Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Fotografi / Media

FAKE PHOTO

Ka qenë një kohë kur “foto e sajuar” donte të thoshte thjesht “foto e kompozuar” – në kuptimin që fotografi e kish inskenuar përmbajtjen e fotos; p.sh. duke u kërkuar subjekteve që të merrnin pozat e dëshiruara ose duke përdorur aktorë. Fotografia, në këto raste, i ngjante kompozimit në pikturë.

Me teknologjitë e reja të përpunimit të imazhit, “foto e sajuar” merr një kuptim disi të ndryshëm, sepse tani inskenimin mund ta bësh drejtpërdrejt në ekranin e kompjuterit, duke u mbështetur në foto ekzistuese. Krijime të tilla ndonjëherë bëhen për synime legjitime – për shembull për reklama ose për satirë; por po aq të shpeshta janë edhe përdorimet me synim për të gënjyer publikun.

Një shembull i vonë, që i rikthehet një thashethemi të vjetër. Për shkrimtarin Lewis Carroll, autor të librave për fëmijë Alice’s Adventures in Wonderland dhe Through the Looking-Glass, prej kohësh është përsiatur akuza për pedofili, ose të paktën për interes seksual ndaj vajzave të vogla. Disa të dhëna nga jeta e tij duket se e sugjerojnë këtë – përfshi këtu obsesionin e tij për të fotografuar vajza të vogla të zhveshura. Megjithatë, ka historianë dhe kritikë që e kanë shpjeguar këtë “hobby” të Carroll-it si produkt të estetikës viktoriane që e shihte fëmijën lakuriq si shprehje të pafajësisë; dhe se shumë fotografë të asaj periudhe bënin fotografi të tilla.

Çështja mbetet e pasqaruar; dhe fakt është që sot e kësaj dite të interesuarit kanë opinione të ndryshme për seksualitetin e Carroll-it: disa e mbajnë për të pafajshëm dhe akuzat e tanishme ndaj tij i interpretojnë si anakronike, ose të frymëzuara nga etika seksuale e shekullit XXI; të tjerë besojnë se ai ka qenë vërtet pedofil. Nëse kjo larmi opinionesh dhe gjykimesh ndikon në pritjen që u bëhet veprave të tij sot, këtë nuk e vlerësojmë dot, të paktën jo këtu.

Por, siç thashë, çështja mbetet kontroversiale; dhe diskutohet ndonjëherë gjallërisht në forumet përkatëse. Nëse më parë argumentet e sjella pro ose kundër kishin zakonisht natyrë tekstuale – për shembull duke cituar nga ditarët e shkrimtarit ose të familjarëve – sot të zellshmit janë duke shtuar prova fotografike, si kjo përbri që rreket të provojë se Carroll-i kish hyrë vërtet në lidhje seksuale me një të mitur. Deri edhe uebsajte përndryshe me një farë reputacioni e kanë përdorur foton për të mbështetur akuzat për pedofili.

Në fakt, fotoja është “fake” dhe, siç e ka provuar ky blog, kombinim i dy fotove krejt të pafajshme – prej të cilave njëra portret i Carroll-it duke lexuar dhe tjetra e Alice Liddell-it me disa vajza të tjera.

Që fotoja është e sajuar, kjo as i shton as i heq dot debatit mes atyre që duan të zhbirojnë seksualitetin e një shkrimtari të periudhës viktoriane; por provon se, ndryshe nga ç’ndodhte në periudhën viktoriane, sot fotografia nuk mund të provojë më asgjë. Imazhi i fotoshopuar vetëm sa thotë: “unë, krijuesi i imazhit, besoj se Carroll-i e ka konsumuar pedofilinë e vet”; çfarë do të ishte e barasvlershme me shprehjen e të njëjtit opinion, por me fjalë: ““unë, autori i këtyre radhëve, besoj se Carroll-i ka qenë pedofil.” Kjo do të thotë se sot dikush mund ta shprehë opinionin e vet edhe nëpërmjet manipulimit të një imazhi “fotografik”.

Gjithsesi, nuk ka nevojë të jesh ekspert dhe analist imazhi, për të marrë me mend se imazhi më lart është i sajuar. Mjafton bon sensi dhe një njohje e mjaftueshme e historisë së fotografisë, për të pasur parasysh se në shekullin XIX shkrimtarët si Carroll-i nuk dilnin në fotografi duke u puthur dhe aq më pak me vajza të vogla; se dalja në fotografi aso kohe ish gjithnjë punë e ndërlikuar, që kërkonte bashkëpunimin e subjekteve me fotografët; dhe se paparazzi-t filluan të parazitojnë mbi VIP-at dikur nga gjysma e shekullit XX.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Lutemi mos e vidhni.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin