Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

NJË QINDVJETOR

nga Eqrem Çabej 

Njëqind vjet më parë, më 25 shkurt 1877, lindi albanisti i shquar austriak Prof. Norbert Jokli.

Dihet se Austria e vjetër ka një traditë të mirë në fushën e studimeve shqiptare. Kjo traditë në lëmin gjuhësor nis e vazhdon në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, me dijetarë si Hahn, Miklosich, Gustav Meyer, Schuchardt, Meyer-Lübke e të tjerë. Në këtë varg dijetarësh bën pjesë dhe Norbert Jokli, më i riu ndër këta për nga rendi, porse sigurisht një ndër më të rëndësishmit ndër ta.

Norbert Jokli ndoqi së pari fakultetin e drejtësisë në universitetin e Vjenës, dhe si e kreu atë, nisi karrierën juridike. I tërhequr ndërkaq nga gjuhësia, la degën e parë dhe iu suall studimeve gjuhësore. Kreu fakultetin filozofik duke ndjekur gjuhësinë krahasimtare indoeuropiane dhe disa degë të veçanta, romanistikën, gjermanistikën, sllavistikën, sanskri­ti­shten, me degë të parë sllavistikën. Përfaqësuesi kryesor i kësaj disipline në universitet të Vjenës në atë kohë, gjuhëtari i njohur Jagiç, e drejtoi dijetarin e ri për nga studimet shqiptare, një fushë që kishte mbetur djerr me vdekjen e Gustav Meyerit në prag të shekullit të ri. Kështu ky iu përvesh mësimit dhe studimit të gjuhës shqipe, duke ndjekur në fillim kursin që jepte aso kohe në kryeqytetin e Austrisë dijetari shqiptar Gjergj Pekmezi. Njohuritë e shqipes i përsosi me kohë me lidhjet që pati me shqiptarët me qëndrim në Vjenë, me hetimet gjuhësore me studentët shqiptarë të Austrisë, po kryesisht me studimet vetjake e me leximet e shkrimeve letrare shqipe të kohëve të vjetra e më të reja.

Që me themelimin e gjuhësisë si shkencë në shekullin e kaluar, po edhe më parë, gjuha shqipe pat tërhequr vëmendjen e interesin e shumë dijetarëve të Europës: dijetarë vendesh të ndryshme dhe të degëve më të ndryshme, si gjeografë, etnografë, udhëtarë shkencorë, diplomatë, mjekë, historianë e gjuhëtarë. Gjuhëtarët ndërkaq, ndër ta disa dhe fort të njohur, si ata të shekullit të shkuar si dhe më të vonët, studimeve të shqipes iu afruan gati të gjithë duke ardhur nga lëmi i specialitetit të vet: nga gjuhësia krahasimtare, nga sllavistika, romanistika, ballkanistika, veçanërisht nga kërkimet në lëmin e rumanishtes. Studimet shqiptare kanë qenë kështu për këta gjuhëtarë një fushë anësore, ndonëse duhet të themi që disa ndër ta kanë dhënë një kontribut të çmuar në këtë lëmë studimesh. Norbert Jokli qysh me hapat e para të veprimtarisë shkencore të tij i la gjurmimet në degët e tjera të gjuhësisë dhe iu kushtua kryekrejet studimit të shqipes. Kjo veprimtari përshkon gjithë jetën e tij që në krye gjer në fund, që në rini e gjer në vdekje.

Veprimtaria shkencore e këtij dijetari ka një tematikë të gjerë, më të gjerë se ajo e pararendësve të tij. Ajo rrok një pjesë të madhe të fushës gjuhësore të shqipes. Përfshin në kohë historinë e periodave të kaluara të gjuhës e zbret gjer në shkallën e sotme. Kjo veprimtari e tij edhe në tematikë paraqet kështu diçka tërësore, një sistem në vetvete. Ai ndërmori gjurmime të thelluara si në fushën e fonetikës e të morfologjisë, ashtu dhe në atë të leksikut, të etimologjisë, të historisë gjuhësore, të dialektologjisë dhe të zhvillimit të shqipes si gjuhë shkrimi dhe si gjuhë letrare.

Në lëmin e fonetikës u gjurmua zhvillimi i disa fonemave të shqipes, të sistemit vokalik dhe konsonantik, duke e ndjekur ai atë zhvillim që nga periodat e lashta të gjuhës nëpër fazat e ndryshme gjer në shqiptimin e sotëm. Fazat e ndërmjeme të këtij zhvillimi u hetuan më një anë me mjetet e brendshme gjuhësore, me dëshminë e dialekteve dhe të përmendoreve të moçme të shkrimit e me krahasimin e shoqishoqnë të tyre, më anë tjetër nëpërmjet të historisë gjuhësore të jashtme: aty kryesisht me anë të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje të Ballkanit, me huazimet që pat marrë prej tyre dhe me ato që depërtuan gjatë kohëve prej shqipes në ato gjuhë. Kjo metodë pune u zbatua dhe në gjurmimin e historisë së theksit të gjuhës shqipe. Në morfologji u konstatua ndër të tjera kalimi i disa trajtave të emrit prej njerës rasë në tjetrën; u sqarua formimi i disa përemrave pronorë si juaj, taj “tuaj”; u shtjellua formimi i foljeve faktitive prejemrore (denominative) si mallëtoj i kategorisë së foljeve të tipit luaj, ruaj, dhe një varg dukurish e çështjesh të tjera. Punë pionieri u krye sidomos dhe në fushën e fjalëformimit. U hetuan ndër të tjera emrat përmbledhës (kolektivë) e zvogëlues (deminutivë) dhe u gjurmua përgjithësisht formimi i emrave me anë të rrjedhimit (derivacionit) e të përbërjes (kompozimit). Në atë mes u vu në pah kalimi i disa prapashtesave të shqipes në gjuhët fqinje, kryesisht në rumanishten. Fjalëformimi u pa prej këtij dijetari dhe në funksion të leksikologjisë historike e të etimologjisë.

Pikërisht në këtë fushë kërkimesh një nga problemet që i dalin gjuhëtarit me çdo hap është të dihet se ç’është trashëgim e ç’është huazim në visarin e fjalëve të shqipes. Në këtë mes brezi i mëparshëm i studjuesve – me ndonjë përjashtim të rrallë si gjuhëtari i shquar danez Holger Pedersen – pat treguar një interes të veçantë për huazimet, për elementet që kishin hyrë në shqipen prej gjuhëve fqinje. Emërtimi i saj si një “gjuhë gjysmëromane” pat zënë vend në atë periodë të gjuhësisë, dhe çon në krye nganjëherë dhe sot e kësaj dite. Në këtë kompleks çështjesh mbetet një nga meritat e Norbert Joklit, që bashkë me disa dijetarë të tjerë, i ktheu gjuhës shqipe atë që i përkiste. Shumë elemente leksikore që mbaheshin më parë për latino-romane, greke a sllave, u pa me kohë që janë pasuri e trashëgimisë vetjake të shqipes. U konstatua bile dhe roli dhënës i kësaj gjuhe ndaj idiomave fqinje: Mjaft njësi leksikore, që janë të përbashkëta në gjuhët ballkanike, e kanë burimin në shqipen dhe së këtejmi depërtuan në gjuhët e tjera të kësaj treve. Kjo rrethanë është me peshë për të formuar një gjykim më objektiv për karakterin e kulturës popullore shqiptare dhe shkallën e saj të zhvillimit në të kaluarën, në lidhje e krahasim edhe me kulturat popullore fqinje.

Metoda që ndoqi ky dijetar në këtë lëmë kërkimesh si përgjithësisht në studimin gjuhësor të shqipes, karakterizohet me këto tipare: Së pari, zotërim sa më i plotë i materialit konkret, duke e gjurmuar këtë gjer në këndet më të fshehta. Pastaj studim i shqipes me mjetet e shqipes: nisje nga rrethanat e brendshme të gjuhës, nga brenda jashtë e jo nga jashtë brenda. Prandaj shkallë e parë e krahasimit, krahasim i brendshëm; prej këndej pastaj, me nisje prej kësaj baze të sigurtë më tej krahasim i jashtëm, me gjuhët e tjera ballkanike ose edhe më të largëta. – Një tjetër tipar i metodës së ndjekur prej këtij dijetari është ajo e bashkëveprimit të gjuhësisë me etnografinë. Kjo metodë, që në gjuhësi, sikundër dihet, ndër të tjera gjen zbatim me parimin “fjalët edhe sendet” (les mots et les choses), u vërtetua se është pjellore në lëmin e shqipes: me afrimin e të dhënave të kulturës materiale e shpirtërore të botës shqiptare, të cilat ndriçojnë jo pak probleme të gjuhës.

Sa më lart ngjitet studimtari në rrymë të kohëve, aq më të vështira bëhen problemet, aq më e errët paraqitet gjendja historike e gjuhësore. Kështu çështja e vendit të shqipes në rrethin e gjuhëve indoevropjane, çështja pra se me cilat ndër këto gjuhë motra ka afri më të ngushtë, çështje me të cilën u muar ky dijetar gjatë e në mënyrë intensive, mbetet edhe sot një ndër problemet e pasqyruara mirë të gjuhësisë shqiptare. Një problem tjetër është ai i birësisë (filiacionit), i burimit të shqipes, dhe lidhur me të edhe problemi i djepit ballkanik të popullit shqiptar. Në këtë çështje Norbert Jokli që në krye të karrierës së tij është për autoktoninë, domethënë për këtë që shqiptarët janë vendës, anas në trojet e tyre të sotmet. Më konkretisht, ai vendbanimin e hershëm e vendon në Dardaninë e lashtë, në anët e Kosovës së sotme. Në vitet që pasuan ndërkaq (1933-34), me analizën gjuhësore të toponimisë historike, konkretisht të emrave të moçëm të disa lumenjve si Drini e Mati dhe të emrave të tyre të sotëm, ai erdhi në përfundimin “që këta emra qysh në kohën e vjetër gjer në ditët e sotme kanë qenë pa ndërprerje në gojën shqiptare dhe që vetëm gjuha shqipe ka mundur t’u japë trajtën që këta kanë sot”. Me këtë formulim, siç shihet koncepti i autoktonisë merr përmasa më të gjera në pikëpamje hapësinore, duke përfshirë kryesisht dhe anën perëndimore të trevës gjuhësore shqiptare.

Interesat shkencore të këtij albanisti kanë pushtuar, si u tha, edhe fazat e mëvona të zhvillimit të shqipes. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai kreu një studim të imtë të dialektit të Vrapçishtit në anët e Gostivarit, veçse ky punim nuk arriti të botohej dhe duhet të ketë humbur. Më vonë ai botoi një varg këngësh epike të nahijes së Pejës, që i pat mbledhur dikur Vuk Karaxhiçi e që gjer atëherë kishin mbetur dorëshkrim. Në një recension të gjatë ai më vonë u muar dhe me ligjërimin e Arbëneshit të Dalmacisë, duke shqyrtuar me atë rast një varg dukurish e çështjesh të dialektologjisë shqiptare. Problemet e fushës dialektore i gjurmoi vazhdimisht në lidhje me të dhënat e onomastikës, sidomos të toponimisë historike dhe të sotme. Me anën e toponimisë historike, si u pa dhe më lart, arrihet të depërtohet dhe të në kaluarën historike-etnike të kombësisë shqiptare. Është për të shënuar ndërkaq që problematika gjuhë-dialekt ka qenë gjithmonë në sferën e interesave shkencore të këtij dijetari. Më 1930 ai i kushtoi një studim të thelluar gjuhës, alfabetit dhe dialektit të Gjon Buzukut, autorit, me sa dihet, më të vjetër të letërsisë shqiptare. Një interes të veçantë ka treguar ai për veprën e Naim Frashërit. Fletoren e bektashinjet e përktheu dhe e botoi të pajisur me një komentar ideoestetik e gjuhësor. Me rastin e njëzetepesëvjetorit të vdekjes së poetit, ai në numrin përkujtimor “Naim Frashërit” të studentëve shqiptarë të Austrisë botoi më 1925 një studim mbi Naim Frashërin dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Në këtë studim shtjellohet metoda që ndoqi poeti shqiptar për pasurimin e fjalorit të gjuhës letrare: Kërkim edhe përhapje e fjalëve që ekzistonin në gjuhë, po që kishin mbetur në skaj të përdorimit; ringjallje e fjalëve të vjetra të mbetura në harresë, pakësimi i përdorimit të fjalëve të huaja; formim fjalësh të reja, më një anë të përbëra në anë tjetër të rrjedhuara (derivate), sipas rregullave të analogjisë, kryesisht pra pas gjedhes (modelit) të fjalëve të gjalla të gjuhës popullore e të dialekteve të saj. Rruga e farkimit të këtyre neologjizmave ka qenë, si ndodh zakonisht, ajo e kalkut, e përkthimit të formës së brendshme të fjalëve të huaja, te ky shkrimtar më shpesh prej fjalëve të frengjishtes. Me zbatim të këtyre rrugëve të metodës poeti shtiu përsëri në përdorim, po shpeshherë me vlerë kuptimore të re fjalës të gjuhës popullore e të dialekteve si ani “anije”, besëtar, i paqenë, shërbesë, shkronjë. Mori prej autorëve të vjetër si Bardhi e Bogdani edhe ringjalli fjalë si detar, gjykatës, luftëtar e ndonjë tjetër. Farkoi në analogji formative me fjalët e ligjërimit popullor, pra në pajtim me frymën e gjuhës, leksema të reja si dritare, (arbëreshët e Italisë dritësore), fletore, gjithësi, hapësirë, kryeqytet, papunësi, vetëdijë, veti, vjershëtor etj. Në këtë mes një problem shkencor përbën çështja se cili shkrimtar ndër ata të Rilindjes është autori i formimeve leksikore të këtij lloji, a Naim Frashëri a i vëllai Samiu, a Jani Vreto a ndonjë tjetër. Çështje mjaft e vështirë e mbase e pazbërthyeshme, ngase kemi të bëjmë me letrarë që edhe kanë bashkëpunuar. Edhe shfaqja e njerit nga këto formime të reja tek njëri nga këta shkrimtarë nuk është përherë një dëshmi e sigurtë e autorësisë së këtij, sepse mund të ketë pasur aty dhe sugjerime në bisedat e shpeshta ndërmjet tyre. Një tjetër detyrë, detyrë edhe më e vështirë, është të hetohet se fjalët e sferës teknike e të kulturës që dalin tek autorët e vjetër të Veriut, a janë të gjitha farkime të tyre apo për një pjesë pasuri e gurrës popullore e rimarrë prej autorëve në fjalë.

Në veprimtarinë shkencore të Norbert Joklit një punë jo e dorës së dytë ka qenë ajo që zhvilloi ai në fushën e bibliografisë kritike. Në një nga vjetarët kryesorë të bibliografisë gjuhësore të asaj kohe (Idg. Jahrbuch) ai për 24 vjet rresht, gjatë periodës 1917-1940, ka referuar rregullisht për botimet – vepra dhe artikuj – që kanë dalë gjatë asaj kohe për etnografinë e historinë shqiptare edhe për gjuhën shqipe. Rëndësi të veçantë ka qëndrimi objektiv e kompetent i mbajtur në atë mes, duke vënë ai shpeshherë në vend gjykimet tendencioze të disa dijetarëve lidhur me disa çështje kryesore të studimeve shqiptare. Kjo mbajtje qëndrim, meriton vëmendje shpeshherë dhe sot e kësaj dite.

Ky dijetar u zhduk aty nga muaji i majit i vitit 1942. I përndjekur prej regjimit nazist si izraelit, në atë kohë u deportua prej banesës së tij të Vjenës, u çua në një kamp a në disa kampe përqendrimi, dhe mbaroi ditët e jetës së tij. Vendi dhe rrethanat e vdekjes së tij kanë mbetur gjer më sot të pasqaruara. Një pjesë e madhe e dorëshkrimeve të tij kanë humbur, ndër to dhe dorëshkrimi i fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe. Në një bisedë me Aleksandër Xhuvanin, me të cilin ka pasur lidhje miqësie e shkëmbim mendimesh gjithherë, gjer në fund, ai shprehte mendimin që gjuhën shqipe do ta studiojnë shqiptarët. Nuk është mbase një gjë e tepëruar po të themi që bash interesi e dashuria që ushqente për popullin shqiptar e për gjuhën e tij, qe një nga arsyet që ia hangrën kryet: Ai kishte vënë në dukje në gjithë veprën e tij pasurinë vetjake të shqipes duke reduktuar me kritere shkencore objektive pjesën e latinishtes në leksikun e saj. Këtë rrugë ai e ndoqi edhe gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë, gjatë të cilit u këput dhe filli i jetës së tij.

[botuar në Gazetën “DRITA” të 13 marsit 1977]

Shënim: Këtë shkrim të prof. Eqrem Çabejt po e risjellim këtu me rastin e botimit të librit të Joklit Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes, i cili del këto ditë nga Botimet “Çabej”, në përkthimin e autorit të artikullit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin