Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Muzikë

EDUKIMI PËRMES ÇEDUKIMIT

nga Eda Zari

Kur do të heqim dorë nga metoda e konkurseve dhe përdorimit të termit “Elitar“ apo “Koncerte Gala“ për fëmijë, teksa pretendojmë se fëmijëve të shkollave 9-vjeçare po u ofrojmë projekte quasi edukues, përmes muzikës, artit, apo kulturës në Shqipëri? “Miti i talentit dhe Elitaria“ është një nocion i gabuar dhe krejtësisht i pavend, sa kohë që fëmijët duam t’i edukojmë pa asnjë dallim, përmes artit dhe kulturës!

Para pak ditësh në Instagram lexoj: “(…) TKOB shpall një kalendar dedikuar edukimit përmes Artit si prioritet i këtij viti artistik…“. Dhe pastaj: “(…) ky projekt elitar mundësohet për herë të parë duke bëre bashkë 50 fëmijë të dalë nda konkursi Eja këndo me ne”!

Fillimisht e përgëzoj këtë iniciativë. Fëmijët mësojnë nga përvojat e ofruara nga një dorë e ngrohtë profesioniste, e ndoshta një pjesë e artistëve janë vetë prindër. Përforcimi pozitiv nga ana e të rriturve i motivon fëmijët. Po kështu, një qëndrim prindëror edukues (sepse të gjithë fëmijët duhen njësoj), u fal atyre besimin dhe nxit dëshirën e tyre për t’u artikuluar muzikalisht më tej.

Të tilla iniciativa e projekte së pari duhet të promovojnë kuptimin e gjerë muzikor. Inkurajimi dhe pasioni për artin e të kënduarit është shansi që i duhet dhënë çdo fëmije për të përjetuar në këtë fazë të jetës momente të bukura së bashku! Zëri këngëtar i fëmijës nga mosha pesë deri dymbëdhjetë vjeç zotëron një timbrikë të natyrshme në formacionin e një kori. Ky tingull kolektiv prej të miturish, i ashtuquajturi “kor i engjëjve“, krijon një ngjyrë vokale të papërsëritshme, që humbet pastaj me moshën. Të kënduarit në grup, në ansambël, apo kor është mediumi ideal për fëmijët për të komunikuar, për të shprehur ndjenjat dhe mendimet, por edhe për të çliruar stresin emocional. Mbi të gjitha, të kënduarit unifikon dhe forcon vetësigurinë sociale. “Të kënduarit është gjuha e vërtetë e mëmës për njerëzimin”, thotë Yehudi Menuhin, (përtej asaj për të cilën ai njihet) mentor dhe mbrojtës i iniciativës “Kënga e Botës“.

Konkurset në këtë rast nuk janë një punë e mirë lobimi për vlerat që ato premtojnë të mbartin si iniciativa edukuese! Edukimi përmes muzikës në bashkësi nuk ka të bëjë me diferencimin, selektimin a kufizimin e fëmijëve përmes konkurseve, as përparësinë që mund t’u jepet  paraqitjes së fëmijëve me aftësi të përsosura vokale. Në përvojat e mia si “Vocal coach“ (trajnuese vokali) qoftë me banda e këngëtarë profesionistë, por dhe me projekte të natyrës edukative për zhvillimin muzikal parashkollor siç ka qenë projekti: “Wir singen” (“Ne këndojmë”), realizuar në landin e NRW-së në Gjermani, kam shquar deficite dhe problematika të cilat zanafillën e kishin te pengimi i të kënduarit në vogëli. Kush kërkon të frenojë dëshirën e fëmijës për të kënduar, për shkak se prindit, edukatorit, mësuesit, gjitonit i duket ulërimë dhe jo të kënduar i mirëfilltë, së pari duhet të mos e shohë këtë si të metë, por si dëshirë të fëmijës për t’u artikuluar ndryshe. Në këtë rast vlen thënia: “Jepi shans ulërimës së fëmijës të bëhet zë, për ta gdhendur më tej drejt këngës. “Heqja dorë nga të kënduarit në fëmijëri, ka implikime të mëdha në zhvillimin e personalitetit dhe formimin emocional të fëmijës. Shumë njerëz të kënduarit e lidhin me përvojat e tyre negative, kur janë ndier me turp në fëmijëri, ose kur janë bindur se nuk mund të këndojnë, sepse janë ndier inferiorë për shkak të rrethanave sociale, racore ose metodave të gabuara edukuese, ose sistemit jokorrekt politiko-arsimor. Parë psikologjikisht dhe muzikalisht, kjo më nxit të prek një paradoks në Shqipëri: Pse adoleshentët konsumojnë muzikë katër deri pesë orë në ditë, dhe kjo ndodh në mënyrë pasive duke dëgjuar me kufje iPods, Smartphone etj, në vend që të mësojnë një instrument dhe të bëjnë vetë muzikë? Prirem ta shpjegoj këtë me shpërndarjen e pabarabartë të mundësive, rrethanave dhe niveleve sociale dhe mosmotivimin që ata kanë ndier qysh në vogëli. Shumë nga të rriturit e sotëm nuk kanë guxim t’u këndojnë fëmijëve të tyre qoftë edhe një “Patat dhe rosat lahen në liqen“!

“Kush mund të flasë, gjithashtu mund të këndojë”. Ndaj nuk e shoh me vlerë termin “elitar”, as konkurset, koncertet a la “Gala“, apo proçkat televizive “Ti vlen” etj. Gjithashtu, “Miti i talentit“ mund të gjejë fushë veprimi ndryshe. Jo në konkurse të formatit komercial, as në spektakle televizive, ku shpesh fëmijët dhe adoleshentët traumatizohen dhe demoralizohen deri në humbje të vetëbesimit!

Të kënduarit në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë, ndihmon që sinapset në tru të rikombinohen – duke e bërë fëmijën edhe më të zgjuar, më të mprehtë.

“Eja këndo…“, apo çfarëdo iniciative tjetër edukative përmes muzikës-artit, duhet  t’u ofrojë fëmijëve terren për të vetëzbuluar pa drojë zërin e tyre, duke u rritur me njëri-tjetrin përgjatë këtij procesi. Pasioni është ngjitës, ndaj zotërimi i funksioneve vokale dhe përdorimi i shëndoshë i zërit në të folur dhe të kënduar është një proces zhvillimi shumë delikat, që duhet të nisë në vitet e para të jetës brenda familjes, në kopsht e më pas në programet shkollore.

Të kënduarit çliron dhe shëron të madh e të vogël.

Le të sjell shembullin nga Dhiata e Vjetër, ku thuhet se: “Muzika dhe kënga kuron mendjen dhe shpirtin e sëmurë”. Davidi, djali i bariut, mbreti i ardhshëm i Izraelit, e kuron mbretin Saul me këngën dhe harpën e tij. Pas këtij efekti terapeutik, Sauli e kuptoi dhe tha: “Unë mund të jem një mbret i mirë për popullin tim, nëse nuk e harroj bariun e mirë, i cili më jep atë që kam nevojë për të jetuar. Kënga e tij më shpëtoi nga fatkeqësia dhe rreziku“.

 

1 Koment

  1. Këtë lloj pjelle atavike të “tabelës së emulacionit socialist” e kam hasur në të tjera forma, gjatë punës së përditshme. Me qëllim inkurajimin e nxënësve më të mirë, x mësues të y shkollave të arsimit të mesëm preferojnë të përfshijnë në veprimtari kulturore (vizita në institucione të trashëgimisë) vetëm një pjesë të nxënësve. Këta janë sa nxënës të cilët tregojnë dukshëm interesin e tyre për lëndët përkatëse të shkencave sociale, aq edhe nxënës të konsideruar “të mirë”, apo që kanë lidhje familjare me persona me ndikim në politikat arsimore ose në shkollën përkatëse (“çuni i këtij / goca e asaj”). Nuk ka nevojë të thuhet se jo çdo nxënës ka të njëjtat interesa dhe kapacitetin të thithë informacion nga mjetet tradicionale. Nga ana tjetër, mund të ekzistojnë pengesa praktike të pakapërcyeshme, dhe jo çdo nxënës do të mundej të bëhej pjesë e programeve edukative-kulturore brenda orarit mësimor (numër tepër i madh nxënësish vs. kohë e shkurtër në dispozicion). Pavarësisht argumenteve pro dhe kundër, ajo që mbetet dhe lë shenjë në psikikën e nxënësit, mendoj, është diferencimi, kthesa e pashmangshme që provokon ajo “jo, ti jo” e dikurshme, dhe dëmi i pariparueshëm. Shqiptarët kanë dalë nga socializmi, por nuk del socializmi nga shqiptarët. Ironikisht, në kohën e sotme nuk kemi as filma si “Shoku ynë Tili”!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin