Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

VIT I RI – LIBËR I RI

(nga Arben Dedja)

Fatos Kolaneci “Luaje derrin byro, bacë! (bixhozi dhe kartomancia nën Diktaturë)”, Sh. B. “Buka pa sufllaqe”, 2018, fq. 666 + shtojcë (22 fotografi me ngjyra), monografi

*

Përse aristokratët e botës, për të kënaqur epshet lojacake, ose të fitimit me çdo mjet, të shpikin shekujsh një larmi letrash bixhozi dhe, për pasojë, mijëra lojra që luhen me to – pa përmendur fallet, që i japin kartomancisë vlerën e një dijeje okulte që depërton të ardhmen – dhe kombi ynë, i ndrydhur nën Diktaturë, të mos ketë lënë gjurmë në këtë lëmë? Kësaj pyetje studiuesi dhe shkrimtari Kolaneci i është përgjigjur, pas një pune 20 vjeçare, me këtë libër madhështor.

Në 45 vjet Diktaturë as edhe një palë e vetme letrash bixhozi nuk u importua në Shqipëri. Gjakimi i vendasve për to mbulohej me ç’kish mbetur nga koha e Zogut, ose nga Perandoria Osmane dhe nga futja e tyre kontrabandë prej shoferëve të eksportit, minuesit e vërtetë, ende të pavlerësuar, të Diktaturës. Për hir të së vërtetës, njihen edhe raste të tjera letrash bixhozi të kontrabanduara (falë Zotit ato nuk i kap metal-detektori) nga intelektualë të shquar dhe artistë që i fshihnin në të mbathura ose çorape (përfshi edhe miq e familjarë të shokëve të Byrosë, dalë jashtë shtetit për të kuruar migrenën apo miopinë, që kryenin kështu një disidencë autoironike brenda llojit), por ishin shoferët me xhupa lëkure që u ra bixha të luanin “pjesën e luanit” në emancipimin kumartar të popullsisë. Vetëm në fund të viteve ’80, kur Regjimi po shkërmoqej, u bë i mundur prodhimi i parë seri (ilegal – shitur nën dorë vetëm në tregun e brendshëm) i letrave të para të bixhozit “Made in Albania” prodhim industrial (në Kombinatin e Tekstileve Berat: makineritë aty ishin pa punë për mungesë lënde të parë dhe punonjësit duarkryq). Por le të vazhdojmë me rregull.

*

Në këtë libër ndarë në tre pjesë, kryeherazi autori analizon një për një të gjitha lojrat e bixhozit që luheshin në Diktaturë – të shpikura nga vetë shqiptarët e izoluar nga sivëllezërit e tyre kumarxhinj nëpër botë. Shpjegohen aty hollësisht rregullat, implikimet psikologjike dhe zgjatimet matematikore e statistikore të këtyre lojrave në mendjet e irnosura nga Diktatura: “Xënku”, “Tarrasi”, “Pesëqindshi”, “Dyzeteshtata”, “Pesëkatëshi” [emri i kësaj të fundit ndoshta i frymëzuar nga ndërtimet me punë vullnetare, ose me punën e të burgosurve, të pallateve pesëkatëshe parafabrikate në periferi të qyteteve socialistë – lojë gjithë verve, e stërgjatë, sidomos në variantin e saj “të shtrirë”, ku situata ndërlikohej edhe me mbajten e pikëve, që duhet ta bënte dikush që kish njëfarë qasjeje pozitive me matematikën (zgjidhej gjithmonë ndonjë llogaritar, ose person me universitet) dhe që, sidomos, zgjaste shumë: nuk mund të bëhej dot më shumë se një kat në ditë – gjë që shpjegonte pse mjaft nga intelektualët shqiptarë ktheheshin nga plazhi krejt të bardhë]. Por jo vetëm kaq: ndikimin e kësaj loje “djallëzore” Kolaneci e sheh edhe në zvargien e disa prej Plenumeve të Jashtëzakonshëm, bile, sipas të dhënave më të fundit nga Arkiva e Komitetit Qendror të PPSh-së – arkiva më e pasur në vend: 10 herë më e madhe se Arkiva e Shtetit –, shpesh këto Plenume lindnin si zgjatime (si ajo “pjesa e tretë” e regbisë – por një “pjesë e tretë” makabër) ndaj një “Pesëkatëshi” vajtur ters. Plenumi niste si qortim, por pastaj degjeneronte me dënime të rënda deri në vrasje për veprimtari antiparti dhe, për shembull, ai grupi antiparti i ushtrisë nuk qe gjë tjetër veç pasojë e një humbjeje të rëndë të Diktatorit në “Pesëkatëshin” e radhës, që kishin tre ditë e net rresht që e luanin. “Tavllat e duhanit i zbrazja çdo çerek ore” – ka deklaruar tash së fundi në një intervistë kamarieri i barit që ndodhej në bodrumet e ndërtesës së KQ – “dhe, në ato pak çaste që hyja në dhomën ku po zhvillohej loja, dëgjoja të shara nga motra”. Me sa duket që nga bodrumi, në fund të lojës Byroja Politike u zhvendos drejtpërsëdrejti në sallën e mbledhjeve dhe Plenumi i Jashtëzakonshëm shpalli sa hap e mbyll sytë grupin antiparti. Përfundimi dihet: tre lojtarët e tjerë të atij “Pesëkatëshi” tragjik, Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako u pushkatuan, kurse Rrahman Parllaku, që mbante pikët, u dënua me 25 vjet. Sigurisht, shokët e Byrosë e respektonin deri në puthadorje Diktatorin, por, mesa duket, kur bënin një dorë letra (dhe vetëm në atë rast), truri u ikte, si në orët e gjata, të mërzitshme të ilegalitetit gjatë LANÇ, kur luanin e bixhoz natë e ditë me plakun e shtëpisë ku strehoheshin. “Kur shihte dorën që i kishte ardhur, Ballukut i kërlesheshin vetullat, kurse Dume e kish gjoksin të zgafulluar, ai, që ndonëse Shef i Shtabit të Përgjithshëm, rrinte gjithmonë me fanellë leshi”, kujton Parllaku, i vetmi i grupit ende gjallë.

*

Në pjesën e dytë autori analizon ç’ndodhte në anën tjetër të frontit, në burgjet e Regjimit: Spaç, Burrel, Qafë Bar, Shën Vasi… Me izolimin më të madh dhe heqjen e skajshme të lirisë, mendja krijuese e të burgosurve shpiku lojra bixhozi akoma më të ndërlikuara, në llojin e tyre të denja për çdo traktat kartomancie. Ngrehina e bixhozit disident, pra, ishte akoma më e lartë e labirintike. Loja që analizon gjerë e gjatë autori (pasi ka konsultuar posaçërisht edhe dy matematikanë ndërkombëtarisht të njohur në “Game Theory”) quhet “Pesëmbëdhjetëkatëshi”, luhej me 78 letra nga 6 persona njëherësh (numër që përkonte me mesataren e të burgosurve për dhomë). Kryerja e një kati lojë, sado intensivisht të luheshin duart (e lojës), nuk zgjaste më pak se një muaj, ndaj për të mbaruar një “Pesëmbëdhjetëkatësh” duhej gati një vit e gjysmë, aq sa iu desh Pashko Gjeçit të përkthente (në burg) “Ferrin” e Dantes. Kështu, ama, kjo lojë i shkonte më së miri viteve të gjata me heqje lirie të të burgosurve politikë dhe gjasave të larta që ata kishin për “ridënim” (në një rast bile, siç buthtoi nga arkivat, Drejtoria e Burgut të Spaçit e kreu ridënimin e të burgosurit politik M. N. vetëm e vetëm për ta lënë atë të përfundonte një “Pesëmbëdhjetëkatësh” që po e shihte ngadhnjyes). Gjashtë ishin edhe lulet e kësaj loje: maçi (e vetmja lule që emërohej sipas mënyrës “klasike”) dhe pastaj: tucka, byroja, spora, kukuvriqja, kori. Nuk kishte, si në letrat klasike, numra nga 1 deri në 10 për çdo lule, plus fanti, çupa dhe derri, por nga njëshi te trembëdhjeta letrat qenë emëruar sipas Anëtarëve të Byrosë. Sigurisht, as që mund të mendohej që letrat të hynin në burg nga jashtë, ndaj prodhoheshin aty, me letra cigaresh: vepra të vërteta arti (shihni fotografitë me ngjyra te shtojca e librit). Meqë lajmet hynin në burg gjithmonë me një farë vonese, ndodhte shpesh që ndonjë Anëtar Byroje i rënë në fatkeqësi ta mësonte sefte “Pesëmbëdhjetëkatëshin” me letra ku ai vetë figuronte në vend të njërit nga numrat. Vetëm në një kohë të dytë letrat përditësoheshin sipas Byrosë së re. Nga ana tjetër, ky fakt e ndihmoi mjaft Kolanecin në datimin e letrave të prodhuara.

*

Pjesa e tretë e librit, më voluminozja, merret me ato/ata që, me anë të letrave, përpiqeshin ta davarisnin mjegullën e së ardhmes dhe të njihnin kështu të panjohurën, ndoshta të panjohshmen, të kryenin atë që quhej “hyjnizim”: me fallet dhe fallxhoret/ët, pra. Sa më të zeza bëheshin fatet e Atdheut, aq më shumë rritej prestigji i tyre. Njerëzit zinin radhë para derës së Tixhe Bishqemit, Pali Miskës (ky vepronte në Bllok), Argjiro Kokomënit, Xhelo Çizmes, Skuthe Velos, Maksude Takëmit, Prenda Lalë Marres, Stathica Qendros, qysh në mbrëmje, shpesh duke e kamufluar radhën për fall me atë për qumësht, vetëm e vetëm për t’u dehur pak nga kumti okultist i atyre letrave hapur një më një e marramendazi mbi tryezë, mbartëse simbolesh sekrete e oguresh (shpresohej të bardha, shpesh të pangjyra, kurrë të heshtura). Njerëzit ishin të dëshpëruar, por edhe nervozë për të ditur sa më parë ç’i priste, ndaj qëllonte që radhët degjeneronin në sherre me grushta e shkelma të tipit “kam ardhur para teje” e megjithatë – për habi e lavdi – kjo nuk ndikoi negativisht në dekonspirimin e fallxhoreve, përkundrazi, rrëfen Kolaneci, Policia, duke e interpretuar situatën si një shaka e bukurstisur, shpesh i bashkangjitej popullit, për të mësuar edhe ajo fatin e saj. Kështu, fallet nën Komunizëm i rezistuan kohës dhe, me gjithë konkurrencën e leximit të fundit të filxhanëve – që mori krahë sidomos gjatë Krizës së Tretë të Kafesë (1977-79) – përgjithësisht quhej, edhe në majë të Pushtetit, si mjet më i sigurt e racional rivelimi të të ardhmes se llumi i filxhanit. Ndoshta në nën-ndërgjegjen e komunistëve rridhte si përrua i nëndheshën karakteri ekzoterik i ideologjisë së tyre që përkonte me fazën e fshehtë të Partisë dhe me ilegalitetin e kohës së pushtimit që, siç e thamë, ishte bixhoz i çmendur nga një bazë ilegale në tjetrën dhe ky ekzoterizëm martohej më së miri me atë të kartomancisë. Grupi i ashtuquajtur antiparti në fushën e ekonomisë, por, po të shkojmë më thellë në kohë, edhe Koçi Xoxe vetë, në vend që të humbnin kohë me përgatitjen (e kotë) të autokritikës, preferonin të rrinin në radhë te Tixhja, ta ndanin njëherë e mirë shapin nga sheqeri. Fallet që hidheshin gjatë Diktaturës ishin vërtet të veçantë, pse jo inovativë. “Hozrashoti”, “Motokrosi”, “Rëzëkofsha” (ky i fundit u hidhej vajzave – a vejushave – që kërkonin burrë), ishin disa nga fallet më në modë të kohës, që nuk parashikonin, ama, drejtpërsëdrejti fatin, por fatin e fatit: atë që shihej në pasqyrën (e mysët e kokëposhtë) të fatit.

Pas suksesit të librit, Ardit Krupieri i interpreton këto falle për ju në një videotutorial të posaçëm në Youtube.

Lexim (dhe shikim) të mbarë!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin