Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

POEZIA SOT: JETON APO GJËLLIN?

 nga Geverina Muzhaqi

Fillimisht poezia vishte një kuptim të shenjtë.

Në tekstet e Veda-ve, himnet e shenjtë në traditën hinduiste, Dêva-t, engjëjt, recitonin vargje për të mposhtur të keqen, Asura-t, pra djajtë. Ndaj edhe poezia kishte një ndikim shërues për shpirtin; ishte shelbim.

Më kujtohet ende shpjegimi i pedagoges së letërsisë bashkëkohore gjatë kohës kur studioja në universitetin La Sapienza të Romës për Studime gjuhësore e filologjike, në lidhje me poezinë:

Në latinisht vargjet quheshin carmina, që në sanskrishte përkonte me fjalën karma. Rrënja e fjalës në sanskrishte është kri, nga e cila rrjedh folja latine creare, dhe ka të njëjtin kuptim me fjalën greke poiein, folja ‘bëj’. Në këtë kuptim, poezia është shkrirja midis aktit të të vepruarit me aktin e të krijuarit, ku njerëzorja dhe artistikja gërshetohen aq bukur me njëra-tjetrën sa bëhen një e vetme: pra shndërrohen në varg.

Vargjet homerike, shekspiriane, nerudiane e shumë të tjera, janë vargje që shëtitën mbarë botën duke e plazmuar atë, ndonëse në epoka, kultura dhe shtrirje gjeografike të ndryshme. Sepse poezia është gjithpërfshirëse dhe e tejkalon çdo hapësirë e kohë. Në një epokë kur fjala dëgjohej dhe kishte ende peshë, vargjet e tyre na bënë të besonim se poeti mund ta ndryshonte botën.

Por asokohe teknologjia ende nuk ekzistonte, moda ndiqej vetëm nga aristokracia, rolet në shoqëri ishin të mirëpërcaktuar dhe letërsia ishte njëherazi ligj, kulturë, filozofi dhe model edukues.

Edhe letërsia jonë kishte një rol të përcaktuar. Tekstet e para në shqip, duke filluar me Mesharin (1555) Bardhin, Matrangën e të tjerët, kishin për qëllim edhe alfabetizmin dhe fenë e popullit shqiptar. Ndërsa Rilindasit, ndër të tjera, synonin të nxisnin shpirtin atdhetar dhe revoltën, që më në fund edhe Shqipëria të kishte shtetin e vet.

Kjo e përligj edhe detyrën që poezia mbart mbi shpinë për ta ndryshuar dhe përmirësuar njeriun.

Për Sokratin poeti ishte i shenjtë, ngaqë ishte i vetmi i aftë që ta përcillte fjalën e Zotit. Për Platonin poeti ishte shembulli që tregonte se njerëzit mund të pushtoheshin nga forcat e errëta e të arrinin të shkruanin edhe për gjëra të pagjasa, të sendërgjonin sa t’ua kishte ënda dhe të fluturonin nëpër hapësira ende të panjohura për psiken e njeriut. Sipas tyre, poezia kishte gjithnjë diçka mbinjerëzore.

Laicizmi i poezisë fillon me Aristotelin, që e cilëson atë si një “shkencë poetike”, duke e shndërruar funksionin e saj nga ritual e kulturor në një funksion të mirëfilltë letrar.

Sinonim i formës më të lartë të diturisë dhe ndjeshmërisë, poezia fillon të konsiderohet e aftë për ta lartuar siç duhet dashurinë – për njeriun, për atdheun, për shkencën apo për Zotin – format okulte e ato jetësore, të dukshmen dhe të padukshmen.

Poetët kanë arritur madje që të quhen nga të tjerët edhe filozofë apo profetë. Poezia shndërrohej kështu në domosdoshmëri për njeriun e arsyeshëm; e domosdoshme si uji për bimët apo si dielli për tokën.

Por ç’i ndodhi poezisë sot?

Jeton apo gjëllin?

Pse tri qëllimet më të larta të poezisë, që përmendte Dante – shpëtimi, dashuria, virtyti – sot janë të lëkundura e më të paqëndrueshme se kurrë parë?

Kush e vrau poezinë?

Pse është varfëruar ajo? Ndoshta ngase sot është varfëruar edhe vetë dashuria dhe ka triumfuar materialja, sipërfaqësorja? Sepse me modernizimin që solli Nëntëqinda – i ashtuquajturi boom ekonomik, teknologjik e seksual – vërshuan edhe format e reja të ekspresivitetit të vetvetes, të artit dhe të botës që na rrethon? Kush e cënon, vallë, poezine?

Pse lexohet gjithnjë e më pak, dhe shkruhet edhe më pak (poezi e mirë, kuptohet, e jo shfryrje e një çasti fluturak, që nuk ka as formë e as përmbajtje poetike, por mbetet një orvatje e largët për të krijuar diçka)?

Ka ndryshuar materiali ku ne shkruajmë (nga papiri tek pergamena, tek letra e deri tek teknologjia), kanë ndryshuar shijet mbi zhanret letrare (nga letërsia e mirëfilltë, prozë a poezi qoftë, tek esetë, tregimet, historitë thriller apo tekstet e këngëve tallava), kanë ndryshuar kanalet e informacionit (nga hieroglifet tek telegrafi, telefoni, televizori, celulari, rrjetet sociale).

Gjithçka është e shpejtë: njerëzit zgjohen të shqetësuar për kohën që po u ikën shpejt, vishen shpejt, ecin shpejt, mendojnë shpejt, hanë shpejt, bëjnë dashuri shpejt, vdesin shpejt. Mendja tejngopet me informacione të papesha e të pavlera, ndërsa shpirti boshatiset gjithnjë e më shumë.

Dhe në gjithë këtë vetmi e rrokopujë, poezia vazhdon që ta ruajë ende një nga qëllimet e saj më të shenjta: ata pak që e lexojnë apo e shkruajnë, i ndihmon të mbeten njerëz.

(c) Autorja

12 Komente

  1. E kuptoj çfar do te thuash ne fund te shkrimit, por kjo me duket nje ngushellim per çfare ke kap sakte ne pjesen tjeter te shkrimit. Mungesa e sotme e poezise dhe poetit (psh per here te pare ne histori te Evropes nuk ka asnje, merpo asnje, poet kontinental), dhe me gjere e artit ne pergjithsi eshte fenomen shume tregues per gjendje e njerzimit.

    Pra ja vlen te pakten, perveç ngushellimit, te kishte edhe qasje si te thuash shkencore. Apo njesoj edhe gjendja shkencore kontinentale eshte bere per te qare hallin?

    1. Paikopati une mendoj se kur flitet per poezi, aspekti shkencor mbetet relativ, pasi ndryshe nga matematika ku 2+2 bejne gjithnje 4, ne poezi shuma mund te dale edhe 10. Mendoj gjithashtu se poezia eshte ajka e krijimtarise. Ajo ia del kaq mire qe t’u jape ze emocioneve, le pastaj po te gershetohet sic duhet me muziken, behet e paharrueshme. Dua ta theksoj qe keto jane mendime shume personale dhe jam shume e vetedijshme se ka njerez plot qe mund ta mendojne edhe ndryshe nga une. Sakaq, une e hodha 1 pike uje me shume ne oqean.

      1. Nuk kisha fjalen per shkencat ekzakte, e kisha fjalen per shkencat umane ne kuptimin qe shqetsimi qe ngre ti te shqyrtohej me rigorozitet shkencor, ose filozofikisht, ose mjeksor po te duash quaje, ne kuptimin si perpjekje per tu gjendur ilaci. Si te duash quaje, mjafton qe problemit te shihet jo vetem artistikisht.

  2. Pyetja e këtij shkrimi është tejet e gjerë, besoj mund të marrë veç disa përgjigje të pjesshme.

    Poezia i ka rrënjët në oralitet – dhe jo aq në praktikat orale të shoqërive të shkruara, sa në kohët kur oraliteti ishte statusi dominant i një kulture.

    Tiparet tekstuale që e kanë shoqëruar në shekuj: ritmi, rima, vargu, figurat ritmike, përsëritjet, formulat narrative (për poezinë epike), por edhe muzika dhe, okazionalisht baleti, janë të gjitha tipare të oralitetit.

    Havellock Ellis ka treguar, te “Preface to Plato”, se poeti në Greqinë klasike e kish të domosdoshme që ta shoqëronte performancën e vet duke goditur nga pak telat e lirës ose të qitharës, sepse ajo – muzika – i jepte strukturë jo vetëm deklamimit, por edhe vetë përftimit të poezisë. Këngët popullore sot e kësaj dite duhen kënduar – nuk mjafton vetëm teksti; pa çka se muzika (melodia, ritmi, teksti) mund të jenë stereotipike, ose të rimerren nga një këngë në tjetrën. Kështu duhet interpretuar, them unë, edhe Nobeli letrar që iu dha tani së fundi Bob Dylanit. Vetë mund të shtoj se tekstet e Paolo Conte-s ose të Francesco De Gregori-t më hapin përjetime dhe përfytyrime të pakrahasueshme, të thuash se fjala e vënë në muzikë gjithnjë e gjen rrugën më lehtë drejt shpirtit. Nga kënga e De Gregorit “La leva calcistica del 68” unë marr vesh historinë e fëmijërisë sime; por po ta lexoja tekstin të shkruar, me siguri do ta kisha harruar sakaq.

    Natyrisht poezia ka lulëzuar edhe në periudha të sunduara nga shkrimi; por ka qenë gjithnjë një mënyrë për të mbajtur gjallë a për të stilizuar oralitetin: që nga nevoja për ta recituar ose deklamuar, te ajo tjetra që deri vonë publiku i mësonte poezitë përmendësh.

    Edhe në fillimet e letërsisë shqipe, poezi të shkruara si ato të bejtexhinjve, ose të Naimit e të Fishtës më pas, riprodhoheshin të mësuara përmendësh, si të ishin këngë.

    Ne që jemi krijesa të shkrimit, nuk e kemi të lehtë të kuptojmë se si jetohet në oralitet, ose në një kulturë ku memorja kolektive ka nevojë të riprodhohet gojarisht, që të ruhet dhe të përcillet në kohë.

    Edhe funksionet e teksteve liturgjike në shoqëri mbeten të lidhura ngushtë me oralitetin: lutjet riprodhohen gojarisht, edhe kur ekzistojnë në formë të shkruara.

    Tkurrja e funksioneve sociale të poezisë vjen krahas shkëputjes së artit nga religjioziteti dhe spiritualiteti: p.sh. humbja e narrativitetit në pikturë dhe në skulpturë; por edhe krahas rënies së rolit të teatrit, si forum qendror i jetës publike, për t’u zëvendësuar nga televizioni.

    Mjaft të përfytyrosh përmasën diakronike që kishte arti religjioz (ku narrativat i referoheshin Biblës) ose arti i Rilindjes europiane (ku narrativat i referoheshin edhe mitologjisë greko-romake) ose tragjedia greke dhe ajo shekspiriane dhe neo-klasike. Kjo përmasë mbahej në ekzistencë me mjete të oralitetit, jo duke u shkruar.

    Dhe të krahasohet pastaj kjo me diakroninë aq të papërfillshme të televizionit, i cili memorien e ka vetëm afatshkurtër: 2-3 ditëshe.

    Ndryshe nga ç’mund të duket në vështrim të parë, qytetërimi i oralitetit dhe i “poezisë” jeton në përjetësi, ndryshe nga yni sot, rob i instantaneitetit (nëse më lejohet kjo fjalë).

    Me pak fantazi, mund të përfytyrojmë ditën kur do të na ndezin dhe të na fikin, si të ishim pajisje elektro-shtëpiake.

    Përndryshe, poezia që mbijeton sot – ndonjëherë edhe në forma sublime – e bën këtë të ngjashme me një lloj sporti: p.sh. alpinizmin, i cili i vë njerëzit të ngjiten në mal, edhe pse mund ta bëjnë këtë me helikopter, ose më mirë akoma, ta shohin në televizion.

    Kur të instaurohet realiteti virtual, me plotfuqishmëri, ndoshta as nuk do ta kuptojmë dot pyetjen që bëhet në shkrim.

  3. Ardian komenti yt eshte aq interesant sa meritonte te ishte shkrim me vete. Shkrimi im ngre nje shqetesimin tim personal – si poete dhe si dashamirese besnike e poezise – mbi rrjedhen e poezise, fati i se ciles po me duket gjithnje e me i paqarte, se ka arritur ne piken e mbijeteses dhe sikur po e humb magjine dhe shkelqimin e vet. Muzika pastaj eshte nje element qe ia shton edhe me teper magjine

    1. Komenti interesant i Ardianit i jep zgjidhje problemit tend, biles tregon se nuk eshte problem kushedi se çfare sepse eshte problem trazicioni qe do zgjidhet ne te ardhmen nepermjet zhvillimin teknologjik qe do te istauroje realitetin virtual.

  4. Psikopati pikerisht zhvillimi teknologjik,gjithnje sipas meje, eshte nje nga arsyet e ndryshimit te rrjedhes qe ka marre poezia e qe nuk i dihet me se ku do ta derdhe shijen e saj te njelmet e te pakrahasueshme. Le te themi qe teknologjia ka aspektet e veta ekonomike (informacioni i shpejte; nese nuk te vjen dicka ne mendje apo nese te harrohet ndonje emer, e kerkon dhe zgjidh pune brenda disa sekondave) dhe aspektet negative (tejngarkimi i mendjes me informacionte te kota, si kronikat roze, skandalet etj). Dikur i shkruaje leter 1 miku dhe i jepje peshe fjales. ajo qe shkruhej ishte e rendesishme. Sidoqofte, nuk dua te tregohem si ata autoret skapiljate ne Itali, qe ishin teresisht kunder zhvillimit dhe shkruanin vetem per degradimin e shoqerise per faj te modernizimit. Mua thjesht me shqeteson fakti sot qe poezia lexohet pak

    1. Shkruan:

      Mua thjesht me shqeteson fakti sot qe poezia lexohet pak.

      Një arsye do të ishte se poezia nuk është për t’u lexuar, por për t’u dëgjuar dhe, anasjellas, thënë me zë (në rastin e fundit, folësi dëgjon ligjërimin e vet).

    2. Gaverina, une sqarova saktesisht çfare kishte the Adriani ne koment, ose me sakte se çfare arrita te kap une nga mendimi i Adrianit (se eshte pune dreqi ky komunikimi virtual, akoma i paistuaruar si realitet). Per vetem mendoj se problemi i mungeses se poesise si me pare eshte teper i rende per tu zgjidh teknologjikisht. Njekohesish mendoj, ne kundeshtim me ty dhe Hajdegerin, qe nuk eshte faji i teknologjise ne kete çeshtje. Ne fakt teknologjia eshte e perzjere rende ne kete çeshtje, si perzgjatim legjitim i poezise ne magazinen e gjizes, dhe ne kete pikpamja jo se nuk keni ca te drejte ti, Ardiani dhe Hajdegeri.

      Problemi me i rende i poesise nuk eshte se lexohet pak, por se ne krahasim me dikur (100 vjet me pare), lexohet pak se nuk ka me poete te njohur unanimisht ne rang kombetar dhe kontinental.

  5. Psikopati poetet behen te njohur nese poezia e tyre lexohet e, rrjedhimisht, vleresohet dhe ben jehone. Ne nje bote ku imazhet jane me rendesishme se jane edhe me imediate, ndersa fjala e shkruar kerkon thellim, pra kerkon qe ti ta perfytyrosh ate qe shkruhet, ndryshe nga imazhi, qe eshte nje produkt i gatshem per syrin, ajo qe duket triumfon mbi ate qe mendohet dhe perceptohet. Dhe teknologjia eshte mbreteresha e produktit te gatshem, pra e imazhit. Mjafton te hysh ne keto rrjetet sociale e te shohesh se cfare klikohet dhe pelqehet me shume per ta kuptuar se njerezit po largohen gjithnje e me teper nga poezia. Edhe kenget e De Gregorit, qe permend Ardiani, jane poezi e paster dhe e cmuar. Ndersa tekstet e kengeve tona jane bajate (por kjo tema e kengeve tona eshte debat me vete). Pra pyetja qe me lind natyrshem nga komenti yt eshte: si te kete poete te mire (edhe pse mund te te permend disa emra) po nuk pati interes per te lexuar poezi?

    1. Hajdegeri pati thene nje te vertete te madhe: bota eshte rrethore. Fatkeqsisht vdiq para se te shpikej teknologja e rrjeteve sociale, se aq me teper do te kishte vene re qe edhe logjika eshte rrethore si nje qen qe kafshon bishtin e vet. Dmth pyetje qe ke shtruar ne fund si gjysem rrethi, mund ta shtrosh me perkundrazi si gjysem rrethi tjeter, ja ku doli nje rreth i plote, dmth taman qeni kafshon bishtin tij.

      Ta kisha llafin qe me logjike i vjen perqark problemit, qendren e te cilit e arrin me te ndjere. Duhet te kesh vesh per muzike, dhe vesh me te holle se te De Gregorit.

  6. Meqe autorja permendi vedat indiane, e meqe edhe vestat sankrite nuk jane larg tyre, e meqe gjuha e tyre eshte poetike, e meqe padashur shkrimi reduktohet ne poezine e mirfillte vargezore, e meqe neper komente u justifikua (tmerresisht) kjo lenie e poezise, do shtoja dhe theksoja se me poezi nuk duhet te kuptojme vetem vargun, por edhe gjuhen; (ndonje shkrim i Ardianit duket vertet poetik). Keshtu, sot nuk po humbet vetem poezia si varg, por po humbet edhe gjuha poetike. Ne jeten e perditshme, sot te rinjte kudo, Shqiperi, Itali, Gjermani, Angli, etj., jane larg nga gjuha (sado pak poetike) e dekadave te meperparme. Fatkeqesi!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin