Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

ARTI I KRIJIMIT LETRAR (V)

 

përktheu Gresa Hasa

Kjo është pjesa e tretë e intervistës me Italo Calvino-n të regjistruar nga Damien Pettigrew dhe Gaspard Di Caro për The Paris Review.

 

Besoni se shkrimtarët shkruajnë çfarë munden apo çfarë duhet shkruar?

Shkrimtarët shkruajnë atë që mund të shkruajnë. Akti i të shkruarit është një funksion që bëhet i dobishëm vetëm nëse e lejon dikë të shprehë veten e tij të brendshme. Një shkrimtar ndjen kufizime të ndryshme – kufizime letrare, si numri i rreshtave të një soneti apo rregullat e një tragjedie klasike. Këto janë pjesë e strukturës së punës permes së cilës personaliteti i një shkrimtari gjen lirinë për t’u shprehur. Por pastaj ka edhe kufizime sociale si detyrimet fetare, etike, filozofike dhe politike. Këto nuk i imponohen punës në mënyrë të drejtpërdrejtë por duhet të filtrohen nëpërmjet brendisë së shkrimtarit. Vetëm nëse ato janë pjesë e anës më të thellë të personalitetit të një shkrimtari, mund të gjejnë vend në punën e tij pa e mbytur këtë.

Njëherë keni thënë se do t’ju pëlqente ta kishit shkruar ju një nga tregimet e Henry James. A ka punë të tjera që do t’ju pëlqente të kishin qenë tuajat?

Po, e kam përmendur njëherë “The Jolly Corner”. Ç’do të thoja tani? Do të jap një përgjigje krejt tjetër: “Peter Schlemihl” të Adelbert von Chamisso-s.

A jeni ndikuar nga Joyce-i apo modernistë të tjerë?

Autori im është Kafka dhe romani im i preferuar është “Amerika”.

Ju dukeni më i afërt me shkrimtarët në anglisht – Conrad-i, James-i, madje Stevenson-i – se sa me ndokënd në traditën italiane të prozës. A s’është kështu?

Gjithmonë jam ndjerë i lidhur me Giacomo Leopardi-n. Përveç se një poet i mrekullueshëm, ai ishte gjithashtu një shkrimtar i jashtëzakonshëm i një proze plot stil, humor, imagjinatë dhe thellësi.

Ju keni diskutuar për dallimin në statusin social të shkrimtarëve italianë dhe atyre amerikanë – shkrimtarët italianë janë më të lidhur me industrinë e botimit letrar ndërkohë që amerikanët, zakonisht me atë të institucioneve akademike.

Universiteti si mjedis për një roman – kaq i shpeshtë në romanet amerikane – është shumë i mërzitshëm (Nabokov-i është i vetmi përjashtim nga rregulli), më i mërzitshëm edhe se mjedisi i firmave të shtëpive botuese në krijimtarinë italiane.

Po puna juaj me Einaudi-n? A e cënoi ajo veprimtarinë tuaj krijuese?

Einaudi është një botues i specializuar në histori, shkencë, art, sociologji, filologji dhe te klasikët. Letërsia zë vendin e fundit. Të punosh atje është si të jetosh në një botë enciklopedike.

Mundimi i njeriut që përpiqet të organizohet në mes të rastësisë, duket të jetë tema që përshkon pjesën më madhore të punës suaj. Kam në mendje veçanërisht “Se una notte d’inverno un viaggiatore” dhe lexuesin që rreket të zbulojë kapitullin tjetër të librit që po lexon.

Konflikti midis zgjedhjeve të botës dhe obsesionit të njeriut për t’i dhënë atyre dum është një linjë e përsëritur në atë që kam shkruar.

Në shkrimin tuaj ju jeni lëkundur ndërmjet mënyrave realiste dhe fantastike të të shkruarit. A i shijoni të dyja njëlloj?

Kur shkruaj një libër që është i gjithi fantazi, ndjej një përgjërim për të shkruarin që merret drejtpërdrejtë me jetën e përditshme, veprimtarinë dhe mendimet e mia. Në ato çaste, libri që do të doja të isha duke shkruar është libri që nuk po shkruaj. Nga ana tjetër, kur jam duke shkruar diçka tejet autobiografike, të lidhur me detaje të jetës së përditshme, atëherë përgjërimi im shkon në drejtimin e kundërt. Libri shndërrohet në atë të fantazisë, qartazi pa ndonjë lidhje me veten time dhe ndoshta, pikërisht për këtë arsye, është më i sinqertë.

Si janë pritur romanet tuaja në Amerikë?

“Le città invisibili” është ai që ka gjetur më shumë dashamirës në Shtetet e Bashkuara – në mënyrë të habitshme, pasi nuk është sigurisht një nga librat e mi më të lehtë. Më tepër se një roman është një përmbledhje poezish në prozë. “Fiabe italiane” ishte një tjetër sukses sapo libri u shfaq plotësisht i përkthyer, 25 vite pasi u botua për herë të parë në Itali. Teksa “Le città invisibili” pati më shumë sukses te njohësit e fushës, njerëzit e letrave, njerëzit e kulturuar, “Fiabe italiane” ishte ajo që do ta cilësonim si një sukses popullor. Në SHBA imazhi im është ai i një shkrimtari përrallash dhe fantazish.

A besoni që Evropa është mbytur nga kultura amerikane dhe ajo britanike?

Jo. Nuk ndaj pikëpamje shoviniste. Njohja e kulturave të huaja është një element vital për çdo kulturë; nuk besoj që mund të ngopemi ndonjëherë nga ajo. Një kulturë duhet  të jetë e hapur ndaj ndikimeve të huaja nëse dëshiron ta mbajë gjallë fuqinë e saj krijuese. Në Itali, përbërësi më i rëndësishëm kulturor ka qenë letërsia franceze. Gjithshtu, tek unë letërsia amerikane la shenjë përjetë. Poe ka qenë një nga interesat e mia të para; ai më mësoi se ç’ishte një roman. Më vonë zbulova se Hawthorne ishte disa herë më i madh se sa Poe. Disa herë, jo gjithmonë. Melville. “Benito Cereno”, një roman i përkryer, ishte akoma më i vlefshëm se sa “Moby-Dick”. Mbi të gjitha, stazhi im i parë u krye nën hijen e Cesare Pavese-s, përkthyesit të parë italian të Melville. Gjithashtu, ndërmjet modeleve të mia të para letrare kanë qenë të tillë autorë amerikanë të vegjël të fundshekullit të XIX si Stephen Crane dhe Ambrose Bierce. Vitet e zhvillimit tim letrar, fillimi i viteve ’40, kanë qenë të sunduara mbi të gjitha nga Hemingway, Faulkner-i dhe Fitzgerald-i. Gjatë asaj kohe, ne këtu në Itali përjetuam një lloj marramendje pas letërsisë amerikane. Edhe autorë të vegjël si Saroyan-i, Caldwell-i dhe Cain-i, konsideroheshin si modele të stilit letrar. Pastaj ishte Nabokov-i ndaj të cilit u bëra admirues (ende jam). Më duhet ta pranoj se interesi im për letërsinë amerikane, njëfarësoji nxitet prej dëshirës për të ndjekur se ç’ndodh në një shoqëri që në disa mënyra parashikon atë që do të ndodhë në Evropë disa vite më vonë. Në këtë kuptim, shkrimtarë si Saul Bellow, Mary McCarthy, Gore Vidal-i, janë të rëndësishëm për shkak të kontaktit të tyre me shoqërinë çka edhe shprehet në cilësinë e eseve që kanë prodhuar. Në të njëjtën kohë, gjithmonë jam në kërkim të zërave të rinj letrarë – zbulimin e romaneve të John Updike-ut në vitet ’50.

Në vitet e para kritike të periudhës së pasluftës, ju jetuat pothuajse vazhdimisht në Itali. Dhe sërish, me përjashtim të romanit tuaj “La giornata d’uno scrutatore”, tregimet tuaja reflektojnë pak për situatën politike të vendit në atë kohë, ndonëse ju personalisht keni qenë tejet i përfshirë në politikë.

“La giornata d’uno scrutatore” supozohet të ishte bërë pjesë e një trilogjie me titull, “Le cronache del 1950” që s’u përfundua kurrë. Vitet e formimit tim qenë ato të Luftës së Dytë Botërore. Në vitet që pasuan menjëherë, u përpoqa të rrokja kuptimin e traumave të tmerrshme që kisha përjetuar, sidomos pushtimin gjerman. Kështu që politika në fazën e parë të jetës sime prej të rrituri kishte një rëndësi të jashtëzakonshme. Në fakt, unë iu bashkova Partisë Komuniste ndonëse kjo parti në Itali ishte tejet e ndryshme nga partitë komuniste të vendeve të tjera. Ende ndihesha i detyruar të pranoja shumë gjëra mjaft larg nga mënyra ime e të perceptuarit. Më vonë, nisa të ndiej gjithmonë e më shumë se ideja e të ndërtuarit të një demokracie të vërtetë në Itali duke përdorur modelin ose mitin rus të demokracisë, për mua po bëhej përherë e më e vështirë për t’u pajtuar me të. Kundërshtimi u rrit në ato përmasa sa u ndjeva tërësisht i shkëputur nga bota komuniste dhe në fund, nga politika. Kjo ishte diçka fatlume! Ideja për ta vendosur letërsinë në vend të dytë pas politikës, është një gabim i pamasë sepse politika pothuajse kurrë nuk i arrin idealet e saj. Letërsia nga ana tjetër, në fushën e vet mund të arrijë diçka dhe në terma afatgjatë, mund edhe të ketë ndonjë pasojë praktike. Tashmë kam arritur në përfundimin se gjërat e rëndësishme arrihen vetëm nëpërmjet proceseve të ngadalta.

Në një vend ku pothuajse çdo shkrimtar kyç ka shkruar skenarë ose edhe ka drejtuar një film, ju duket t’i keni rezistuar kësaj joshje të kinemasë. Pse dhe si?

Si një djalë i ri kam qenë dashamirës i madh i kinemasë, një frekuentues i rregullt i saj. Por kam qenë gjithmonë një spektator. Ideja për t’u zhvendosur në anën tjetër të ekranit nuk më ka tërhequr fort asnjëherë. Kur mëson se si bëhen filmat, kinemaja e humbet paksa atë magjepsjen fëmijërore që ka sipas meje. Më pëlqejnë veçanërisht filmat japonezë dhe suedezë sepse janë kaq të largët.

A keni qenë ndonjëherë i mërzitur?

Po, në fëmijëri. Por duhet vënë në dukje se mërzia e fëmijërisë është një mërzi e veçantë. Është një mërzi plot me ëndrra, një lloj projeksioni drejt një vendi tjetër, një realiteti tjetër. Në moshë madhore mërzia shkaktohet nga përsëritja, është vazhdimësia e diçkaje prej së cilës ne nuk presim më ndonjë surprizë. Dhe unë – sikur të kisha kohë të mërzitesha sot! – kam frikë mos përsëris veten në letërsinë time. Kjo është arsyeja që çdo herë duhet të gjej një sfidë të re për t’u përballur. Duhet të gjej diçka që duket si risi, diçka përtej aftësive të mia.

[fund]

pjesët e tjera të kësaj interviste mund të lexohen duke klikuar si më poshtë: pjesa e parë; pjesa e dytë; pjesa e tretë; pjesa e katërt.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin