Më ngacmoi një vëzhgim i Romeo Kodrës, për dhënien e bordellos në shqip si shtëpi publike, dhe pikërisht:
[D]ua të evidentoj edhe përdorimin e sintagmës “shtëpi publike” që përcakton bordellon, ku duket se “publikja”, nënkuptuar si hapje, për shqiptarët merr një konotacion përçmues, tërësisht ndryshe prej italianëve, që e përcaktojnë bordellon si “casa chiusa”. Të konceptuarit e publikes si prostituim sugjeron se lidhja e vështirë dhe problematike e shqiptarëve me hapësirën e përbashkët publike e ka gjenezën shumë më të thellë, përtej traumës së viteve të tranzicionit.
Dhe sakaq u ngacmova që të qëmtoj origjinën e kësaj shprehjeje, “shtëpi publike”, e cila emërton një vend (një hapësirë, një institucion) ku ushtrohet ligjërisht prostitucioni femëror. Në shqip, fjala përdoret krahas bordello dhe kuplara; për t’u shënuar se “shtëpi publike”, për nga vetë forma e brendshme, është eufemizëm, çfarë mirëkuptohet, po të kemi parasysh tabunë e seksit dhe të prostitucionit; dhe historinë e prostitucionit të ligjshëm e të paligjshëm, në Shqipëri dhe gjetiu.
Ja si e përjeton fëmija te Kronikë në gur e I. Kadaresë lajmin për hapjen e këtij shërbimi në Gjirokastrën e viteve të Luftës II (citoj sipas botimit të vitit 1978, f. 74-75):
Dëgjova për një kohë të gjatë dhe përsëri nuk mora vesh asgjë. Ato flisnin për njëfarë shtëpie. Italianët kishin hapur një shtëpi. Kjo shtëpi kishte një emër të thjeshtë. Diçka që ngjante me bibliotekën publike të qytetit. E megjithatë ato tmerroheshin. Ato e mallkonin atë. Kisha dëgjuar për shtëpi prej sheqeri, në të cilat banojnë nuse të bukura. Kjo shtëpi duhej të kishte prej helmi, përderisa kishte fuqi të hidhëronte një qytet të tërë.
Nga ana tjetër, termi “shtëpi publike” përkon fjalë për fjalë me rusishten публичный дом (publichnyj dom), i cili shënjon gjithashtu një vend ku ushtrohet prostitucioni. Në rusishte termi lidhet edhe me historinë e legalizimit të kësaj praktike; duke qenë kjo публичный дом edhe vend qejfi ose ku burrat e interesuar për seks mund të takojnë gra që e ofrojnë këtë si shërbim, përkundrejt pagesës. Në italisht, përdoret edhe casa di appuntamenti ose casa di toleranza, krahas casa chiusa që përmend Kodra (kjo e fundit duhet të lidhet me nevojën për t’i hequr prostitutat nga rruga dhe nga “sytë” e rrugës, e për t’i mbyllur me dryn, sikurse edhe për ta “mbyllur” seksin me pagesë brenda mureve të një ndërtese të posaçme ku edhe dritaret mund të jenë të muruara; khs. edhe frëngjishten maison close).
Në Rusinë e shekullit XIX, prostitutat ishin “gra publike”, në kuptimin që mund të ofronin seks përkundrejt pagesës (ndryshe nga gratë e tjera, të cilat mbeteshin “private”, ose nën kontrollin e bashkëshortëve, prindërve, kishës dhe institucioneve të tjera tradicionale). Megjithatë, cilësimi “publike” në termin публичный дом gjithnjë lidhet me legalizimin e prostitucionit, ose “normalizimin” e tij, çfarë lidhet me nevojën për të kontrolluar edhe përhapjen e sëmundjeve veneriane (si problem i shëndetit publik); por edhe nevojën për të ruajtur moralitetin publik duke moderuar sjelljen e burrave (të cilët, në mungesë të prostitutave, pritej që t’u lëshoheshin vajzave të pamartuara).
Kjo lidhej edhe me regjistrimin e detyruar të prostitutave dhe pajisjen e tyre me kartën e verdhë (желтыи билет/zheltyi bilet); një masë administrative e cila efektivisht krijoi një kategori sociale të re në Rusinë Cariste: gruan publike (Laurie Bernstein, Sonia’s Daughters). Edhe në italishte donna pubblica ka kuptimin “prostitutë, lavire”, sikurse në frëngjishte femme publique; termi, gjithnjë si eufemizëm, duket se e ka origjinën në ligjërimin juridik. Sipas kësaj mendësie, ndryshe nga gruan “jo-publike”, të cilën mund ta përdorë seksualisht vetëm bashkëshorti, gruan publike lejohet, në parim, ta “përdorë” kushdo (në moshë madhore) përkundrejt një shpërblimi ose pagese. Megjithatë, fakti që termi grua publike në shqipen formale të pas vitit 1944 është përdorur shumë pak ose fare me kuptimin “prostitutë”, tregon se normalizimi i prostitutës si rol social, në Shqipërinë moderne, nuk u krye dot, ose gjithsesi mbeti shumë prapa normalizimit, qoftë edhe vetëm a kryesisht në kulturë, të shtëpisë publike si vend ku ofrohet prostitucioni si shërbim i ligjshëm.[1]
Falë edhe ndikimit të rusishtes, mbiemri publik në togfjalëshin shtëpi publike të shqipes së sotme luan funksion klasifikues të ngjashëm me atë që luan në termat nevojtore publike dhe banja publike si vende “të hapura për të gjithë” dhe që ofrojnë shërbime të caktuara, me natyrë përndryshe private, për të gjithë ata qytetarë që nuk i kanë kushtet për t’i përdorur privatisht; njëlloj sikurse emri shtëpi përdoret në këtë rast me kuptimin seli e një institucioni a një shërbimi të caktuar, njëlloj si në togjet shtëpi pushimi, shtëpi e pritjes, shtëpi botuese, shtëpi kulture, shtëpi e lindjes, shtëpi e fëmijës, shtëpi e oficerëve, shtëpi e pionierit etj.
Përndryshe, në kulturën anglo-saksone, public house ka marrë me kohë kuptimin e një pijetoreje a taverne, statusi i së cilës rregullohej nga common law. Historikisht, një public house shërbente edhe si han, duke ofruar jo vetëm ushqim dhe pije, por edhe strehë për udhëtarët. Është afërmendsh që vende të tilla të shërbenin edhe për të bashkërenduar klientët e interesuar me prostitutat. Emërtimi sot është reduktuar në pub dhe ende shënjon një nga institucionet bazë të jetës në Britaninë e Madhe dhe gjetiu në vendet me kulturë britanike, edhe pse pa lidhje haptazi me shërbimet e seksit.
Sa i takon vërejtjes së lartcituar e Kodrës, rreth konotacionit keqësues që ka marrë publikja në shoqërinë e sotme shqiptare dhe vetë fjala publike në shqipen e sotme, po mjaftohem të them se çështja e ngritur nga ai autor shkon më tej synimit të këtij shkrimi; dhe se dukuria mund të lidhet edhe me përdorime të tilla gjuhësore si “kryen akte të turpshme në publik”, “bënë seks në publik”, “defekoi në publik”, “u zhvesh në publik”, “e shau në publik ose publikisht”, etj., ose të gjitha ato raste kur publiku shërben si kontekst i një shkeljeje të etiketës, të normave morale dhe sociale, ose edhe të ligjit; a i një akti sfidues të konformitetit (meqë hapësira publike gjithnjë rregullohet sipas normave të shkruara dhe të pashkruara, ndryshe nga një zabel në pyll). Sikurse mund të lidhet edhe me faktin tjetër, që qytetarët në Shqipëri (dhe sidomos pushtetarët) ende nuk mësohen dot me faktin që një pasuri a pronë “publike” është në fakt e tyrja dhe jo e qeveritarëve që e administrojnë.
© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të faqes.
[1] Një libër i Fatos Baxhakut dhe Klodiana Kapos për prostitucionin në vitet e mbretërisë titullohet: “Gra të përgjithshme. Histori prostitucioni shqiptar në kohën e Zogut.” Sikurse raporton gazeta Express:
Autorët na sqarojnë prej fillimit, se një nga telashet e librit ka qenë gjuha e përdorur në korrespondencën zyrtare të kohës dhe terminologjia shumë e larmishme, dhe shënojnë se “Kurvë, grua e përgjithshme, prostitutë, çengie, grua qejfi, grua e përdalë, bordello, kuplara, prostitucion, burdelizëm, shtëpi e përgjithshme, shtëpi publike, drejtori, pronari, i zoti i shtëpisë publike, burdeltari, të gjithë këta terma ndeshen paralelisht thuajse në të njëjtën periudhë”.
Edhe studiuesi Spiro Mëhilli ka bërë të njohur në një dokument të vitit 1927, ku prostitutat quheshin “gratë e përgjithshme” dhe shtëpitë publike “shtëpi të përgjithshme”; në një kohë që, vetëm tre vjet më vonë, një gazetë e Korçës mund të ketë përdorur termin “shtëpi publike” (materiali gjendet këtu). Në një dokument të mëvonshëm (1937), të botuar nga Irena Shabani, gjejmë termat shtëpi publike dhe shtëpi e lirshme për publik; ndërsa te një tjetër, i vitit 1941, ndeshim edhe termin gra publike. Duhet supozuar se grua e përgjithshme, njëlloj si grua botore dhe grua publike më vonë, janë shqipërime të donna pubblica ose femme publique dhe i përkasin ligjërimit juridik ose zyrtar; përkundrejt kurvë ose çengi, që janë të ligjërimit bisedor. Për t’u shënuar një letër, e cituar nga Baxhaku dhe Kapo, ku një nga këto gra kujdeset që të shpjegojë se “ka qenë në grupin e çengive”, por “nuk është prej grave të përgjithshme”, çfarë lë të kuptohet se ky term i dytë mund të ketë emërtuar prostitutat e rregulluara me ligj (meqë e nënshkruara sqaron se “ka hjekë dorë prej atyne punve qi shkaktojnë vizitë”, duke u orvatur të shmangë shpenzimet mjekësore dhe taksën).
Shkrim ne dukje i holle por po me shqeteson thellesisht termi “perdorimi” i gruas i hasur rendom ne tekst ashtu si padashur…….ma pershtjelloi te shtunen.
Ky “term” nuk duhej t’ju shqetësonte fare, sepse është gjithnjë në kontekst. Tradicionalisht, prostitucionin femëror nuk e ndan dot nga mendësia patriarkale dhe trajtimi i gruas si inferiore ndaj burrit.
Mire, po traditen patriarkale e kemi lene pas, tani perjetojme dhe po fortifikojme nje tradite te re ku femra eshte superiore ndaj burrit, dhe per pasoje prostitucioni eshte nje gje publike, dmth e nderuar.
Ndoshta gruaja – disa gra – sot i kanë mundësitë që të paguajnë burra për seks (ose gra të tjera); edhe pse ndryshon kahu, sërish prostitucioni mbetet prostitucion.
Në kuptimin që, kur A ka nevojë për seks dhe paguan B që premton t’ia plotësojë këtë nevojë, atëherë seksi që ofron B është vlerë përdorimi.
Një shoqëri që e pranon pagesën në para si formë transaksioni mes qytetarësh dhe ku ekziston nevoja fizike për seks, kush pranon pagesën, do të përdoret prej atij që paguan.
Një person që prostituohet duke punuar në një establishment (pra pa qenë i lirë/e lirë të vendosë nëse do ta pranojë pagesën apo jo), përdoret dyfish: prej punëdhënësit dhe klientit.
Kjo nuk e përjashton që një prostitutë ta përdorë klientin (atë që paguan), për synime të vetat përtej shpërblimit monetar.
> Kurvë quhet çdo grua që e pohon profesionin ose që me argumente apo kontrapagesë e realizon profesionin.
> Kurvat lokale mbështillen (mblidhen, S.Ç.) në shtëpi të përgjithshme.
> Kurvat dhe pronarët e shtëpive të përgjithshme janë të detyruar që t’i binden çdo urdhri të mjekut apo të policisë.
> Nëse kurva ndërron shtëpinë e përgjithshme, ajo duhet të lajmërojë menjëherë policinë në mënyrë që të bëhen shënimet përkatëse.
> Në shtëpitë e përgjithshme ndalohet rreptësisht shitja ose ofrimi i pijeve, me përjashtim të kafes apo çajit. […] Në raste të veçanta mund të jepet leje provizore për shitjen e verës apo të birrës, por edhe kjo masë e rezervuar tërhiqet në gabimin më të parë.
> Vallja dhe kënga në shtëpinë e përgjithshme janë vazhdimisht nën kontrollin e policisë.
> I zoti i shtëpisë publike është përgjegjës përpara policisë.
> Emri i kurvës fshihet nga regjistri i policisë vetëm kur vdes, kur largohet nga vendi, kur ndryshon vendbanim, apo kur heq dorë nga profesioni. Në rastin e fundit ajo duhet të sigurojë autoritetet se po e fiton bukën e saj me një profesion tjetër dhe se të paktën për dy muaj ka pasur një sjellje të mirë.
> Asnjë kurvë nuk mund të largohet nga qyteti ku banon pa pasur lejen e policisë.
(Nga “Rregullore e kurvënies”, shkurt 1922.)
I risolla këto copa nenesh të Rregullores për të sjellë në vëmendje terminologjinë me të cilën merret edhe artikulli. Me sa shoh, nuk përdoret kund “gra publike” apo “gra botore”, por “kurvë”, dhe për mjedisin ku ushtrohet profesioni “shtëpi e përgjithshme”. Pavarësisht prejardhjes së terminologjisë së përdorur, një mënyrë për ta ngulitur atë, të paktën në shkresa, është dhe publikimi i Rregullores.
Më tutje, siç tregon dhe Rregullorja, gjithçka tjetër janë këto shtëpi dhe veprimtaria në to, veçse të fshehta, intime, private: gjithçka ndodh aty është publike, për efekt të ligjit në sytë e policisë, por, po të kemi parasysh dendësinë e popullatës së kohës, gjithë mileti merr vesh se kush hyn e del dhe ç’bëhet. Madje, numërohen kafet, çajrat, gotat e birrës dhe të verës, të “zonjat” e shtëpisë kanë liri të kufizuar në çdo nivel, si për shkak të ligjit, por edhe për shkak të moralit (vër re: kurvës i fshihet emri nga regjistri, ndër të tjera, kur ka bindur policinë se ka pasur sjellje të mirë, d.m.th., nuk është kurvë, çka është e “keqe”). Është një biznes si gjithë të tjerët, i rregulluar me rregullore dhe taksa.
Kuriozitet: një prej anëtarëve të qeverisë që miratoi këtë rregullore ishte dhe Imzot Theofan Noli, i cili mbante postin e Ministrit të Jashtëm.
Hyllin, meqe shof me kenaqesi te ralle se Imzot Theofan Noli e paska miratuar rregulloren e shtepise publike si i majte qe eshte, a di gje ti nese e ka apruvuar edhe at Gjergj Fishta si i djathte? Ose te pakten, a e ka parashikuar nje situate te tille pubike?
Psikopat nese Noli e ka miratuar rregulloren e kurvenies do te thote qe komuniteti ortodoks ne Shqiperi i ka te zgjidhura problemet me Zotin ne kete pike, keshtu qe mund te mbeshtese legalizimin e prostitucionit. Po nuk do te thote gje per te majtet ne Shqiperi , e para sepse Noli ishte nacionalist dhe e dyta sepse morali majtist nuk kalon nga Noli ( I cili sme rezulton te kete shkruar ndonje gje te majte). Fishta s’ka pasur autoritet fetar se i pari i katolikeve rri ne Rome. Gjithsesi psikopat po pate gje me Fishten fol ku e ka kuvendin. Tema eshte interesante, mirefilli historike , pa spunto te vecanta te lidhura me aktualitetin.
Lumsi ortodokset qe nuk kane nevoje t’i kerkojne leje Patriarkanes per kurveri, e mjere katoliket qe varen nga Vatikani per te njejtin problem e nuk kane gje me Fishten, biles nuk kane asgje as me Jezuin dhe parimet e krishterimit.
Ti shfaq gjithe keto dituri e nuk ditke qe Noli ka derguar ne BS per studime ne shkolle partie te gjithe komunistet e pare shqiptare, edhe te parin fare. Pra Noli i bie te jete eshte protokomunisti. Perveç lidhjeve te perfolura, megjithse te pa vertetuara, me austromarksistet dhe te mbeshtetjes austromarksiste te revolucionit te Qershorit.
Një lutje disa diskutantëve këtu që përndryshe ua respektoj mendimin. Ky diskutimi mbi identitetin e majtë apo të djathtë të diskutantëve, përvecse nuk ka lidhje me asnjë nga shkrimet këtu, është edhe mungesë respekti për ne pjesën tjetër që i marrim seriozisht postimet në këtë blog. Po qe se doni të bëni trollin, ka skuta interneti sa të duash.
P.S. Duke ditur që jam jashtë teme ju lutem mos mu përgjigjni, dhe iu kërkoj adminëve ta fshijnë këtë koment kur ta shohin të nevojshme.
“Ky diskutimi mbi identitetin e majtë apo të djathtë të diskutantëve,”
Jo vetem je jasht teme, por je jasht çdo lloj korrektese ne lexim (je edhe brenda diçkaje qe nuk du me e disku se dal jasht teme). Une nuk kam kam bere me siguri absolute ne kete teme asnje diskutim per perkatesi te majte dhe te djathte te asnje diskutati, por vetem perkatesi te majte te Nolit. Pastaj çfare te keqe ka te diskutosh perkatesine politike te diskutanteve? Aq me teper qe tema eshte krejt politike, apo akoma nuk di qe leja per shtepi publike eshte nje teme kryesore e diskutimit politike majte-djathte?
Ndersa e marr me mend qe stili im i diskutimit nuk te pelqen, prandaj te duket si pune trolli. Por njesoj nuk me pelqen stili jot i diskutimit me linke, autore te njohur boterore, shifra, statistike etj. E quaj stil intelektualisti qe kerkon te imponohet me mendte e te tjereve se nuk ka mend te veta origjinale.
Mendoj se mënyra më e mirë për ta respektuar forumin është të fokusohesh tek tema, ndonëse e kuptoj që jo çdo gjë mund të ndahet me thikë. Por në parim çdo devijim që merret me identitetin e diskutantëve mund të klasifikohet si troll-like, sepse nuk mund të jetë në interes të diskutimit. Duke u marr me individët ulet propabiliteti që në përgjithësi të merresh me idetë e shkrimin, në kuptimin që gradualisht diskutimi do tërhiqte njërëz që reagojnë ndaj sulmeve personale, jo ndaj ideve.
Përndryshe unë nuk mendoj aspak se jeni troll. Përkundrazi ua respektoj mendimin, pavarësisht nëse ka raste që biem vërtet dakort ose jo. Por më beso se çfarë mendoj unë për diskutimet tuaja nuk ka të bëj fare me ndërhyrjen time në këtë rast. Jam i sigurt që Hyllin mund t’i shpreh mendimet e veta për të majtën dhe të djathtën pa qënë nevoja të vërë në diskutim identitetin e askujt, sikurse jam i sigurt që ju mund t’i shpalosni idetë me të njëjtën elokuencë pa qënë nevoja të thërrisni Hyllinin në ndihmë.
Ashtu si nuk mund te ndahet me thike çfar eshte jasht temes e çfar eshte brenda temes (psh ky diskutim i jone formalisht eshte jashte temes, per ne fakt eshte tema e temave, eshte kryetema, sepse ka lidhje me çfare jemi duke bere ne blog), nuk mund te ndahet me thike identiteti i diskutanteve nga idete e tyre. Dmth nese ti shpreh nje ide, natyrshem ke dhene informacion se kush je, ndryshe je nje troll qe tallet me veten dhe blogun, te tjera ben, e te tjera thua.
Njekohesisht nuk mund te ndahet me thike nje teme e blogut nga nje teme tjeter. Me Hyllin kemi mosmarrveshje te lashte per stilin e diskutimit (fjale apo shifra) dhe per identitetin politik jo vetem tonin, dhe thirrja qe i bera Hyllin per tu futur ne diskutim ishte me teper per te terhequr vemendjen rreth nje fakti qe me duket skandaloz (e une sapo e ndesha per here te pare) jo ne vetem ne vetvete, por me teper se ve ne diskutim identitetin politik (dhe jo vetem) tashme te çoroditur ne pergjithsi.
Nuk te duket ty skandal qe nje prift firmos rregulloren e bordellos ne rang shtetkombi, dhe per me teper skandaloz qe nje identitar politikisht i djathte e jushtifikon kete duke nxjerre perfundime qe komuniteti ortodoks i paska zgjidhur problemet me Zotin ne piken e bordellos? Ne kete rast vihet ne dyshim jo identiteti, per te qenurit qenie dykembeshe. E çvlere ka tere ky shkrim i persosur nga struktura dhe stili, dhe i begate nga formacioni qe sjell, nese nuk vihet ne dukje kaqe gje?
Shpresoj qe shqetsimi yt eshte lidhur me kete, dhe reagimi yt eshte nje dobsi per ta pare dhe per ta demaskuar kaqe gje. Nese keshtu, ja kam arritur qellimit tim prej trolli qe te shkund komunitetin prej zvarrisjes neper probleme teknike, per te mos pa ne sy te verteten kryesore. Qellimi im duket i keq ne pamje se shqetson, por te siguroj qe motivacioni eshte i mire.
Nuk habitem sepse Noli ka pas qënë kontradiktor (jo-konsistent?). Për shembull, sa priftërinj revolucionar ka njohur bota? Në kuptimin që jo se nuk ka priftërinj të majtë dhe revolucionar, por si rregull nuk janë të tillë. Mendoj se kjo thjesht na e konfirmon figurën e Nolit, përpos që është fakt interesant.
Lutem mos e vazhdoni më këtë përplasje. M’u desh t’i hiqja nja-dy komente, sepse kishin marrë për kot.
Në kontekstin e kësaj teme, një shok më dërgon imazhin e një dokumenti të vitit 1943, të lëshuar nga kuestori i Tiranës.
PREFEKTURËS MBRETNORE
E-për njoftim:
DREJTORISË P. TË POLICISË
TIRANË
N’orët e mbramjes, në disa zona periferike të qytetit, sidomos n’atë të Veri-lindjes, nga shkaku i paraqitjes së shumë shtepijave publike, si dhe t’ushtrimeve publike të pa numërta, që venë persona dembela e të papunë, të cillët qendrojnë atje sa dehen dhe shumë herë ngjasin aksidente të ç’do natyre, ku prishin dhe qetësinë publike.
Shpesh-herë aksidentet marin formë sa qi venë në rezik sigurimin e rendit publik. –
Ndërkaq i lutemi asajë Prefekture, në konformitet me mejtimin e armës së KK.MM. me egzaminue rastesisht të disponoje me përshtatjen e ordinancës për mbylljen deri n’orën 18 të të gjithë ushtrimeve pyblike e shtepijave publike, qi ekzistojnë në rrugën e Shkodrës gjith’ashtu dhe zonën të kufizueme të vijës Braka, tue mos ndryshue dispozitat qi regullojnë mbylljen e të gjithë lokaleve të tjera të qytetit.-
KUESTORI
(P.PAPALILO)
Të tërheq vëmendjen përdorimi i cilësorit publik: kemi nga njëra anë rendin publik dhe qetësinë publike, nga ana tjetër shtëpijat publike; por sidomos bie në sy togfjalëshi ushtrime publike, që duhet të jetë kalk nga italishtja pubblico esercizio, një term që mbulon shërbime për publikun, nga hotelet te restorantet, piceritë, banjat, pikat e basteve dhe të lotarisë e kështu me radhë, pa lënë jashtë as shtëpitë publike.
Në shqipen e sotme, ndoshta do të thoshim lokale, por kjo do të linte jashtë hotelet, hostelet, bujtinat dhe motelet.
Hidhu sa andej kendej me arsyetime, shembuj, analogjira dhe perkthime ideja kryesore doli, ne shqip “publike” do te thote:
veshja kush te dale perpara se ka per te gjithe.