Herë pas here, dëgjoj – a lexoj – njerëz që pyesin se “si mund ta thonë shqip” një fjalë fare të rëndomtë, që atyre u duket si “e huaj”: këta ngatërrojnë, në çdo rast, identitetin e fjalës me origjinën ose, akoma më keq, etimologjinë e saj. Dikush që kërkon të gjejë “si mund ta thotë shqip” fjalën xhezve, në fakt ka marrë vesh, kushedi si dhe ku, që këtë fjalë shqipja e ka huazuar dikur nga turqishtja (osmanishtja), çfarë e shqetëson, sepse sot, për një kategori shqiptarësh të zellshëm (do të shtoja: shqiptarësh profesionistë, ose njerëzish që e kanë shndërruar shqiptarinë në profesion), gjithçka e ardhur nga Lindja duhet shporrur nga gjuha dhe nga kultura, si të ishte mish i huaj: që nga fjalët me prejardhje “turke” (zakonisht osmane) dhe pastaj ato greke dhe sllave, te feja Islame dhe ajo e krishterë ortodokse, pastaj te kultura materiale përkatëse (zejet, veshjet, gatesat të cilat janë të lidhura ngushtë me nomenklaturën leksikore) e kështu me radhë. Prandaj edhe pyetjen më lart ndoshta më mirë ta krahasonim me atë që bën polici kur i kërkon dikujt jo kartën e identitetit, por pemën gjenealogjike, ose kartën e përkatësisë racore; sepse qëndrime të tilla janë gjithnjë diskriminuese dhe raciste, edhe kur maskohen si “patriotike” ose pas formulës yshtëse “gjuha jonë sa e mirë”. Çfarë habit edhe më, me këtë qëndrim që kërkon ndërhyrje urgjente në leksik, është vetëdija e titullimit të atyre që e shprehin; ose e drejta që i japin vetes, për ta dënuar një fjalë me zëvendësim; një lloj shprehjeje perverse e demokracisë gjuhësore, të drejtpërdrejtë; ose të asaj që, në disa vende anglo-saksone, e quajnë “citizen’s arrest” (në disa vende të tjera, kjo njihet si donkishotizëm). Procesi artikulohet në disa faza: më parë një fjalë identifikohet si e huaj; dhe pastaj kërkohet largimi i saj (dëbimi nga ligjërimi), nëpërmjet zëvendësimit me një tjetër, me biografi më të mirë, mundësisht e vjetër, “thjesht shqipe”, e fondit indo-europian; ose e kundërta, një neologjizëm, mjaft që të jetë “i bukur”.
Këto marrina i detyrohen të gjitha indoktrinimit. E para, sepse një fjalë që është huazuar nga shqipja, në rrjedhë të kohës, nga një gjuhë tjetër, nuk ka status të njëjtë me një fjalë të huaj si të tillë; nëse unë, për një arsye çfarëdo, filloj të përdor fjalën vilaxhio për “fshat”, atëherë vërtet jam duke përdorur një fjalë të huaj (në këtë rast, të italishtes); dhe bashkëbiseduesi ka të drejtë të më tërheqë vërejtjen, ose të paktën të vrasë mendjen për të gjetur se për ç’arsye po e përdor këtë fjalë përndryshe joshqipe[1]; por nëse unë përdor fjalën xhezve, për të treguar një pajisje të caktuar me të cilën zihet kafeja, atëherë jam duke folur shqip dhe fjala xhezve është fjalë shqipe me të gjitha “të drejtat” e mundshme, përfshi edhe atë për të mos u diskriminuar për shkak të origjinës; dhe kur them që xhezve është fjalë shqipe, kam parasysh atë që fjalën e njeh dhe e përdor aktivisht një masë e madhe shqipfolësish, të cilët nuk shqetësohen për prejardhjen e saj, sa kohë që fjala i ndihmon për të shënjuar objektin përkatës (në thelb, që i ndihmon për të përgatitur kafenë).[2] Në këtë kontekst, ata që aspirojnë ta zëvendësojnë fjalën xhezve me një tjetër, ndonjëherë madje me ngashërim, janë në fakt duke u përpjekur të krijojnë një lloj zhargoni special, i cili t’i shquajë ata si aktivistë të zellshëm të kulturës a, më keq akoma, misionarë (në rastin tonë, të kombëtarizmit kulturor, ose të purizmit leksikor).
Së dyti, këmbëngulja erudite e cave për të gjetur dhe përdorur fjalë “të vjetra” i ka rrënjët në rrejshmërinë se, në leksik, e vjetra është për t’u preferuar ndaj më pak së vjetrës; edhe pse vjetërsia në gjuhë nuk i jep fjalës asnjë lloj përparësie funksional; sa kohë që një krijim libror relativisht i vonë, si fjala drejtësi, nuk ka ndonjë privilegj në përdorim ndaj një fjale mjaft të vjetër, si gjyq. Nga ana tjetër, edhe pse fjalët e një gjuhe mund të vjetrohen, kjo nuk do të thotë se fjalët “e vjetra” janë më pak efikase se ato të rejat; meqë një fjalë është po aq e re sa edhe data mesatare e përdorimeve të saj; dhe një fjalë vjetrohet kur del nga përdorimi i gjallë, jo ngaqë ka shumë kohë (vite, shekuj) që përdoret.
As neologjizmat, pavarësisht nga çfarë besohet në disa qarqe snobësh patriotikë, nuk kanë ndonjë përparësi a virtyt të vetvetishëm; shumica e neologjizmave krijohen për nevoja terminologjike dhe as që përdoren në ligjërimin e përditshëm; ndërsa shumë të tjera, nuk janë fjalë të gjuhës por vetëm të ligjërimit, duke pasur statusin e figurave stilistike leksikore dhe duke mbetur zakonisht “të mbyllura” brenda kufijve të një teksti të vetëm: unë mund të shkruaj një poezi dhe ta quaj të dashurën time “buzëkaramele”, por kjo nuk ia jep gjë neologjizmit tim buzëkaramele statusin e fjalës shqipe (fjalës së gjuhës shqipe, meqë këtu dallimi mes gjuhës dhe ligjërimit ka rëndësi kritike); në fakt, gjasat që këtë fjalë ta përdorë dikush tjetër, në mënyrë të pavarur nga konteksti origjinal, janë praktikisht zero[3]. Është një figurë ligjërimore, po aq e ngulitur në tekstin ku u përftua, sa edhe një metaforë poetike. Prandaj edhe ideja që qarkullon dendur, se shkrimtarët mund ta pasurojnë lirisht shqipen me fjalë të reja, nuk ka bazë; pa çka se me analizën e këtyre “prurjeve leksikore” janë mbrojtur ndonjëherë edhe doktorata.
Në vija të trasha, sot leksiku i shqipes ka nevojë jo të pastrohet, por të pasurohet. Ata që flasin për “pastrimin dhe pasurimin e shqipes” vetëm sa përsëritin mekanikisht një formulë absurde dhe kontradiktore; sa kohë që pastrimi, edhe kur bëhet për shkaqe madhore (p.sh. gjatë procesit të përftimit të një gjuhe letrare, siç ndodhi me shqipen gjatë Rilindjes) është gjithnjë varfërim i leksikut. Këtyre u duhet thënë (me mirësjelljen maksimale): mblidheni mendjen, do ta pastroni apo do ta pasuroni shqipen? Kam frikë se ca prej tyre e kanë me qejf e pasion vetëm pastrimin; duke e përfytyruar veten në rolin e policit, që imponon ndaj gjuhës një farë disipline racore; ndërsa ca të tjerë kujtojnë se po i bëjnë mirë leksikut, duke u mësuar përdoruesve që të marrin në pyetje fjalët që përdorin. Sepse normalisht, një folës (ose shkrues) synon të përdorë atë fjalë që ia plotëson më mirë nevojën që e bën të flasë (a të shkruajë): nëse unë i them vëllait “ma sill pak xhezven”, e përdor fjalën xhezve i bindur se im vëlla do të më sjellë pikërisht objektin që kërkoj; por nëse unë i them vëllait “ma sill pak kafebërësen”, atëherë vëllai do të më shohë i habitur dhe do të mendojë se unë ose po tallem me të, ose kam pësuar ndonjë TIA (transient ischemic attack). Mund edhe t’i them “ma sill pak atë gjënë që përdorim për të bërë zier kafen”, por kjo do të ishte zëvendësim i fjalës me përkufizimin e saj, dhe një formë tjetër e dëmtimit të trurit. Virtyti i fjalës xhezve nuk ka fare lidhje me prejardhjen e saj (nga turqishtja e periudhës osmane), por me njohjen e saj masive prej shqipfolësve, çfarë më lejon mua ta përdor në mënyrë ekonomike.
Tani, në një situatë hipotetike, shqipja do të pasurohej sikur, krahas fjalës xhezve të përdoreshin edhe fjalë të tjetra, emra pajisjesh të ndryshme, që hyjnë në punë për të përgatitur lloje të tjera kafesh, si kafen “e gjatë” (amerikane), kafen e presuar (franceze) ose kafen espresso (italiane); nëse këta emra përhapen dhe popullarizohen nëpërmjet tregut – me ndihmën edhe të një institucioni të standardeve që mund të impononte përdorimin e emrave shqip ndaj huazimeve të reja, në pajisjet e konsumit të gjerë – pra, nëse këta emra përhapen dhe popullarizohen nëpërmjet tregut, atëherë mund të ndodhë që fjala xhezve të specializohet, për të shënjuar vetëm atë pajisje kuzhine që shërben për të zier kafenë turke. Dhe ky do të ishte pasurim i gjuhës shqipe, ndryshe nga zëvendësimi mekanik me një neologjizëm, i cili në rastin më të mirë do të sillte pështjellim në fjalorët, dhe në rastin më të keq do të sillte pështjellim në folësit.
Marrjen në pyetje të fjalëve, në momentin e përftimit ose të “marrjes” (reception) të ligjërimit, për shkak të shqetësimit ideologjikisht të induktuar, se mos jemi duke përdorur një fjalë “të ndaluar” ose me biografi të keqe, unë do ta quaja thjesht patologji moderne të komunikimit shqip, e cila i përket një kategorie të afërt me patologjitë e tjera naive të interesimit të sëmurë për etimologjitë, etimologjizimet popullore dhe deliret për shpjegimin e fjalëve të gjuhëve të tjera me anë të shqipes.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës™.
[1] Por kjo fjalë, vilaxhio, e përdorur eksperimentalisht prej meje, nuk është bërë akoma fjalë e huaj e shqipes, meqë mbetet e kufizuar në një kontekst ligjërimor individual. Madje edhe sikur unë të filloja ta përdorja rregullisht vilaxhio për fshat, në ligjërimin tim, sërish kjo do të bëhej pjesë e idiolektit tim dhe do të shërbente për të më identifikuar gjuhësisht. Që një fjalë e huaj (forestierizëm ose barbarizëm) të hyjë në leksikun e gjuhës, duhet që ajo të kodifikohet kolektivisht, ose të përdoret nga një numër i mjaftueshëm folësish.
[2] Kjo vlen edhe atëherë kur fjala e perceptuar si e huaj e ka një barasvlerë “shqipe” – për shembull, surrat dhe fytyrë; sepse surrat sjell në ligjërim konotacione (ngjyrime stilistike) që fytyrë nuk i ka, duke qenë, në thelb, një pasuri e shqipes.
[3] Dhe kjo jo ngaqë ka ndonjë problem me fjalën vetë (e cila i respekton rregullat e fjalëformimit shqip), por ngaqë përdoruesit e shqipes nuk kanë nevojë praktike, për një kompozitë specifike, që ta ngërthejë metaforën e buzëve që shijojnë të ëmbla, kur i lëpin.
Më ra qiellzana në kokë
hallall xhezvese qe u be sebep per kete shkrim! 😀
Kam përshtypjen se këtë “hall” e kemi më shumë ne, të ikurit. Seç ndodh një si paralelizëm ekzistencial: ashtu si këta na konsiderojnë të huaj, ashtu u bëjmë ne bllokadë fjalëve shqipe që i konsiderojmë të huaja.
Ne fakt zhvillimet gjuhesore po shkojne si I kerkon ti, jo nga e kunderta. Vende te medha europiane jane te shqetesuara per ndikimin e madh te anglishtes, cka I shtyn te jene konservatore, po as kjo prirje nuk duket te pengoje zhvillimet shqiptare drejt asaj qe propogandon ne te tilla temash prej shume vitesh. Meqenese je ne anen e zhvillimeve te sotme pritet me shume nje pune edukative qe te krijoje rregull mes kaosit te huazimeve, sesa thirrje per thellimin e revolucionit , si te ishe Robespieri i gjendjes dhe i gjindjes. Qendrimi konservator bazohet ne dy premisa kryesore. E para qe shqipja ka qene vazhdimisht ne rrezik zhdukjeje, dihen edhe analizat ku shqipja edhe per pak kohe e do ish thjesht nje gjuhe neolatine me shume. E dyta, ritmi I zhdukjes se gjuheve ne bote eshte rritur shume me rritjen e alfabetizimit, fusim ketu edhe arvanitishten ne Greqi e arberishten ne Itali. Keto premisa jane te verteta dhe jo hamendje. Nuk do mend qe leksiku eshte organi gjuhesor me I ndjeshem dhe me I goditur, prandaj edhe vemendja eshte me e madhe. Nga ana tjeter sa me I alfabetizuar eshte nje shqiptar aq me shume huazime ka, nje fenomen I mirenjohur ky ne ecurine e zhdukjes se gjuheve, meqenese historikisht te paret qe e humbasin gjuhen jane te alfabetizuarit. Nuk besoj se ka nevoje per shembuj. Sigurisht qe shqipja nuk eshte ne rrezikun e dikurshem dhe ka arritur te alfabetizohet e te kete dy shtete, cka na krijon njefare gjendje qetesie persa I takon mbijeteses, por kjo qetesi e siguri e sotme nuk eshte garanci se mund te perballohet cfaredo eksperimenti, kaosi e revolucioni. Robespierin e braktisen shume shpejt, revolucioni me kripe e kripa me karar.
Nuk jam vetëm studiues i shqipes, por edhe përdorues në disa nivele: jam autor i shumë librave, pa folur për çfarë bëj këtu te Peizazhet. Dhe më beso, se gjatë gjithë këtyre viteve që shkruaj për publikun, KURRË nuk kam pasur përshtypjen se shqipja ime ka nevojë të pastrohet; në një kohë që SHPESH e kam vuajtur varfërinë e leksikut të shqipes së shkruar (kjo edhe ngaqë mendimi im më formohet në gjuhë të tjera).
Ka shumë mënyra si të pasurohet një gjuhë: për shembull, duke vënë rregull në treg. Rregulli në treg, parakupton edhe rregullin në reklamat. Një numër i madh fjalësh që u referohen sendeve dhe dukurive të reja (p.sh. elektronikës, softuerit) do të sillen në shqip që në burim; ose zëvendësimi do të ndodhë, si të thuash, në “doganë”.
Pasurimin e shqipes e pengon edhe fakti që sot njerëzit notojnë në detin gjuhësor të mass mediave – ku mjafton një leksik minimal, për të çarë përpara. Televizioni mund të ndihmojë për ta njësuar gjuhën, por vështirë se bën shumë për pasurimin.
Më në fund, pasurimin nuk e lejon as obsesioni me pastrimin; meqë edhe sikur zëvendësimi i një fjale të ketë sukses, sërish nuk i kemi shtuar gjë leksikut.
Shkrimi im më lart ishte për të kundërshtuar zëvendësimin e fjalëve shqipe për arsye ideologjike; ose të fjalëve që kanë zënë vend mirë në gjuhë (një gjest ekuivalent me spastrimin etnik për nga teknika – edhe pse natyrisht jo nga ana morale). Kjo nuk do të thotë se çdo huazim, edhe i ri, e pasuron patjetër gjuhën. Ka huazime të sotme që ndërhyjnë më thellë, duke pezulluar deri edhe gramatikën e gjuhës – p.sh. anglicizmat, të cilat nuk integrohen dot as në lakim as në zgjedhim (shpesh dëgjoj nga bashkëfolësit të më thonë bëje sejv për anglishten save it), në një kohë që për neolatinizmat ekzistojnë mekanizma të konsoliduar të zhdoganimit. Gjithsesi janë gjëra që duhen diskutuar, dhe që unë në fakt i kam diskutuar veçan, madje kam shkruar edhe një libër.
Tani si ta thuash, pa mekate nuk je, nuk jane as pastruesit e medhenj qe ke shquar gjate viteve, se ashtu vijne rrethanat, por edhe sepse do te ishte paradoksale qe shqipja jote ne gjithe ate volum qe ke shkruar te jete e qeruar ( asnje fjale jashte fjalorit zyrtar) dhe nga ana tjeter te nxitesh te tjeret te huazojne pa kriter. Gjithsesi, nuk eshte e thene te jesh fshatar qe te shkruash per rendimentin ditor, mujor e vjetor te mjeljes se lopes. keshtu qe yti do te ishte me shume nje paradoks moral e ideologjik, sesa logjik.
Rreziku i ”spastrimit etnik” te fjales nuk eshte ndonje fenomen real me domethenie, ka natyre simbolike. Madje edhe spastrimi i madh etnik qe kryen romaket e lashte mbi fjalet greke, ne fakt nuk solli asgjesimin e fjaleve greke ne latinisht, thjesht uli perqindjen. Mbase ti njeh ndonje gjuhe, po une nuk njoh asnje gjuhe me pasterti le te themi 80%, shifer qe do e zbrisja ne fakt edhe ne 50%, thjesht me pershtypje.
Dua te them qe çeshtja e pastertise nuk eshte ndonje gje qe ka te beje me pastertine sesa me perzierjen. Duke perdorur fjalen pasterti thjesht krijohet iluzioni se gjuhet apo me konkretisht shqipja ka ndonje 80-90% pasterti dhe tani jane naziskinet e gjuhes qe duan ta çojne 100%. Ne fakt nuk ka gje me larg realitetit. Te gjuhet, me konkretisht shqipja, çeshtja eshte sa e perzier eshte, dmth jo sa karat ka ari, po ça kokteji eshte, jo sa grade eshte rakia e rrushit, po sa lloj pijesh alkolike ka brenda kokteji e ne çfare raporti jane.
Periudha e komunizmit qe duhej te ishte puriste, ne fakt nuk ka qene fare e tille, pertej simbolikes. Ne ate periudhe kemi gjithe literaturen shkencore, ne çdo fushe, se u hapen universitetet, u perkthye aq shume letersi artistike saqe nuk numerohen librat, keshtu qe vershuan huazimet e u konfirmuan te meparshmet, te themi me mijera jemi brenda.
Ndryshimi i vetem me keto 30 vjet eshte qe asokohe krahas huazimeve masive kishte edhe fjaleformime nga e ashtuquajtura gurra popullore (here te suksesshme e here jo), gje qe ne keto 30 vjet nuk ka ndodhur pothuajse fare.
Asokohe shqipja kishte dy motore, tani ka vetem nje.
Pra, ketu duhen bere sqarime rreth çfare ka ndodhur e po ndodh pertej simbolikes dhe ideologjise.
Shembulli i beje sejv eshte interesant. E kam degjuar, por dhe perdorur vete prìer vite me radhe, qofte ”beje sejv”, qofte ”salvoje”, por gjithnje e me teper ka fituar terren shqipja ”shpetoje”, shpetoje ne kompjuter, shpetoje ne hard disk, shpetoje ne kiavete, ne diskun e jashtem, ne uord apo eksel. Duket se me kalimin e viteve haka shkoi/po shkon tek i zoti. Nuk duket te kete ndonje zgjidhje optimale ne keto raste, qe autoriteti leksikor te ndaje shapin nga sheqeri.
Nderkohe qe eshte irrituese humbja e lakimit te emrave, jo vetem atyre te huaj, por edhe shqiptare, madje ndodh rendom edhe ketu me emra apo pseudonime qofshin, perfshire edhe pseudonimin tim, qe ndodh te mos ma lakojne. Ky eshte problem, madje serioz, sepse e sheh ne te gjitha mediat.
Hyllin, “memorizoje” bir, thjeshtë “memorizoje”! Një alternativë është edhe “depozitoje”, “magazinoje”. Pse i bie rrotull pa qenë nevoja? Që kur e më është dashur ta përkthej këtë fjalë për herë të parë përpara 30 vjetësh, pa u lodhur shumë e kisha të qartë, që behët fjalë për diçka që u dashka ruajtur në kujtesë, pra thjeshtë e “memorizoj”. Tani kush do të ngrehet kot, e fillon me “bëj sejv”, por është e qartë, se ky opsion është për dikë, që nuk di se si të sillet kur e përdor gjuhën për të komunikuar me veten dhe me dynjanë. “Shpëtoje” nuk do të ishte adekaute të përdorjes; tingëllon shumë alarmante në shqip. I duhet rënë ndoshta nga gjermanishtja “speichern”. Shkrimin unë e gjej me jashtëzakonisht vlerë ndërkohë që pastrimet gjuhësore për arsye ideologjike unë i shikoj si një zgjatim i tharjes së kënetave së dikurshme, pavarësisht se çfarë shkatërrimi për mjedisin ekologjik përfaqësonin ato.
Bace Piftua, mund te te jap te drejte per perkthimin, se s’me kushton gje, vecse ideja nuk ishte kush ka te drejte ne perkthim, por qe ne afatgjate ndodh qe shkon haka tek I zoti. Shpetoje eshte cfare kam hasur dhe perdorur, po telefoni im qe eshte ne shqip ma jep gjithnje si “ruaj”. Qofte shpetoj qofte ruaj jane fjale me te pershtatshme se beji sejv, aq sa kjo forme tani me duket si arkaizem, ne mos anakronizem. Ne perballjen e menjehershme me nje fenomen te ri apo dije te re, duket se huazimi shabllon fiton gjithnje, po ne afatgjate nuk eshte aspak e thene. Ne fund te fundit kjo eshte fushe me shume pikepyetje, aq shume sa nuk ka nje rregull te qarte, si I thone e zeza mbi te bardhe, keshtu qe folesit kane mundesi zgjedhjeje, derisa te krijohet nje shumice qe do i vere pikat mbi i.
Teknikisht, shpëtoj është po aq huazim sa sejvoj: i pari semantik (kalk), i dyti leksikor. Dhe gjithsesi, këtu i jemi larguar temës në më shumë se një drejtim. Ngaqë tani po diskutojmë për huazimet e reja, në një kohë që tema ishte për huazimet e vjetra – dallim ky kritik për çfarë po doja të argumentoj. Ngaqë po diskutojmë për termat, të cilat nuk “përkthehen”, por “lokalizohen” – dhe në përgjithësi vendosen në tavolinë. Sikurse edhe është vendosur përkthimi i save si “ruaj” (nga ekipi që ka shqipëruar Microsoft Windows) dhe kjo nuk mund të diskutohet më brenda kontekstit të Windows (edhe pse lihet një shteg i hapur për ata që përkthejnë në Android, Linux, Apple ose sisteme të tjera operative). Vetë kam qenë kritik ndaj disa zgjedhjeve kyçe të asaj terminologjie (edhe kam shkruar), por si përkthyes do të isha i detyruar që ta zbatoja; përdorimi i terminologjisë ka edhe një aspekt juridik. Natyrisht, një përdorues mund të vendosë të përdorë terminologjinë e vet idiosinkratike (dhe të mos thotë “ruaj” një skedar, por “arkivoj”, duke ndjekur modelin e ndonjë gjuhe tjetër), por tregu e rregullon këtë me ligj, në kuptimin që të gjithë kompjuterët që vijnë me versionin shqip të Microsoft Windows, përdorin ekzaktësisht të njëjtën terminologji.
Ok ne tavoline dhe aspekti ligjor, po ne afatgjate jane folesit qe perballe alternativave do zgjedhin nje, meqe nuk eshte normale qe te kete aq variante sa jane edhe lojtaret teknologjike ne loje. Nqs lojtaret nuk do duan te bien dakort per njesimin e fjales atehere do te jene ata problemi. Meqe jemi te teknologjia dhe ndryshimet xhezveja mund te zhduket brenda 30 vjeteve, meqe rinia pi vetem ekspres. Te njejtin fat do ndaje edhe kusia apo gjylja qe nuk perdoret askund per asgje, kurse tepsia duket ta kete jeten e gjate , sidomos pas reklames se Rames dhe perdorimit per stervitje nga nje sportist shqiptar, hedhes I diskut .
Po nuk eshte keq qe perkthimet ne kesi rastesh te jene me zgjedhje dhe te personalizohen nga perdoruesit te cileve t’u behet oferta e sinonimeve.
Ta zeme per Save=Ruaj ka probleme edhe sepse Ruaj ne shqi eshte edhe per “Ruaj Lopen”, ruaju. Ndaj mund te shtohen ne menu fjale te tjera, variante alternative qe te kenaqen te gjthe ata qe vuajne nga kjo perdhune e perkthyesve.
Personalisht, per Save do preferoja Mbloj, meqenese mbloje eshte me ekuivalente ne kuptim edhe pse eshte dialektore. Fundja teknologjia na lejon qe te kemi oferte te pafundme sepse vendi qe zihet eshte hapesire virtuale.
“Televizioni mund të ndihmojë për ta njësuar gjuhën, por vështirë se bën shumë për pasurimin.”
Në fakt, televizioni të befason herë pas here me “epifanitë” e veta leksikore, përkthimore, drejtshkrimore.
Para pak kohësh, në një nga kanalet kombëtare transmetohej një film i huaj, ngjarjet e të cilit zhvilloheshin në ditët tona. Pasi nuk më tërhoqi mjaftueshëm për ta ndjekur, vazhdova të merresha me diçka tjetër duke i hedhur sytë ndonjëherë nga ekrani ku në një moment, njëri nga personazhet i drejtohet shokut të vet me fjalët (sipas asaj që shkruhej në titra): – Nuk do të dalim që këtu, nëse nuk darovitet mjegulla!
Meqë ngjarja zhvillohej në ditët tona dhe mënyra sesi trajtohej ishte disi mediokre, m’u duk pak e çuditshme “darovitja e mjegullës”. Mjaftoi një fjali dhe natyrisht mirëbesimi në përkthim, që të qëndroja ca më gjatë para ekranit për të parë nëse skenaristit i kishte shkrepur në kokë të bënte ndonjë kapërcim të beftë në kohë për ta bërë më interesant subjektin. Personazhet tani do t’i ofronin kushedi çfarë mjegullës së dendur që qëndronte pezull si një shpirt mes dy botëve… Por jo, asgjë e çuditshme nuk po ndodhte! Planet mbaheshin të qeta, ngjarja ndiqte të njëjtin ritëm. Më duhet të them se ia kisha ulur zërin televizorit dhe leximi i titrave ishte e vetmja fije që më lidhte me kuptimin. Nuk vonoi shumë dhe ndërkohë që po bindesha se me siguri kishte qenë thjesht një lajthitje në vendosjen e fjalës “darovit”, në vend të “davarit”, kur njëri nga djemtë i acaruar me këmbënguljen e tjetrit për të dalë jashtë, i drejtohet atij duke i thënë: – Dëgjo këtu, nuk ke nga shkon pa u darovitur mjegulla!
Kaq mjaftoi që të acarohesha dhe unë e ta fikja televizorin.
Mjegullimin e shqipes në televizion ndodh ta darovisin duke i dhuruar psh. fjalë të reja nëpër reklama që lëvdojnë mrekullinë e dobësimit nëpërmjet një produkti që ka në përmbajtje artiçokën (angjinaren) dhe ka plot “hyrje të reja” që tingëllojnë pak a shumë si zallamahia e fluturave në “Historinë pa mbarim” të Michael Ende, shqipëruar mrekullisht nga Robert Shvarc:
“- E dëgjuat?…
– A kuptuar gjë?…
– Ai është mirësiba ynë!
– Quhet Nastiban Baltabuksi!
– Jo, quhet Buksian Basimiri!
– Jo, moj jo! E ka emrin Sarata Miribuksi!
– Gjepura! Ja thonë Baldrian Hiksi.
– Mua m’u dëgjua si Babeltran Miribasi!
– Çne, moj! Ti s’je në vete! E quajnë Niks!
– Flaks!
– Triks!”
Më shumë se nga përkujdesjet e tepruara, shqipja sot duket se vuan nga nënvlerësimi dhe neglizhenca e atyre që mund të bëjnë vërtet diçka për të.
“[S]ërish kjo do të bëhej pjesë e idiolektit tim dhe do të shërbente për të më identifikuar gjuhësisht”
unabomber?
you wish 😉
Ky shkrim eshte shume i mire, jo vetem ne kuptimin teknik. Nuk di si ta them, por po e them disi, ndoshta pa shume kuptim: ky shkrim me ka bere mire kur e lexova, ndjehesha mire.
Pershendetje, shkrimi juaj me pelqeu shume. Kam te njejtin mendim me ju.
Te them te drejten prej disa kohesh I kam menduar ato qe ju shkruani, dhe nganjehere me vjen te marr nje megafon te fuqishem dhe tju bertas ne vesh te gjithe atyre qe jane te pergjegjshem per ruajtjen e avancimin e gjuhes shqipe tani ne Shqiperi. Qe te kuptohem me mire prej jush, dhe meqenese eshte hera e pare qe shkruaj ne kete forum, dua tju them qe kam lindur, jam rritur dhe shkolluar ne Shqiperi, por prej 21 vjetesh jetoj ne Amerike. Une vetem dua te them mendimet e mia. Fakti qe flas shqip nuk me ben eksperte te gjuhes. Nga ana tjeter, fakti qe kam mbaruar studimet e larta ne Tirane, me ben me shume eksperte se dikush qe flet nje gjuhe ne menyre mediokre.
Dua te diskutoj dy gjera:
1. Perpiqem shume qe te flas nje shqipe sa me te paster me miq e shoke shqiptare ketu ku jetoj. Por te them te drejten jam gjithmone e me shume e pakenaqur kur degjoj shqipen e “masakruar” ne Shqiperi, gjithmone e me shume, cdo vit e gjej me te “gjymtyar”. “Gjymtimi” nuk ndodh vetem nga rinia, por cfare te lendon me shume eshte “masakrimi” I shqipes nga media. Dhe per cudi, me vend te ketyre fjaleve mund te perdoren fjalet shqipe qe jane perdorur ne kohera. Fjala qe me bezdis me shume eshte fjala “look”. Aq me teper kur e lakojne ate. Degjon p.sh: “aktorja Filan habiti sallen me lookun e saj te mbremshem”. Nuk mund te zevendesohet kjo fjali me “aktorja Filan habiti sallen me pamjen e saj te mbremshme?. Ju me thoni. E shume shume shembuj te tjere. Dhe cfare eshte me shqetesuese eshte fakti qe “masakrimin” me te madh e bejne ata qe mendohet se duhet te jene “rojet” qe duhet ta ruajne shqipen nga ky fenomen: gazetaret. Sa here shkoj ne Shqiperi blej libra qe nje kohen e rinise tone ishin te ndaluar, gjithashtu ble libra per femijet qe te praktikojne sa me shume shqipen. Edhe shume te vegjel kur lexonin me thonin” Mami, kjo shqipja ketu eshte ndryshe”….
2. Nuk mund te gjesh shembull me te bukur se “xhezvja”, per te ndertuar argumentin e pazevendesueshmerise se disa fjaleve ne shqip. Me thoni nqs jam gabim, por une shoh nje njeanshmeri ne “spastrimin” e shqipes: tendenca eshte te spastrohen fjale te huazuara nga turqishtja dhe jo ato me origjine latine te huazuara nga frengjishtja apo Italishtja. Perseri qe te mos keqkuptohemi diskutimi im nuk ka asnje lidhje me fene, apo me besimin tim (nuk praktikoj asnje fe) apo gjuhet qe une njoh. Te gjitha gjuhet e botes kane fjale te huazuara, qe jane te futura, inkuadruara ne keto gjuhe prej shume kohesh, dhe jane te pranuara dhe shpjegueshme, dhe mbi te gjitha te pazevendesueshme.
Dhe per aq sa di, asnje nuk mundohet ti zevendesoje apo perifrazoje. Nqs do te thuhet ajo gjej a qe ben kafen qe eshte me bisht dhe metalike, c’eshte nevoja e fjales? Disa fjale, si psh xhezve, nuk perfaqesojne nje objekt, ato perfaqesojne nje proces ose nje institucion (jo institucion ne kuptimin e pare te fjales). My eshte nje fakt qe xhezvja apo xhezveja bejne kafe turke, qe eshte nje proces krejtesisht me vehte nga ai Kane’s ekspres ose tjeter. Plus qe ne fjale pervec kuptimit praktik eshte edhe ai nostalgjik. Une kam kam kuptuar nga “masakrimet” e shqipes, nga kohet eshkurtra qe kam ndenjur ne Shqiperi: tendenca per tu europianizuar eshte e pranuar, prandaj nuk ka problem te perdoren fjalet e huazuara te gjuheve europiane.
Vitet e fundit jam e mahnitur, me pasurine, bukurine e gjuhes turke dhe kultures turke ne pergjithesi. Shkak u be kolegia e punes qe eshte turke, eshte rritur e shkolluar atje, dhe ashtu si une ka emigruar ketu. Eshte I mahnitshem fakti sa gjera te perbashkta kemi: ne koncepte jete, nje kuptimin e families, shoqerise, dhe sa fjale te perbashketa kemi. Shkak qe une ti afrohesha turrqishtes ishte nje liber me poezi turke qe ma dhuroi mikja ime. Kuptohet i perkthyer ne anglisht. Duke lexuar vija re qe disa gjera nuk tingellonin mire ne anglisht, dhe e pyesnja mos ka dashur te thote kete apo ate? Aty mesova sa shume huazime shqipja ka nga turqishtja. Kuptohet shume fjale kane zevendesuesen e tyre shqip: penxhere/dritare, milet/njerez, bardhak/gote, hala/akoma.
Por flasim per fjale te pazevendesueshme si xhezve, okllai, cafke etj. Per te mos permendur fjale qe shprehin emocion dhe gjendje te njeriut si: xhani im (dhe “im” me fund te fjales eshte turqisht, qejf, gjynaf, etj etj.
Po keshtu “pastruesit” e gjuhes shqipe duhet te gjejne fjalet shqipe per: oxhak, cati, kat, allci, cimento, celik, kallep, dush, kapak, tenxhere, kusi etj etj.
Nga ana tjeter mikesha ime perdor ne gjuhen e saj te perditshme turqisht shume fjale te huazuara me origjine arabe dhe kryesisht frengjisht.
Argumenti im eshte ky: duke u perpjekur te “pastrosh” gjuhen, padashur ti fshin kulturen, qe eshte po aq e rendesishme ne jeten e nje kombi.
Shpresoj qe keto rreshta ti lexoj ndonje “pastrues “ gjuhe dhe te ndikohet sadopak ne punen e tij apo saj.
PS. Kur themi filxhan, cafke dhe gote ne shqip nenkuptojme:
Filxhan kafe, gote uji dhe cafke me caj. Duam apo sduam kjo eshte trashegimia jone Dhe per kete duhet te jemi koshiente.
Ju luren të përdorni ë-në dhe ç-në në shkrimet tuaja. Aurenticitetin (në masë të vogël) të fjalëve shqip nuk mund ta kërkojmë të xhezveja përpos faktit se ajo ka hyr si fjalë pikërisht për të treguar ofrimin e shërbimit të kafesë në kohërat e Perandorisë Otomane. Doemos që përpara kësaj periudhe njerëzit as nuk e dinin se ç’ishte xhezveja e jo më ta thirrnin me gjuhë shqipe. Ose fjala pirun (perun: Venedik, bregu i Dalmacisë; piron; Greqi), ashtu si për xhezven duhet të huazohej me fjalën përkatëse për sendin sepse mesa duket njerëzit e këndejshëm nuk e dinin çfarë ishte. Karrige (ndenjëse) është një shembull tjetër. Fjalë e huazuar por edhe e shqipëruar me fjalën ndenjëse. Bukë psh. me sa kam lexuar është fjalë autentike.
Sqaroj me mire çfar desha te them per te mos lene asnje keqkuptim. Kete shkrim e quajta shume te mire jo per idelogjine e tij kund ideologjise se mosnderhyrjes, por se me beri me teper te ndergjegjshem sa e rendesishme eshte gjuha. Pra eshte nje force morale si shkrim.
Ndersa persa i perket nderhyrjes ideologjike ne gjuhe, nuk jam kunder. Jam kunder nderhyrjes ne gjuhe si magazinier gjize.
Shembulli Gjerman?
Spital (Krakenhaus = shtëpia e të sëmurit)
Krakenhaus është shtëpia e Krakenit.
…shtëpia e Kranker-it, ndoshta? Kranker + Haus = Krakenhaus.
Çështjen e “n” dhe “r” që bien gjatë shqiptimit me siguri do e kenë zgjidhur gjermanët vetë.
Është interesante të vëresh se si ndërhyn “e tashmja” kur diskutohet për “të shkuarën”.
Xhezveja duket se po ia lë gjithmonë e më shumë vendin përdorimit të lugës dhe çakmakut mes të rinjve shqiptarë dhe nuk ka filxhan turk apo Krakenhaus gjerman që mund të ngushëllojë a të ndriçojë idenë se si dilet nga ky abis.
Ndaj dhe ekuacioni i ri shqiptar “Kranker + Haus = Krakenhaus” duhet të përkthehet nga ata që dinë të shërojnë në mos gjuhën, folësit e saj.
Po ta përkthesh xhezven në anglisht del: coffeepot. Në italisht: caffettiera etj etj.
Në Bosnje psh të korrigjojnë nëse ti porosit një kafe turke dhe të thonë se quhet ‘Bona kavu/kafa’, pra kafe boshnjake, edhe pse është identike me atë turke (shërbehet në Tabaku të vogël bashkë me xhezven dhe llokume).
Eshte zgjedhur per shqyrtim pika me e dobet dhe lehtesisht e goditshme e kundershtarit. Po nese do te merrnim psh perdorimin e kudogjendur te fjales ambient ne vend te fjales mjedis ? Apo ato mijera fjale per te cilat shqipja ka gjegjeset e saj dhe ne vijojme te perdorim fjale qofte te huaja ne prejardhje qofte edhe ende te pahuazura mire ?! Qe n’gjuh t’huej flet — ku s’asht nevoja –.
Nuk merrem me kundërshtarë, por me ide dhe propozime që i gjykoj si të gabuara.
Nëse shqipja “përdor fjalë të huaja megjithëse i ka gjegjëset” (po citoj shprehjen tuaj), më intereson të di pse ndodh kjo, jo të kërkoj largimin e tyre.
Për shembull, nëse fjala “ambient” vazhdon të përdoret, edhe pse ekziston një fjalë kinse e barasvlershme si “mjedis”, atëherë le të pyesim pse ndodh kjo. Një arsye do të ishte se “mjedis” nuk arrin dot të mbulojë përdorimet e “ambient”. Një tjetër do të ishte se “mjedis” konoton një regjistër të caktuar ligjërimor (atë libror, ose formal), ndërsa “ambient” jo. Një arsye e tretë do të ishte se përdoruesit nuk shohin ndonjë arsye për të mos përdorur një fjalë tërësisht të integruar në shqipe si “ambient” – në fakt, nga pikëpamja funksionale, fjala “mjedis” nuk ka asnjë farë përparësie në përdorim.
Çështja që kam zgjedhur për diskutim është reale dhe specifike – sepse ndryshe nga ideologët dhe llafazanët, mua më pëlqen të flas për gjëra konkrete. Orientalizmat e shqipes nuk janë pak – dhe qëndrimi që kërkohet prej disave që të mbahet ndaj tyre (spastrimi) mua më duket i papërligjur dhe i tillë që të çojë në varfërimin e leksikut dhe të fuqisë shprehëse të shqipes. Përshtypja ime është që shumë spastrues, sidomos ata që pëllasin më fort, thjesht e kanë kokën bosh. Të tjerë janë fanatikë. Arrijnë, me zelltarinë e tyre, të mobilizojnë energji dhe pasione që mund të ishin përdorur ndryshe, në të mirë të shqipes.
Dhe meqë çështja është specifike, ajo kërkon edhe përgjigje specifike, që nuk vlen si batanije, për të mbuluar çështjet e tjera të leksikut të shqipes. Qëndrimi im është që fjalët e huaja (vërtet të huaja) mund të pengohen në burim, jo pasi kanë hyrë në qarkullim. Vendimi për ta lënë një fjalë jashtë Fjalorit standard është patetik, sepse kur dikush e përdor një fjalë, nuk është se vete ta verifikojë nëse këtë e ka apo jo Fjalori. Si rregull, njerëzit përdorin ato fjalë për të cilat kanë nevojë, të cilat u duhen.
Çfarë e dëmton veçanërisht shqipen, është krijimi i vetëdijes se fjalët janë të diskutueshme, të zëvendësueshme, të censurueshme, të marrshme në pyetje. Këtë e kam shkruar edhe më parë; po e them sërish. Kjo vetëdije i shndërron disa prej nesh në policë vullnetarë të ligjërimit të tjetrit – çfarë është e gabuar. Ndërhyrja meta-gjuhësore në komunikim është gjithnjë armiqësore, dhe synon të përçojë pushtetin e kujt e sheh veten në anën e “ligjit”, ose të rregullit, të së drejtës. Për ta thënë ndryshe, askush nuk e vë ligjërimin e vet në dispozicion të tjetrit, për gjykim – përveçse në shkollë, ose në intervista për vende pune.
Ardian, kisha nje kuriozitet per te shuar, ndoshta ne dukje jasht temes qe eshte perqendruar ne barbarizmat. Plotesisht ke te drejte se nje fjale nuk duhet çensuruar vetem se eshte e barbarizem. Argumentimin e ke perfekt dhe estetik, per tu admiruar.
Por hallim e kam se çensura nuk duhet perdor meqe çensura eshte e keqe? Dmth eshte fjale e keqe per eksperience te hidhur? Atehere e çensurojme fjalen çensure, e vendosim ne vend te saj fjale nderhyrje. Atehere pyetja behet: a duhet nderhyre nese barbarizmi ka kuptim negativ? (fjalet nuk jane neutrale)
Ose me thelle: a duhet nderhyre qofte edhe mbi fjalet origjinal tonat?
Ose shtruar pyetja me thjeshte: a lejohet te nderhyhet ne gjuhe?
Sepse shoh qe njeriu nderhyn kudo duke krasitur dhe krijuar se mbari. Psh e ka lejen me pash te krasise ullijte dhe vreshtat. Pse jo gjuhen?
E vonova pak përgjigjen edhe ngaqë dje kam qenë rrugëve (të Kombit), por edhe ngaqë pyetja ishte me vend dhe desha t’i jap përgjigje të menduar. Madje në fillim mendova që ta nxjerr përgjigjen si shkrim më vete, çfarë edhe mund ta bëj.
Po përgjigjem duke lënë mënjanë, për momentin, ndarjen (saussureane) mes gjuhës dhe ligjërimit – ose nuk po diskutoj nëse duhet ndërhyrë në gjuhë apo në ligjërim. Dhe për të mos lënë shteg dyshimi: po, duhet ndërhyrë në gjuhë.
Por duhet ndërhyrë në nivele të caktuara të gjuhës, për shembull në tekstet që i përkasin regjistrit formal ose të lartë – ta zëmë, në tekstet e ligjeve ose të dokumenteve shtetërore. Këtu nuk e kam fjalën për imponimin e standardit drejtshkrimor dhe gramatikor (çështje tjetër), por një ndërhyrje të tillë për t’i dhënë tekstit atë formë gjuhësore që t’i përgjigjet funksionit të tij.
Për shembull, te hyrja (preambula) e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në versionin e fundit lexohet:
Më vret pak veshin pak kjo “prosperitetin” – dhe përpiqem të kuptoj arsyet e përdorimit të saj, në vend të “mbarësisë”, “mbrothësisë”, “begatisë” dhe fjalë të tjera të ngjashme. Ajo fjalë duket sikur përdoret vetëm në Kushtetuta dhe në telegramet e urimit që Presidentët shkëmbejnë mes tyre. I përket pra stilit të lartë.
Funksioni i saj në atë tekst është të sinjalizojë që teksti duhet të jetë veçanërisht solemn – dhe ky funksion arrihet nëpërmjet intertekstualitetit, për ata që arrijnë ta shquajnë. Të tjerët nuk do ta kuptojnë.
E kështu me radhë. Sa kohë që ka një normë leksikore, të shtresëzuar sipas regjistrave të gjuhës, duhet ndërhyrë para se tekstet e shkruara t’i jepen publikut. Kjo ndërhyrje do të vijë prej redaktorëve – por ku janë këta? Kush i formon këta? Nuk po flas për gjuhën në mediat, por po mjaftohem të pyes: kur na ka qëlluar të lexojmë një dokument zyrtar që nuk përmban gabime gjuhësore elementare? Jetojmë në kohët kur edhe vendimet e gjykatave qëllon që të shtypen me një alfabet 34-shkronjësh, ndërsa ne rrimë dhe shkulim leshrat për një fjalë “turke” që na shpëton në muhabet. Të marrë jemi, krejt të marrë.
Një hapësirë tjetër ku mund dhe duhet të ndërhyhet: në tekstet shkollore. Përfshi këtu edhe tekstet universitare, ku shqipja masakrohet për ditë, dhe pa mëshirë. Tekstet shkollore shërbejnë edhe për formimin gjuhësor të nxënësve (studentëve) – por me sa duket jo të autorëve të tyre. Dhe sërish, nuk e kam fjalën vetëm për gabime në drejtshkrim ose gramatikore, por një pështjellim total në përdorimin e gjuhës – sintaksë dhe leksik. Pra, këto tekste nuk i mësojnë dot studentët si ta përdorin gjuhën, sepse ato janë vetë të sëmura.
Ka, pra, instanca kur leksiku duhet marrë në pyetje. Përcaktimi i tyre kërkon, doemos, edhe pranimin se në instanca të tjera kjo është e kotë që të bëhet. E pata thënë më parë, ndërhyrja më e mirë duhet bërë në burim, ose para se tekstet të hidhen në qarkullim. Dhe, doemos, gjithnjë duke filluar nga regjistri formal (libror), dhe nga niveli i shkruar.
E kisha fjalen per nderhyrje ne zona qendrore. Psh eshte nderhyrje qendrore, te cilet e benin ne komunizmen, qe “sherbetore” ta quanin fjale kapitaliste si shfrytezim etj. Dhe sipas nderhyrje te sotme demokratike politically correct qe e quan colf ose bashkepuntore shtepijake ose bashkepuntore familjare ose dreqi me brire, mjafton qe t’i hiqet kuptimin poshterues, i bie qe komunizem nuk e kishin keq qe nderhynin per fjale ne zona qendrore.
Ose psh fjala “kurve” eshte zevendesuar me sex worker. Po sikur te fitoje prap proletariati, e te thote: me cilin do me u talle? Pse kurvat klase puntore jane, si ne? Supozojme qe ne te ardhmen fitojne sektet radikale puritane (si Jezui me 12 vete pa pjesmarrjen e Maria Magdalenes), i bie te eliminohet natyrshem si fjale.
Pavarsisht nga shakate, po çeshtja eshte shume serioze, biles me shume serioze eshte fjala qe mund te permbledhe brenda jo vetem nje kuptim me te thelle se vete kuptimi, por edhe nje sistem shoqeror, biles nje epoke. Nuk i thone kot ne shqip: “Fjala hekur s’eshte, por kocka thyen”
Për mënyrën se si është zhvilluar jeta dhe gjuha këtyre anëve, për veçantitë e saj,
pakëz tepëri apo patetizëm, quaje si të duash, në lidhje me shqipen, mendoj se duhet të ja lejojmë vetes.
Gjuha është një trup i gjallë e le të gjallojë në mënyrë demokratike.
Gjithashtu ti thua që fjalët e huaja mund të pengohen në burim, jo pasi kanë hyrë në qarkullim.
Por përse t’i ndalojmë në doganë këto të rejat ? Përbëjnë dëm ? Po dëmin e kryer këto tre dekadat e
fundit nuk mundemi ta ndreqim sadopak aty ku mundet ? Në disa ligjërime ? Përse vallë gjermani thotë
Fernsehen e jo télévision ? A nuk tingëllon një kalk artific ?
Sigurisht që dy fjalë nuk mund të jenë të barabarta. Të huazuarat nuk janë superiore, edhe fjala
ambient ka mangësitë e saj ndaj mjedis. Kështu që unë mendoj se duhet gjetur një e mesme e artë.
Në një anë sforcimet Kadareniane, policimi i gjuhës, në tjetrën vullneti i mirë.
E shëndeti i gjuhës ndikon edhe në psikën e individit, në fuqinë e tij nervore shprehëse etj.
Pa harruar që jetojmë në një kohë kur Bashkimi Europian i lutet Maqedonisë të ndryshojë emrin
për të mos krijuar ‘keqkuptime historike’.
Tani shof se pa dashje jam fut kot ne mes te pilafit, biles ne mes te kabunise. Zere se nuk kam folur, pra mos u pergjigj.
“Çfarë e dëmton veçanërisht shqipen, është krijimi i vetëdijes se fjalët janë të diskutueshme, të zëvendësueshme, të censurueshme, të marrshme në pyetje.”
Francezët mesa duket janë shëmbulli që nuk duhet ta marrim në këtë drejtim.
Si vallë ky shtet në dukje mbrojtës i lirisë e i barazisë për gjithçka e gjithkënd shkon e miraton ligjin “Toubon” në 1994, për ta stresuar gjuhën e vet? Gjuhëtarët atje kanë shfaqur qëndrime despotike ndaj gjuhës që më 1635 kur shkuan e krijuan Akademinë Franceze, për ta mbrojtur gjuhën siç thoshin (po për ta ndrydhur në fakt!) ndaj ndikimit zhdërvjellës të italishtes në atë kohë. Në tiraninë e mendimit të tyre, kokëfortë e të palëkundur e quajtën gjuhën “thesar” që duhet mbrojtur, kur gjuha në fakt është një organizëm i gjallë dhe duhet lënë e lirë të rritet e zhvillohet edhe me miell hua.
Po ne të tilla probleme nuk i kemi.
Shyqyr thuaj, shyqyr.
Krahasimi çalon; çdo krahasim çalon, por ky çalon nga të dy këmbët (dhe pak nga dora e majtë).
Shumë gjuhë moderne kanë qilarë fjalësh nga ku të marrin ushqimet leksikore që u duhen (flasim gjithnjë për regjistrin e shkruar dhe stilin libror), pa e cenuar “integritetin” historik të leksikut.
Kështu, gjuhët neolatine, si frëngjishtja, spanjishtja, italishtja, etj. marrin lirisht fjalë nga latinishtja klasike, ose krijojnë të tilla sipas modeleve të gatshme nga ajo gjuhë. Lehtësia e huamarrjes lidhet me vijueshmërinë historike (në këtë model ka hyrë edhe anglishtja, për arsye të njohura).
Por edhe greqishtja e re merr nga e vjetra, gjuhët sllave shpesh marrin nga sllavishtja e vjetër kishtare, disa gjuhë indiane nga sanskritishtja, gjuhët arabe moderne nga arabishtja klasike, persishtja moderne nga persishtja klasike e kështu me radhë. Besoj se koncepti është i qartë. Ndryshe nga këto gjuhë, shqipja nuk ka një “background” historik ku të falet, për ta pasuruar leksikun. Dhe jo vetëm: nuk ka as lehtësitë fjalëformuese të gjermanishtes ose të hungarishtes.
Në thelb, frëngjishtes do t’i mjaftonte të huazonte dhe të adoptonte fjalë të latinishtes, për t’i bërë ballë nevojës për fjalë të reja, në teknologji dhe në dijen humane. Përkundrazi, shqipja që nuk ka traditë të lëvrimit të gjuhës me shkrim, duhet t’u falet mënyrave të tjera – dhe këtu pasuria aq e përfolur e gjuhës sonë (“gjuhë nga më të pasurat…” e të tjera gjepura), edhe sikur të vërtetohej, i përket oralitetit. Për shembull, prania e një numri aq të madh shprehjesh frazeologjike aktive – këto janë fantastike, por nuk ndihmojnë për të përmbushur nevojat e shoqërisë së sotme. Prandaj edhe zgjidhjet terminologjike të shqipes shpesh vuajnë nga përdorimi i tepruar i kapacitetit polisemik të fjalëve të fondit elementar.
Mbeten neologjizmat, ose siç njihet ndryshe, fenomeni “kundërcjapi”. Për ata që nuk e dinë, “kundërcjapi” është një eshtër a kërce që i qëndron përballë “cjapit” (latinisht: tragus dhe antitragus), dy formacione të vogla në veshin e jashtëm (ky term gjendet në fjalorin akademik të termave të anatomisë, në vitet 1980). Në fakt, shpesh ato që quajmë neologjizma janë, në fakt, KALKE, ose huazime fjalëformuese.
Gjithsesi, mendimi im është se, nga përvoja e francezëve me gjuhën e tyre, duhet të marrim VETËM pathosin për t’u kujdesur; ose përkushtimin ndaj mirëmbajtjes së gjuhës që përdorim. Krahasime të tjera, si ky që bëni ju më lart, janë manipulative dhe – për mua – pa vend.
Mu në këtë moment, në Facebook, një person i cili i referohet një faqeje të quajtur “Gjuha shqipe pa gabime” pyet: Si ta përkthejmë fjalën “idiot”?
Implikimi këtu është se kjo fjalë është e huaj dhe u dashka “përkthyer”. Nuk njoh njeri që të jetë bezdisur deri më sot nga kjo fjalë, aq sa të kërkojë “përkthimin” – ose largimin e saj nga gjuha. E megjithatë, në komentet pasuese, dikush sugjeron fjalën (kalkun) “vetjak”. Tek faqja e lart-cituar, diskutohet për zëvendësim të fjalëve si “orientim”, “kompetencë”, etj. Sërish, implikimi është se këto fjalë janë, njëfarësoj, “gabime” për t’u ndrequr. Ky obsesion me pastrimin gjithnjë më kujton disa sekte fetare radikale, të cilat te pastërtia (imagjinare) shohin një mënyrë për t’iu afruar përsosmërisë. Sipas kësaj logjike, gjithçka që thuhet me gjuhë “të pastër” do të jetë vetvetiu e vlershme.
Gjithnjë sipas kësaj logjike të shtrembër, zëvendësimi i një fjale “të huaj” si “orientim” me një fjalë vendëse si “kahje” e ndihmon gjuhën dhe/ose komunikimin (madje jo vetëm rezultati i procesit zëvendësues, por edhe procesi vetë). Por kjo premisë nuk ka ndonjë bazë, as është vërtetuar kund. Asnjë provë nuk ka që homogjeniteti etimologjik përbën ndonjë avantazh për një gjuhë. Kjo do të ishte sikur të thonim se Asdreni, i cili i mbush vargjet e veta me neologjizma, është poet më i mirë se Noli, i cili përdor shumë orientalizma (dhe fjalë të tjera huazime relativisht të vona).
Është mbresëlënëse mbrojtja që i bëni argumentit tuaj në komentin e mësipërm.
Me pak fjalë, ju jeni për ruajtjen e turqizmave që kanë zënë vend në gjuhë e që shpesh të kujtojnë miun e ngordhur në zgjoin e bletëve. Këto të fundit pasi e mbulojnë me dyllë, vazhdojnë të ndërtojnë hoje e t’i mbushin me mjaltë duke mos lejuar që të infektohet i gjithë zgjoi nga ajo krijesa e ngordhur që i përket së shkuarës dhe që e kanë balsamosur në mënyrë natyrale me propolis.
Nga ana tjetër, na thuhet se duhet t’i mbajmë duart larg nga sënduku jonë, meqë qilar nuk kemi patur mundësi të ndërtojmë njëlloj si francezët apo anglo-saksonët për shkak të rrethanave historike dhe pozicionit gjeografik, ose edhe për shkaqe të tjera që besoj se nuk i përkasin këtij diskutimi.
E shkuara jonë gjuhësore i takon oralitetit. Ejani tani të ngremë duart përpjetë e të vazhdojmë të grindemi me fjalë nëse duhet apo jo psh. të hedhim sytë nga pasuritë leksiore dhe sintaksore të gegërishtes. Duhet pra të themi inshallah s’ia zë syri kujt sëndukun, meqë duhej të ishte në qilar, kur ai për dreq paskësh qenë fshehur në dhomën më të skajshme të shtëpisë.
Francezët që i kam sjellë si shembull më lart, nuk di të kenë pasur dëshmorë të gjuhës, ne po. Mjafton ky fakt për të kuptuar më mirë veten dhe të tjerët dhe sidomos për të marrë më të mirën prej tyre kur shohim se si funksionon.
Gjuha është e gjallë. Ajo jep dhe merr natyrshëm me të tjerat, motra, apo bija të saj. Ky shkëmbim nuk mund të përdoret si “cjap fajshlyes” (neologjizëm i hasur në këtë blog) për t’u fshehur prapa gishtit kur mungon një autoritet orientues për zhvillimin e shëndetshëm të saj dhe ne qeshim nën buzë me rizbulimin e “kundërcjapit” të harruar në pluhurin e viteve ’80.
Ja edhe qeshëm, po pastaj?
Pasuritë leksikore të gegnishtes: ja një super-mit i kohëve të sotme. Ku janë këto pasuri? Le të supozojmë se një pjesë përdoren akoma gjerësisht, ndërsa një pjesë tjetër “ruhen” në ndonjë dialekt ose të folme të mënjanuar. Por kaq nuk mjafton. Nuk mund t’i marrësh fjalë të tilla nga ligjërimi i folur, shpesh rural, dhe “t’i futësh” në tekste: nuk funksionon kështu. Duhen përdorur. Sepse vlera e tyre nuk është intrinseke, por fund e krye e varur nga konteksti ku përdoren. Ja, Martin Camaj ka leksik shumë të pasur: por sa vetë e lexojnë Martin Camajn sot në Shqipëri? Madje edhe në raport me ata që e kanë futur në panteon? Mehmet Elezi krijoi një vepër kolosale dhe të zellshme, me fjalë shqipe “që nuk i ka fjalori i vitit 1980”, por unë nuk di si mund të përdoret ajo vepër, përveçse për të parë kuptimin e ndonjë fjale që ka përdorur dikush diku (pa folur për kritikat që i janë bërë, nga pikëpamja metodologjike). Shqipja ka një larmi emrash të nomenklaturës dhe të kulturës materiale, të cilat duhen kataloguar; por me nomenklatura nuk zgjidhet problemi i varfërisë leksikore. Madje edhe Fjalori i 1980-ës, me 41,000 fjalë numri i të cilave është shtuar në mënyrë krejt artificiale, përmban një numër të madh sinonimesh leksikografike – për shembull, pjesë të avlëmendit, të cilat kanë emra të ndryshëm në krahina të ndryshme. Disa e gjykojnë këtë si pasuri – për mua kjo është shenjë konfuzioni. Sinonimet leksikografike e shndërrojnë fjalorin në një koleksion insektesh të ngulura me gjilpërë në karton. Përveçse – përveçse – po të gjendet një mënyrë për t’i integruar në leksik në mënyrë të diferencuar. Por kjo nuk bëhet në tavolinat akademike, duhet bërë në praktikën gjuhësore. Pasuritë e gegërishtes: unë jam i pari që dua t’i shoh dhe t’i përdor. Por jo t’i përdor në mënyrë manieriste; ose duke i shtuar artificialisht a duke “gegëzuar” tekste qartazi në standard, siç e bëjnë ca. Mbaj mend si gjatë një seminari me mësuesit, Kostallari pat shpjeguar një fjalë të re që kish zbuluar Instituti në bashkëpunim me intelektualët e provincës: fjalën FËRKEM, që nuk ishte thjesht trajtë fonetike e emrit FËRKIM, por shënjonte gjurmën e një kafshe të egër në dëborë (nëse e mbaj mend mirë). Kur bëhej Fjalori – dhe unë këtë e di sepse kam pasur fatin të marr pjesë si bashkëpunëtor teknik në fazat e fundit të fjalorit të 1984-ës – autorët po thyheshin më dysh për të integruar në fjalës prurje të reja, “popullore”, edhe të gegërishtes, SIDOMOS të gegërishtes. Si puna e këtij FËRKEMIT. Por alternativa do të ishte neologjia – një manierizëm tjetër, që disa e përdorin për t’u krekosur, në pozat e “pasuruesve” të shqipes. Dua të them: varfëria leksikore e shqipes së shkruar është e frikshme, në raport me sfidat e tanishme të shoqërisë dhe të kulturës shqiptare. Ne kemi akoma pasuri të “bagëtisë dhe bujqësisë”, por këto nuk na ndihmojmë për të dalë nga bataku etnografik i diskutimit. Dhe në mes të kësaj katastrofe “me ngadalësim”, ne ende merremi seriozisht me nevojën për të pastruar shqipen nga turqizmat.
Shkruani:
“[N]ga përvoja e francezëve me gjuhën e tyre, duhet të marrim VETËM pathosin për t’u kujdesur; ose përkushtimin ndaj mirëmbajtjes së gjuhës që përdorim. Krahasime të tjera, si ky që bëni ju më lart, janë manipulative dhe – për mua – pa vend.”
Kaq besoj se mjafton për të përkufizuar këndvështrimin që ofroni. Nuk është fundi i botës, aq më pak i xhezvesë.
Kam përshtypjen gjithsesi se në fjalorin për të cilin keni patur nderin të punoni, shkruhet “manipulues” dhe jo “manipulativ”. Ta reduktosh diskutimin tek fjalët “idot” dhe “fërkem”, kjo po që flet më shumë se njëmijë shkrime.
Po.
Për t’u siguruar mbi mënyrën e përdorimit të fjaës manipulues i hodha një sy fjalorit të shqipes online.
http://fjalorthi.com/manipulues
Gjendet aty një paragraf ilustrues për përdorimin e fjalës, i marrë nga “Panteoni i rralluar” i Rexhep Qoses. Në aq pak fjali sa janë shkëputur, ne shqipfolësit e Shqipërisë hasim në një fjalë të panjohur: brrakë.
Fjalori i Gazullit ka një folje që i përafrohet: “brraukue – me folë shumë e me za të marrun; me ushtue zani si të dilte prej barkut”, por që ka të ngjarë të mos ketë lidhje me kuptimin e fjalës së përdorur nga Qosja.
Nëse mund të ndihmoni si njohës i mirë i gjuhës shqipe me shpjegimin e saj, do t’ju isha mirënjohëse.
Mbase po futem kot ne pilaf, apo ne kabuni, sic thote nje pjesmarres i shquar i ketij forumi, po ne Tiranen e vjeter ka pasur nje lagje qe quhej Brrakë, e banuar kryesisht me popullsi rome, a egjiptiane (nuk e di se si quhen “jevgjit” politikisht korrekt). Bejleret vinin ne kete lagje per te defryer me banoret bujare te kesaj lagjeje. Nuk jam i sigurte nëse lagja e kishte marre emrin keshtu sepse ne shqipe kishte nje fjale, pra brrakë, qe duhet te thote “vend qejfi”, kuplara a ndonje gje si puna e kesaj, apo emri i kesaj lagjeje te famshme hyri ne gjuhen shqipe si sinonim i vendit ku behet qejf.
Ku mjedisi ku ambjenti! 🙂
Ndryshim i madh qe mund te ta shpjegoje cdo person qe vitet e gjimnazit i ka kaluar duke saju mbremje neper shtepi shokesh dhe jo duke qendisur flamurin e Marigose apo gdhendur lahuten (alegorike) shqiptare me koke dhije ke bishti
Kshu kshu semantika nder vite…
Teuta, lexo Cabeun: brrake<bërrake= vend me uje amull.
Ose fundja edhe Fjalorin e gjuhes shqipe : pellg me uje te ndenjur.
Per shqipfolesit nuk eshte fjale e panjohur.
Faleminderit, Fatma. Ndoshta ky mund të jetë kuptimi i saktë. Them ndoshta, sepse do të doja që ta konfirmonte si të tillë ndonjë lexues nga Kosova, prej nga vjen edhe shkrimi ku është përdorur fjala.
Ajo që doja të nënvizoja më shumë se fjala në vetvete, është nevoja për të patur një institucion shtetëror funksional që të ketë autoritetin për ta mbrojtur dhe pasuruar gjuhën e mbi të gjitha për të patur një vizion strategjik mbi të ardhmen (apo ardhmërinë?) e saj.
Të gjitha diskutimet në blogje, a botime individuale mund të marrin vlerë nëse do shërbenin si material studimi për një grup ekspertësh, pa komplekse krahinore, pa nerva të tendosura politikisht, për të bërë atë që ka pothuaj dy dekada që nuk bëhet: t’i shërbejnë shqipes ashtu si e meriton, nga pozitat e një institucioni.
Kjo nuk varet nga dëshirat apo interesat individuale. I takon shtetit që të rigjallërojë strukturat ekzistuese duke iu përgjigjur nevojave që mund të kenë për fonde dhe njerëz, ose nëse ka një ide për diçka më të mirë të mos e mbaj në eter pafundësisht dhe as të mos imponohet brutalisht, por t’i hap letrat mbi tavolinë. Transparenca në shkëmbimin e opinioneve (që arrihet lehtësisht përmes teknologjisë) dhe përfshirja e sa më shumë specialistëve të fushës brenda dhe jashtë Shqipërisë do të bënte që procesi të ishte me këmbë në tokë.
Përndryshe, ne do vazhdojmë të shkëmbejmë fjalë nëpër blogje për të arritur në përfundimin se në fund të ditës fjalët i merr era… Ato që i rezistojnë kohës janë fjalorët e hartuar mençurisht, jo thjesht për të inventarizuar sa më shumë fjalë të shqipes nga të gjitha trevat e saj (gjë që mund dhe duhet të bëhet), po edhe për të na sqaruar nëse janë barbarizma apo jo, nëse janë dialektore të cilës zonë janë, etj. etj. Hapi i dytë do të ishte ndoshta zyrtarizimi i gegërishtes si dialekt i shqipes dhe mësimi i tij në shkollë, me tekstet përkatëse për ata që kanë dëshirë ta njohin dhe ta përdorin në krijimtarinë e tyre. Së fundi, por jo nga rëndësia, do të duhej që të nxitej (dhe ka oh, sa shumë mënyra për ta bërë këtë) përdorimi i një gjuhe të pasur shqipe në komunikimin në të gjitha nivelet e arritshme nga shqipfolësit. Përvoja franceze me ligjin “Toubon” është mëse e përdorshme, nëse duam dhe dimë.
Kjo ceshtje eshte trajtuar shpesh ketu,edhe me debate, dhe do ishte mire te jepeshin referimet.
Me duket se keshtu si po trajtohet kunderpurizmi po merr vete forma puritane, me fjale te tjera po kalohen caqet.
Te shpjegohem : merret nje fjale , “xhezve”, dhe nxirren disa perfundime; njeri prej tyre qe, po u perpoqem ta zevendesojme, shqiperojme, do te jete fundbote (kjameti,kataklismoja) se do te cenohet norma leksikore.Kjo eshte nje hipoteze.
Por po te marrim nje fjale tjeter psh “penxhere” , perfundimet do te jene te ndryshme dhe ne kete rast eshte nje ngjarje e sigurte ,jo me nje hipoteze.
Kur “penxhere” u zevendesua me “dritare” mund te jene thene po keto argumenta por rezultuan te gabuara. Norma leksikore nuk u cenua, penxhere u harrua gradualisht dhe dritare zuri vend natyrshem si pjese e nje familjeje te gjere ( drite, ndrit, i ndritur, i ndricuar, i perndritshem,…e deri tek antroponime si Dritan, Dritero). Ne vend te nje fjale enigmatike “penxhere” , zuri vend nje tjeter fjale e plotkuptimshme “dritare”. Duke qene fjale e vendit,pra lehtesisht e kuptueshme, dikush ne vend te “hedh drite” mund te thote “dritesoj” dhe te tjeret intuitivisht e kuptojne. Kjo eshte perparesi e fjales shqipe per shqipfolesit. Cfare humbem me renien e penxherese ? Asgje,(hiç).Me dritare perfituam jo vetem kuptimin e brendshem bazuar tek drite por dhe nje zhdervjelltesi me te madhe te folesit , i cili mund te krijoje lehtesisht ne gjuhen e vet sic permenda “hedh drite” apo “dritare ne jete, dije” etj . Po te thuash “hedh penxhere” do te merrnin per te marre.
Mund te thuhet se zevendesimi penxhere/dritare u be gjate Rilindjes kur ringrihej gjuha shqipe.Dakord por ky proces ka ndodhur gjithmone dhe asnje dem nuk ka ardhur , perkundrazi. Prej Buzukut kemi : i ditshem, fajtor, gjykates,ndihmetar, ndjekes,ruajtes,shkrues,etj Prej Budit : i aresyeshem,kundershti,i perbrendshem, i pershpirtshem,etj. Prej Frangut : luftetar,kangetar,qytetes,keshilltar,deftues,dashakeq,qiellza,enderrues,zymtim, shites, etj. Prej Bogdanit: bireni, detar,vdeketar,pjesetar,rrjedh, etj E keshtu me autore te mepasem deri ne kohen e Cabejt kur u futen e zune vend nje numer stermadh neologjizmash ,qe ” kane ndihmuar ne menyre qenesore ne formim te shqipes moderne”[Cabej] : frymezim,kujtese,mbrese,mesjete,parim,thertore,shoqate,banese,arsim, vendim,brendi,ndodhi,ndryshim,kombetar,i tejdukshem,dyshoj, etj etj sa per te cituar disa nga dhjetra e qindra te tjera per te kuptuar se c’mungesa ka patur gjuha dhe se “c’pasurim i leksikut”[Cabej] eshte bere .
Dhe ketu nuk ka rendesi se ne c’rruge eshte perdorur , neologjizma, gurra popullore,kalkime. Rendesi ka qe leksiku eshte pasuruar dhe shqipja ka marre pamje moderne. Dhe mekanizmi ka qene gjithmone i njejte , zevendesimi i se huajes me vendasen. Frika per normen leksikore eshte nje argument i mjegullt sepse neologjizmat nuk futen me urdher, me dhune. Ato propozohen, hidhen per perdorim dhe kush ze vend mbetet, te tjera harrohen. Eshte nje proces hap pas hapi, i ngadalshem e nuk krijon perplasje, veshtiresi ne teresine e vet. Kujtoj psh se ‘dritares ‘ iu deshen njeqind vjet t’i zere vendin ‘penxheres’ .
Eshte proces normal, fjalet nderrohen, disa dalin e disa hyjne. Keshtu ka qene e keshtu do te jete. Fjalet nuk nxirren me perdhune por as nuk mbahen me pahir. Koherat bejne te tyren.
Sa per turqizmat, pervec nje pjese qe kane zene vend ne shqipe, pjesa tjeter ka per perspektive harresen apo ne rastin me te mire marrjen e kuptimeve perkeqesuese. Keqardhje per ata qe nuk ndahen dot, ndonse nuk e kuptoj dot kete nostalgji.
Turqishtja eshte pjese e nje familjeje tjeter gjuhesore ndyshe nga shqipja dhe huazimet prej saj kane mbetur si ishuj, nuk gjenerojne dot. Fakti qe turqizmat marrin tingellim perkeqesues flet per antipati dhe pavaresisht interpretimeve, kjo eshte bere mode gjuhesore dhe modes nuk ke c’i ben edhe kur i quan budallenj e te trashe ata qe e ndjekin. Se ne fund te fundit turqizmat jane edhe antipatike ne tingellim me ato -lluke,-llare,-xhinje dhe s’do ju rrime lepe peqe tere jeten.
Ca nga temat më sipër i kemi rrahur për vdekje, prandaj nuk po u kthehem. Por vë re, në arsyetimin tënd Fatma, premisën se motivimi në leksik është për t’u parapëlqyer ndaj jomotivimit. Unë nuk e marr të mirëqenë këtë premisë. Madje një leksik ku sundojnë fjalët e motivuara më duket i makthshëm. Më kujton gjuhën Newspeak te 1984-a e Orwellit, ku të gjithë mbiemrat formohen me prapashtesën -ful (speedful – i shpejtë), ndërsa ndajfoljet me prapashtesën -wise (speedwise – shpejt) dhe ku antonimet formohen me parashtesën un- (ungood për bad).
Në një fazë më të përparuar të Newspeak, të ashtuquajturat B words e çonin këtë parim më tej, duke përftuar kompozita: goodthink, goodthinkful, goodthinkwise, goodthinker.
Motivimi i fjalës bie ndesh me arbitraritetin; mirë do të ishte që gjuha të gjente një drejtpeshim midis këtyre dy prirjeve. Një gjuhë e varfër mund të pasurohet artificialisht, nëpërmjet fjalëformimit masiv – p.sh. nga çdo folje mund të krijohet një emër vepruesi me anë të prapashtesës -s (-ues, -yes), dhe që këtej hapëset, ulëset, dalëset, fryrëset, ngjitëset e deri edhe lëpirëset. Disa nga këto formime e gjejnë lehtë rrugën drejt përdorimit (sepse për to ka nevojë), por shumë të tjera nuk munden. Janë produkte laboratorike, të inxhinieruara, që nuk mbijetojnë dot në realitet.
Kam edhe një problem me sa thua: më duket sikur ti nuk i jep rëndësi nevojës së shqipes së sotme për të krijuar regjistra të ndryshëm të gjuhës, që të mos kenë më natyrë gjeografike (si dialektet tradicionale), por sociale. Për shembull, regjistri bisedor, ku orientalizmat mund të kishin ende një rol për të luajtur. Përparësia e këtyre, nëse mund ta quaj kështu, është se orientalizmat janë faktor njësues i shqipes popullore, meqë shumë prej tyre përdoren kudo, nga veriu në jug, në toskërishte e në gegërishte. Në vend që t’i largonim me zor, mbase mund t’i lejonim të specializoheshin si fjalë bisedore.
Jashtë teme. Zoti Ardian, desha t’ju bëj një sygjerim. Unë më së shumti i lexoj artikujt në peizazhe nëpërmjet telefonit. Por ka një problem. Kur bëhen komente dhe kthehen përgjigje nëpër to, shkrimet sa vjen e ngushtohen duke zënë një hapsirë shumë të ngushtë dhe për rrjedhojë zgjaten duke ma vështirësuar leximin. Arrin deri aty sa fjalët fillijnë ndahen më dysh, në varësi të komenteve të kthyera nëpër komente. Nuk po mundem të ngarkoj një screenshot për ta ilustruar problemin më shkurt. Nëse egziston mundësia, ju lutem të rishikoni Settings të Themes që përdorni për blogun. Ndoshta diku aty në wordpress është një opsion Responsive që lidhet me paraqitjen e artikullit për përdorimin nëpërmjet telefonave. Mund edhe të të ndihmoj pak me këtë gjë në një moment të dytë, nëse doni.
Falemnderit. Tani për tani, reduktova numrin e nën-komenteve në bashkëbisedim: e lashë 2. Më thuaj nëse kjo ndihmon apo jo.
Po, ndihmon. Faleminderit dhe ju për gatishmërinë.
U rregullua leximi, u veshtiresua komentimi. Telefonat zakonisht kane opsionin rrotullim automatik, qe i con problemet e leximit ne zero, habitem qe Gjoni nuk e perdor.
U rregullua leximi, u veshtiresua komentimi, por njekohesisht u veshtirsua grindja me kolegun.
Ideja e shkrimit qendron. Por me duket se dy shembujt e vetem, xhezve dhe vilagio, me duket se jane fare pak si numer dhe ne mbeshtetje te idese se shkrimit.