Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MIKROBIOGRAFI IX

(nga Arben Dedja)

Anton Çekov

Në daçën e vet në Jaltë (pas vdekjes Olga – e shoqja, dhe Maria – e motra, jetuan aty edhe 50 vjet të tjera), ku shkroi mjaft nga tregimet e tij të përsosura, nuk kishte asnjë libër.

Kish, ama, mbi shkrimtore një kuti të bardhë me një kryq të kuq të vizatuar përsipër (kutia e ilaçeve) ku mjeku ynë, tuberkuloz qysh nga mosha 24 vjeç, mbante një… revole.

 

Avdi Ibrahimi

Fëmija u sëmur aq rëndë, sa menjëherë me gruan u vumë në punë të zinim një tjetër.

 

Ed Jupi

Meqë punonte te Rekuizita

e Kinostudios u shpërndante

pallto e doreza borgjezësh

miqve të hidhnin dimrin.

 

I mblidhte pastaj një natë

para xhirimeve

me listë fener e trokitje

tmerruese në portë.

 

Vetëm njëherë desh e

pësoi nga Sigurimi kur në rrugë

doli tebdil me qostekun

e Ismail Qemalit.

 

Ndërsa atë plis të bardhë

në kryemajë të gjembit

asnjëherë nuk e vuri

se do t’i ngjante pastaj Isës.

 

Ferdinand Poni

Koleksionin e tij të pullave – më i madhi që kisha parë – e mbante te Veprat e Udhëheqësit.

Shtrihej nga Vepra 17 deri tek e 65-a (mungonte vetëm Vepra 29), vëllime 6-700 faqëshe me letër dhe kopertinë të trashë, mbushur plot e përplot.

Më shumë nga të gjitha kishte pulla polake (i ati kish qenë atashe tregtar në Poloni).

Pulla më e çmuar: një pullë trekëndëshe, pa spil, pa vulë: España Fernando Poo.

 

Fuat Dushku

Që kryengritësit të mos prodhonin me të topa, bronzi i përmendores së shkulur të Diktatorit u vendos t’i shitet të parit ofrues, një reshperi gjerman.

E desh edhe ky për përmendore: ironikisht, për një antipod të Diktatorit shqiptar: për të çuditshmin, antikonvencionalin shkencëtar-shkrimtar gjerman të shtatëqindës, Georg Christoph Lichtenberg.

E kreva unë, Fuat Dushku, skulptor, njëri nga bashkëautorët e Heroinave të Mirditës, shkulur edhe ato për t’i shitur bronzin.

 

Gramoz Sazani

– Firma jonë prodhon kafka të shkëlqyera plastike…

– Ju falemnderit, preferojmë origjinalet.

– Nuk ju bind cilësia?

– Përkundrazi, tuajat janë më të mira, por është çështje kostoje.

 

Gjeneral Musa Ahmeti

Në fundin e një dite të ngjeshur takimesh të nivelit të lartë, mes të tjerash me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, konstatova, në pasqyrën e WC-së, që i kisha veshët gjithë shkumë, mbetur pakujdesisht nga rruajtja e mëngjesit.

U lumturova që asnjë nga ndihmësit, këshilltarët, sekretarët, kolegët, bashkëgjeneralët, miqtë e lartë, nuk kish guxuar të ma vinte në dukje.

 

Gjeto Basho Muji

Nga vrima që i bëri me plumb shpinës së dorës shikonte digën e hidrocentralit mbi Valbonë.

 

Ismail Karapici

Tek po pleqëroja si t’i bëja atentat Musolinit që ky të mos e pushtonte Shqipërinë, Musolini e pushtoi.

 

Johann Georg von Hahn

Studioi i pari “pederastinë” e shqiptarëve, që u jepte atyre dekoratën e merituar të lashtësisë si komb.

 

Lazër Filipi

Çdo vit që mbaronte me “0” dhe me “5” përkujtohej me madhështi lindja e Leninit (1870); çdo vit që mbaronte me “4” dhe, rrjedhimisht, me “9”, vdekja (1924), teksa Revolucioni i Tetorit (1917) përkujtohej viteve që mbaronin me “7” dhe me “2”.

Kështu, Sigurimi hoqi dorë nga arrestimi i tij: ishte vazhdimisht i impenjuar në turne, duke luajtur në skenë rolin e Leninit, i të cilit ishte kipc i përsosur.

U interesuan për të edhe rusët: që nga vdekja e parakohshme e Boris Shchukin-in, s’kishin gjetur tjetër aktor që t’i ngjakësh ashtu Vladimir Uljanovit.

 

Luçio Anneo Seneka

Si stoik, pritej nga unë një prerje më e thellë dhe e vendosur e damarëve, një mbivendosje më e plotë e teorisë me praktikën se ajo stërzgjatje sfilitëse, që u zgjidh vetëm me ndërhyrjen e mjekut personal dhe njërit prej skllevërve, teksa ushtarët e Neronit rrëzonin derën.

 

Major Hysni Milloshi

Në sallën e gjyqit pata gjakftohtësinë të bëj krahasimin letrar që, në mos më nxorri nga burgu, të paktën më shpëtoi jetën: kur kopsa e parë futet në ilikun e gabuar, gjithë kopsat e xhaketës ushtarake poshtë saj futen edhe ato në iliqe të gabuara (kopsa e fundit, bile, mbetet pa ilik).

Faji është gjithnjë i kopsës së parë.

 

Marie Kraja

– Kujdes me atë kamë – i tha regjisori Cho Cho-san-it dhe ia mbathi me të katra në prapaskenë.

 

Mendim Parizi

Një mendimtar memec me mjekër

krekosej si kokosh në thekër.

Ç’i thekte, mor, kokallat;

ç’puliste, moj, qepallat;

ky mendimtar i madh me mjekër.

 

Pertef Kënga

Kur miza të shëndoshura kali filluan sorollatjen në kat të tetë e kuptuam që artisti i shquar na kish lënë.

 

Qazim Mulleti

E Qazim Mulleti,

si qe i vërteti?

Ishte tirons,

apo zdroms?

 

Sandër Prosi

Një bust përkujtimor m’u përurua në Kinë.

 

Selam Musai

Ç’është kështu si dëgjojmë:

gojët thonë që Selam

Musai ish ca i pirë

kur vendosi t’i hedhë

gunën topit.

 

Shokët e tërhiqnin

(për gune, sigurisht):

«E kemi lënë të sulmojmë

për nesër a derëbardhë»

po pyeste Selami.

 

Telat me gjëmba

i dukeshin si ferra

e ulët e gardhit

të tij në Salarí

dhe gunën aq hijshëm

ia flaku topit

sa ç’ia lëshonte në duar

plakës kur kthehej

me dhëntë nga mali

gjer u turrën të tërë

pastaj esëll ose jo

për tek istikamet.

 

Hajt shëndeti i Selamit!

 

Sopot Hanxhari

Ishte tek “Iliria”, në kulm të sezonit, kur tre djem të vegjël nxorrën një meduzë nga deti.

U turrën në ndihmë baballarët.

Njëri e qëllonte me shapkë si i tërbuar, tjetri mori hurin e çadrës së diellit dhe ia ngulte në trup si Odiseja patërshanën e skuqur në zjarr syrit të Polifemit.

I treti u vërsul në kabinë, rrëmbeu hanxharin.

 

Sotir Kuneli

Gardiani shtyu derën e birucës dhe në vend të racionit ditor i hodhi të burgosurit një libër të trashë që sa s’i theu këmbën: Kodin Penal të Shqipërisë.

Kish 48 orë kohë ta lexonte.

Qëkur figura e avokatit mbrojtës ishte hequr nga legjislacioni shqiptar, në gjyq të pandehurit mbroheshin vetë, me rezultate që linin për të dëshiruar.

Akuzohej për agjitacion e propagandë: nëse dilte fajtor, dënimi do të ish i rëndë.

E vuri librin si nënkresë dhe vazhdoi gjumin.

 

Sulo Gradeci

Me pushime në Durrës, një mushkonjë rekej të pickonte Udhëheqësin.

S’kish ç’bëja tjetër, pos ta vrisja me revole.

 

Shaban Qosja

E pra nuk kishte hundë

veçanërisht të madhe

por vetëm atë shanin

«hundëderr! hundëderr!»

dhe qe i vetmi që i jepte pak gaz

qytetit provincial

me vrapin prej 70 vjeçari

të kapë 20 vjeçarin si era.

 

Thoshin i paguante

djelmoshat që ta shanin

ky Cyrano i komunizmit

po ç’rëndësi kish

kur në zenithin e mërisë

së tij homerike për sharjet

për hundën flakte karrige

po: fluturonin karrige

te “Kafe Tirana” ku

sekretarë partie pinin

kafenë e tyre të ngrysur

nga hallet e kllasës.

 

William Butler Yeats

William Butler Yeats

ishte plak fems.

I vunë pak testikuj majmuni

dhe mori Nobelin çuni.

 

Zysh Dëshira

Në atë fundvit shkollor 1996-1997 klasa ishte e dhjetuar nga mungesat.

Familjet preferonin të mbroheshin brenda mureve të shtëpisë.

Gjithsesi, për ata pak fëmijë të pranishëm, mësuesja e kish përgatitur mësimin.

Mbylli nga brenda me një palë pranga derën e klasës.

Jashtë vuri rojë të shoqin, që mbushte me kujdes karikatorin e kallashnikovit.

– Fëmijë, sot kemi mënyrat e foljes.

Do të flasim për dëshiroren dhe habitoren!

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin