Zbulime të mëdha, “tronditëse”, pritet të shpallen këtë vit jubilar të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut – sikurse njëlloj pritet që shumë nga këto zbulime (për mua, të gjitha) të jenë fryrje, rrena, falsifikime, mistifikime, ose thjesht rimarrje.
Lexoja këto ditë, te shqiptarja.com, për “një shërbim të çmuar që i ka bërë historisë… kërkuesi i apasionuar Aurenc Bebja” dhe pikërisht:
Fatlumi [Bebja] zbuloi para do kohe se në vitin 1912, në Romë, shtëpia botuese “Bontempelli e Invernizzi” ka botuar një libër të Vico Martegazza të titulluar “L’Albania.” Në faqen 17 të librit botohet foto e një medaljeje të krijuar nga skulptori dhe medalisti Heinrich Kautsch.[1]
Tani, një kërkim i shpejtë në Google, më ndihmon të gjej se libri në fjalë mund të shfletohet lirisht, në formatin PDF, i vënë në dispozicion nga Antica Biblioteca Rossanese. Këtu ta ketë bërë edhe zbulimin fatlum Bebja?
Gjithsesi, medalja në fjalë rezulton të jetë përdorur për një seri pullash shqiptare të dhjetorit 2013, dhuratë nga qeveria italiane dhe të krijuara e të shtypura në Torino, sikurse shkruan Bajram Peçi tek e njëjta dossier, në shqiptarja.com.
Këto pulla u modifikuan në 7 mars 1914, për të përshëndetur mbërritjen e Princ Wied-it në Shqipëri (informacioni këtu).
Krahasimi i thjeshtë i medaljes së Kautsch-it me imazhin në serinë e pullave postare nxjerr në dritë të dhëna kurioze:
Çuditërisht, medalja e shkruan më saktë emrin e Skënderbeut: GHERG KASTRIOTI – SKANDERBEGU, duke e identifikuar si MBRETI I SHCIPERISE; ndërsa pulla postare emrit i shton një -i: GJERGJI KASTRIOTI, emrin tjetër e jep në formën SKANDËRBERGU, sërish gabim; dhe titullin e ndryshon nga MBRETI I SHCIPERISE në MBRETI I SHQIPËTARËVET.
Medalja jep edhe vitet e lindjes, përkatësisht të vdekjes së Skënderbeut (1404-1467), besoj në bazë të së dhënave të kohës; ironikisht, ajo është krijuar në një kohë kur Shqipëria ende nuk ekzistonte as si mbretëri as si shtet i pavarur; ndërsa pulla e postës, e lëshuar në kohën kur Shqipëria e pavarur ekzistonte, parapëlqen të flasë për “mbret të shqiptarëve.”
Megjithatë, gabimi më i ëmbël, nëse mund të shprehem kështu, që shoh te pulla e postës ka të bëjë me atë R-në që i shtohet emrit, për ta kaluar nga Skanderbeg në Skanderberg (ë-në e shtuar po e skartoj si typo). Kush ka jetuar në Europë dhe veçanërisht në Itali, do ta ketë ndeshur shpesh këtë Scanderberg, të shqiptuar nga Tjetri; dhe jo sepse rrokja fundore -beg ka ndonjë vështirësi shqiptimi, dhe as ngaqë të huajt e lidhin doemos me një titull osman, por ngaqë kjo -berg automatikisht i jep heroit një dinjitet europian safí, madje teutonik, gjithë duke e shndërruar edhe në një ajs-berg që i del përpara Titanikut osman.
Forma Scanderberg ndeshet rëndom në kulturën dhe artin europian – përfshi këtu edhe një opera të shekullit të XVIII nga dy kompozitorë francezë. Te vëllimi Bibliotheca Biographica: A synopsis of Universal Biography, Ancient and Modern (1760), autori Thomas Floyd shpjegon se SCANDERBERG, në gjuhën turke, ka kuptimin “a valiant man” (burrë trim).
Edhe shkrimtarja frënge Marie-Catherine Desjardins (1640-1683), e njohur me emrin Madame de Villedieu, në romanin e saj Mémoires du Sérail sous Amurat second (1670), e përfshin Skënderbeun mes personazheve që jetonin në sarajet e Muratit II.[2] Princ dhe një nga protégé-të e Sulltanit, Skënderbeu bie çmendurisht në dashuri me Servilie-n, skllaven favorite në harem. Kur Murati II ia vret me pabesi katër vëllezërit dhe ka ndërmend ta heqë qafe edhe Skënderbeun, Servilia ndërhyn për t’ia shpëtuar jetën. Pas kësaj, Skënderbeu thotë:
Falë ndikimit që pati mbi të [Muratin II] ajo arriti të sigurojë për mua drejtën që të edukohem në Serraglio; dhe më dha emrin Scanderberg.[3]
Megjithë okurrencat e shumta në letërsinë orientaliste, emri Scanderberg thjesht për nga forma e (ri)sjell Skënderbeun në Europë, edhe pse duke ia ruajtur njëfarë ekzotizmi. Në çdo rast, kalimi nga Scanderbeg e Barletit te forma e modifikuar ka nevojë për hulumtime filologjike, që të ndriçohet më mirë – sa kohë që edhe arbëreshët e Italisë e përdorin rëndom: gjeta restorantin Scanderberg në Frasnitë por edhe një Tenuta Scanderberg në Felline, Salento dhe një të tretë në Falconara Albanese; çfarë më thotë se një pasaktësi nuk mund të mbijetojë kështu, pa bashkëpunimin (bashkëfajësinë) e përdoruesve.
E nisur si një variant “korrektues” i emrit Skënderbeg që do të ketë tingëlluar i huaj për europianët, Scanderberg kthehet në origjinën e vet imagjinare, për t’u shfaqur në një simbol aq formalisht shtetëror, sa ç’është pulla e postës – duke shënjuar, njëkohësisht, përmbylljen e një lëvizjeje rrethore që e pat projektuar dikur emrin në Europë për ta orientalizuar, dhe tani e kthente sërish në Shqipërinë shtet të sapo-krijuar (“Shqipënia e lirë”) në formë të oksidentalizuar. Europa e romantizoi Skënderbeun edhe ngaqë u tërhoq nga mbitonet orientale dhe ekzotike të personazhit; Shqipëria e ribëri të vetin, por – pa dashur – në formë të oksidentalizuar.[4]
Morali i kësaj përralle: historia e Skënderbeut dhe tradita e rrëfimit skënderbejan janë shoqëruar, në rrjedhë të shekujve, me gabime, keqkuptime, shtrembërime, mashtrime, abuzime dhe falsifikime të panumërta – në vend që t’i bëjmë këto gabime tonat dhe t’i mbrojmë si pjesë e trashëgimisë “kulturore” të heroit tonë kombëtar, do të bënim ndoshta më mirë që t’i shqyrtonim e t’i hulumtonim si të tilla – në falsitetin dhe patologjinë e tyre – për të kuptuar më mirë mënyrën si është përcjellë trashëgimia në fjalë, brez pas brezi dhe shekull pas shekulli.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Lutemi mos e vidhni.
[1] Me gjasë, studiuesi Bebja nuk ka arritur ta gjejë se ku gjendet sot kjo medalje, përveçse e riprodhuar si imazh në librin e Martegazza-s.
[2] Këtu dhe më poshtë, jam mbështetur në këtë analizë nga Lynn Karam.
[3] Te ky gjest, kritika bashkëkohore frënge ka parë gjurmën në tekst të një shkrimtareje grua, e cila feminizon personazhin mashkull, duke lejuar që statusi i heroit t’i kalojë Servilie-s, deri aty sa kjo të jetë në gjendje t’ia mohojë Skënderbeut emrin atnor, duke këputur kështu zinxhirin e identitetit dinastik. Në të njëjtin roman, Skënderbeu e viziton dhomën e Servilie-s i veshur si grua hebreje, me emrin Crisolis; dhe gjatë njërës nga këto vizita, vjen aty edhe Sulltani, i cili tërhiqet marrëzisht pas Crisolis-it (art.cit.)
[4] Këtu nuk po e prek fare gabimin që është bërë, duke e quajtur Skënderbeun “mbret” – duke pranuar, për hir të muhabetit, se termi është popullor dhe se shqiptarët do të quanin “mbret” çdo prijës të legjitimuar të një komuniteti të madh si kombi; kjo edhe në kontekstin kur Shqipërisë do t’i caktohej edhe një mbret i ri.
Kam dëgjuar për një histori pullash të shtypura me gabime, në kohën kur Lef Nosi ishte Ministër i Postë-Telegrafit… ato ishin shtypur qëllimisht ashtu pasi bliheshin më shumë nga koleksionistët – dhe më shtrenjtë. Nuk jam fort i sigurt, po me sa di gjermanët i internuan nja dy nga shtypësit e pafat që ishin të përzier në këtë çështje, i fluturuan si furça në kampet e përqendrimit. Plus që në këtë rast, Bergu i jep edhe një “je ne sais quoi” teutonike të gjithë çështjes.
Ndalu berk se ka hendek. Ia vure nje hendek Aurenc Bebjes..
Perfitoj nga ndryshimi MBRETI I SHQIPËTARËVET ne vend te MBRETI I SHCIPERISE per te nxjerre ne pah qe Zogu nuk beri ndonje shpikje patriotike ku u (vete)shpall Mbret i Shqiptarevet ne vend te Mbret i Shqiperise, sikunder e kerkon nje si tip gjysem miti, por qe do kishte qene problematike per te nese vepronte ndryshe, meqenese mjedisi politik e kishte qartesuar pozicionin e vet qysh 14 vjet perpara. Kjo do te shpjegonte edhe protestat e vakta diplomatike nga Jugosllavia e Greqia per kete titull qe fuste hundet ne punet e tyre te brendshme.
Nuk kam gjë me Aurencin, por “zbulimet” që bëhen në librat e Google Books nuk duhen shpallur me të madhe, aq më tepër që çfarë është zbulim për ty, është gjë e stërnjohur për tjetrin. Mund të nisesh nga një dokument që ke parë dhe të komentosh – po të kesh gjë për të thënë. Google Books ka vënë në dispozicion falas pasuri të mëdha, por ato duhen kuptuar, interpretuar, shpjeguar, me durim dhe kompetencë.
Eshte rasti te sjellim ne vemendje,qe kete “ngaterresen” e emrit te Skenderbeut,dhe aludimin per aromen gjermaniko-europiane qe i jep “r-ja”,e ka “shtjelluar” i pari Kadareja.
Duhet ta themi kete,qe te mos leme shteg hapur,nga ku te na akuzojne per ndonje “plagjiature” te vockel.
Nuk e mbaj këtë konotacion të r-së për ndonjë zbulim timin. Përshtypja besoj i lind kujtdo që e bën krahasimin midis -beg dhe -beRg. Mua më pat ngacmuar keq, qëkur e dëgjoja formën Scanderberg rëndom në Itali (në Napoli). Por një referencë e saktë gjithsesi do të ndihmonte – meqë e more tashmë mundimin.