Me shumë hidhërim mësova, sot në mëngjes, se paskësh vdekur prof. Kolec Topalli, nga më të shquarit albanologë dhe studiues të shqipes të shekullit tonë. Veprën e tij e njoh, e kam lexuar me kujdes, kam mësuar shumë prej zbulimeve të tij dhe metodës që përdorte; e kam admiruar për frymëmarrjen e gjerë, njohjen e shkëlqyer të shqipes në të gjitha rrafshet, logjikën e hekurt dhe rigorozitetin shkencor. Gjithnjë më kujtonte një tjetër albanolog të shquar dhe profesor timin në universitet e më tej, prof. Shaban Demirajn.
Kam pasur fatin ta njoh personalisht: isha rishtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, kur më qëllonte të shihja këtë zotëri, të veshur me shumë sqimë, që vinte për të studiuar në bibliotekën tonë të pasur, ose priste në korridorin e katit të dytë, për t’u takuar me drejtorin, Androkli Kostallarin. Më patën thënë që ishte mësues në një fshat të thellë të Tiranës, me biografi të keqe, dhe që herë pas here “i jepej leja” për të botuar punimet e veta në revistën “Studime Filologjike.” Aso kohe më bënte përshtypje si arrinte të ishte aq kompetent, pa qenë pjesë e qarqeve institucionale dhe akademike; sikurse më linte mbresë kortezia e tij dhe delikatesa.
Për prof. Topallin shpresoj se do të shkruhet shumë; nga njerëz që e njohin më mirë se unë. Këtu veç dua të shënoj se ai, si dijetar, ishte provë e suksesit të shkollës albanologjike shqiptare dhe vijues i denjë, në më shumë se një drejtim, i arritjeve të brezit të prof. Çabejt dhe prof. Demirajt në studimet për historinë e gjuhës shqipe. Është pasuri e paçmuar e akademisë shqiptare ky realitet i disa brezave me studiues, që kanë mësuar prej njëri-tjetrit dhe kanë ndërtuar mbi arritjet e para-ardhësve; si dhe dëshmi dhe model si mund të krijohet një traditë e pasur edhe në rrethanat e prekariatit intelektual dhe të katundarisë së mendjes.
Veçanërisht, në lëmin e studimeve etimologjike të shqipes, ka tashmë një vijë që nis me Meyer-in dhe Pedersen-in, për të vazhduar me Joklin dhe Çabejn, dhe që aktualizohet tani në veprën madhore “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, që prof. Topalli arriti ta botojë pak para se të largohej prej nesh. Disa vepra të tij të mëparshme, si “Fonetika historike” dhe “Gramatika historike” e gjuhës shqipe, edhe pse madhore në vetvete, duhen kundruar tani si shkallare drejt këtij opus magnum-i, monument i mirëfilltë i akademisë dhe i kulturës kombëtare.
Lajmi për vdekjen e mikut dhe mësuesit Topalli më erdhi mu kur po lexoja një nga paçavuret kundër Fjalorit të tij, të hedhur në qarkullim nga një sharlatan dhe kloun, inkompetent nga shalli te çorapet, i cili mëtonte t’ia hidhte poshtë metodën dhe arritjet kësaj vepre, me një argumente populiste, simpliste dhe provokative. Mendova se këto krijesa të territ, me lëtyrën që kanë derdhur këto ditë dhe javë në mediat, do t’ia kenë helmuar ditët e fundit prof. Topallit, pa e lënë të gjejë pak paqe, mes vuajtjes së vet fizike, në gëzimin që mundi t’ua japë në dorë lexuesve dhe studiuesve Fjalorin. Dua t’u kujtoj këtyre, se në këtë botë vërtet ka vend edhe për dritën e dijes, edhe për minjtë e gjirizit: por e para nuk ka nevojë për të dytët, që të shkëlqejë.
Pushofsh në paqe, i nderuar mik; nëpërmjet veprës tënde, do të mbetesh gjithnjë i pranishëm mes nesh që të kemi vlerësuar, dashur dhe respektuar, si njeri dhe si studiues.
Dje e pashe edhe une ne nje gazete interneti kete lajm dhe dyshova fillimisht, kur ne disa gazeta te tjera nuk gjindej. S.d.q., me fjalorin e tij etimollogjik, besoj se Kolec Topalli do te zihet per dekada e dekada me radhe ne goje, si pike referimi.
Më hidhëroi lajmi edhe pse isha i përgatitur se nuk do dëgjoja më lajme të mira për shëndetin e tij. La një vepër kolosale mbrapa tij që barën më të madhe të saj e hoqi krejt vetëm.
Një humbje e madhe për shkencën shqiptare dhe albanologjinë. Kam pasur fatin ta kem pasur pedagog te Fonetikës Historike të shqipes dhe saktësia e dituritë e pashoqe na ka lënë mbresa të thella të gjithëve. Po ashtu, sa i largët dhe i ftohtë dukej në pamje, aq pasionant e mbresëlënës bëhej kur shpjegonte. I papërtuar në ndihmën dhe këshillimet ndaj studentëve. Kujtoj që më priti gjer edhe në Presidencë, ku qe sek. i përgjith. për t’u konsultuar. Nga të rallët pedagogë që jepte rregullisht bibliografie kur mbaronte leksioni, apo seminari. FJALORI ETIMOLOGJIK I GJUHES SHQIPE është një thesar i madh që prof. Topalli i la shqipes, kulturërs shqiptare dhe pasardhesve, duke plotesuar, çuar më tej dhe përmirësuar punën e të ndriturti Çabej, vazhdues i denjë i të cilit qe edhe Kolec Topalli. Mirënjohje përjetë!