Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

A GËNJEN DERRI?

Kam ndeshur kohët e fundit në mediat përdorime të shumta të shprehjes “gënjen si derr(i)”, sidomos në lidhje me daljet publike të politikanëve dhe të intelektualëve të angazhuar në debate të ndezura. Kjo më ka bërë kurioz, sepse derri nuk shquhet si kafshë që gënjen; madje edhe më pak se ç’shquhet si kafshë që punon qeni i shprehjes “punon si qen”, një tjetër enigmë e shqipes frazeologjike. Në fakt, mund edhe ta përfytyroj një qen që punon, por derrin që të gënjejë jo. Madje nuk e kam të vështirë të sjell në mendje një situatë, kur mund t’i them një derri: mos gënje si politikan – edhe pse ashtu do të më akuzonin se po abuzoj me një kafshë të pafajshme (siç janë zakonisht kafshët, ndryshe nga njerëzit, përfshi edhe ata njerëz që e quajnë lirisht njëri-tjetrin “kafshë”).

Kjo “gënjen si derr” duhet të ketë ardhur kuptimisht nga shprehje të tilla si “ha si derr” ose “zhgërryhet si derr”, të cilat i përgjigjen në fakt sjelljes së derrit; në këto togje do të jetë izoluar cilësori si derr, për t’u shtënë pastaj në punë veçan, si intensifikues pejorativ (keqësues), me kuptimin “shumë” – që këtej edhe shprehja “punon si derr” (dhe ndajfolja derrçe); dhe një ditë do të dëgjojmë edhe se dikush “drogohet si derr”, ose “grindet si derr” ose “hakërrohet si derr” ose kushedi se çfarë tjetër; çfarë do ta kthejë derrin, simbolikisht, në kundërfigurën e njeriut ideal, ose në kë që bën gjithçka me të cilën nuk duam të identifikohemi. Gradualisht, derri në këto shprehje i ka humbur lidhjet referenciale me kafshën përkatëse, duke ruajtur prej saj vetëm konotacionin, ose faktin që shënjon gjithfarë vesesh, sjelljesh dhe zakonesh ndaj të cilave duam të distancohemi. Për ta thënë me Sartre-in, derri c’est les autres.

Por ka edhe më: kush e ka dëgjuar dikë të thotë për aksh politikan se “gënjen si derr” do ta ketë dëgjuar mënyrën e veçantë si shqiptohet fjala derr në këtë kontekst; dhe ndonjëri edhe do të ketë dyshuar se ta thuash këtë, “gënjen si derr”, është si ta akuzosh tjetrin se gënjen, dhe pastaj të shtosh se çfarë mendon për të: dhe pikërisht se është derr. Për fat të keq të derrit, kafshë fisnike dhe e mençur, fjala derr në shqipe si në shumë gjuhë të tjera ka përfunduar në sharje; “njeri shumë i trashë dhe i majmur; njeri që nuk e mban veten pastër; njeri trashë nga mendja e kokëfortë; njeri i ndyrë e i keq, maskara,” thotë Fjalori i Shqipes. Për një sharje të tillë njerëzit vetëm pak kohë më parë kanë pasë përfunduar në duele; pa çka se sot mjaftohen me “duelet televizive”.

Dhe meqë jemi te leksiku, le të shtoj edhe se derr në shqipe shënjon edhe një “njeri shumë këmbëngulës, të fortë dhe kryeneç”, çfarë ndoshta i përshtatet karakteristikave temperamentale të derrit vetë; dhe këtu më duhet të shënjoj edhe fjalën e bukur derre, të cilën e dëgjoj ndonjëherë të përdoret për një grua që nuk dorëzohet, që nuk lëshon pe derisa t’ia arrijë qëllimit. Kjo bie natyrisht ndesh me shprehjen tjetër po aq të bukur jam bërë derr (u bëra derr), me kuptimin “jam mërzitur (duke pritur)”, që konoton një farë pasiviteti; sikurse aludon për derrin si kafshë që mërzitet shpejt (shpesh), në mos aludon për çfarë mund të bëjë dikush po të mërzitet, aq sa t’i afrohet derrit në sjellje, në mos edhe në pamje.

Kjo “gënjen si derr”, ka edhe një paralele me shprehjen “gënjen si dreqi”, edhe pse cilësorin si dreqi e gjen në gjithfarë kontekstesh nga më të papriturat – që nga “je seksi si dreqi”, te “kurnace si dreqi” dhe “më dhemb si dreqi” dhe “do të pendohesh si dreqi” dhe plot të tjera; por dreqi është një fjalë kaq versatile, sa mund të merret me mend që do t’u ofrohet përdorimeve të tilla, ku kuptimi denotativ ia lë vendin konotacionit (ekspresivitetit); dhe mbase pikërisht mbi këtë mekanizëm mund të shpjegohet edhe zëvendësimi i dreqit me derrin në ca nga shprehjet më lart; si shprehje e përpjekjeve tona për ta algjebrizuar gjuhën.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet çdo lloj riprodhimi pa lejen e një administratori të faqes.

1 Koment

  1. Shprehja “gënjen si derr” ndoshta shenjon rastin kur gënjeshtra është e trashë dhe derri sinjifikon trashësinë . Duke qënë një kafshë kaq e trashë, në kuptimin e bëshme, merr kuptim edhe shprehja tjetër ” derr në thes”.
    Por e habitshme është sesi derri , një kafshë e pistë, që zhgrryhet në llucë, përdoret për të evidentuar një femër të kolme, ndjellëse, me forma të lakuara , në shprehjet e tipit ” derr femre” ose në shprehjen tjetër për cilësimin e seksit të femrës.Në të dy rastet cikësori “derr” nuk ka funksion përkeqsues . Përkundrazi.
    Shqipja dhe përmes saj, psikika e shqiptarit , të befason në rastet kur femrën objekt të dashurisë apo dëshirës e cilëson “qen” ( të dua moj qëne) ose “derr” ( derr femre).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin