Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

PËRGJEGJËSIA E FJALËS

shkrimin e saj kushtuar një rrene të Facebook-ut, dhe pikërisht lajmit për paracetamolin e “infektuar” me virusin Machupo, Adela Radovani përmendte edhe një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës, për t’i mbrojtur konsumatorët nga mashtrimi. Mendova me këtë rast se institucionet tona, mediat dhe individët me ekspozim publik ende nuk e kanë bërë zakon të dalin me deklarata a lajmërime të tilla korrigjuese ose distancuese, qoftë në mbrojtje të publikut, qoftë për të ruajtur figurën e vet nga njollosja. Përgënjeshtrimi, në kuptimin e gjerë të fjalës, ende i mungon leksikut politik dhe institucional; edhe pse sot, në infosferën e përmbytur nga anonimiteti, sulmet ad hominem, insinuatat, provokimet dhe fake news është një nga armët e pakta për ta mbrojtur të vërtetën.

Shqipja përgënjeshtroj, që është kalk-neologjizëm i formuar mbi italishten smentire dhe frëngjishten démentir, ka mes të tjerash kuptimin “hedh poshtë a mohoj diçka që është shpallur ose është paraqitur më parë si e vërtetë, e nxjerr të rreme”. Në kontekste të caktuara, kur subjekti korrigjon diçka që ka thënë ai vetë, kuptimi është i njëjtë me atë të italishtes ritrattare (ang. retract). Gjithsesi, bëhet fjalë për dy akte diskursive të njëpasnjëshme, nga të cilat i dyti mohon a refuzon të parin, që ishte paraqitur si i vërtetë.

Çfarë e shquan përgënjeshtrimin, nga mohimi i rëndomtë, është se subjekti, ose pala që e shqipton, ka autoritetin e duhur për ta bërë këtë; nëse hapet fjala a shpërndahet lajmi i rremë se një vaksinë është e skaduar, atëherë përgënjeshtrimin e këtij lajmi duhet ta bëjë ai institucion që mban përgjegjësi për sigurinë e vaksinave – bie fjala një Ministri ose një Drejtori Farmaceutike; përndryshe nuk do të funksiononte sikur ta bënte, bie fjala, një ndërmarrje e funeraleve. Kjo lidhje e përgënjeshtrimit me autoritetin i jep edhe forcë performative; duke e lejuar të veprojë drejtpërdrejt mbi statusin e thënies së cilës i referohet. Madje, nëpërmjet përgënjeshtrimit, institucioni përkatës konfirmon përgjegjësinë e vet publike dhe autoritetin e vet, mes të tjerash edhe autoritetin për të thënë a konfirmuar të vërteta.

Duke pasur karakteristika të tilla, përgënjeshtrimi bën pjesë në një kategori performativësh e cila përfshin edhe errata corrige, kërkimin falje dhe falënderimin; ose të gjitha ato forma komunikimi me publikun ku një subjekt specifik – një institucion ose një individ i caktuar – merr përsipër përgjegjësinë që ka ndaj fushës përkatëse, e cila mbulon edhe thëniet a diskursin e atij vetë. Çfarë do të thotë se një subjekt që përgënjeshtron ose kërkon të falur ose pranon se ka bërë një gabim çfarëdo, i del për zot përgjegjësisë që ka dhe (ri)konstituohet si i tillë, në sferën publike.

Kjo merr rëndësi në rrethanat e xhunglës diskursive të rrjeteve sociale dhe të portaleve, ku sundon anonimiteti; po të kemi parasysh se subjekti që dëshiron të mbetet anonim ose pa emër e bën këtë për të shmangur përgjegjësinë ndaj diskursit të vet ose nevojën etike elementare për të treguar respekt ndaj Tjetrit. Është tipike për mediumin dixhital, “i cili i ndan lajmet nga lajmëtarët dhe burimet e tyre” që “të shkatërrojë emrat” (Byung-Chul Han, In the Swarm/Digital Prospects). Prandaj edhe akte performative si përgënjeshtrimi, kërkimi të falur, errata corrige (rektifikimi), falënderimi etj., duke qenë drejtpërdrejt të lidhura me përgjegjësinë edhe faktike edhe formale të subjektit, ia rikthejnë rregullin dhe respektin mjedisit të komunikimit publik, duke rikthyer emrat.

Për t’u kthyer te përgënjeshtrimi: pala që përgënjeshtron, imponohet si palë në zotërim jo aq të së vërtetës në vetvete, sa të detyrës për t’u kujdesur publikisht për të vërtetën; duke e bërë këtë me aq sa mundet dhe me aq sa di. Një palë që kërkon të falur për një ad hominem ose një shkelje të privatësisë jo vetëm komunikon rëndësinë e etikës së komunikimit, por edhe siguron publikun se ka institucione që kujdesen për këtë etikë. Një palë që korrigjon një gabim – p.sh. në shifra ose të dhëna të tjera – promovon edhe sigurinë që gabime të tilla do të korrigjohen.

Në masë të madhe, këto lloje performativësh lidhen me veprimtarinë e institucioneve – publike dhe private – dhe të mediave; të cilat, veçanërisht në rrethanat e përhapjes së anonimitetit, kanë për detyrë të mbrojnë dhe të riprodhojnë deri edhe vetë nocionin e përgjegjësisë publike, jo thjesht si virtyt ose optional, por si pjesë integrale të funksionit dhe të misionit të tyre. Në kuptimin tradicional të fjalës, përgjegjësia është e atij që “përgjigjet” për veprimet e veta; dhe koncepti, i cili e ka origjinën në shekullin XVII, përkon edhe me fundin e Mesjetës dhe të fillimit të Kohës së Re, të shënjuar mes të tjerash edhe nga konceptet themelore të lirisë (free will) dhe individualitetit; i asaj kohe është edhe koncepti tjetër, i bashkëlidhur, i autorit, çfarë na sjell sërish tek emri.

Në Shqipëri vërehet një ikje ose zbythje e përgjithshme prej përgjegjësisë ndaj publikut – edhe e institucioneve, të cilat gjithnjë e më shpesh dhe haptazi kërkojnë legjitimim dhe konfirmim prej palëve të treta (të huajve dhe organizmave ndërkombëtarë), edhe e mediave, të cilat i ofrojnë “falas” përmbajtjet e tyre, nuk ndihen më të detyruara nga kontrata të shitjes, dhe as të përgjegjshme ndaj publikut; por përkundrazi, u binden padronëve dhe financuesve. Ky lloj varfërimi i kapitalit të përgjegjësisë përkon – në mënyrë alarmante – me rritjen eksponenciale të anonimitetit, falë rrjeteve sociale dhe komunikimit në Internet; çfarë jo vetëm e ka ndarë fjalën nga subjekti thënës, por edhe e ka normalizuar këtë ndarje, duke e zhvlerësuar forcën performative të fjalës vetë (p.sh. në raport me të vërtetën) dhe vetë vlerën e diskursit publik, si një nga shtyllat ku mbështetet republika.

 

1 Koment

  1. Anonimati eshte njera ane, edhe pse anonimati ne portalet shqip, nuk lidhet me ikjen nga pergjegjesia domosdoshmerisht. Fundja, sipas zakonit te katundit, portalet nuk kane identitet politik, ideologjik, apo tematik, por asociohen me emrat e gazetareve pronare dhe partine qe mbrojne duke sherbyer. Keshtu pelqen edhe lexuesi qe i ndjek.

    Por edhe protagonizmi eshte problem. Nuk jane mbushur 24 ore dhe ne Shqiperi e kane gjetur tashme kush e ka vrare Oliver Ivanovicin.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin