Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

ARMIKU I TOLERUAR

Fjalën “disident”, që kisha përdorur në titullin e një shkrimi të mëparshëm, dhe veçanërisht pohimin që “në Shqipëri pas viteve 1950 disidentë politike të mirëfilltë praktikisht nuk kishte më” ma vuri në diskutim një koleg në FB, duke më pyetur se “ a rresht s’kenit disident dikush mbasi arrestohet dhe/ose deklarohet i çmendun? Zheji, Trebeshina, a mund t’u thuhet disidentë si intelektualë të mënjanuem dhe të stigmatizuem?”

Çështje termash, por edhe e mënyrës si e kuptojmë represionin policor të regjimit të Tiranës, në krahasim me çfarë ndodhte, mes të tjerash, në Bashkimin Sovjetik në të njëjtën kohë. Disidentët sovjetikë, të cilët edhe e popullarizuan termin, ishin njerëz që e kundërshtonin ideologjinë sovjetike haptazi. Këtyre u është njohur si meritë kryesore informimi i publikut, në vendin e tyre dhe gjetiu, për shkeljet e ligjit dhe abuzimet me të drejtat e njeriut në Bashkimin Sovjetik. Historianët pranojnë se disidentët u shfaqën si të tillë vetëm pas vdekjes së Stalinit dhe krahas me destalinizimin dhe liberalizimin social të nisur nga Hrushovi.

Një disident, pra, nuk mjafton të jetë kundërshtar i regjimit; duhet që edhe regjimi t’ia tolerojë veprimtarinë deri në atë shkallë, sa ky të mund ta artikulojë kundërshtimin e tij në publik. Pikërisht ky tolerim nuk ndodhte në kohën e Stalinit, kur disidentëve të mundshëm u hiqeshin menjëherë të drejtat qytetare, nëpërmjet arrestimit, burgut, internimit dhe shpesh pushkatimit. Më tej akoma, duhet që publiku në shoqërinë përkatëse ta njohë veprimtarinë e disidentit dhe ta vlerësojë, duke e perceptuar disidentin jo thjesht si kritik të realitetit, por edhe si ofrues dhe promovues të një modeli alternativ.

Shqipëria nuk e realizoi kurrë destalinizimin; madje metodat policore të tij i pasuroi me metoda të tjera të huazuara nga revolucioni kulturor kinez, gjithnjë për të terrorizuar ata që mund të flisnin – intelektualët, shkrimtarët, artistët, profesorët e universiteteve, akademikët. Një disident potencial në Shqipëri nuk mundej as të botonte diçka vetë, as ta shpërndante, as të takohej me gazetarët e huaj, as të intervistohej prej tyre. Prandaj njerëz të persekutuar, si Petro Zheji dhe Kasem Trebeshina[1], mund të kenë qenë kundërshtarë të regjimit, por jo disidentë, në kuptimin e specializuar, historik të fjalës.

Ja një shembull i rastësishëm, për të ilustruar se ç’bënte disidenti në Bashkimin Sovjetik dhe si neutralizohej ai (po e sjell këtë shembull sepse është i shkurtër): Boris Vinokurov, një zyrtar i lartë i Komitetit Shtetëror për Radio-Televizionin Sovjetik (Gostelradio), gjatë një mbledhjeje partie në vitin 1975, kritikoi situatën e keqe ekonomike të vendit dhe censurën në media, duke deklaruar se e vetmja rrugëdalje do të ishte lejimi i një sistemi me dy parti. Ai gjithashtu shpalli dorëheqjen nga Partia Komuniste dhe synimin për të krijuar një parti të re, duke e përfunduar fjalën e vet kështu: “Tek e fundit, dikush duhet ta nisë.” Pesë ditë më vonë Vinokunovin e shtruan në spital dhe në mbledhjen tjetër të organizatës bazë thanë se ai, e shoqja dhe e bija ishin që të tre të sëmurë mendërisht dhe se mjeku i tij prej muajsh kish vënë re një keqësim në shëndetin e tij përgjithshëm.

Ndryshe nga disidentë tepër të njohur, si Sakharovin, funksionarin e lartë Vinokurov e neutralizuan pa shumë bujë, duke e mbyllur në spital. Por të vihet re se ai kish qenë në gjendje ta kritikonte haptazi politikën e regjimit, të largohej me dëshirën e vet nga Partia Komuniste dhe të shprehte nevojën për pluralizëm politik. Këtë gjë në Shqipëri intelektualët nuk e bënë dot as në vitin 1990, gjatë takimit të tyre me Ramiz Alinë, edhe pse ky i fundit praktikisht i luti që ta bënin; dhe nuk e bënë, sepse nuk i zinin besë premtimit se një kërkesë e tillë do të tolerohej nga regjimi. Me fjalë të tjera, disidentët në Shqipëri nuk u shfaqën as atëherë kur regjimi pati nevojë të ngutshme për ta.

Të vërehet edhe se Vinokurovin nuk e arrestuan, siç do të ndodhte në Shqipëri; por e shtruan në spital, çfarë në Shqipëri do të ishte konsideruar masë shumë e çuditshme; sepse në Shqipëri ata që flisnin kundër nuk çoheshin në spital, por në burg, dhe diskursi subversiv dukej sikur provonte se kishte ende armiq të cilët duheshin luftuar me ashpërsinë më të madhe; dhe gjithashtu, diagnoza psikiatrike, shtrimi në spital dhe mjekimi i detyruar nuk shiheshin nga publiku dhe as nga regjimi si masa të përshtatshme ndëshkuese ose neutralizuese ndaj një armiku të klasës. Përkundrazi, në Bashkimin Sovjetik diskursin subversiv e mbanin zyrtarisht si shenjë çrregullimi psikik dhe e përdornin si provë që personi në fjalë duhej mbyllur në një klinikë për t’u trajtuar, për të mirën e tij dhe të së tjerëve.

Raste si ky i Vinokurovit – një disident mes qindra të tjerësh, një histori mes qindra të tjerash – nuk më rezulton që të kenë ndodhur në Shqipëri; nëse dikush ishte apo jo kundërshtar i regjimit, e përcaktonte zakonisht Partia, ose organet e sigurimit, në bazë kriteresh zakonisht strategjike. Në këtë pikë, regjimi totalitar i Hoxhës ndryshonte rrënjësisht nga të gjitha regjimet e tjera në Europën Lindore, sepse nuk e realizoi ndonjëherë shkëputjen nga stalinizmi bruto i viteve të para të Pasluftës. Ky dallim i rëndësishëm duhet mbajtur parasysh, sa herë që flasim për atë kohë; dhe sidomos në rrethanat kur të gjithë ata që e kanë përjetuar regjimin drejtpërdrejt po dalin tani gradualisht nga skena, për arsye moshe.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të faqes.


[1] Çfarë i ka ndodhur Kasem Trebeshinës nuk është ndriçuar akoma mirë – edhe pse është e qartë që trajtimi i tij prej regjimit të Hoxhës ka qenë jo-tipik, madje ekscepsional në momente të caktuara: herë është persekutuar dhe ndëshkuar rëndë, herë është trajtuar butë, në krahasim me të tjerë “fajtorë” për “krime” të ngjashme. Atij thuhet se i janë toleruar sjellje, fjalë dhe veprime që kujtdo tjetër do t’i kushtonin shtrenjtë. Promemoria e tij e shkruar për Enver Hoxhën në vitin 1953 është dokument i jashtëzakonshëm, por nuk janë ofruar prova që ajo të jetë dërguar ndonjëherë dhe as që të jetë protokolluar nga organet përkatëse. Është fakt që Trebeshina ka qenë i shtruar në spitalin e burgut, i diagnostikuar si “paranojak”; por është po aq fakt që ai nuk e pranoi asnjëherë këtë diagnozë, e cila më pas iu hoq edhe nga komisioni mjekësor (që ai nuk e pranoi diagnozën, kjo do të thotë se dikush tjetër ka urdhëruar që të dërgohet në spital, me gjasë për t’ia kursyer dënimin me burg). Të krijohet përshtypja se ai ka pasur po aq miq dhe mbështetës në kupolën e regjimit, sa ç’ka pasur kundërshtarë.

8 Komente

  1. Nuk e dija rastin e ketij te mjerit qe perfundoi, bashke me gruan dhe vajzen, ne spital psikiatrik sepse kerkonte parti PD ne BS. Pyetje legjitime e bere ne kontestin e sotem: a ja vlente kjo gje kur sot kemi akoma disidente qe luftojne kunder tiranise ne Rusi dhe ish-Lindje? Kam edhe nje pyetje tjeter dileme: cili eshte me keq: burgu apo spitali psikiatrik? (i frekuentuar ky i fundit kur je normal nga mendte)

    Ne vazhdim te ketij konfuzioni, desha te them qe perkufizimi i disidences te dhene ne shkrim (e konsideroj te sakte si perkufizim) eshte i njejte me te historianit dhe disidentit sovjetik Roj Medvedev, i cili mbas Stalinit eshte afruar gradualisht me pushtetin, derisa eshte bere nje mbeshtetes 100% i politikes tiranike te Putinit.

    Me tej ne konfuzion: fjala “disident” vjen nga “raskolnik”, alias “besimtar i vjeter” ruse, te cilet ngriten krye kunder nje Cari qe ja mundoi te ndryshoje fene dhe Rusine (nje konstante ne historine e Rusise). Pra disidentet ne kete rast ishin konsevatore, ndersa Cari ishte novator. Eshte nje lemsh para porte ketu qe nuk mirret vesh asgje edhe me perkufizime te sakta. Pra nuk ka pas shum faj KGB-ja qe mbyllte disidentet ne çmendina, sepse nje gje do bente edhe KGB-ja qe te justifikonte rrogen e saj, ndryshe do hante buken kot dhe do te vuante nga vrasja e ndergjegjes.

    1. Shkruan:

      cili eshte me keq: burgu apo spitali psikiatrik? (i frekuentuar ky i fundit kur je normal nga mendte).

      Me sa kam mundur të marr vesh në Shqipëri, shumë të burgosur politikë (dhe ordinerë) kanë preferuar spitalin psikiatrik, ngaqë kushtet në burg ishin të tmerrshme dhe ngaqë një i sëmurë psikik nuk përndiqej familjarisht. Këtë mund ta deduktosh edhe nga numri i atyre që simulonin dhe që ktheheshin mbrapsht prej komisioneve mjekësore. Përkundrazi, kam përshtypjen se numri i atyre që dërgoheshin në psikiatri dhe refuzonin diagnozën, duke kërkuar të trajtoheshin si të shëndetshëm mendërisht, do të ketë qenë fare i pakët. Në këtë mes duhen pasur parasysh edhe ata të arrestuar që vërtet sëmureshin mendërisht në hetuesi dhe që nuk do të kenë qenë pak.

  2. Burgu dhe psikiatria si insitucione shtetrore jane pak a shume te nje njejta ne te njejtin shtet, pra psikiatria ne Shqiperi, Rusi apo Zvicer jane pak a shume e njejte si kushte me burgjet e vendeve perkatese. S’ka arsye te jene ndryshe, ose nuk di arsyen perse jane ndryshe ne Shqiperi. Pastaj nuk e kam fjalen vetem per Shqiperine, me intereson fenomeni ne pergjithsi, pastaj hidhemi tek vendi yne po qe nevoja. Po diskutojme nje rast ne Rusi, e per me teper ne kete rast shof se ka konseguenca edhe mbi familjaret, biles te njejta, gje qe eshte ne kundeshtim me opinionin mburravec shqiptar qe do te mburret edhe me te zezen e vet si i pari ne bote.

    Per me teper nuk nisem nga nje opinion i pergjithshem (opinioni shqiptar qe burgu eshte me keq se psikiatria) qe mund te jete i gabuar. Psh sipas Fuko, ati i antipsikiatrise, tortura e psikiatrise eshte me i keq se i burgut te Inkuzicionit. Sipas tij modeli i pushtetit mizor modern (dmth edhe i komunizmit qe po trajtojme) zanafillon me pushtetin e psikiatrit, etj etj gjera te ketij lloji i gjen ketu (nuk eshte e thene qe jam dakord me te):

    http://us.macmillan.com/psychiatricpower/michelfoucault/9780312203313

    Ky eshte nje autor qe permendet shpesh ne kete blog, bashke nje sere autoresh te ngjashem kontra. Edhe ne temen e fundit e ka permend nje komentues.

  3. Diskutimi, se kush eshte me i mire, burgu (si i pergjegjshem), apo psiqiatria (si i papergjegjshem), eshte diskutim pa vlere, pasi ky i dyti ka patur ne cdo kohe dhe vend 99,99% prioritetin te perzgjidhej. Biles, edhe ai i pandehur i ralle qe kerkonte te shkonte ne burg, do te merrej fillimisht si simulant, e nese dukej i sinqerte, do te perfundonte ne psiqiatri. Por kjo teme nuk ka lidhje me te ashtuquajturen “disidence”, dhe as ka pse merret kundershtimi i Kasen Trebeshines pas viteve 90 per etalon, pasi gezimi i tij atehere per t’vajtur ne Elbasan ishte po aq sa i cdokujt tjeter te pandehur.

    1. pa tjeter eshte diskutim pa vlere kur behet ulur ne kolltuk duke kaluar kohen e lire me kompjuter para.

      1. Gati -thuaj- njelloj per te gjithe sot, si per ta vertetuar edhe nje here shprehjen e vjeter lapidare, se njerezit bejne kohen, aq sa dhe kjo e dyta e ben ata.

  4. Nga një intervistë e ish-të dënuarit politik Beqir Xhepa, dhënë në vitin 2003 dhe e rimarrë këto ditë nga shtypi:

    “E gjitha ajo bëhej për të më nxjerrë mua të papërgjegjshëm”, thotë Beqiri; unë këtë e lexoj kështu: kish njerëz, jo pa influencë, që nuk donin që Beqir Xhepa të dënohej me burg. “Kjo ishte skemë e njohur,” vazhdon ai. Por nuk del qartë nëse kjo skemë zbatohej për të mos atij i dhënë lirinë por për t’ia vazhduar njëfarësoj burgimin me mjekim të detyruar; apo bëhej fjalë për ta mbrojtur atë dhe familjen e tij të zgjeruar nga ndonjë pasojë e mëtejshme. Fjalët e dr. Dangëllisë nuk më duken si kërcënim, përkundrazi. Në fakt, me gjithë diagnozën, ai rezulton se u lirua në 1977, ose pak më shumë se një vit pas arrestimit të dytë në burgun e Ballshit. E njëjta gjë duket se i ka ndodhur me arrestimin e katërt në 1986 dhe sërish shfuqizimin e akuzës nëpërmjet diagnozës psikiatrike, e cila rezulton në më pak se një vit spitalizim të detyruar. A ka qenë vërtet i sëmurë Beqir Xhepa? Nëse jo, a është përdorur diagnostikimi psikiatrik për ta mbrojtur apo për ta persekutuar më tej?

    1. Mundet edhe qe, meqenese burgu nuk e theu ose do ta linin brenda perjete ose do ta nxirrnin si te cmendur.Mundet edhe qe burgu nuk e theu se kishte ndonje derrase mangut, ne fund te fundit per trimerine keshtu mendohet shpesh. Mbase mjekesia nuk eshte ende ne gjendje te shpjegoje pse njerez te ndryshem arrijne ta anashkalojne instiktin e mbijeteses, duke i pasur gjithsesi parametrat psiqike ne rregull.
      Ne lufte perqindja e mbijeteses per ushtarin apo luftetarin eshte e larte, sidomos vitin e pare, kurse ne rastet e ketilla probabiliteti qe t’i shpetosh burgut duke vazhduar rezistencen shume i ulet ose edhe zero absolute.

      Te ketille individe ose do i burgosesh perjete ose do i nxjerresh te çmendur. Nje riburgim per arsye identike tregon qe sistemi eshte i dobet, perderisa nuk arrin ta thyeje armikun e klases, pra riburgimi supozon nje akuze tjeter mundesisht me te rende. Alternativa per raste te rralla duket te kete qene çmenduria.

      Beqir Xhepa deshi te rezistoje, kush eshte mjeku qe vendos se ç’eshte me e mira per Beqir Xhepen, ne rast se Beqiri ka qene realisht i afte menderisht ? Mjeku eshte ne gabim, si ne rast se zbaton urdherin nga lart, duke e nxjerre te çmendur, si ne rast se vendos ”te shpetoje” nje person qe eshte menderisht sakllam nga vendosmeria e tij qe te rezistoje deri ne vdekje.
      Mjeku eshte ne detyren e tij vetem ne rast se Beqir Xhepa eshte vertet i çmendur.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin