Në logon zyrtare, Universiteti i Prishtinës quhet edhe “UNIVERSITAS STUDIORUM PRISHTINIENSIS” – çfarë intrigon për shumë arsye: latinishtja e përdorur për të emërtuar një universitet që nuk ka lidhje historike me Mesjetën dhe sidomos me Mesjetën europiane të njësuar përmes latinishtes si lingua franca; dhe që është themeluar, në fakt, në vitin 1970; por edhe vetë fjala PRISHTINIENSIS, e cila ka natyrë hibride, shqipo-latine[1], duke mos qëndruar as këtu as atje dhe, gjithsesi, e papërdorur në kontekste të tjera.
Nuk po gjej dot informacion të drejtpërdrejtë për origjinën e këtij emërtimi; por duke parë disa emra të tjerë universitetesh në Jugosllavi, si UNIVERSITAS STUDIORUM NEOPLANTENSIS (në Novi Sad), UNIVERSITAS STUDIORUM SARAIEVOENSIS (në Sarajevë), UNIVERSITAS STUDIORUM JADERTINA (në Zadar), UNIVERSITAS STUDIORUM ZAGRABIENSIS (në Zagreb) një ide edhe mund të krijohet. Disa prej këtyre institucioneve e kanë latinishten e emërtimit të legjitimuar, meqë i kanë rrënjët mirëfilli në Mesjetë; të tjera do ta kenë adoptuar pro forma, ose më mirë akoma, pro uniforma.
Si model, emërtimi ndeshet gjerësisht në Europë – vetëm nga Italia mund të përmenden UNIVERSITAS STUDIORUM UTINENSIS (Udine), UNIVERSITAS STUDIORUM INSUBRIAE (Insubria), UNIVERSITAS STUDIORUM BAUZANENSIS (Bolzano), UNIVERSITAS STUDIORUM MEDIOLANENSIS (Milano), etj. Ekziston pra një model, ose pattern, i cili e shënjon universitetin si institucion abstrakt pavarësisht nga historia e institucionit specifik. Këtij abstraksioni i përgjigjet gjuhësisht latinishtja, e cila edhe sot mbetet e lidhur me praktikën dhe kulturën universitare, madje edhe kur nuk studiohet më në klasë.
Vetë fjala studiorum, si gjinore shumës me kuptimin “i studimeve”, sot mund të tingëllojë pleonastike – por në origjinë nuk ka qenë e tillë; në fakt, fjala universitas, në Mesjetë, kish në krye një kuptim të ngjashëm me “guildë (esnaf)” ose “korporatë” dhe u referohej gjithfarë shoqatave ose bashkimeve me natyrë profesionale. Që këtej edhe nevoja për t’i dalluar shkollat e larta me mbiemrin përkatës: universitas studiorum. I njohur është edhe fakti që, pas universiteteve të para, modeli u përhap në Europë me shpejtësi, nëpërmjet imitimit. Përndryshe, një nga universitetet më të vjetra, ai i Bolonjës, quhej Alma Mater Studiorum; ai i Padovës, Universitas Studii Paduani; ai i Parisit, Universitas Magistrorum et Scholarium Parisiensis; ai i Salamankës, Universitas Studii Salamanticensis; ai i Pavias, Alma Ticinensis Universitas, etj.
Latinishtja në emrat e universiteteve shënjonte histori, por edhe përkatësi institucionale; sikurse shënjonte një bashkësi që i tejkalonte kufijtë e kombeve dhe të kulturave kombëtare, çfarë lidhej edhe me natyrën trans- dhe supra-nacionale të kulturës europiane në Mesjetë dhe gjatë Rilindjes, statusit të latinishtes si lingua franca e dijes; dhe më në fund, aftësisë së latinishtes vetë për të bartur dhe përcjellë traditë dhe vjetërsi. Më anë tjetër, ato universitete që janë themeluar relativisht vonë, si p.sh. Universiteti i Milanos, e ndoqën traditën e emërtimit latin (Universitas Studiorum Mediolanensis) jo vetëm ngaqë ky jepte prestigj, por edhe ngaqë një nga funksionet themelore të universitetit është të ruajë, të mbrojë dhe të riprodhojë traditën në fushën e dijes.
Nga kjo pikëpamje, emërtimi latin i Universitetit të Prishtinës duket i përligjur; edhe pse në kontekstin e ish-Jugosllavisë latinishtja kushedi do të funksiononte jo vetëm si lingua franca e dijes, por edhe si zhargon kompromisi mes kulturave dhe popujve të ndryshëm të Federatës. Në fakt, vështirë të përfytyrosh se profesorati në Zagreb, në Novi Sad, në Sarajevë dhe në Prishtinë komunikonin mes tyre në latinishte; aq më tepër që në Ballkan latinishtja mbetej – dhe mbetet sot e kësaj dite – e lidhur jo vetëm me Europën, dijen si traditë e shtresëzuar, Mesjetën dhe komunitetin e dijetarëve; por edhe me Kishën Katolike, çfarë mund të ketë qenë dhe mbetet, në kontekste të caktuara, problematike.
Përndryshe, latinishtja aq “pretencioze” në logon e Universitetit të Prishtinës gjithnjë rrezikon të perceptohet si përpjekje për të shpallur publikisht një birësi të rreme; ose për trumbetimin kitsch të një falsiteti – sa kohë që ky institucion, bashkë me shumë simotra në ish-Jugosllavi dhe atë të Tiranës, janë produkte të bashkëkohësisë dhe traditës mund t’i referohen veç nëpërmjet imitimit. Në kuptimin që universitete si ai i Prishtinës ose i Tiranës nuk kanë gjë historikisht të përbashkët me institucionet e folura latinisht të Europës mesjetare; dhe ajo pak gjë që mund të kenë sot të përbashkët, vjen thjesht si rezultat i kopjimit, teatrit dhe konvergjencës. Çfarë do të thotë edhe thjesht që orvatjet a posteriori për krijimin e një tradite nëpërmjet emërtimit latinisht ose shkrimit të vitit të themelimit të Universitetit me shifra romake (si MCMLXX) nuk mund të jenë veçse kitsch, për aq sa rreken të monumentalizojnë në sipërfaqe.
Dukuria nuk është as thjesht shqiptare, as thjesht ballkanike; por nxjerr krye kudo ku institucione të reja kërkojnë të konkurrojnë – sado dëshpërimisht – me simotra më prestigjioze. Natyrisht, që një universitet është i vjetër, disa-shekullor, kjo nuk garanton asgjë për cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor të atjeshëm; por të paktën ndihmon reputacionin. Prandaj, nga dy arsyet e latinishtes në emërtimet universitare, anembanë botës, ajo e nevojës për vjetrim asnjëherë nuk duhet shpërfillur[2]; madje edhe atëherë kur të gjithë e dinë se bëhet fjalë për një pozë, një konvencion, një imitim formal – po aq formal sa edhe shpatat që mbajnë ngjeshur në brez rojet e nderit të një Presidenti të Republikës.
E megjithatë, logo të tilla – për shkak të latinishtes, që thekson referimin e patundur ndaj një tradite europiane perëndimore – gjithnjë sjellin me vete rrezikun për t’u dukur qesharake, nëse pretendimi formal nuk pajtohet më me cilësinë aktuale të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor dhe, në përgjithësi, me rolin që pritet të luajë universiteti, brenda kulturës së një shteti europian modern. Në një farë mënyre, latinishtja në logo shërben edhe si thirrje ndaj pedagogëve, dhe studentëve për shkëlqim, identifikim me frymën universale të dijes dhe gjakim mirëfilli intelektual; prandaj ajo UNIVERSITAS STUDIORUM PRISHTINIENSIS lyp autentifikim të përditshëm, sikurse kërkon edhe ballafaqim sistematik me ekscelencën në nivel kontinental. Përndryshe, nëse fillon të shihet kryesisht si ornament a manierizëm profesional, si affectation, si bizhuteri prej qelqi, si emërtim ritual i zbrazur nga domethënia, në mos edhe vetë nga kuptimi, atëherë efekti do të ishte artificial dhe kundërprodhues në po atë masë sa ç’pretendon emërtimi vetë autenticitet.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa leje në mediat.
[1] Prapashtesa –(i)ensis e latinishtes krijon mbiemra relativë nga tema që shënjojnë vende: carthaginiensis “nga Kartagjena”; versioni modern i kësaj prapashtese, që ka përfunduar edhe në shqip, është -ez: skocez, vjenez, maltez, pakistanez. Në emërtimin e universitetit të Prishtinës, prishtiniensis do të thotë “i Prishtinës, që lidhet me Prishtinën”. Prapashtesa është treguar shumë produktive në latinishten “moderne”, të njohur edhe si neo-latinishte, sidomos në emërtime latine që përndryshe në Mesjetë nuk do të kishin ekzistuar – p.sh. brasiliensis, bogotensis fundja edhe vetë prishtiniensis. Një hibridizim të tillë e lejojnë, si me thënë, rregullat fjalëformuese të neo-latinishtes, pa çka se me kufizime stilistike të mëdha, meqë fjalë të tilla ndeshen vetëm brenda regjistrit solemn ose tejet formal, protokollar, institucional; dhe sidomos, meqë fjalë të tilla përdoren të ndërfutura në gjuhë të ndryshme nga latinishtja (vështirë që universitas studiorium prishtiniensis të jetë përdorur ndonjëherë në ndonjë tekst latinisht; çfarë provon që latinishtja e këtyre emërtimeve nuk është gjuhë me status të plotë, por më tepër shërben si rezervuar për nomenklatura dhe emërtime të tjera formale; për shembull, spongites albanensis është emri shkencor i një lloji alge koraline fosile, me gjasë të zbuluar në Korçë në vitin 2012).
[2] Këtu bëhet gjithnjë fjalë për vjetrimin si konotacion që bart me vete latinishtja; meqë logoja e universitetit nuk synon të gënjejë njeri, siç mund të gënjejë një markë e shtuar mbi një produkt jo-autentik, ose vjetrimi artificial i një ikone religjioze ortodokse të prodhuar rishtas për tregun e zi. Ky është vjetrim me referencë, ose që e përcjell identifikimin me traditën tërthorazi, nëpërmjet respektit dhe imitimit, me shpresën edhe për të fituar prestigj ekstra.
Shikoj në një botim që kam të Jokl-it për etimologjinë dhe fjalëformimin shqip (përkth. i E. Çabej) të Akademisë së Kosovës, përdoret edhe këtu latinishtja, Academia Scientiarum et Artium Kosoviensis
Ke edhe moto te disa universiteteve private ne Shqiperi,si UET (maiora premunt) apo UFO (albanian, Universitas Fabreacta Optime, per te hequr Unidentified Flying Object).
Por ky model marketingu eshte ndjekur edhe ne USA ne vitet 1800 kur u themeluan nje sere universitetesh (edhe me arkitekture neo-klasike), por ne to studioheshin gjithsesi Trivium latin (grammar, logic, rhetoric) qe sot perben bazen e edukimit humanist-liberal te kolegjeve amerikane.
Ne Shqiperi lende te edukimit klasik nuk ka si propaedeuktikum. Por ka shkrim akademik dhe gjuhe angleze. Kjo latinishtja duket me vertete kitsch.