Më shumë se një herë, ka ndodhur në Shqipërinë totalitare që një vepër– një poezi, një dramë, një tablo – të jetë sjellë si provë për fajësinë e dikujt, në një gjyq politik; madje janë thirrur edhe ekspertë letrarë për ta interpretuar veprën “profesionalisht” dhe për të gjetur atje shenja a gjurmë të orientimit armiqësor të autorit. Ka ndodhur edhe që autorë – shkrimtarë, piktorë, muzikantë, regjisorë – të jenë deri dënuar pikërisht për veprat që kanë krijuar, në pajtim absurd edhe me kuptimin e hershëm të fjalës autor, si personi që, me përkufizim, që mban përgjegjësi për çfarë ka nxjerrë nga duart.
Ana përtej e perdes së hekurt ofron shembuj në kah të kundërt – ose raste kur vepra artistike e dikujt është paraqitur si provë, në gjyq, se autori përkatës nuk duhet dënuar nga ligji. Ka ndodhur me poetin modernist amerikan Ezra Pound, i cili gjatë Luftës II Botërore u përfshi me zell në makinën propagandistike të Italisë së Mussolini-t, duke folur në qindra emisione të Radio Roma-s dhe duke djegur retorikë kundër SHBA-ve, presidentit Roosevelt dhe Hebrenjve. Për këto emisione, Pound-i ishte dënuar që pa mbaruar lufta, in absentia, për tradhti.
Pound-in e arrestuan amerikanët në 1945 dhe pas disa peripecish e transferuan në SHBA, ku do të ishte gjykuar sërish dhe mund të ish dënuar me vdekje, sikur avokati i tij, Julien Cornell, të mos kish arritur ta bindte jurinë se klienti i tij ishte mendërisht i paaftë, ose i çmendur (insane). Si provë për marrëzinë e Pound-it, Cornell solli pasazhe nga poema e tij e njohur, The Cantos. Dhe jurisë iu desh vetëm katër minuta debat, për të vendosur se poeti ishte, vërtet, i marrë.
E konsideruar gati përbotshëm si një nga veprat më përfaqësuese, në mos kryeveprat e poezisë moderniste, The Cantos ka mbetur e papërfunduar dhe fragmentare; dhe megjithatë bashkëkohësit e Pound-it e mbanin si krijim prej gjeniu. Rishfaqja e tyre, si provë e marrëzisë dhe e papërgjegjshmërisë së autorit të tyre përballë ligjit, fton për ta rimenduar raportin mes poetit dhe shoqërisë në përgjithësi, përfshi edhe lexuesit e tij.
Nëse Pound-i ishte apo jo mendërisht i sëmurë, për këtë gjithnjë ka pasur diskutime; disa mendojnë se diagnoza ishte një përpjekje – tek e fundit e suksesshme – për t’ia shpëtuar jetën dhe reputacionin një poeti të madh të anglishtes moderne. Mirëpo ky i fundit, ose reputacioni i një poeti që synon të jetë zëri i një epoke, u vu menjëherë në dyshim nga kjo diagnozë, sepse një njeri mendërisht i papërgjegjshëm nuk mund të flasë në emër të epokës dhe as të askujt dhe asgjëje tjetër. Apo mundet? A mund të jetë njeriu, njëkohësisht, edhe i papërgjegjshëm edhe i madh? Apo ky është atribut vetëm i Zotave?
Në gjyq, Cornell-i u lexoi me zë pjesë nga The Cantos katër psikiatërve, prej të cilëve njëri deklaroi, me cilësinë e ekspertit, se vargjet e lexuara aty por edhe të tjera, tregonin se “për një numër vitesh kish ndodhur një përkeqësim i proceseve mendore”; flamuri i poezisë moderniste përfundoi kështu i ofruar si provë diagnostike.
Megjithatë, ky qëndrim ndaj një teksti artistik duket se ka qenë në vijë me paradigmën e kohës; kur nën ndikimin e psikanalizës, por si reagim ndaj racizmit dhe anti-semitizmit që çuan mes të tjerash në holokaust, një numër filozofësh, psikologësh, psikiatrish dhe sociologësh po i shihnin këto qëndrime të skajshme dhe shpesh të dhunshme si manifestime çrregullimesh mendore serioze: ishin kohët kur një studim voluminoz i Universitetit të Kalifornisë për Personalitetin Autoritar, nga një ekip i drejtuar prej Theodor Adorno-s, kërkoi të maste paragjykimin dhe prirjet anti-demokratike, por edhe anti-semitizmin dhe etnocentrizmin, me metoda psikometrike. Edhe pikëpamjet influenciale të Erich Fromm-it dhe të Wilhelm Reich-it ndikuan jo pak në patologjizimin e qëndrimeve raciste, fashiste dhe anti-semite anembanë Perëndimit: u promovua kështu ideja utopike se njerëzimi mund të përsosej nëpërmjet terapisë.
Në rastin e Pound-it, i cili për shumë vjet ishte haptazi anti-semit, ishte pikërisht urrejtja e përcjellë vijueshëm prej vargjeve të tij, që u interpretua si shenjë e marrëzisë. Ironikisht, ishte pikërisht fitorja e Aleatëve në Luftën II Botërore, disfata e nazifashizmit dhe realiteti i kampeve të shfarosjes si stacioni i fundit i anti-semitizmit, që ia lehtësuan fatin njeriut Pound, duke e nxjerrë nga qerthulli i përgjegjësisë dhe duke e damkosur si “homo sacer”, ose si dikush që ostracizohet duke u përjashtuar nga veprimi (pushteti) i ligjit.
Izolimi në spital dhe mjekimi i detyruar ishin vetëm pasoja pak a shumë të arsyeshme të bindjes se patologjitë mendore, edhe ato shoqërisht të rrezikshme, madje sidomos ato shoqërisht të rrezikshme, u dashkëshin adresuar nga mjekësia jo nga ligji. I njëjti qëndrim, në thelb, do të nxirrte krye pas vitit 1960 në Bashkimin Sovjetik, kur shteti në dukje hoqi dorë nga përndjekja policore dhe dënimi penal i kundërshtarëve të vet (disidentëve) dhe vendosi t’i shpallë ata të sëmurë mendorë, madje duke krijuar edhe një kategori nozologjike ad hoc, të ashtuquajturën skizofreni të plogët (rusisht вялотеку́щая шизофрени́я, anglisht sluggish schizophrenia, frëngjisht schizophrénie torpide), e cila u karakterizokësh nga një numër simptomash të tilla si keq-përshtatja sociale, konflikti me autoritetin, paranoja, obsesioni me “të vërtetën” dhe bindja për nevojën e reformave.
Edhe në Kinën e viteve 1950-1970, shteti totalitar i dërgonte shumë disidentë për “riedukim” në masë; duke qenë riedukimi thjesht një formë groteske e psikoterapisë.
Si në rastin relativisht të izoluar të Pound-it në SHBA, ashtu edhe në shtrimin me forcë të disidentëve në klinika psikiatrike në Bashkimin Sovjetik ose “riedukimin” e këtyre në orizoret kineze, theksi duhet mbajtur te natyra e detyruar e këtij trajtimi, ku kufijtë midis spitalit psikiatrik dhe burgut vijnë dhe shkrihen; teksa vetë “i dënuari” jo vetëm privohet nga liria, por zhvishet nga të drejtat deri edhe ndaj trupit të tij, sa kohë që i nënshtrohet mjekimit të detyruar. Çfarë kanë të përbashkët Pound-i dhe të paktën disidentët në Bashkimin Sovjetik është nga njëra anë përjashtimi i tyre nga marrëdhëniet sociale a qytetare (ostracizmi) dhe mbyllja e tyre në limbo terapeutike; dhe nga ana tjetër, përdorimi i tyre si dëshmi se shmangiet ideologjike ose rebelimi ndaj paradigmës së pushtetit qenkëshin, në fakt, thjesht efekt patologjish mendore; çfarë do të vërtetonte se kësaj paradigme kaq të arsyeshme të realitetit vetëm të marrët do t’i kundërviheshin dot.
Shënim: Disa të dhëna për shkrimin më lart i kam nxjerrë nga libri i Daniel Swift The Bughouse: The Poetry, Politics and Madness of Ezra Pound; Farrar, Straus and Giroux, 2017; si dhe nga artikulli i Evan Kindley-t “The Insanity Defense”, botuar në The Nation, April 23, 2018 issue.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi i paautorizuar.
Edhe pse subjekti i esesë eshte disi tjeter, ka te ngjare qe edhe Shqiperia ta kete qene prekur nga ky fenomen, qe nuk eshte prekur asnjhere, me sa di une.
U habita ditet e fundit, kur ne nje interviste me nje gazetar nga Kosova, S. Berisha tha edhe kete:
“…Unë kam qënë pedagog në universitet, kam punuar me kolegët e mi, por unë jam bërë president republike dhe nuk e kam ditur se ishin qindra e qindra shqiptarë të ndryrë në spitalet psikiatrike për motive politike. Unë këtë e kam zbuluar, dosjen e kam gjetur vetëm pasi jam bërë president por dersa kam gjetur dosjet, ishin jo të paktë të huajt që më pyesnin nëse kishim patur ndryrje në spitalet psikiatrike dhe unë u thoja se nuk ka patur, sepse nuk e dija. … Duhet të kishe lidhje direkte dhe familjare që të dije se çpo ndodhte në periferi…”
Deri tani kisha njohur te kunderten, pra kerkesen kembengulese te shume njerezve qe te trajtoheshin si te çmendur per t’u shpetuar transferimeve, internimeve, punes se rende etj…
Te ishe normal a te gezoje statusin e nje njeriu normal, per shume vete duket se nuk ka qene shenje e ndonje privilegji a krenarie te dukeshme.
Nëse ne shkrimin e mrekullueshem, te para ca kohe, mbi te njejten teme, autorja Gresa Hasa, ecen duke ndjekur rrymen, urat piketat nderlidhese, duke ndjekur Lindjen Komuniste Europiane, Ardian Vehbiu ec kunder rrymes,duke ndjekur nje rast nga Euro-Amerika Perendimore Antisemite, duke shpetfillur urat piketat nderlidhese. Piknisja Puqet me Piksosjen, çka sjell Plotnin e Plotfuqishme te Pafundme, te mendimit, qe len shteg per zgjerime, moterzime shestime, te llojllota plot larushi, pa shmangur thelbin.⭕️
“Edhe pikëpamjet influenciale të Erich Fromm-it dhe të Wilhelm Reich-it ndikuan jo pak në patologjizimin e qëndrimeve raciste, fashiste dhe anti-semite anembanë Perëndimit: u promovua kështu ideja utopike se njerëzimi mund të përsosej nëpërmjet terapisë.”
jo vetem kaq! keta kane shkuar edhe me tej, Ungjillin e Gjonit e quajne “fascist propaganda”
lexoni ROBERT J. MYLES, Opiate of Christ; or, John’s Gospel and the Spectre of Class’, Postscripts 7:3 (2011)
Ezra është një nga poetët e mi të preferuar.
Unë kam mësuar ta shijoj dhe vlerësoj poezinë e tij përgjatë viteve, por kam mësuar edhe që Ezra të kuptohet e të shijohet si shkrimtar, vepra e tij duhet ndarë nga jeta e autorit. Edhe pse kjo e fundit ka ndikimin përfundimtar. I kam botuar diçka në vitin 2009. “Kanto I” është ndër poemat e mia të parapëlqyera.