Modalitetin foljor të detyrimit shqipja e shpreh zakonisht me foljen modale duhet, të ndjekur ose nga lidhorja e zgjedhuar (duhet të bëjmë diçka) dhe në gegërishte paskajorja (duhet me ba diçka), ose nga një pjesore (duhet bërë diçka). Për nga forma, duhet është formë e vetës së tretë e foljes duhem, e cila, nga ana e vet, nuk është veçse trajta pësore/vetvetore e foljes dua. Forma e vetës së tretë njëjës e dua, do, del ndonjëherë si folje modale të detyrimit në ndërtime si do menduar mirë kjo punë; sikurse përdoret edhe, e shndërruar tashmë në pjesëz dhe e ndjekur sërish nga lidhorja, për të formuar atë çfarë quhet e ardhme volitive e foljes shqip: do të nisem nesër.
Si folje modale e detyrimit, duhet ka format e veta të zgjedhimit[1], edhe pse jo të plota: duhej në të pakryerën, u desh në të kryerën e thjeshtë, do të duhet në të ardhmen, u dashka në habitoren e kështu me radhë (nuk gjej dot forma për urdhëroren dhe për dëshiroren, por kjo mungesë e ka një arsye të vetën). Në çdo rast, të gjitha këto forma janë pazgjidhshmërisht të lidhura me vetën e tretë njëjës dhe vetë folja si kallëzues, në ndërtimet përkatëse, ka për kryefjalë fjalën ose fjalinë që e ndjek: duhet bukë për darkë ose duhet të blejmë pak bukë (pjesët e nënvizuara janë kryefjalë). Jo rrallë, subjekti logjik i thënies përfaqësohet nga një trajtë e shkurtër dhanore: më duhet të ngrihem herët nesër është e barasvlershme me (unë) duhet të ngrihem herët nesër; teknikisht, ndërtimi i dytë është gramatikisht i qortueshëm (anakolutë), sepse përemri vetor unë nuk i përgjigjet foljes duhet, por foljes të ngrihem.
Në të gjitha këto përdorime modale, duhet i ka humbur lidhjet kuptimore të tejdukshme me dua – meqë në shqipen e sotme kjo folje shënjon një detyrim çfarëdo, për t’u plotësuar ose respektuar. Në thënien më duhet të ngrihem herët nesër, jam unë ai që do të ngrihet herët, por se kush ose çfarë e urdhëron/kërkon këtë a e paraqet si të nevojshme a të detyrueshme nuk është e qartë, sa kohë që folja duhet nuk i referohet ndonjë agjencie eksplicite.[2] Po të pranojmë, me marrëveshje, lidhjen midis duhet dhe foljes veprore dua, mund të vërejmë se nuk është e qartë se kush do që unë të ngrihem herët nesër. Folësi e percepton detyrimin, nevojën, shtrëngimin ose obligimin, por jo agjentin imponues.
Këtu mund të formulojmë – me rezervë – një hipotezë pune se folja duhet në shqipe na bën t’i perceptojmë detyrimet, e të gjitha llojeve, si dëshira a vullnet të tjetërkujt, të cilat nëpërmjet gramatikës i bëjmë tonat, duke ua mënjanuar agjencinë dëshiruese, ose subjektin e vullnetit. Në këtë kuptim, babai thotë unë dua që ti të kthehesh herët në shtëpi, ndërsa i biri këtë e interiorizon si duhet të kthehem herët në shtëpi, duke ia hequr foljes modale subjektin logjik dhe duke e maskuar këtë mungesë me një fjali kryefjalore (të kthehem herët…). Kësisoj, mishërimi i një vullneti të jashtëm të realizuar (të kthehem herët siç do babai) përfundon i kthyer përmbys, ose si imperativ impersonal.
Mjeku që i thotë të sëmurit se “duhet ta lësh duhanin”, në fakt po i thotë diçka më tepër se “unë dua që ti ta lësh duhanin” dhe diçka më pak se “vullneti kozmik kërkon që ti ta lësh duhanin.” Ideja këtu është se mjeku, me titullin e ekspertit, po flet si zëdhënës i zanatit të vet ose mjekësisë, e cila është dije që ia lejon vetes të formulojë rekomandime detyruese: në gojën e mjekut, ajo duhet do të thotë jo thjesht “unë të këshilloj”, por më tepër “unë si ekspert, duke qenë i bindur se çfarë mund të ndodhë me shëndetin tënd sikur ti të vazhdosh të pish duhan, të rekomandoj që ta lësh duhanin.” Këtë bindje mjeku e ka krijuar falë ekspertizës që ka akumuluar, informacionit që ka marrë në shkollë dhe nga leximet, përvojës klinike të vet dhe të kolegëve, etj.; pra falë një eksperience e cila e autorizon jo vetëm të këshillojë “lëre duhanin”, por edhe ta shoqërojë këtë këshillë me “duhet”. Çfarë do të thotë edhe se, duke vepruar si ekspert ose në bazë të një dije të mbledhur falë eksperiencës së brezave dhe metodës së “provës dhe gabimit”, mjeku nuk flet në emër të vet si individ, por në emër të dijes; duke marrë autoritetin prej saj dhe duke ia lënë përgjegjësinë asaj. Nga pikëpamja thjesht gramatikore, ky transferim i heshtur i përgjegjësisë mundësohet nga forma pavetore e foljes modale duhet, e cila imperativin e parashtron si të imponuar nga një autoritet i përtejmë dhe, në kufijtë e bisedës, i pakontestueshëm; ndryshe nga ç’ndodh, bie fjala, me italishten devi smettere di fumare, kjo folja modale devi gjithnjë i referohet vullnetit personal të pacientit (i cili, kur kthehet në shtëpi, i thotë së shoqes: (mi ha detto che) devo smettere di fumare; sikurse mjeku mund t’i thotë së shoqes të pacientit: (gli ho detto che) deve smettere di fumare; të gjitha këto forma, devo, devi, deve janë edhe instanca të përgjegjësisë që ndërron duar; pacienti italian që thotë devo smettere di fumare, me foljen modale në vetën e parë njëjës, e ka bërë detyrimin të vetin, duke e interiorizuar, në kuptimin që e ka shkrirë dëshirën e Tjetrit me dëshirën e vet; ndërsa pacienti shqiptar që thotë duhet ta lë duhanin ende e mban përgjegjësinë për vendimin të ndarë nga vendimi vetë ose akti përkatës (lënia e duhanit).
Nëse ky impersonalizim i detyrimit, është i tillë që arrin ta bëjë dëshirën e tjetrit, ose qoftë edhe urdhrin, të duket si fatalitet a domosdoshmëri e imponuar nga jashtë subjektit, duke u çelur një shteg politikave totalitare të maskuara si objektivitet “shkencor”, ose edhe projektimit të përgjegjësisë morale te një agjenci e jashtme, ose gjithsesi jashtë subjektit, kjo mbetet për t’u provuar – por edhe nuk mund të përjashtohet krejt.
—
Një krahasim me gjuhë të tjera kulturorisht dhe historikisht të afërta me shqipen do të ndihmojë për ta ndriçuar më tej raportin midis modalitetit të detyrimit dhe subjektit ose agjencisë imponuese.
Nga gjuhët romane perëndimore, edhe frëngjishtja (il faut) edhe spanjishtja (hay que) ia japin folësit mundësinë për ta shprehur detyrimin si të imponuar nga jashtë; por ngjashmërinë më të madhe me shqipen duhet e ka italishtja si deve – e cila përveç vetës së tretë impersonale, vjen edhe në trajtën e pësores së tashme.[3] Megjithatë, të tre këto gjuhë përdorin gjerësisht edhe folje modale në vetën e parë për të përcjellë praktikisht të njëjtin modalitet: je dois (frëngjisht), debo (spanjisht), devo/debbo (italisht). Mu për këtë arsye, ose për shkak të kundërvënies si deve/devo (në italisht) ose hay que/debo në spanjishte, format njëvetore të modalitetit të detyrimit në këto gjuhë nuk janë të barasvlershme me duhet të shqipes; dhe këtu shqipja shquhet edhe ngaqë detyrimin – etik, pragmatik, rrethanor – e jep rregullisht si të imponuar nga jashtë subjektit. Në fakt, izolimi i agjencisë së detyrimit të forma njëvetore duket të jetë karakteristikë e gjuhëve ballkanike: në rumanishte trebuie[4] e ndjekur nga lidhorja; në greqishten moderne πρέπει (sërish e ndjekur nga lidhorja); në bullgarishte tрябва. Çfarë e dallon shqipen duhet nga këto forma është forma joveprore. Në të vërtetë, ndërtimet me shqipen duhet, duke qenë pjesë e një paradigme më të gjerë ndërtimesh të tipit: thuhet se…, dihet se…, nuk flihet me gjithë këtë vapë, e vështirë të merret me mend se, fruti i kësaj peme nuk hahet, si shkohet në Zall-Herr? etj. janë ngushtësisht të ngjashme me format vetvetore të italishtes: si dice, si sa, non si dorme, non si mangia etj.
—
Për ta përkthyer shqipen thuhet se… në gjermanishte, ndërtimi i parë që vjen në mendje është man sagt. Kjo man, e gjemanishtes, nuk duhet ngatërruar me emrin Mann (burrë) dhe as me anglishten man; është në fakt një përemër i pakufishëm, siç mund të shihet nga shembuj tipikë të tipit: ëas kann man in London machen? (çfarë mund të bëhet/mund të bësh në Londër?), Ëie sagt man Pferd auf Englisch (si thuhet “Pferd” në anglishte?), man sagt (thuhet se…), man glaubt, dass… (besohet se), man spricht gut von ihr (njerëzit flasin mirë për të…), etj. Këto ndërtime mund të jepen, në shqipe, ose me ndërtime pësore-vetvetore në vetën e tretë njëjës, ose me ndërtime në vetën e tretë shumës (thonë se…, si i thonë zjarrit në gjermanisht?) , ose me ndërtime edhe më idiomatike, të cilat do t’i shtjellojmë në vijim. Strukturalisht të ngjashme, në mos identike me këto të gjermanishtes, janë ndërtimet e frëngjishtes me on: En France, on parle français (në Francë flitet frëngjisht), on peut tout trouver dans cetter ville (gjen gjithçka në këtë qytet), on peut voir la cathédrale à droite (katedralen mund ta shihni në të djathtë), en France, on aime bien manger (njerëzve në Francë u pëlqen të hanë), on frappe à la porte (po i bien derës); on m’a posé beaucoup de questions (më bënë shumë pyetje). Sikurse gjermanishtja man që është etimologjikisht e lidhur me emrin Mann (njeri, burrë), ashtu edhe frëngjishtja on është një formë e thjeshtuar e homme (njeri, burrë). Edhe shqipja njeri përdoret si përemër i pakufishëm: nuk ka njeri në dhomë, ose në ndërtime idiomatike të tipit: nuk di njeriu kë të pyesë[5].
Të paktën një filozof modern, Heidegger-i, u intrigua kaq shumë nga përemri man në gjermanishte sa të mbështetej te ky përemër për të shtjelluar një nga tezat e rëndësishme të tij për dasein-in, në veprën Qenia dhe koha. Dasein-i, shkruan ai, ka prirje të bjerë në kontrollin e diçkaje të quajtur “das Man” (të përkthyer në anglishte si the they) – një entitet pavetor që nuk na lejon të mendojmë dhe as të jetojmë në mënyrë autentike. Rreziku i këtij uzurpimi, shpjegon Heidegger-i, vjen nga vetë natyra nebuloze e entitetit, das Man, i cili përfaqëson një abstraksion, një emër për një forcë a influencë që, sipas tij, është bërë pjesë imja deri në atë shkallë sa të marrë, në emrin tim, të gjitha vendimet që duhej t’i kisha marrë unë. Zëri që na udhëzon si të veprojmë dhe si të orientohemi në botë përshtatet në mënyrë të tillë që të na dëgjohet si yni autentik. Lexuesit familjar me freudismin këtu nuk do t’i ketë shpëtuar një ngjashmëri – jo e rastit – e kësaj “das Man” me super-egon; lexuesit familjar me marksizmin, një ngjashmëri tjetër – sërish jo e rastit – me jetërsimin (alienation).
Das Man i Heidegger-it përfaqëson autoritetin e Tjetrit, të masës, të sensit komun, që për të na u imponuar maskohet si autentik yni dhe na pengon pastaj të mendojmë për vete, duke na i dhënë të gatshme zgjidhjet ekzistenciale dhe etike, ose duke na detyruar të sillemi ashtu siç duhet. Ajo çfarë bëj unë si pjesë e një komuniteti a një shoqërie a një kulture a një bashkëkohësie të caktuar, përcaktohet kështu, në masë të madhe, nga çfarë bën “das Man”. Për Heidegger-in, në fakt, duket sikur shumë prej nesh çojnë një ekzistencë që nuk është autentike, por e konformuar sipas precepteve të entitetit anonim das Man. Dhe në masë të madhe, këto precepte i transmetohen individit nëpërmjet një autoriteti të mishëruar në gjuhë, sepse këtë autoritet – ndryshe nga autoriteti politik ose tradicional (patriarkal, fetar etj.) – ne e pranojmë si tonin në atë masë që socializohemi nëpërmjet gjuhës së mësuar prej të tjerëve: në kuptimin që e kemi relativisht më të lehtë të rebelohemi ndaj pushtetit, prindit, komunitetit, deri edhe Zotit, sesa ndaj gjuhës.
Një koncept të ngjashëm e gjen te filozofi ekzistencialist frëng Gabriel Marcel, i cili ka shkruar për prirjen njerëzore për t’iu nënshtruar zakonit, ideve të gatshme dhe familjaritetit, duke e krahasuar këtë që na ndodh me një lloj guaske a korrace që të gjithë ne sekretojmë rreth vetes dhe që, me kalimin e kohës, nguroset dhe na burgos përbrenda. Do të shtoja se lënda e kësaj koreje mbrojtëse është gjuhësore, sepse vetëm gjuha na lejon që ta bëjmë menjëherë tonën diçka që na vjen për së jashtmi, duke u përftuar dhe vepruar si ndërfaqe (interface) midis unit dhe botës, ose si kusht social i eksperiencës.
—
Das Man-i heideggerian shfaqet në shqipe në mënyra të ndryshme: që nga veta e tretë shumës e “thonë se do të rritet çmimi i naftës”, e cila i përgjigjet një subjekti ata përndryshe të papërcaktuar[6]; te veta e parë shumës “A mund ta dënojmë dikë pse nuk e ngriti zërin kur duhej ta ngrinte?”; dhe më tej, te veta e tretë njëjës e pësores: “Si shkohet te tregu fshatar?” Ngaqë shqipja nuk e ka detyrim që ta eksplicitojë përemrin vetor së bashku me foljen, atëherë agjencia pavetore shprehet rëndom, në shqipe, thjesht nëpërmjet vetës së foljes.
Më me interes, për temën e këtushme, janë format idiomatike të das Man-it heideggerian, të cilat përftohen duke përshtatur, në atë rol, emra dhe përemra nga leksiku i zakonshëm i gjuhës. Në thënien “S’di njeriu si të veprojë”, kryefjala njeriu luan rolin e një përemri të tillë; dhe në fakt, ndërtimi do të përkthehej në gjermanisht “Man ëeiß nicht, ëas zu tun ist” dhe në frëngjisht si “On ne sait pas quoi faire”; të shihet këtu edhe paralelizmi i plotë midis “njeriu” të shqipes dhe “man” të gjermanishtes, përkatësisht “on” të frëngjishtes. Por shqipja njeriu ende nuk është leksikalizuar si përemër; çka e tregojnë edhe ndërtime si “S’di i ziu njeri si të veprojë”, ku ajo ende e pranon një përcaktor mbiemër. Ndërtimeve me njeriu u përgjigjen, në ligjërimin bisedor, ato me robi: “S’di robi ça me bo” – edhe pse robi, në këtë regjistër, e ka marrë tashmë kuptimin më të përgjithshëm “njeriu” edhe jashtë ndërtimeve të tilla (khs. “si i ke robt e shpis”). Po të ligjërimit bisedor janë edhe ndërtimet me vëllai dhe motra: “Vjen vëllai ta parkon makinën mu para derës. S’pyet fare motra se ku ecën! Hajt si qenka ngrefë sot motra…
Edhe më idiomatike janë ndërtimet me përemrin tjetri: “Të hyn tjetri në shtëpi pa trokitur fare”, të cilat pranojnë edhe gjininë femërore: “Bën tjetra sikur nuk të ka parë”, por jo shumësin. Disa shembuj:
Vjen tjetri të zë derën që në pikë të mëngjesit!
Nuk i shkohet tjetrit duarbosh në shtëpi.
Tjetri e bën për njerëzillëk, jo se të ka ndonjë borxh.
Shkoi iu fut tjetrit në krevat për një palë vathë.
Po nuk i dhe para në dorë, bën tjetri sikur s’të njeh.
S’të pyet tjetri ke apo s’ke oreks t’ia dëgjosh hallin…
Vajti tjetri për dhjamë qeni.
S’i thua dot tjetrit çohu ti të ulem unë.
Na sqaro ç’t’u themi kur të marrin në telefon, se nuk di tjetri si të përgjigjet.
Rri, mos e bezdis tjetrin kot.
Lëre tjetrin të flerë, se ka punuar sot gjithë ditën i ka dalë shpirti.
Tjetri s’do t’ia dijë shumë për hallet e tua.
Do t’ia dijë tjetri për hallet e tua!
Këtu efekti i pavetorësisë arrihet nëpërmjet tjetërsimit; tjetri është përgjithësisht i huaji, që nuk specifikohet dot për shkak të mungesës së informacionit, çka e bën të përshtatshëm si përfaqësues të përgjithshëm të kategorisë (njerëzve). Kësisoj, përemri tjetri nuk është gramatikalizuar krejt si pavetor; meqë ende e ruan kuptimin e tjetërsisë, tashmë kryesisht të shprehur nëpërmjet konceptit të hapësirës individuale, private dhe familjare dhe raporteve të një pale të tretë me këtë hapësirë.
Edhe prania e nyjës shquese te tjetr-i do shpjeguar këtu në të njëjtën mënyrë – si shprehje e funksionit përgjithësues (khs.: Lopa është kafshë shtëpiake).
Nga pikëpamja e dinamikës së kontekstit, tjetri e ka ruajtur, megjithatë, kuptimin e një elementi të huaj, të tretë, ndonjëherë deri edhe ndërhyrës e intruziv, që shfaqet gjithsesi në hapësirën e bisedës duke u zhvendosur nga jashtë brenda. Tensioni i thënies përftohet nëpërmjet lojës midis familiaritetit dhe tjetërsisë: bën tjetri sikur s’të njeh. Te lëre tjetrin të flerë tjetërsia ka të bëjë me faktin që personi që po fle, i cili mund të jetë babai ose vëllai, është përkohësisht “i huaj” për kontekstin e bisedës.
—
Filozofit ekzistencialist dhe shkrimtarit frëng Jean-Paul Sartre i mbahet mend gjerësisht, mes të tjerash, edhe një batutë nga drama e tij Huis clos (“Me dyer të mbyllura”): L’enfer, c’est les autres” – Ferri është tjetri (literalisht: Ferri janë të tjerët). I pyetur më vonë për kuptimin e kësaj shprehjeje, ai pat vërejtur se “Tjetri” në këtë kontekst është ajo çka na shërben për të përkufizuar veten, sikurse ndodh edhe në dramë, ku secili nga tre personazhet është në gjendje ta mendojë veten veç nëpërmjet pasqyrimit që sheh tek dy të tjerët. Ky “Tjetër”, i cili ndërmjetëson njohjen që kemi për veten është praktikisht i njëjtë me “das Man” ose “the They” të Heidegger-it; tek e fundit, jemi gjithnjë në ujërat e ekzistencializmit. Çfarë tërheq vëmendjen, është se ndryshe nga gjuhë si gjermanishtja, frëngjishtja, anglishtja dhe të tjera në të cilat është artikuluar idioma filozofike moderne, shqipja përdor pikërisht përemrin tjetri për ta shënjuar këtë agjenci pavetore.
Siç e cekëm më lart në këtë sprovë, Heidegger-i mendonte se dasein-i prirej – ose rrezikohej – të përfundonte e kontrolluar nga “das Man”, ky entitet pavetor që na pengon të mendojmë dhe të jetojmë mirëfilli, ose në mënyrë autentike, duke u bërë pjesë e imja deri në atë shkallë sa të marrë vendime në emrin tim dhe të na udhëzojë si të veprojmë e të orientohemi në botë. Duke e zëvenduar dua-n time me dua-n e vet pavetore (që nuk është tjetër veçse folja duhet), ky entitet na imponon vullnetin e vet, ose ato që dëshiron, duke na i paraqitur si imperativë (etikë, por jo vetëm).
Nga kjo anë, shqipja duket sikur i përcjell më qartë se shumë gjuhë të tjera dy nga kategoritë themelore të ekzistencializmit: Tjetrin, të cilin e ka leksikalizuar në ndërtime që i përgjigjen atyre me “das Man” të gjermanishtes ose “on” të frëngjishtes; dhe foljen modale duhet, e cila vullnetin e Tjetrit e riderdh në trajtën e një imperativi pavetor, për ta maskuar, ose për t’i dhënë pamjen e vullnetit “kozmik”.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ky shkrim nuk ka gjasa që të vidhet.
[1] Që nuk duhen ngatërruar me format e rregullta të foljes duhem si pësore/vetvetore e dua, e cila zgjedhohet duhem, duhesh, duhet, duhemi, duheni, duhen, etj. në të tashmen; duhesha, duheshe, duhej… etj. në të pakryerën e kështu me radhë.
[2] Përndryshe, nga pikëpamja formale, kryefjalë e foljes duhet është fjalia që e ndjek (si fjali e varur kryefjalore); njëlloj si emri që (zakonisht) e ndjek në ndërtime të tipit (na) duhet bukë për darkë.
[3] Këtu po lëmë jashtë, për të mos e ndërlikuar shumë argumentin, forma të vetës së tretë të tipit serve (pazienza), urge sangue tipo RH negativo, occorre (salire le scale), bisogna riflettere. Edhe më i ngjashëm kuptimisht me duhet + emër të shqipes do të ishte ndërtimi ci vuole (si në ci vuole pazienza, ose ci vuole un fisico bestiale), por kjo analizë do të duhet bërë gjetiu; këtu po mjaftohem të vërej se ci vuole nuk ndiqet nga folje (dhe fjali të varura kryefjalore).
[4] Edhe pse trebuie, në rumanishte, është huazim nga sllavishtja, ndërtimi folje modale + lidhore i përket bashkësisë gjuhësore ballkanike dhe nuk duhet të ketë lidhje burimore me sllavishten.
[5] Shih më poshtë për shembuj të tjerë të këtyre përdorimeve.
[6] Për t’u pasur parasysh se mos-përcaktimi, në këtë rast, nuk është thjesht tregues i dijes së pamjaftueshme të folësit, por më tepër kusht për ta përcjellë të saktë konceptin e agjencisë së jashtme anonime.
I mrekullueshem shkrimi! Dhe akoma deri ne fund: “Ky shkrim nuk ka gjasa te vidhet!” S’i hyn ne pune njeriu! S’e do kush! Nuk i duhet as dreqit! Robit s’i interesojne persiatjet metafizike! S’qit pare! Robi do pare, jo shkrime si ky! S’e rrun kush per kete! 🙂
Po Eda, e qartë. Nuk vjen tjetri të vjedh këtë shkrim. Tjetri madje nuk e kupton fare këtë shkrim! 🙂
Para dy-tri dite pashë një pllakat ku shkruhej “me dasht'” tri herë, e përfundi “to want, to love, to like”. Pastaj e lexoj këtë shkrim e mendoj se nga e trashëguam këtë gjuhë, sepse s’më del që e kemi kultivuar.
Tjetri të ishte përpjekur të paktën: lakmoj. dashuroj. adhuroj. :d
😀
Tjetri, me dasht’ (to will), edhe përpiqet.
Kam pershtypjen se AI tjetri nuk e kupton mire KETE tjetrin. Pastaj kur perzihet edhe tjetri pak me larg, atehere behet dicka qe i thone mish-mash, qe ndofta e ka prejardhjen nga pellazgjishtja angleze mismatch.
Interesant! Ec, me thone! Bre, si s’u kenaqe njehere!
Tani, mire se ky Hajdegeri eshte entuziasmuar nga “burri” gjerman, das Mann, dhe e mbeshtjell me nje mjegullnaje mistike, qe ta bej si babain e “man”-it pa identitet, mire se edhe Ardiani e mbeshtet me njeriun (apo burrin) e papercaktuar shqiptar, mire se edhe une besoj qe ato kane lidhje me njera-tjetren, por serish kjo mjegullnaje na shpie deri ne gjysem te rruges nga “Mann” tek “man”! Pasi kjo e dyta shprehet gjate fjalise me se shumti si nje lloj pasthirrme e vecante, apo me sakt, si nje lloj fjale pa kuptim, sic kemi ne shqipe; bre, dre, jo bre, nuk genjen ai.
Mendoj se gjuhetari duhet ti sqaroje e ti thjeshtesoj problemet gramatike, dhe jo ti komplikoje, sepse edhe gjuha e njerezve ndjek rrugen me te shkurter e te thjeshte, sic dhe natyra. Mirpo qysh ne fillim duket se nisin komplikacionet. Perse (citoj tekstin:) folja duhet është formë e vetës së tretë e foljes duhem, e cila, nga ana e vet, nuk është veçse trajta pësore/vetvetore e foljes dua? Nuk kemi ketu thjesht dy folje te ndryshme, perderisa edhe konceptet qe u pergjigjen jane tashme dy koncepte te ndryshme, ndonse te peraferta? Nje, detyrimi se duhet bere dicka, dhe dy: ndjenja e dashjes/ dashurise mes dy njerezve. Besoj foljet e tyre ne formen baze -infinitiv, duhet te bejne “me dashte” (vetore) dhe “me u dashte” (vetvetore)? Po ti futemi historikut te krijimit te ketyre koncepteve nga njeriu, besoj do shkojme mijra (pse jo dhjetra mijra) vjet me pare, kur njeriu krijonte (ndoshta zbulonte, sipas idese hegeliane) njeri pas tjetrit konceptet e ndryshme, apo pse jo, i ndante ato, i zhvillonte me tej, si ate te dashjes/ deshires per te pasur dicka, dashjes/ deshires per te pasur nje njeri tjeter e te gjinise tjeter, konceptit te ndjenjes se dashurise, ate te detyrimit (te urdherit te zbutur) per te bere dicka. Ky eshte thjesht evolucioni gjuhesor, qe do i shkoje pas si manar zhvillimit te kafshes njeri. A nuk kemi mesuar keto gjera ne shkolle?
Do te duhej qe edhe ndonje cingerime e vogel, si ne paragrafin e dyte, te sqarohej me mire, ajo ku behet fjale per rasen dhanore! Aty thuhet: “Jo rrallë, subjekti logjik i thënies përfaqësohet nga një trajtë e shkurtër dhanore: më duhet të ngrihem herët nesër…” Dy folje vetvetore (reflektive), “me duhet” dhe “te ngrihem”, dallohen qarte aty, por per cfare rase dhanore behet fjale? Pse, edhe foljet lakohen! Cfare nuk dalloj une ketu?
Se fundi do thoja, se shkrimi vertet nuk paraqet ndonje interes per tu vjedhur ne boten shqiptare, e as nga ajo e huaj qe citon Ardiani, por me duket se detyra e gjuhetarve nuk eshte te shkruajne per t’mos u vjedhur, por per tu perpire nga masa e gjere, qe dhe ajo te perpije dijen.
Rasa dhanore është e trajtës së shkurtër (më duhet – kujt? mua). Sa për “das man” të Heidegger-it, ndoshta duhet të mësosh pak gjermanisht (shumë pak fare).
Flm per sqarimin e dhanores se mesiperme, ndersa per “man”-in e Hajdegerit -ndonese jam dakort qe ka lidhje me “Mann”-in (burre)- akoma nuk pashe nje shpjegim te qarte nga gjermani, -te pakten me aq sa na solle ti ne tekst; por s.d.q. nuk me habit kjo tek autoret gjermane, (apo te ashtuquajturit filozofe gjermane), te cilet e kane tradite mistifikimin e mjaft fenomeneve.