moderatorja e famshme rrit temperaturat në Meksikë” (Top Channel), “Samantha rrit temperaturat” (Bota Sot), “Xhesika Ndoj seksi me të verdha rrit temperaturat” (Gazeta shqiptare), “Modelja rrit temperaturat në Ibiza” (ResPublica), “Me këtë pamje nga pishina Elvana rrit temperaturat” (Standard), “Ciara rrit temperaturat duke treguar asetet” (infoelbasani.al), “Demi (Rose) rrit temperaturat me fotot super-seksi” (Periskopi), “Çiljeta rrit temperaturat nga Santorini” (Lapsi.al), “Alessandra rrit temperaturat me poza nudo” (Sot.com.al), “Bleona rrit temperaturat dhe çmend rrjetin me fotot topless” (lipjani.news), “Olta Gixhari rrit temperaturat në Korçë” (dualajm.com), “Rovena Stefa rrit temperaturat, skena hot në klipin e ri” (ikub.al), “Motra e Kimit po i rrit temperaturat” (lajmi.net), “Analicia Chaves rrit temperaturat” (Top Channel), “Marina Vjollca rrit temperaturat” (Albspirit), “Kendall Jenner rrit temperaturat me këto foto” (Kosovarja), “Aurela rrit temperaturat” (Durreslajm.al), e kështu me radhë e me radhë e me radhë, zheg pas zhegu, deri në përcëllim e përvëlim të përgjithshëm.
Në shumë nga shembujt, shprehja vjen si “rrit” temperaturat, me foljen rrit çuditërisht në thonjëza, a thua se temperaturave po u ndodh diçka tjetër, e nënkuptuar (ose që çfarë po “rritet” nuk janë temperaturat; dhe këtu ngjashmëria e kolonës së zhivës në termometrat me fallusin nuk më duket rastësore).
Tekste të tilla janë thjesht shoqëruese fotosh të vajzave a grave gjysmë-lakuriqe; që përmbajnë klishe, kjo shpjegohet edhe me atë që fotot vetë përmbajnë klishe – që nga pozat e subjekteve, te shprehjet e fytyrës, veshjet dhe zhveshjet. Nga kjo pikëpamje, klisheja rrit temperaturat njëlloj si ca të tjera, të llojit çmend Internetin ose thyen rrjetet, vetëm sa sinjalizon eventin soft porn. Tek e fundit, publiku i këtij lloji informacioni e kërkon përsëritjen, në kuptimin që kërkon të njëjtin efekt “sensual” (dhe seksual) nga femra të ndryshme, mundësisht përditë nga një e re. Rritja e temperaturës përndryshe mund t’i referohet plazhit ose verës; por mund të ketë lidhje edhe me anglishten “hot”, që përdoret si epitet me kuptimin “seksi”.
Ka diçka tejet qesharake, por edhe mirëfilli shtazore, në imazhin e përfytyruar të burrave (dhe të grave), të cilëve u hipën vapa, kur shohin një vajzë a grua në bikini, që i ekspozon kamerës (dhe botës) “asetet”.
Përhapja marramendëse e fotove të tilla karrem në faqet e mediave shqip konfirmon se ka një publik që i konsumon (e që madje mund të jetë edhe krijuar përmes këtyre imazheve); mbetet për t’u hulumtuar nëse ky publik është mësuar edhe që të shijojë klishetë si të tilla, ose është kushtëzuar, si qentë e Pavlovit, që të lëngëzohet edhe nga sinjalet e rendit të dytë.
Për nga prejardhja, rrit temperaturat duket si e marrë nga italishtja alza le temperature (Alessia Marcuzzi in bikini alza le temperature su Instagram). Edhe në italishten e tabloidëve shprehja është klishe. Por mund të vijë edhe nga anglishtja, rises the temperature (Sonali Raut rises the temperature with her steamy hot avatar in the bikini; Nikki Bella is one of the hottest diva who rises’ the temperature with her hotness).
Po e mbyll me këto dy vargje popullore, që i kam gjetur te Dritero Agolli:
O moj cica portokalle
Ethet e gushtit më kalle.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës.
Ndoshta nuk behet fjale per krijimin e publikut, as per ekzistencen e publikut pas klikimeve mbi ato foto. Publiku i vetem i tyre eshte editori qe i perzgjedh, i vetmi qe imagjinon rritjen e temperatures duke qendruar vete indiferent. Dallim esencial ky mes njerezores cinike te tij dhe shtazores qe rikonfirmohet suksesshem per cdo galeri gjallereshash interneti qe kane profesion zhveshjen.
Editori seksualisht i de-kushtëzuar, për shkak të ekspozimit kronik! Ja një arsye bindëse për të kërkuar rritje rroge.
Jo perpara se te vertetohet se temperatura eshte rritur vertet.
Ka nje gje qe nuk shkon ne kete shkrim (dhe jo vetem), kur e lexon te jep pershtypjen e nje reagimi moral si ton i pergjithshem, por eshte vetem pershtypje, sepse ne fakt reagimi eshte kunder joprofesionalitetit te mediave. Te premtohet thelbi, dhe ruhet vazhdimisht drejtimi drejt thelbit dhe esences, por ne fund e sheh veten te katapultuar ne probleme te dores dyte, probleme teknike.
Konkretisht dallimi midis kenges popullore jevge ne fund dhe frenezise erotike te mediave eshte vetem teknik.
Si temë, i jam kthyer herë pas here – duke i nxjerrë në pah klishetë, tekstet ku përdoren dhe prejardhjen e tyre (dy shembuj: këtu dhe këtu). Në afat të gjatë, ndoshta do të përvijohen edhe kushtet e përftimit të klisheve të tilla; dihet që ligjërimi në mediat nuk bën dot pa klishe, por pyetja ime (që nuk i jam përgjigjur ende) do të ishte: pse pikërisht këto dhe jo të tjera?
Sepse, me akumulimin e përdorimeve (instancave), rritet edhe efekti intertekstual, në kuptimin që këto tekste, sado idiote në vetvete, i referohen njëri-tjetrit dhe krijojnë një lloj opaciteti, ku ngec lexuesi si milingona në rrëshirë. Një efekt hipnotik subliminal. I cili e shtyn imagjinatën që, të gjitha këto “rritëse temperaturash” t’i klasifikojë si variacione të një stimuli të vetëm (platonian, por jo platonik).
Sa për moralin, e tha edhe n!-ja: të vetmet palë të dëmtuara janë gazetarët 🙂
Ne fakt nga komenti i n! u bera i ndergjegjshem komplet per çfar thash (per diskutimin e perqendruar ne teknike; per Hyllin kombi eshte çiftelia), i cila ka te drejte kur thote qe pale e demtuar eshte Dritero Agolli, por jo vetem, sepse ekziston dhe publiku si pale e demtuar, ndryshe nese gezetaret kane ndermend te vetvriten, atehere aq me mire, shpetojme ne dhe ata. Problemi eshte se mediat vrasin, vetkuptohet qe mund edhe ringjallin, dmth kane nje potencialitet jete dhe vdekje. Ketu eshte fuqi e tyre, e besoj per kete shkak merresh vazhdimisht me to.