Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

SHQIPTARËT

tregim nga Ermanno Cavazzoni (marrë nga vëllimi Vite brevi di idioti, Feltrinelli, 1994)

(përktheu Arben Dedja)

Naldo Govi ishte punonjës i stelës bashkiake. Atë mbasdite në stelë një qen ia kish mbathur; iu qepën pas në të përpjetë për plot një orë e gjysmë, ai dhe një koleg kapës qensh; e zunë në majë të kodrës, ku qeni, ama, u nxeh dhe e kafshoi Govi-n në kërci. Kjo ndodhí me sa duket e tronditi, apo ndoshta ishte me kohë i tronditur. U kthye në shtëpi dhe i tha të shoqes: “Mirëdita; ç’dëshiron?”. Dhe e shoqja: “Erdhe? me budallallëqet e tua”; në biseda e përdorte shpesh këtë formulë. Ai e shihte: s’i bëhej ta kish parë ndonjëherë; e shoqja nuk ish ndonjë kushdi çfarë. Prandaj Govi po mendonte: “Kjo qenka e çmendur; duhet t’i lëshoj pe”. Dhe në fakt e shoqja ishte e pakrehur dhe me një rrobë të vjetër që përdorte kur pastronte shtëpinë. Pra nuk ngjante me një zonjë për së mbari. “Kjo është një e çmendur vagabonde – mendoi – që kujton se banon këtu.” Pastaj Govi nuk nxorri zë se ndjente një si djegësirë në lukth. Në kuzhinë seç ish një burrec i shkurtër, ishte i biri, por nuk e njohu. Kujtoi se pat ardhur aty bashkë me gruan. Burreci, ama, as që u kthye ta përshëndesë; se çfarë po hante, djathë. Nuk i përzuri ngaqë seç kish diçka që s’po i kujtohej. Për shembull çelësat ku i kishin gjetur. Dhe nuk kishin frikë nga ai. Bile i dukeshin si zotër shtëpie.

Kështu qysh atë ditë e çdo mëngjes sa zgjohet vë re që këta robt janë gjithmonë në kuzhinë; sidomos burreci i kall krupën, se po i dirset qimja dhe e ka fytyrën tërë puçrra me qelb. Po s’e bën veten. Gruaja është gjithnjë në merak që burreci nuk ha aq sa duhet. Janë familja e vet, por ai tashmë nuk i njeh. Thotë ndonjëherë gjëra koti rreth kafesë me qumësht, dhe ndërkaq i vështron tek lyejnë bukën me gjalpë dhe burreci ha salsiçe.

Dikur iu bë se vinin nga Shqipëria, dhe mos ai kishte firmosur hutimthi ndonjë letër ku angazhohej t’u hapte derën. Bile seç kish firmosur një letër në favor të refugjatëve, kjo i kujtohej, i kujtohej edhe kolegut të stelës bashkiake, Zamboni-t. Të cilit i thoshte: “Kam refugjatë në shtëpi. Një burrë dhe një grua”. Zamboni thoshte: “Doemos. E firmose”.

Familjarët nuk e kishin kuptuar që ai nuk i njihte më, u dukej vetëm si më i vagullt në të folur. E shoqja gjithnjë e kish kujtuar për një copë idioti, siç edhe ia përsëriste; shpesh ama mendonte që ishte edhe më shumë se aq.

Pastaj meqë Govi vuante nga ulçera gastroduodenale, kishte thirrur doktorin, doktor Prini-n, nga i cili pra u mor vesh rasti, që përndryshe do të kish mbetur në hije (dhe askush s’do të dyshonte). “Janë andej ata robt – i thoshte doktorit – një mesogrua, pastaj një burrec – i biri – që ta shpif.” Doktor Prini e vizitonte, rrinte e dëgjonte tërë interes, mos ishte ndërlikim i ulçerës. Ulçera në raste të skajshme mund të çrregullojë edhe mendjen. Govi thoshte që burreci ishte i gjatë një metër e pesëdhjetë dhe që ai përpiqej t’i rrinte larg se lëshonte një si erë najloni elastik. Vishte rroba nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar. “Zakonisht – pyeste – a janë të dezinfektuar?” Edhe gruaja seç vinte një erë të papërcaktuar, era spital. “Mos ndoshta – pyeste – është era e ndonjë sëmundjeje të tyre?” Kjo gruaja vërtitej nëpër shtëpi si në shtëpinë e vet, në Shqipëri. Nga një anë mirë se përgatiste përditë vezë të skuqura apo qofte shumica taksur për burrecin. Kur tepronin, hante edhe ai. Burreci të përlante, siç bëjnë shqiptarët; po ashtu edhe gruaja. Vinin përpara një mal me qofte dhe ia fillonin t’i gëlltisnin; pastaj pinin dhe gëlltisnin prapë edhe dhjetë minuta të tjera. Nganjëherë u duhej më shumë kohë, se e bënin me radhë: qofte – vezë të skuqura. Ai ia dilte të hante edhe pak vezë të skuqura, që nuk ishin keq, me thënë të drejtën. Ama burreci e shikonte qënçe, edhe gruaja e shikonte si dikë që s’meriton gjëkafshë. Këta dy shqiptarët ia kishin pushtuar shtëpinë dhe e përdornin ditën si fërgesëtore, si fjetore natën. Sidomos gruaja flinte me të në një shtrat. “Më mirë kjo se burreci,” ia bënte Govi, edhe pse nuk e gjente dot cili ia shpifte më shumë. Gruaja në shtrat ishte e zhurmshme, sidomos kur merrte frymë. Edhe nga dhoma tjetër dëgjohej frymëmarrja e burrecit, që kishte zënë divanin. Situata i ngjante një fushimi. Por problemi ishte ky: çfarë kishte firmosur? Nuk mund të informohej pak doktori me takt? – e pyeste gjatë vizitës – pa lënë të kuptohej që desh të tërhiqej? Bile-bile – desh që doktori të pyeste – sa kohë rrinë shqiptarët zakonisht? Nuk paska për ta kampe përqendrimi? Këta shqiptarët thoshte ia rëndonin ulçerën, se tashmë hante vetëm gjëra të fërguara.

Pastaj, pavarësisht moshës së njomë, edhe i biri pati një suspekt ulçer, ndoshta një formë kongjenitale, dhe filloi të mos i njihte më prindërit. Këto na i kumton doktor Prini. Zgjohej natën, pa e dikur ç’orë ish; atëhere vërtitej nëpër shtëpi me një djegësirë në lukth dhe gjente në dhomën ngjitur dy njerëz që flinin në të njëjtin shtrat. Shtrydhte trurin për të gjetur cilët ishin. Pastaj u afrohej t’i shikonte më nga afër dhe në gjysmëhije i dukej se ishin një burrë dhe një grua. Burri gërhiste nga pak. Rrinte aty ca kohë për ta studiuar, studionte edhe gruan. Nuk e kuptonte nga kishin hyrë. Për të ishte mister. I ngjanin si një çift bashkëshortësh që kishin ardhur t’i flinin te shtëpia. Ndoshta një çift i pastrehë, apo i pabanesë. Pastaj i shihte ditën; gruaja rrinte gjithë kohës në kuzhinë dhe fërgonte; ai (i biri) hante fërgesat; ajo fërgonte akoma. Pastaj kthehej burri që ish pak i shogët dhe hante edhe ai, babëzisht, sidomos po të qe ve e skuqur; paskëtaj ngrohte stomakun me dorë dhe thosh që keqtreste. Meqenëse shpesh dëgjonte burrin të përmendte këtë Shqipërinë e largët, kujtonte se e kishin andej origjinën.

Doktor Prini ka bindjen që thelbi i këtij rasti është ulçera, në një formë të trashëguar që jep kretinizmin e pjesshëm lipomnemonik (domethënë me lënie kujtese). Thotë që shpesh në familje ndodh të mos e njohësh sho-shokun, pa dalë në shesh kjo. Thelbi i muhabetit janë të fërguarat, helm për organizmin. Doktor Prini po shkruan enkas një shënim që do të dalë te Revista e Higjenës dhe Profilaksisë.

1 Koment

  1. Sa e bukur edhe e trishtueshme! per snobizem le ta quajme, surrealizem! Tek perkthimi ndoshta do ti shkonte me shume emertimi “albane”, “Albania”, se sa “shqiptare”, “Shqiperia”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin