Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arkitekturë / Urbanistikë

TIRANA UTOPIKE

Gani Strazimiri fillimisht studioi pikturë në liceun e Tiranës, e më pas arkitekturë në Torino.[i] Mirëpo studimet i ndërpreu për t’u bashkuar me forcat partizane në atdhe. I ati, luftëtar i njohur, u vra gjatë luftës. Pak kohë pas Çlirimit, Ganiu fitoi bursë për të vazhduar kursin e arkitekturës në Moskë—ose, siç thuhej në një profil të revistës Miqësija të vitit ‘50, “në vendin që ai e dashuroj me gjithë shpirt, në atdheun e madh të Socializmit”.[ii]

Deri këtu, historia përçohet në linja pak a shumë të njohura: aspiratë rinore e këputur në mes nga detyra patriotike për të luftuar fashizmin; sakrificë gjithë-familjare; si dhe—kurorëzimi i  rrëfenjës—fuqia e pushtetit popullor për të të çuar në atdheun e Leninit.

Në fakt, historia është më e koklavitur. Karakteristika profesionale e Strazimirit, ruajtur në një dosje të vitit 1963, përveç se ndalet tek “qëndrimi politik i tij”, tek shtëpia që “ka qenë strehë për partizanët”, tek “thirja e partisë” në vitin 1942, dhe tek anëtarësimi i Ganiut një vit më pas, përmend edhe vëllain e madh, damkosur si simpatizant të gjermanëve, dhe implikuar, siç thuhet atje, “në grupin e intelektualëve”.[iii] (Vëllai u burgos deri në vitin 1953.)

Strazimiri i përkiste, pra, një gjenerate që kërkonte të rifitonte kohën “e humbur” gjatë luftës. Por këto dritëhije në burimet zyrtare tregojnë se përveç shpalosjes si slogan i një rendi socialist, apo një parullë e rëndomtë ideologjike, të bëheshe pjesë e një “bote të re” ishte edhe një lloj misioni në rrafsh personal e familjar.

Për tezën e studimeve në Moskë, Strazimiri vendosi të projektojë një plan të ri urbanistik për Tiranën. Në korrespondencën e shkruar me dorë vihet re ambicia për ta parë planin të realizuar pas diplomimit në Moskë. Nga zv. ministri i ndërtimit, Strazimiri kërkonte skicat, planet, dhe studimet e lëna pas nga italianët, si dhe fotografi të gjendjes aktuale të kryeqytetit.

“Ti e din fare mirë se në ç’far kondita un do të punoj nesër në Tiranë”, shkruan ai në qershor të 49-ës, “ku do të jemë po thuaj se vetë në nji degë ku asht vështirë të punojsh po të mos kesh baza të shëndosha”. (Skicat e italianëve u dërguan me postë më vonë, në nëntor, duke përfshirë studime të pjesshme të rrugëve, harta, dhe projekte tip.)[iv]

Kjo vëmendje e posaçme qeveritare, si dhe një farë urgjence që nuhatet në korrespondencën Moskë-Tiranë, shpjegohet pjesërisht me faktin se Tirana e 49-ës nuk kishte ende një plan rregullues socialist. Kështu që Strazimiri konsultohej drejtpërdrejt me Spiro Kolekën, zëvendës-kryeministrin, i cili pati studiuar edhe ai inxhinieri civile në Itali—nga të paktët teknicienë “perëndimorë” që jo vetëm i shpëtoi krasitjeve të njëpasnjëshme, por mbijetoi për bukuri në regjimin e ri.

Projekti i Strazimirit parashihte një kryeqytet prej 200,000 banorësh. Godinat e banimit do kishin pesë ose gjashtë kate. Transporti do bëhej me autobusë, edhe pse në një të ardhme të pacaktuar mendohej që punëtorët të çoheshin tek fabrikat e periferive me tramvaj. [Vini re! Tramvaji Utopik i Tiranës ka një histori mbi 60-vjeçare.]

Plani shoqërohej me një dokumentacion të shkurtër të Degës së Urbanistikës, çuar për shqyrtim në Kryeministri, tek Enver Hoxha. Ky sqaronte se autori i kishte refuzuar zgjidhjet urbanistike të italianëve, që afërmendsh nuk mund të shiheshin si të përshtatshme për një rend socialist.[v] (“Italianët që në fillim të studimit”, sqarohej aty, “u nisën nga parimi se Tirana nuk mund t’ish veq se nji qytet i kolonive Italiane”.) Mirëpo aksin e madh veri-jug, apo edhe unazat e Tiranës, plani i Strazimirit, në fakt, i pranonte.

Më e vështirë ishte të zgjidhje qendrën e kryeqytetit—çështje që duket sikur nuk e ka kënaqur kurrë plotësisht as pushtetin, as tiranasit—as atëherë, as sot.

Strazimiri propozonte një qendër monumentale, ideuar me godina alla moskovite. Një pallat qeveritar, ngritur mbi një “pjedistall graniti”, sinjalizonte rëndësinë politike të sheshit. Në ballë, një tribunë e përhershme për udhëheqësit në raste manifestimesh festive, si dhe “Skulptura e Stalinit”. Në anën tjetër, një ndërtesë po ashtu monumentale, por në përmasa më të vogla: teatri popullor.

Fig. 1 Pallati Qeveritar me shtatoren e Stalinit, Xhamia, dhe Kulla e Sahatit. Pamje ballore. Burimi: AQSH.

Zgjedhjet e Strazimirit mund të shihen si pasqyrim gati-mekanik i formimit sovjetik, por duhet theksuar se vendimet që merreshin në Moskë pasqyronin edhe aspiratat e pushtetit shqiptar. Imponimi i metropolit sovjetik ndaj provincës ballkanike nuk duhet marrë si një lloj diktati të një-anshëm, por si ndërveprim interesash.

Në këtë linjë: “Ajo që asht preokupuese për qytetin e Tiranës”, sqaronte relacioni, “asht se edhe sikur të realizohesh, sheshi simbas planit rregullues t’Italianëve nuk do të kish mundësi të zhvillohen demonstratat, paradat dhe mitingjet që na paraqiten dhe do të na paraqiten gjithmonë”.[vi]

Më e guximshme ishte ideja për të shembur disa godina të italianëve, si për shembull Bankën dhe Bashkinë, ngaqë, siç thuhej, nuk lejonin zgjidhjen e sheshit. Propozime të tilla, sado të justifikuara, kishin për gjasë të refuzoheshin për arsye buxheti.

Duke e parashikuar këtë, Dega e Urbanistikës e sinjalizonte Kryeministrinë se ndërhyrjet ishin me rëndësi. Fasadat “mizerabile” të godinave italiane nuk mund të mbaheshin. Për ta vendosur argumentin në shina bindëse, relacioni nënvizonte se plani për Tiranën “asht mundue t’i zgjidhi në bazat e reja socialiste mbi ndërtimet e qyteteve ashtu si sot ndërtohet në B. Sovjetik”.[vii]

Fig. 2 Projektim aksonometrik i qendrës ku vihet re zëvendësimi i godinave të Bankës dhe të Bashkisë. Burimi: AQSH.

Por jo çdo gjurmë para-socialiste fshihej. Xhamia e Et’hem Beut, për shembull, si dhe Kulla a Sahatit, përfshiheshin në kompozimin e ri socialist të Tiranës si “vepra me rëndësi artistike që ka dhënë populli”. Përndryshe, stema e liktorit fashist (“e cila që nga aeroplani shifet kjart”) duhej të thyhej. Kështu që plani e projektonte unazën e qytetit para stadiumit—lëvizje që paraqitej si një zgjidhje kryesisht funksionale por edhe që zhdukte “deri diku konfiguracionin e stemës fashiste”.

Propozohej, më tej, prishja e godinës së komandos së përgjithshme (më vonë: godina universitare) edhe pse nuk përcaktohej datë për këtë punë. Kjo bëhej jo vetëm për të prishur karakterin e sëpatës fashiste por edhe sepse diku më lart do të realizohej një “panoramë” monumentale për Luftën Nacional-Çlirimtare.

Fig. 3 Planimetria e aksit si dhe prishja e “stemës fashiste”. Burimi: AQSH.

 

Fig. 4 Planimetria e aksit si dhe prishja e “stemës fashiste”. Burimi: AQSH.

Siç dihet, shumë prej këtyre prishjeve nuk u bënë. Udhëheqësit nuk e aprovuan planin e përpunuar të Strazimirit. Kur e mori në shqyrtim në vitin 1952, Byroja Politike nuk e pa të arsyeshme të zbatohej një tezë universitare. Më mirë do ishte të thirreshin arkitektë sovjetikë për ta parë këtë punë.[viii] Ka edhe mundësi që kostot e shembjeve (por edhe ndërtimet e mëdha administrative që parashikoheshin atje) të jenë dukur të tepërta.[ix]

Pushteti kishte prioritete të tjera. Shpërndarja e parave dhe e krahut të punës privilegjonte veprat industriale të Planit të Parë. Shtatorja e Stalinit megjithatë u realizua—vozhdi sovjetik i derdhur në bronz, sipas modelit të Nikolai Tomskit, skulptorit sovjetik që ishte bërë tashmë specialist i zhanrit.[x]

Në Shqipërinë e pasluftës, ku diplomat sovjetike ishin edhe gurë themeli për karrierë, Strazimiri u vendos në zyrën e urbanistikës. Janë të njohura godinat e banimit që projektoi më vonë, mbivendosur sipas sistemit sovjetik kvartaly, me fasada që të kujtojnë godina të largëta të Rostovit-mbi-Don apo në distriktin Kirov të Novosibirskut: harqe të larta; kolona ornamentale; dritare harkore.

Në Tiranën e viteve ’50, ndërtesa të tilla bënin përshtypje jo vetëm nga ana estetike, por edhe sepse kryeqyteti karakterizohej nga godina të ulta. Pa një plan rregullues që të shoqëronte “pallatet e punëtorisë” të Strazimirit, ato mbetën si shprehi pa kontekst.

Mbase edhe Strazimiri vetë, si skicat e dorës së tij, është gjetur jashtë kontekstit pas kthimit nga metropoli sovjetik. Vite më vonë, ai do të binte pre e një lufte të ashpër ndaj “formalizmit” në ndërtim, duke u kritikuar publikisht nga kolegët e vet për pallatet me harqe dhe lozha. Si përfundim, Strazimiri u mënjanua nga projektimi.

Mirëpo historia e planifikimit të Tiranës është histori e ironive.

Pikërisht ai, Ganiu, që kishte fantazuar Tiranën moskovite me bazë shuarjen e gjurmëve italiane, ca vite më vonë luftoi fort për ruajtjen e trashëgimisë arkitekturore në Shqipërinë e viteve ’60. Sot, emrin e tij e mban një Institut që rreket të ruajë monumentet e kulturës—në Epokën e Kullave Publiko-Private, që vazhdojnë ethshëm punën e lënë përgjysmë nga Planet e Mëdha Sovjetike.

 

Përkthyer & ripërshtatur nga libri From Stalin to Mao: Albania and the Socialist World  botuar nga Cornell University Press, 2017. © Elidor Mëhilli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]

[i] Tek botimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Fjalor enciklopedik shqiptar, vëll. III, Tiranë, 2008, datëlindja e Strazimirit shënohet në vitin 1915. Përndryshe, formulari i personelit që gjendet në Arkivin Shtetëror shënon si datëlindje 9 Maj 1917. “Karakteristikë e shokut Gani Strazimiri”, 24 mars 1963; si dhe “Formular”, të dyja në Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), Fondi (F.) 511, Viti (V.) 1965, Dosja (Dos.) 48, Fleta (Fl.) 40-41.

[ii] “Arqitekti i ri,” Miqësija, dhjetor 1953, p. fq. Miqësija ishte botim i Shoqërisë së Miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik. Titulli redaktohet në Miqësia në 1961-shin—vit emblematik në ngrirjen e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike.

[iii] “Karakteristikë e shokut Gani Strazimiri”, Fl. 40.

[iv] Strazimiri, letër e shkruar me dorë, dërguar Shinasi Dragotit, 22 qershor 1949, AQSH, F. 499, V. 1949, Dos. 201, Fl. 1–2; “Dërgohen disa plane për Moskë”, 5 shtator 1949, AQSH, F. 499, V. 1949, Dos. 201, Fl. 3–4. Duket se Strazimiri e mori dërgesën në fillim të ’50-ës. “Mbi një material”, [data të ndryshme në dok., 1950], AQSH, F. 499, V. 1949, Dos. 201, Fl. 6.

[v] Ministria e Ndërtimit (Dega e Urbanistikës), dërguar Kryeministrisë, p. d., AQSH, F. 490, V. 1950, Dos. 1687, Fl. 3.

[vi] “Relacion. Mbi projekt iden e Planit Rregullues të Tiranës”, dërguar Enver Hoxhës, Kryeministër, dhjetor 1950, AQSH, F 490, V. 1950, Dos. 1640, Fl. 8.

[vii] Ibid., Fl. 14.

[viii] “Protokoll Nr. 18 datë 4/7/1952 i mbledhjes së Byrosë Politike të K.Q.”, 4 korrik 1952, AQSH, F. 14/AP, OU, V. 1952, Dos. 43, Fl. 37–38. Dy arkitektë sovjetikë e morën në shqyrtim planin para diskutimit të mëvonshëm në Byro në vitin 1954. Edhe atje, Strazimiri kërkoi më tepër ndihmë nga sovjetikët në çështje të urbanistikës. Mirëpo Enver Hoxha do të shtonte: “Ne duhet të ecim edhe me këmbët tona. Tani kemi edhe arqitektët tanë. Më vonë do të dalin edhe të tjerë”. “Proçes-verbal i mbledhjes së Këshillit të Ministrave mbajtur më 27 shkurt 1954 mbi shqyrtimin e relacionit për skicë-idenë e planit rregullues të qytetit të Tiranës”, AQSH, F. 490, V. 1954, Dos. 712, Fl. 1–4 (cit. Fl. 4). Edhe në rregullimin e muzeut të Leninit dhe të Stalinit, autoritetet shqiptare kërkuan ndihmë nga sovjetikët: “Sekretariu TsK KPSS tov. Suslovu M.A.”, 11 mars 1954, Rossiiskii gosudarstvennyi arkhiv noveishei istorii (RGANI) [Arkivat shtetërore ruse të historisë së vonë], F. 5, Op. 16, D. 652, Ll. 52-53.

[ix] Shqetësimi për të pakësuar shpenzimet vihet re në faktin se kur plani rregullues i kryeqytetit u aprovua—më në fund—në vitin 1958, atje udhëzohej që “të kufizohet në maksimum rëzimi i godinave që janë sot”. “Vendim Nr. 130, mbi aprovimin e projekt-idesë të planit rregullues të qytetit të Tiranës,” 7 prill 1958, AQSH, F. 490, V. 1958, Dos. 893, Fl. 16.

[x] Edhe kjo çështje nuk kaloi pa peripeci. Kur kishin kërkuar tek sovjetikët një Stalin në bronx, aparatçikët shqiptarë patën shpresuar, siç duket, se shtatorja do jepej falas. Mirëpo nga Bashkimi Sovjetik erdhi fatura (140,000 rubla). Po kështu, transporti i shtatores qëlloi i vështirë; u desh deri në nëntor të 51-shit që Stalini të përurohej. “Zapis’ besedy c general’nym sekretarem obshchestva kul’turnoi sviazi Albanii i CCCR N. Natanaili o sodeistvii v poluchenii sovetskoi p’esy dlia postanovki v Narodnom teatre, proektirovanii i sozdanii monumenta I. V. Stalinu v Tirane i dr.” (Sekret), 13 mars 1950, në T. V. Volokitina, G. P. Murashko, O. V. Naumov, A. F. Noskova, dhe T. V. Tsarevskaia, (red.) Sovetskii faktor v Vostochnoi Evrope, 1944–1953. vëll. II, Moskë, 2002, fq. 283–84 (shënimi 3); “Monumenti i Stalinit,” Shqipëri B.R.S.S., nr. 10-11, 1951, fq. 16.

6 Komente

  1. Interesante qe Byroja ishte me pak staliniste se studenti yne ne Moske. Nuk e besoj shume çeshten e kostove, meqenese te ishte per kostot do e kishin provuar me vone. Ende sot arkitektura fashiste e qendres se Tiranes eshte kompleksi me interesant dhe dinjitoz i ndertuar ndonjehere ne Shqiperi. Mendoj se duke qene se shqiptaret nuk jane e s’kane qene ndonjehere njohes te shquar te arkitektures, Byroja do kete vleresuar se nuk perbente ndonje problem te madh ideologjik prania e arkitektures fashiste.
    Perkunder nqs Piramida nuk do ishte per Enverin por ta zeme do quhej Altari i Atdheut, sot do ishte ndertesa me e respektuar ne Shqiperi. Ne pergjithesi, aq dime, aq bejme.

    Ministresha e Kultures i hodhi nje kunje nderteses se teatrit, duke e quajtur ndertese e perkohshme e ndertuar nga ushtaret italiane. Duket se Byroja e Enverit ishte me pak e ideologjizuar sesa Ministresha e E-drames.
    Mund edhe te presim nje dite qe per te ndertuar ndonje kulle te shkaterrojme psh amfiteatrin e Durresit, me argumentin se aty sklleverit vrisnin njeri-tjetrin per argetimin e pushtuesit romak.

    Gjithsesi, nje plus per ish-Byrone e nje minus per studentet tane jashte. Nuk duhet qe nje ideologji, sado e shkelqyer dhe humane te duket, te beje tabula rasa ne vendin tend.

  2. Së pari dua të përshëndes Elidorin për punën e shkëlqyer me librin “From Stalin to Mao: Albania and the Socialist World”, nga është marr edhe ky pasazh i botuar këtu tek PTF. Për mendimin tim, një studim rigoroz dhe i kthjellët që nxjerr në pah dritëhijet dhe kontradiktat në përpjekjet për industrializimin e Shqipërisë. Përpjekje që u kushtëzuan sa nga racionaliteti i nevojës për industrializim sipas teorisë Marksiste-Leniniste (për aq sa mund të quhen këto teori “racionale”), aq edhe nga irracionaliteti i paranojës dhe konsequencës Staliniste të pushtetit.

    Për të ardhur ‘fast forward” në ditët tona, tashmë që jemi zhveshur nga prangat e ideologjisë, pra që jemi zhveshur dashur pa dashur edhe nga munsësitë dhe nevoja për racionalitet të zhvillimit dhe progresit, kemi ngelur në mëshirën e ‘iracionalitetit’ të paranojës së pushtetit. Programet politike të partive vërtiten rreth akuzave për korrupsion, agjentura, dhe poliagjentura, por asnjë program zhvillimi dhe racionalitet që të preokupojë debatin publik dhe jap drejtim zhvillimit ekonomik të vendit.

  3. Gje e bukur kur shkruhet per kohra te shkuara, aq me teper, kur shkruhet per individe te ndryshem cfardo. Per kete duhet falenderuar autori. Por nuk e di pse ky lloj brezi i ri intelektualesh, duken sikur vijne nga ndonje planet tjeter, ose ndoshta duan te duken ashtu, -mbase kjo eshte ne mode sot. Kjo dallohet nder disa pasazhe te ndryshme. Ja njera: “Për tezën e studimeve në Moskë, Strazimiri vendosi të projektojë një plan të ri urbanistik për Tiranën”. Te duket se ketu kemi te bejme me nje gjeni te cmendur, qe nuk e dinte se ku jetonte, dhe po si Frankoja, qe per teme te tij dipllome ne akademine ushtarake zgjodhi “pushtimi i Portugalise brenda x diteve”, ashtu dhe gjeniu i cmendur Gani zgjodhi per teme pranimi ne fakultet: urbanistiken e Tiranes! Ne fakt cdo kush e di, (te pakten ne qe e kemi jetuar ate kohe), se nese ka patur nje fushe ku partia (e gjithanshme) u kish hapur dyert e panvarsise specialisteve te caktuar, kjo ishte urbanistika dhe arkitektura; biles vete bac Enverit iu be goja corap te shkretit sa e sa here, tek vinte ne dukje punen e pavarur e te mrekullueshme te urbanisteve dhe arkitekteve, e sa e sa here kritikonte futjen e hundeve te aparatcikve dhe atyre te partise ne kete fushe. Biles do shtoja nga vetja, shyqyr qe tek urbanistika dhe arkitektura i fuste -sidoqofte ne fund- hundet udheheqja e larte me gjithe disa historiane etj., sepse urbanistet dhe arkitektet nganjehere i harrojne disa aspekte historike, folklorike, qe duhen marre parasysh ne fushen e tyre. Por per fat -nje nga meritat e atij sistemi- nje arkitekt dhe urbanist mesonte shume edhe nga historia, nga gjeografia, etnografia e popujve, sizmika, gjeollogjia, etj, ne baze te tezes leniniste: njeriu i ri duhet ti mesoj te gjitha, pra te ishte njekohesisht minator dhe muzikant, shtetar dhe kopeshtar, murator dhe piktor, i te gjithave pra, perndryshe nuk arrihej ai sistem (ndoshta utopist) me nje shoqeri pa klasa, i cili quhej komunizem. Prandaj Mehilli e kushdo tjeter duhet ta dije se nje aventure e tille per te pretenduar te beje i vetem planin e Tiranes te siguronte asaj kohe brenda 5 minutash kartelen tek pavioni 17. Dhe, qe hartat italiane qenkan derguar ne Moske, kjo mund te jete e vertete, (ose ndoshta kopime te tyre), por jo se ato i jane derguar Ganiut, por i jane derguar nje ekipi te caktuar studentesh shqiptare dhe pedagogesh ruse; po ashtu nuk e beson njeri se Ganiu ka shkruar: “me coni hartat”, por padiskutim nje formulim me ndryshe, si bie fjala; “dijet qe po marrim ketu jane mjaft te vlefshme e efikase… grupi yne shqiptar ka nisur qysh tani me modele dhe variacione per qytetin tone te dashur Tiranen… dergimi i skicave italiane do te na ndihmonte edhe me shume… profesoret tane sovjete e mbeshtesin kete ide…” Pra, nuk duhet te shkruajme historira me herkula, por ti qendrojme besnik atij realiteti te kohes.
    Nje fjali tjeter, qe te vret paksa veshin, eshte kjo: [Vini re! Tramvaji Utopik i Tiranës ka një histori mbi 60-vjeçare.] Pse mbi 60 vjecare! Nder projektet italiane mund te kete qene edhe ndonje projekt me tramvaj! Projektet urbanistike per nje zone dhe qytet, ne cilendo kohe dhe vend, jane nga me te shumtat. Dhe cfare, do bertasim: uau, projekti-tramvai mbi 90 vjecar! Ne lidhje me ke tramvaj utopik e lidh autori faktin e mesiperm? Me ate te katunarit Lul Basha para pak vitesh? Nese po, ai duhet te dije faktin dhe faktorin tjeter, ate se partia atehere udhezonte, qe projektet urbanistike te diskutohen edhe ne popull, ne qendra pune, etj., (panvarsisht se sa demagogjike mund te tingelloje ky udhezim), ndaj ato dergoheshin poshte nder milet per tu mbledhur nje fare opinioni. Keshtu, kur u zgjerua ajo rruga nga Pallati i Kultures tek sheshi Avni Rustemi, (diku aty nga fundi i 60-ve me duket, apo fillimi i 70-ave), u fol se aty do vendosej tramvaj, i cili parashikohej -sipas nje projekti- deri tek porcelani. Do vendost, s’do vendoset! Muhabet koti! Rendesi ka qe ideja lu-bashiane e tramvajit nuk eshte per tironcit dicka e re. Dhe ne nuk kemi pse t’ia bejme sot: uau, sa ide e vjeter! Sepse, nese G. Strazimiri e ka hedhur kete ide diku ne mes viteve 50, pas rreth 15 vjetesh kjo ide diskutohej nder milet, si dhe idera te tjera urbanistike! Pra, cudia mehilliane eshte e tepert.
    Por ajo me kryesorja, qe te shqeteson ne shkrim, eshte pasqyrimi i asaj zhurme te koheve te fundit mbi (gjoja) modelin fashist te qendres se Tiranes. Qysh se erdhi nje italian para pak vjeteve ne Tirane dhe leshoj nje pordhe, te gjithe i jane leshuar mbrapa pordhes ta nuhasin e te pershkrihen me ‘te. Ky italian tha pak a shume: qendra juaj kuterbon era arkitekture fashiste. Qe ky italian, si shumica e italianve sot, ka arsimim dhe njohuri mjaft te cekta, te pakrahasueshme me nje brez para tij, ky nuk eshte problemi yne! Qe ai nuk e di se nuk ka arkitekture fashiste por ka vetem idera boshe megallomane fashiste, edhe ky nuk ka pse te jete problemi yne. Qe ky italian nuk e di se arkitektet italiane kane mesuar ne nje nga shkollat me te vjetra e prestigjoze te botes per arkitekture dhe urbanistike, qe ai nuk e di se ajo shkolle ka nje vazhdimesi qysh nga antikiteti dhe bazohet edhe sot tek antikiteti, qe ai nuk e di se tek kjo urbanistike eshte bazuar pjeserisht Parisi, pjeserisht Moska, teresisht qyteti i Petrogradit (Leningradi), e sa e sa qytete dhe kryeqytete te botes, (natyrisht shoqeruar nga urbanistet dhe arkitektet italiane te kohes se tyre), edhe ky nuk duhet te jete problemi yne. Ky italian donte gjoja te thosh dicka qe ne nuk e dinim, mirpo ai nuk e dinte se ky kish qene nje problem i njohur nder shqiptaret dhe i sqaruar njehere e mire, gjithashtu i injoruar, -shqiptaret e shek. XX vertet kane vuajtur me shume se keta te ketij shekulli, por nuk kane qene aq budallenj sa keta te sotmit, qe te ndiqnin te tilla budadalleqe! Lere po edhe si fashiste po ta pranonim, do te thonim atehere se edhe francezet paskan qene fashiste e shkuar fashisteve ketu e 2-3 shekuj me pare, kur ndertuan ate lloj bulevardi si te tonin!
    Nejse, behet mire qe sillen shkrime te tilla, por keta profesore te rinj te presin edhe pak vjet sa te vdesim ne te shek. XX, qe keta te shek. XXI te mahniten pastaj nga shkrimet e tyre e ti kaperdijne te gjitha pa pertypur fare.

    1. r.th.
      Nuk e di përse e keni ndjerë të nevojshme të shkruani një koment me 1,500 fjalë për diçka që duket qartë se nuk e keni formimin e duhur?

      1. L.A., per cilin formim e keni fjalen? Per ate te sotmin, qe e ka katandisur Tiranen ne nje Kandahar?!?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin