nga Ledi Shamku-Shkreli
Ka hyrë pranvera. Kjo stinë përveçse ndihet, edhe shihet. Një nga shenjat më të dukshme të saj është zbardhëllima e lëndinave nga moria e luledeleve që çelin të gjitha menjëherë, sikur t’u ketë dhënë lejë kushedi ç’zot i fshehur pas ndonjë trungu. Anglezët madje kanë edhe një proverb për lidhjen mes luledeleve dhe pranverës: “Pranvera quhet se ka ardhë kur këmba shkel në shtatë luledele njëherazi”.
Shqipja ofron disa sinonime për këtë lule, dhe po i përmendim: Lule Shqerra, Lule Dele, Bukurishte, Lule Kacidhe, Lule Buke, Lule Dhensh. Sikundër vërehet në rreshtin sinonimik, hiq trajtat bukurishte dhe lule buke, të cilat lidhen të dyja me cilësorin estetik “i bukur”[1], thuajse gjithë lemat e tjera duket se i takojnë sferës gjeorgjike: lule shqerra, lule dhensh[2], lule kacidhe (lemë e toskërishtes kjo që lidhet ndoshta me formën “kaci” – pra “kec”), po edhe lule dele. Një paradigmë në dukje thuajse kryekëput gjeorgjike, që e lidh këtë lule kryesisht me edhin (bagëtinë e imët). Gjithsesi lidhur me lule kacidhe mund edhe ta dyshojmë lidhjen e saj me lemën kec, duke iu avitur më fort kacidhes në kuptimin “lekë të shkoqura, monedha të vogla”. Ky dyshim vjen pasi, duke e krahasuar shqipen me gjuhët e arealit, vërejmë se në rumanisht luledeles i thonë edhe Părăluţe apo Bănuţi (shq. paraçka e qindarka), ndërsa bullgarisht, përvecse Margaritka lulja jonë quhet edhe Паричка (shqiptò pariçka) dmth lekë të vogla, monedha.
Gjithsesi për nga pikëpamja distribucionale do thënë se “lule dele” ka përhapjen më të madhe diatopike; emërtesat e tjera si bukurishte, lulekacidhe, luledheshë etj janë periferike ku më shumë e ku më pak. Për këtë motiv po i mbahemi pra formës “lule dele” si më përfaqësuesja në gjeografi dhe përdorim..
Këqyrur kështu, do thënë se shqipja bën përjashtim nga gjuhët e tjera, të cilat shquhen për të tjera kumptimësi, të tjera funksione referenciale të emërtesës së kësaj luleje në hallkat e të cilave nuk para ndeshen keca, dele e shqerra. Po vërtet shqipja e bën këtë përjashtim? Në mungesë të elementeve mirëfilli formale, le t’u drejtohemi elementeve përmbajtësore, pra ta lëmë për një çast mënjanë shenjuesin e të shohim të shenjueshmin në gjuhët e tjera, të vjetra e të reja.
Emërtimi latin i kësaj luleje, që bën pjesë në familjen e Asteraceve, është Bellis perennis. Vijojmë më tej: nga një kërkim paralel me natyrë etnolinguistike në disa gjuhë, marrim në vështrim legjendat kryesore që lidhen me këtë lule dhe emrat që ajo mban, duke ndjekur kësisoj njërin nga kriteret bazë etnolinguistike. Në latinisht sic e thamë quhet Bellis perennis. Legjenda kallxon se kjo lule është metamorfoza e Bellis-it, vajzës së hyut Belen, pas së cilës u marros keq një tjetr Hy, ai i pranverës, ditën kur kjo po vallëzonte me të dashurin në lëndinë. I tërbuar nga xhelozia, ky i fundit iu vërsul djaloshit dhe e bëri copash. E gjora Bellis, mbylli sytë për të mos e parë këtë masakër dhe nga trishtimi u shndërrua në lule. Po c’është vallë hyu Belen, ati i lules sonë? Teogonia dëfton se është një nga hyjnitë më të vjetra të njerëzimit, emri i të cilit, sikundër pohojnë studiuesit, lidhet me rrënjën indoeuropiane *bhel – “e ndritshme, shkëlqare, e bardhë” (rrënjë e cila nuk është e huaj as për shqipen, mjaft të përmendim bejkë/belkë: dele e bardhë ose balo/balosh: qen i bardhë). Me pak fjalë, Belen është vetë hyu Diell, ndaj edhe në lashtësi del shpesh i përqasur me Apollonin. Kësisoj sipas legjendës, lulja Bellis qenka në fakt bijë e Diellit. Vijojmë më tej. Edhe mitologjia nordike e quan këtë lule si bijën e Perëndeshës Ostara, hyjni pagane me origjinë gjermanike, kremtimi i së cilës përkon me ekuinoksin e pranverës dhe lidhet me ringjalljen e natyrës. E jo më kot Ostara lidhet në anglisht me lemën “Easter” – shqip “Pashkë”, e madje edhe lulja jonë merr pjesë në këtë lidhje mes Ostaras pagane dhe Pashkës së ringjalljes, pasi në frengjisht luledele del edhe si Pâquerette, ose në variete krahinore të Zvicrës gjermanofolëse del si Osterblume: lule e Ostaras ose Lule Pashke. Po ashtu në rumanisht del edhe si Floara Paştelui – Lule Pashke.
Lidhjen e kësaj luleje me nocionin e yllit, pra dritës, e gjejmë edhe në greqisht, gjuhë në të cilën del edhe me emrin Αστρουλάκη, përvecse me të mirënjohurin Μαργαρίτα, e madje-madje në greqisht del edhe me një emërtim tjetër që vlerëson si tipar dallues ngjyrën e saj të verdhë limon, pra del si Λιμονόχορτο. Sikundër edhe në serbisht vijon e mban lidhjen me ngjyrën dhe dritën duke u thirur Белка; e në rumanisht poashtu, ku njëra nga emërtesat e saj është Scanteioara – shq. shkëndijëz, xixë.
Me shkëlqimin e yjeve lidhet edhe legjenda tejet e përhapur në Italinë e Veriut, në zonën e ndikimit longobard, sipas së cilës në ag të kohëve yjet nuk ishin në qiell por në tokë. E kur dikush dikur deshi t’i bënte pronë të vet, ato vendosën të iknin të gjitha e të ngjiteshin në qiell, duke lënë në tokë veç një pjesë të tyre, aty në Val di Sesia, të shndërruara në luledele. Dhe vijon legjenda italike: luledelet i mbyllin sytë-petale natën pikërisht për të mos parë shkëlqimin e hyjzave-simotra në qiell ngaqë i mbyt malli i madh për to. Legjenda e luginave të Piemontit ka brenda një të vërtetë të botanikës, pasi njëmend kurora e luledeles mbyllet natën dhe çelet përsëri me të zbardhur dita.
Po këtë referencë semantike na ofron edhe anglishtja, e madje në të gjitha fazat e saj historike të dokumentuara, në të cilat luledele në anglishten e mesme të lartë del si Eye o’ Day, Dayes-eye, në anglishten arkaike del si Day’s Eyecatcher, Daizy, ndërsa në anglishten e sotme si Daisy; gjithë ky zinxhir shenjuesish në shqip don të thotë pak a shumë Syu i Ditës apo Syu i Dritës. Çka na çon sërish te lidhja e kësaj luleje me Diellin (përveç proverbit anglez me shtatë luledelet).
Vijojmë më tej me paradigmën e referentit tonë dhe vëmë re se në të njëjtën lagje të shenjueshmish bujnë edhe gjuhë si fjala vjen galishtja e Uellsit, tek e cila për luledelen gjejmë: Llygar y dydd, që e shqipëruar fjalë për fjalë don të thotë po Syu i Ditës si në anglisht. E po ashtu në Islandisht këtë lule e gjejmë sërish me referencë diellore ngase quhet Solsetur (perëndimi i diellit). Me diellin në rrënjë del kjo lule edhe në lituanisht, gjuhë në të cilën luledeles i thonë Saulutė, që shqipërohet “ulje Dielli, perëndim”; kompozit ky që brendamban lemën lituane Saul – diell.
Nuk gabojmë pra nëse themi që lidhja e kësaj luleje me Diellin del të jetë mjaft e fortë, si të gjitha lidhjet e trashëguara nga lashtësitë pagane, në të cilat lidhja e njeriut me natyrën ishte e njinjishme dhe jo rrallë totemike. Ka gjasa që legjendat pagane të Bellisit, vajzës së hyut Belen (Diell) të kenë pasur jeh të gjatë e të fortë ndër mote, përderisa njërin nga varietetet e luledeles, pikërisht ajo që botanika e cakton me termin shkencor “Aster Amellus”, frengjishtja popullore e quan Oeil du Christ: shq. Syri i Krishtit. Ky term duhet të jetë përftuar në periudhën e përhapjes së Krishtërimit (ungjillëzimi i Europës), kur mistika e Diellit Pagan ndërron vend kokë për kokë me Diellin e Krishterë -Jezu Krishtin. Dhe në fakt Syri i Krishtit përqas në kujtesë anglishten e mesme të lartë Eye o’ Day apo welshin Llygar y Dydd që e përmendëm pak më lart.
Gjithë kjo pansimbolikë diellore rreth luledeles! Gjuhët indoeuropiane, të largëta e të afërta e dëshmojnë lidhjen e lules me diellin e me dritën. Thua veç Shqipja të bëjë përjashtim?! Ky sistem-strukturë që ndërtuam, me bërthamë dhe elemente periferike, vetëm për gjuhën shqipe të mos vlejë?
Vendi gjeografik i shqipes ka qenë në fakt mes këtyre gjuhëve dhe i lidhur me to. Po t’u referohemi studimeve etimologjike në fushë të shqipes, duke vërejtur lemën diell, Jokl, Çabej e të tjerë shënojnë se protoshqipja e “diell” duhet të ketë qenë lema *del. E cila ka ndjekur mandej të njëjtën rrjedhë zhvillimore formale si në rastin e *mel – miell.
Në fakt rrënja “del” edhe aq e huaj për gjuhen shqipe nuk është, mjaft të kujtojmë se pishtarët e zjarrit që malsorët ndezin në tokë për Krishtlindje e Pashkë, në shqip quhen delina. Dhe janë zjarre që sipas malësorëve ndizen në tokë me besimin se kësisoj i jepet fuqi zjarrit të madh në qiell, pra Diellit. Delinat dhe Dielli (*Del-i). E madje dëshirojmë të tërheqim vëmendjen edhe në një prani tjetër të rrënjës del në shqipe, pikërisht të lema Dejkë, e përdorur në Malësinë e Madhe e që shënon dallëndyshen e shtëpive (Apus Apus) ajo që duket e para me ardhjen e Diellit të pranverës dhe reshtjen e dimrit. Me gjasë Dejkë mund të rrjedhë nga Delkë sikundër Bejkë nga Belkë.
Nuk është cudi që mpirja e kujtesës që lidhte Delin e kahmotshëm me Diellin e sotëm si edhe lectio fatilior i Del (ylli diell) me Dele (bagëti) të jetë bërë fillimisht shkas i kësaj “qui pro quo”, nga e cila më pas kanë buruar edhe gjithë format e tjera shqipe me referenca edhash e shqerrash. Kuptohet e gjitha kjo është ndihmuar edhe nga venddodhja e lules, e përhapur në lëndina e kullota. Barinjtë e vërtetë, po t’i pyesësh të thonë se kjo lule ka shije të hidhët dhe delet e krejt bagëtitë e imëta nuk para i qasen, pra semantika e lidhjes se saj me delet çalon.
Gjurmë të tjera të protoformës shqipe *del për shqipe “diell” mbeten ende për t’u kërkuar. Pjesë e këtij gjurmimi don të jetë edhe arsyetimi i këtyre radhëve, i cili në kufijtë e hipotezës, priret të shohë Diellin në kujtesën e mpirë të formës Luledel, sot e thirrur Luledele.
(c) 2018, Ledi Shamku-Shkreli. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autores.
[1] – Ky cilësor i shqipes përkon edhe me disa shenjues sinonimikë të kësaj luleje në rumanisht, si fjala vjen Floare Frumoasă (shq. Lule e Bukur).
[2] – Në Vuthaj Lule Dhesh, me humbje të nazalit siç edhe pritet në atë zonë,
Lule delja e meritonte me ne fund nje shkrim. I cili eshte edhe shkruar me nje gjuhe shume ledhatuese.
Mjaft interesant! Ne vecanti me terhoqi ajo emertesa rumuno-bullgare, qe e lidhte me parat e vogla, sepse per ato paracka dhe qindarka ne humbnim ore te tera ne pik te vapes per ta mbledhur kur ishim ne 8-vjecare.
Ndoshta duhet bërë një kërkim etimologjik dhe semantik krahasues për fjalën”dele” dhe të shofim ç’do na dalë.
Në gjuhët e tjera- siç del nga gjurmimi znj. Shkreli- emërtesat lidhen me përngjasimin ( petalet me qepallat dhe qerpikët-syri ) dhe ngjyrën ( e verdha e bukles në mes me dielli , petalet e bardha , rrezet ).
Po të ndjekim këtë vijë logjike, edhe LuleDele , LuleShqerre duket se niset nga përngjaaimi- ngaqë këto lule dalin në tufa të shpërndara në lëndinat me bar e ngaqë janë të bardha, përngjasojnë me tufat e deleve/ shqerrave/ qengjave.
Por nëse ky përngjasim shpjegon emrimin e tyre, ka një problem , sepse në Jug dhe Labëri posaçërisht, deleve herët u kanë thënë ” cangadhe” ” berra” ” bravare”. Fjala ” dele” duhet të jetë e shqipes së vonët , mbase letrare.
Por lulet kanë qënë aty që nga kohët pellasgjike lol, dhe një emër duhen ta kenë patur.
Kësisoj , “humbjet e kujtesës” dhe kalimi nga luledel/ lulediell në luledele , duket më i besueshëm.
Lulekaçe mendoj se nuk ka aq lidhje me fjalën “kec”. Ndoshta me fjalën ” kaçile” -nisur nga përngjasimi lules si kovë/ kaçile, bën sens.
Dele përgjithësisht e mbajnë si fjalë të fondit indo-europian në shqipe.
Cangadhe e bravare nuk jane fjalë për dele, po për cilësi të tyre. Per shembull: bravare don te thote “e sertë” e madje nuk perdoret as per dele, po per dhi. E per metafore quhet “bravare” edhe ndonje vajze qe nuk ta zgjat fort. Pano Tase sjell nje kenge popullore te ketille, qe mesa mbaj mend fillon: “Ndesha në një dhi bravare…”. Dele është fjalë fondi ie.
Ç’është e vërteta, “diell” bën pjesë te një grup fjalësh ku në lashtësi, * sw- fillestare para një zanoreje të theksuar është shndërruar në d- , si p.sh.
diell < * swel- | dergjem < * sworgh- | dirsë < * swidr-
Te arbëreshët e Greqisë hasim edhe forma të tipit díall < díav.
Nje shpjegim shterrues krahasimtar nga gjuhetarja L.Sh.Shkreli. Paret lidhen me florinin, arin qe asht i verdh ngjyr Dielli. Ekuinoksi Pranveror prap lidhet me adhurimin e Diellit. Sy i Dites, Drites, vetkuptohet qe lidhet me Diellin. Un guxoj te hamendesoj tek kuptimi Lule Dhensh. Bagetit e imta me ane te kesaj luleje paralajmerohen se mund te dalin ne lendina, te kullosin te sigurta nen Diellin e ngrohte. Çka sjell mjeljen e tamlit, i vendosun ne korita xen maz ajke te verdh si ari si Dielli. Edhe kur vjen vjeshta Dielli tuj prarue e verdhullon gjethnajen, ndaj malsoret parapelqejne me i thirr Lugjet e Verdha, si miradije lidhun me adhunimin Diellor. LL<L bashktinglloret dyshe jane shum ma te vona,kur flitet per guhe parake zanafillore si belbzime t’dlira feminore. Dhasht Zoti kam shkruejt sikur duhet eh nuk m’qorton A.Vehbiu çoja Zo’ piken edhe atij ju ka sos durimi tue perseritun eh si kam mu hjek si i paditun. Falmners per Mirdashjen, Tungatjeta .
Kisha shumë kohë pa dëgjuar fjalën kacidhe : është e vërtetë që këtu shpesh gjen ose rigjen perla 🙂 Orel (1998 : 65) e lidh etimologjinë e « diell » me fjalën proto-shqipe për ngjyrën e verdhë, përpara se kjo e fundit të emërtohej me huazimin prej latinishtes, dhe e ka rikrijuar fjalën proto-shqipe si *delwa. Këtë hipotezë, vërtetë premtuese, e mbështet me shembuj nga gjuhë të tjera IE, ndër të cilat ka disa raste kur fjalë për ngjyrën e verdhë janë mjaft të afërta me *delwa. Janë p.sh.: latinishtja helvus, lituanishtja zelvas, sanskritishtja hari, etj; dhe po shtoj letonishten dzeltens. Tek luledelja dominon ngjyra e verdhë (siç u përmend edhe në shkrim për shpjegimin e fjalës përkatëse në greqishte) ndaj lidhja me « diell » ndoshta duhet kërkuar tek hipoteza e origjinës së njëjtë, prej emrit të mëparshëm të ngjyrës së verdhë.
Në Gjirokastër dëgjon edhe epitetin “kacidhjar”, për dikë që është edhe kurnac, edhe i skamur, në kuptimin që gjithnjë numëron të hollat (ose që paguan me monedha).