Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

UNË NUK I PASTROJ NEVOJTORET

Këto ditë që po flitet për mosbindje civile, nuk di pse më erdhi në mend një histori nga vitet e universitetit.

Kishim shkuar për një muaj punë të detyruar në Gjadër të Lezhës, ose në “aksion” sikurse e quanin atëherë.

Një shok imi, ngaqë ishte vërtet i sëmurë ose mbase thjesht për të mos dalë me shat në arë, kish siguruar nuk di ç’raport mjekësor, prandaj punonte si pastrues të kapanonit.

Dhe si pastrues, duhej të kujdesej edhe për nevojtoret e përbashkëta që ngriheshin të mjera, në një sukë aty pari – dëshmi mjerane të higjienës sonë kolektive, ushqimit që na shërbehej dhe raportit tonë simbolik me jashtëqitjen.

Kapanonet i administronte një profesor relativisht i ri në moshë, që i parë nga larg dukej si një kryqëzim i derrit me viçin; ndërsa i parë nga afër dukej si kryqëzim i viçit me derrin.

Vinte rrotull duke pëllitur dhe lëshonte poshtë e lart qortime dhe urdhra, për të imponuar autoritetin. Ndoshta ngaqë nuk ishte as anëtar i PPSH-së dhe nuk ia varte kush.

Ashtu shkon një ditë të inspektojë nevojtoret, nuk i gjen në lartësinë e duhur, ose kushedi edhe se s’i kish dalë mirë pija një natë më parë a kish humbur në bixhoz kundër ndonjë patriarku, vjen dhe i thotë këtij shokut tim, që po shullëhej në diell:

“Nevojtoret nuk janë pastruar mirë.”

Dhe kur ky tjetri e pa gjithë inat, shtoi:

“Ç’më shikon mua? Çohu dhe shko pastroji!”

Këtu, shoku im iu përgjigj me zë të ulët:

“Unë nuk i pastroj nevojtoret!”

“Si the, si the?”

“Unë nuk i pastroj nevojtoret!”

Më pas nuk ndodhi asgjë. Ose të paktën u duk sikur nuk ndodhi asgjë. Nevojtoret do t’i ketë pastruar ndonjë nga kapanoni përbri; ose i lanë ashtu. Ndaj shokut tim nuk u mor asnjë masë. Rebelimi nuk u përsërit më, por as viç-kaporali nuk u shfaq më, për të dhënë komandat e ditës.

Çfarë nuk dinte urdhër-thyeri, por që të gjithë ne të tjerët e dinim, ishte se batuta lapidare e shokut tim, “Unë nuk i pastroj nevojtoret!” ishte rimarrë, në fakt, verbatim nga romani Ushtari i mirë Shvejk i Jaroslav Hashekut; si përgjigjja që i jep një nga personazhet e veprës, kadeti Marek, urdhrit ndëshkimor që i vjen nga një kokëlopë e ngjashme me këtë tonin.

Aso kohe Shvejku ishte i vetmi tekst që na i bënte të pranueshëm muajt e kaluar në heqje lirie (zbor) ose në punë angari (aksion); njëlloj siç i ndihmonte Bibla të dënuarit me vdekje në Mesjetë.

Ngushëllimin e gjenim duke e lexuar si manual të rebelimit paqësor. Mjerë ai shtet dhe ajo shoqëri, ku brezi i ri e përdor Shvejkun si Bibël.

Ndoshta ai profesori, viç i kryqëzuar me derr, ose – tani që jemi të Shvejku – i karakterizueshëm edhe me shprehjen e çuditshme zoologjike viç derri, do ta ketë keq-interpretuar ndriçimin në fytyrën e shokut tim, duke e marrë për insubordinim.

Por në fakt shoku im vetëm sa u ngazëllye, ngaqë iu dha rasti të përdorte më në fund një batutë nga Shvejku, në një situatë reale.

Për këtë edhe u ndie hero, jo ngaqë ia kish kthyer urdhrin viç-derrit.

Referimi te Shvejku sikur i dha mundësi të merrte fymëzim dhe kurajë nga romani, madje jo vetëm nga romani por edhe nga lufta e përjetshme midis njeriut (homo sapiens) dhe hajvanllëkut burokratik; ose parimit se autoriteti mund të mishërohet edhe në urdhrat për pastrim nevojtoresh.

Shvejku e shpëtoi shokun tim nga poshtërimi.

Dhe cili është morali i kësaj historie?

Pikë së pari, që nevojtoret duhen mbajtur pastër, pavarësisht nga struktura e pushtetit civil, sepse një qytetërim gjykohet edhe nga gjirizet që ka.

Pikë së dyti, që refuzimi për të zbatuar urdhrin që vjen nga lart, ose vendosmëria për të mos u bindur, vjen më natyrshëm kur refuzuesi flet me disa zëra – për shembull, me zërin e vet dhe të kadetit Marek, si në historinë më lart.

Romani i Hashekut i tregoi shokut tim, siç edhe na kish treguar të gjithëve ne, se autoriteti obtuz mund të sfidohet më lehtë, po të distancohesh pak prej tij, aq sa të fillojë të duket absurd. Qoftë edhe atëherë kur ky distancim bëhet duke u kuturisur në letërsi.

Prandaj, në atë skenë, përgjigjen “Unë nuk i pastroj nevojtoret!” nuk e dha shoku im, por kadeti Marek. Dhe ishte po kadeti Marek, që e shndërroi gjithë skenën në teatër komik. Madje viç-derri do ta ketë kuptuar, sado me vonesë, që ky refuzim i urdhrit të tij komik do të tregohej dhe ritregohej mes nesh, në forma të ndryshme; aq sa autoritetin e tij të gjithë do ta shoqëronin tash e tutje mendërisht me nevojtoret e papastra.

Më në fund, mund edhe të spekulohet që autoriteti, në mjedise të tilla krejt të papesha si universiteti, nuk ishte veçse një karikaturë e atij tjetrit, të mirëfilltit, që ushtronte regjimi më shumë padukshëm se dukshëm; dhe se të gjithë ne, poshtërues e të poshtëruar, autoritete kapanonesh dhe të rebeluar nevojtoresh, nuk ishim veçse kukulla teatri, ose personazhe të një libri të keq, në duart e pasigurta të një autori të pirë.


© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të revistës.

6 Komente

  1. Shkrimi ka disa te verteta te medha. Do diskutoj njeren prej tyre qe me duket e paplotesuar:

    “Mjerë ai shtet dhe ajo shoqëri, ku brezi i ri e përdor Shvejkun si Bibël”

    Shume e vertete, por eshte shume e vertete gjithashtu: “Mjerë ai shtet dhe ajo shoqëri, ku brezi i ri e përdor Josef K. si Bibël”. Kete te vertete te dyte e mbeshtet edhe nje intuite e Kunderes, qe nxjerr Shvjekun dhe Josef K. si kunderfigura ose figura komplementare, nuk me kujtohet mire, por pak rendesi ka kjo per çfar dua te them.

  2. Me duket se duke perseritur fjalet e nje personazhi te njohur letrar, “rebeli” jo vetem sikur e perligj rebelimin e tij, duke e paraqitur ate si nje model sjelljeje qe me shume sesa prej atij vete buron prej nje prototipi tashme te legjitimuar, por perfton edhe nje lloj largesie ironike nga situata e jetuar, cka e lejon te mos perfshihet teresisht brenda saj, por, ashtu si nje aktor qe luan teater sipas metodes se Brehtit, ta kundroje ate, si te thuash, nga jashte, me ftohtesi e qesendi.

  3. Edhe pse jam shume i ri per te qene perjetues i plote i kohes dhe halleve te saj, te cilat vetem kendveshtrimi ” i shenjte” Shvejkian i lubrifikonte mjaftueshem sa ne nje fare menyre te kalonin poshte, perseri e perjetova si nje blasfemi apokrifin e tmerrshem qe zuri vend ne politikanet e palexuar shqiptare ( aq te palexuar sa nuk kishin lexuar as ” Ushtari i mire Shvejk); ” c’me duhet mua se c’them une”.

  4. Po leme menjane debatin se sa dhe si aksionet e atehershme te rinise per ndertime rrugesh, hekurudhash dhe tarracash per agrume, kane qene pune e detyruar apo pune e dobishme ne sherbim te shoqerise dhe te vendit, ne kuadrin e raporteve pune-shtet-shoqeri te atij sistemi.

    Problemi i vertete i kendveshtrimit te zotit Vehbiu ne kete shkrim eshte se mbetet pa pergjigje shqetesimi numur nje qe sjell vete auori i shkrimit per ne: (perifrazoj) se pavaresisht nga pushteti civil, nevojtoret duhen pastruar, sepse nje qyteterim gjykohet edhe nga gjirizet qe ka.

    Pra, kush do i pastronte gjirizet e aksioneve apo te zboreve, nese te gjithe do te ishin aq te lexuar dhe te zgjuar sa te perdornin Shvejkun per te refuzuar pastrimin dhe, pasi te benin humor me Shvejkun dhe dishepujt e tij ne rradhet e tyre, do shkonin neper nevojtoret e mbushura tej e pertej, nga dera e tyre deri tek gropa e WC-se, per jashtqitje, duke hedhur tulla apo gure per te bere ekuilibristin ne ecje dhe per te gjetur nje vend dhe nje pozicion mizerabel, mes kuderbimit te lemerishem te jashtqitjeve kolektive ne siperfaqet e WC-ve.

    Kushdo qe e ka kaluar ate pervoje, besoj, se edhe sot e kesaj dite ndjehet keq dhe nuk mund te mos i kete bere pyetjen vetes: Po pse xhanem, ndodhte keshtu, kur nuk duheshin investime te vecanta (vetem uje, kova dhe fshesa/shqopa) per t’i mbajtur paster e per t’u ndjere si njeri.

    Pra, morali i fabules sone duhet te jete: Ti or mik, kur ke rradhen, duhet te pastrosh nevojtoret qe perdor edhe kur ato jane kolektive! Athere, tani dhe ne te ardhmen,

    Kjo eshte ne bazen minimale e nje bashkjetese civile njerezore.

    1. Për mua aksioni ishte punë e detyruar, pa asnjë vlerë edukative dhe aq më pak për studentin. Vetëm pisllëk, mizerje, spiunime dhe grindje.

      Nuk ka dyshim që nevojtoret duhen mbajtur pastër. Mund edhe të paguhej dikush që t’i pastronte, sikurse paguhej dikush që të lante pjatat në kuzhinë (ashtu ndihmohej edhe ekonomia lokale). Por nuk është kjo tema e shkrimit.

      Në fakt, ai profesoruci që urdhëroi të pastroheshin nevojtoret, e bëri për të ndëshkuar dhe poshtëruar studentin. E dinte që atë farë pune nuk e dëshironte kush. Prandaj edhe e urdhëroi.

      Nuk ishte pra, çështje higjiene, por autoriteti.

      Se po të flasim për higjienë, vetëm dy vjet më parë ishim sëmurur masivisht, në Çermë, me disenteri; meqë kapanonin ku flinim e kishin ngritur në mes të bajgave dhe të mizave (por preokupimi i eprorëve atë kohë ishte që të mos hynim në kontakt me të internuarit në fshatin përbri). Organet kompetente ndërhynë menjëherë dhe na dërguan një karrocë me batanije pambuku të reja fringo nga Berati – pa çka se në kapanon të pinte vapa (ishte shtator).

      Shtetit që i organizonte “aksionet” as që i bëhej vonë për pastërtinë dhe shëndetin e studentëve: jo vetëm që na çonte të punonim në arë kundër dëshirës, por edhe na ushqente më keq se kafshët.

      Nuk kishim vend as ku të lanim duart për së mbari; një tub me pesë vrima shërbente si lavamani i përbashkët për 150 vetë, me ujin që derdhej pastaj lirisht në baltë; ndërsa dushi konsiderohej luks. Për vajzat duhet të ketë qenë makth kaluar makthit, por nuk po futem në hollësi. Të mendosh që ato nuk kishin as ngushëllimin e Shvejkut!

      Unë nuk doja të bashkëjetoja me studentë si vetja në mes të fushës. Jam i sigurt se edhe të tjerët nuk donin ta kalonin natën në dyshekun e shtrembër prej kashte, ngjitur me mua. Kapanonet kutërbonin squfur, si rrathët e ferrit të Dantes. Na mbanin me zor, si diçka midis bagëtisë dhe robërve të një lufte që nuk e kish fituar kush, dhe na servirnin lakër të kalbur për të ngrënë, dy herë në ditë. Kjo nuk ishte “punë e dobishme në shërbim të shoqërisë dhe të vendit”, por një përpjekje e organizuar për të na thyer si njerëz.

      Torturë, ngado që ta rrotulloje.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin