Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arkitekturë / Ekonomi / Sociologji / Urbanistikë

REALITETE TË NDARA

Kur i pyes studentët në lidhje me ndodhitë apo çështjet e ndryshme në Shqipëri, ve re një mungesë interesi dhe informacioni. Më duken indiferentë për Shqipërinë. Pasi të shumtët janë në ikje. Prindërit i kanë rritur, edukuar dhe shkolluar për të ikur. Kush nuk largohet pas gjithë atij investimi, qëndron për të zezën e vetë e të atyre që po rrinë.

Disa studentë duken të rritur në flluskat e krijuara nga pasanikët e rinj. Ata vijnë nga shkolla private, apo ato segreguara publike, jetojnë në lagje të rrethuara apo në zonat e Tiranës ku çmimi i pronës ka vajtur 3000 euro për metër katror, dhe e kalojnë fundjavën në qendrat tregtare brenda apo jashtë vendit.

Ka një segregim social në Tiranë, e ky vihet re në shkolla, në shpërndarjen e çmimeve të banesave dhe mungesën e shërbimeve publike në zonat e periferisë (uji, dritat, qendrat kulturore etj.). Për shkak të mungesës së infrastrukturës, në zonat e Freskut apo të Unazës së Re të Tiranës banesat janë rreth dy-fish më të lira se ato në qendër apo në komunitetet e mbyllura. Dukuria njihet edhe nga ekspertët e konsultuar nga qeveria për Planin e Integruar Ndërsektorial të Zonës Ekonomike Tiranë – Durrës (2015). Sipas këtij plani, një ndër sfidat për Bashkinë e Tiranës është: “Shmangia e krijimit të lagjeve ku dominon varfëria dhe segregimi … që kërkon para së gjithash trajtimin e duhur të problemeve që kanë grupet vulnerabël të shoqërisë.” (fq. 260). Strategjia njeh edhe ndikimin që kanë komunitetet e mbyllura mbi segregimin social.

Ndasitë po nxiten edhe nga politikat fiskale të qeverisë vendore që prekin sektorin e ndërtimit. Sipas D. Andonit, drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave shprehet se: “Taksa mbi pronën e vlerësuar mbi bazë të vlerës së saj, bën që familje që mund të jenë “të pasura” në asete, por “të varfra” në cash, të detyrohen të shesin banesat e tyre dhe të lëvizin drejt zonave ku vlerat e banesave janë të ulëta. Ky fenomen çon në krijimin e lagjeve të varfra dhe në rritjen e dallimit mes zonave të pasura”.

Ndërsa në shkollat në qendër të Tiranës ka një përqendrim të madh të studentëve me status të lartë social-ekonomik. Kjo vërehet në dy tregues: mobiliteti i nxënësve nga periferia në qendër të Tiranës dhe dallimet e arritjeve të nxënësve ndërmjet shkollave. P.sh. sipas raportit të Bashkisë së Tiranës, 2016, lëvizjet nga zonat e banimit në vendet e shkollave të cilësuara të mira (shih grafikun) janë të përqendruara në njësitë bashkiake 8 (Siri Kodra), 9 (Zogu i Zi) dhe 10 (Rr. Kavajës me Rr. Durrësin) që ndodhen brenda unazës. Me interes do të ishte të studiohej efekti i çmimit të autobusit dhe heqja e taksive joformale mbi numrin e nxënësve që duan të shkollohen larg zonës së tyre të banimit.

Shkollat në njësitë urbane tërheqin më shumë nxënës të mirë, me prindër që kanë burimet sociale dhe financiare të nevojshme. Për këtë arsye arritjet e nxënësve në këto shkolla janë më të larta. Familjet e këtyre nxënësve janë të segreguara në gjeografi dhe në mendje. Në disa shkolla ka përqendrim të madh të studentëve të dobët, të cilët banojnë në periferi të Tiranës ose në fshatrat përreth.

Notat e provimit te Matures 2014

Dallimi  i shkollave private nga ato publike në Tiranë është thuajse i papërfillshëm, sepse segregimi ka ndodhur në shkollat publike.

Shkollat publike si Ismail Qemali, Sami Frashëri etj. që janë brenda rrethit të unazës, janë privatizuar nga mësuesit, nxënësit dhe familjarët e tyre. Një sasi e konsiderueshme e nxënësve në këto shkolla vijnë nga njësitë e tjera të Tiranës, çfarë ka rritur trysninë për pranimet në këto shkolla. Në përputhje me ligjin e Mateusit, sa më të arritje të larta të kenë nxënësit, aq më shumë nxënës të shkëlqyer mbledh shkolla.

Segregimi social  dhe mungesa e diversitetit është një problem jo vetëm për suksesin e nxënësve dhe kohezionin social, por edhe për mobilizimin e qytetarëve në veprimtari politike e shoqërore vullnetare. Nxënësit që ndodhen në shkollat ku mungojnë burimet sociale dhe kapitali social i nevojshëm, për shkak të përqendrimit të madh të nxënësve që nuk i zotërojnë ato, janë të destinuar të riprodhojnë të njëjtat pabarazi. Ndërsa qytetarët e segreguar në hapësirë mund të revoltohen e krijojnë shqetësime sociale.

1 Koment

  1. Kur te kete kohe ai kryetari i Tiranes edhe mund te mbjelle ndonje lule, por problemet qe ngrihen ketu pergatisin nje terren te minuar social edhe per njeqind vjetet e ardhshem.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin