Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

LEADERI VDIQ, LEADERIN E VRANË

Shprehjen le Roi est mort, vive le Roi! (“Mbreti vdiq, rroftë mbreti!”) tradicionalisht e lidhin edhe me nevojën politike për të siguruar publikun se mbreti mund të ketë vdekur, por mbretëria është gjallë e shëndoshë, meqë kemi sakaq një mbret të ri.

Koncepti thuhet ta ketë origjinën në Francën mesjetare, dhe të jetë i bazuar në parimin “le mort saisit le vif”, që do të thotë se trashëgimtari ia ka zënë vendin paraardhësit në çastin e vdekjes së këtij të fundit. Rëndësia e këtij parimi është që të mos lejojë zbrazëti në zotërim, përfshi edhe “pronësinë ndaj fronit” si selia ku mbreti (sovrani) ushtron sovranitetin.

Gëzimi i pasardhjes së realizuar ka të bëjë jo vetëm me mbretin e ri që ia zë vendin atij që iku, por edhe shmangien e interregnum-it, si ndërprerje e vijueshmërisë në pushtet, dhe që shpesh shoqërohet me trazira, përplasje mes faksioneve dhe luftë civile. Kur Henry III vdiq në 1272 gjatë kohës që i biri, Edward I, ishte duke luftuar në kryqëzatë, Këshilli mbretëror shpalli sa vijon: “Froni nuk do të rrijë kurrë bosh; vendi nuk do të jetë kurrë pa monark.”

Në Danimarkë është madje traditë që kryeministri të bëjë një deklaratë të ngjashme, sa herë që vdes monarku: Kongen leve, kongen er død (“Përshëndeteni mbretin, mbreti vdiq”) nga ballkoni i Pallatit të Parlamentit.

Regjimet totalitare, që edhe ato tashmë tradicionalisht kanë në krye një leader suprem dhe autoritar, nuk e gëzojnë dot këtë privilegj të pasardhjes – meqë nuk kanë ndonjë mekanizëm të ngjashëm me atë të trashëgimisë automatike që aktivizohet në rast vdekjeje të sovranit. Këto regjime, si të thuash, nuk janë asnjëherë në gjendje ta përballojnë vdekjen e leader-it që kanë në krye dhe as t’i japin një racionale politike natyrës njerëzore ose vdekshmërisë së trupit fizik të leader-it.

Kjo tingëllon të paktën ironike për regjimet totalitare të majta, të cilat përqafojnë ideologjinë marksiste-leniniste, të njohur edhe si haptazi armiqësore ndaj fesë dhe rolit të Hyjnisë në histori.

Në Shqipërinë totalitare, një nga mënyrat e njohura si “populli” komunikonte me Enver Hoxhën ishte duke i thënë “Rrofsh sa malet!” – ose duke i uruar jetë të gjatë. Versione të këtij urimi janë edhe “t’u bëftë dita një mijë!”, “marrsh nga ditët tona!” dhe “njerëz si ai kanë vetëm datëlindje” – të cilat të gjitha përcjellin, në një mënyrë a në një tjetrën, refuzimin jo vetëm të vdekjes, por edhe të mundësisë së vdekjes së leader-it.

Një udhëheqës totalitar, i tipit të Enver Hoxhës, mbetej gjithnjë i dyzuar midis njeriut që ia zë vendin Zotit në krye të piramidës së pushtetit, dhe njeriut që guxon të bëhet ai vetë Zot, nëpërmjet pushtetit që ka përqendruar në duart e tij. Kësisoj, pavdekësia bëhet atribut elementar i leader-it totalitar, i cili nuk mund ta ushtrojë dot funksionin e vet politik, përveçse duke e përjashtuar mundësinë e vdekjes.

E megjithatë, modaliteti dëshiror i shprehjeve të tilla si Rrofsh sa malet (tona)!, T’u bëftë dita një mijë!, Marrsh nga ditët tona! drejtuar Enverit dhe që e gjenin rrugën edhe në poezi lirike, në letra spontane nga poshtë, në slogane politike dhe në tekste këngësh e bart me vete kërcënimin jo dhe aq të fshehtë të vdekjes, si kërcënim gjithnjë të pranishëm – pas çdo buzëqeshjeje, çdo ovacioni, çdo fitoreje. Publiku besnik i një regjimi totalitar nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të negociuar tmerrin e mundësisë për vdekjen e leader-it, përveçse nëpërmjet formulave të tilla liturgjike-magjike, ose supersticionit politik.

Vdekja e Enverit, si subjekt bisedash qoftë edhe të tipit “po sikur”, duhej shmangur me kujdes; dhe jo vetëm për të mos e ndjellë, por edhe ngaqë aparati përndryshe “perfekt” i ideologjisë së pushtetit totalitar nuk kishte përgjigje për të – vetë shteti i Enver Hoxhës nuk mund të përfytyrohej veçse si zgjatim i trupit “fizik” të leaderit, i cili i jepte atij shteti fytyrën “njerëzore.” Veç fëmijët do të guxonin ndonjëherë ta bënin pyetjen fatale: çdo të bëhet kur… e cila, për të rriturit e vetëdijshëm dhe besnikë të regjimit, do të shënonte fundin e botës. Që këtej edhe nevoja praktike për t’i besuar absurditetit të pavdekësisë së leader-it.

Kjo nuk do të thotë se Enveri vetë nuk kujdesej për pasardhjen – përkundrazi. Në një regjim absolutist si i tiji, pasardhja do të përfaqësonte edhe formën e vetme të arsyeshme të përjetësisë, të cilën publiku ia atribuonte lirisht dhe përditë, përmes dëshirash dhe yshtjesh irracionale. Kjo, ndryshe nga leaderë të tjerë, si Stalini ose Titoja, të cilët lanë pas vetes konflikt; sidoqë jo ngaqë ishin dritëshkurtër. Në të vërtetë, caktimi i një pasardhësi dhe kultivimi i tij politik bie ndesh me vetë parimin e unicitetit të leader-it; meqë një pasardhësi tashmë të zgjedhur ose të caktuar nuk i mbetet veçse të presë për vdekjen e para-ardhësit. Çfarë do thotë se, për një leader totalitar, vetë prania e pasardhësit përbën kërcënim.

Ndryshe nga monarkitë, ku pasardhja varet nga suksesioni familjar, dhe mbreti në parim e di që do të pasohet nga i biri (ose e bija), në një regjim totalitar pasardhja është gjithnjë produkt i marrëveshjes ose makinacionit politik; dhe i vetmi akt mirëfilli logjik i pasardhësit, në momentin që emërohet i tillë, do të ishte eliminimi ose likuidimi i leader-it ekzistues.

Regjimit totalitar të Hoxhës i është dashur të përballojë jo vetëm sfidën metafizike të vdekjes së leader-it, por edhe manifestimin e përditshëm të kësaj vdekjeje në vetë procesin e plakjes së leader-it vetë: plakja e të parit sjell me vete sëmundje, sklerozë, paranoja, luftë për pushtet mes bashkëpunëtorëve dhe kontroll të rritur të mjekëve në jetën e diktatorit. Prandaj vendimet që merreshin për mjekimin e Enver Hoxhës ishin me rëndësi kritike jo vetëm për trupin e tij, por edhe për shtetin e tij; aq më tepër që, me kalimin e viteve, preokupimi ndonjëherë edhe i shprehur haptazi “për të mos e lodhur shokun Enver” filloi të vlente si pretekst për monopolizim dhe personalizim të pushtetit në duar të tretësh.

Në kontekstin ku publiku është mësuar me idenë e pavdekësisë së leader-it, duke ia bashkëlidhur këtë qëndrueshmërisë së shtetit vetë, institucioneve dhe organizatave politike (“Rroftë diktatura e proletariatit!”, Rroftë Komiteti Qendror i PPSH-së!”), atëherë vdekja e leader-it, qoftë edhe për arsye moshe ose shëndetësore, do të interpretohet shpesh në mos vetvetiu si vrasje politike, ose efekt i një kospiracioni të suksesshëm. Jo rrallë, në konspiracione të tilla janë përzier dashur pa dashur mjekët – si në rastin e Stalinit, në Bashkimin Sovjetik; ose siç po del tani nga disa thashetheme, akuza dhe kundërakuza të tanishme për vdekjen e Enver Hoxhës.

Kur akuza për vrasje të leader-it, ose qoftë edhe për përshpejtim të vdekjes natyrore, vjen nga rrethi i ngushtë familjar ose i bashkëpunëtorëve ose i mjekëve, kjo lë të kuptohet se për këtë kategori vrasja politike mbetet gjithnjë një opsion; versione të ngjashme kanë qarkulluar me këmbëngulje edhe për Hysni Kapon, dhe natyrisht për Mehmet Shehun (këtë herë, në kundërvënie me hipotezën sërish konspiraciste të vetëvrasjes). Ideja irracionale se mjeku të ka në dorë jo vetëm jetën, por edhe vdekjen, dhe që në çdo moment mund të zgjedhë midis njërës dhe tjetrës materializohet në bindjen se, nga njerëzit që ka afër leader-i i sëmurë, mjekët kanë më tepër gjasë se të tjerët për ta likuiduar, sepse për mjekët tabuja e trupit fizik të leader-it nuk vepron; madje roli i tyre, krahas plakjes së këtij leader-i, është ta marrin këtë trup fizik nën mbikëqyrje dhe të kujdesen për mirëmbajtjen e tij.

Shto këtu edhe faktin e arsyetuar se një leader plak, i sëmurë, i dobësuar dhe shpesh edhe i currufjepsur mund të manipulohet fare lehtë nga dikush tjetër i entourage-it, duke filluar nga e shoqja ose ndihmësit privatë; dikush gjithsesi i papërshtatshëm a i padenjë për të marrë në kontroll pushtetin qoftë edhe thjesht ad interim; për të nxjerrë përfundimin, gjithnjë të arsyetuar, se në këto rrethana përshpejtimi i vdekjes nga ana e mjekëve është në interesin e vetë mbarëvajtjes dhe vijueshmërisë së shtetit (raison d’état): cilitdo shtet.

Siç e mbajmë mend, vitet e fundit të jetës së Enver Hoxhës që tashmë lëvizte në karrigen me rrota të shtyrë prej mjekëve, shoqëruesve dhe familjes, ishin edhe vitet e katastrofës politike, sociale dhe ekonomike në Shqipëri – gjatë të cilave pati përndezje të terrorit politik, krizë në politikën e jashtme, zbrazje të tregut, varfërim të thellë të familjeve dhe mbyllje pothuajse të plotë ndaj botës, pa llogaritur luftën vëllavrasëse në majë të kupolës. Edhe pse Hoxha vetë mbeti gjallë gjatë kësaj kohe, periudha do të hyjë në histori si interregnum-i i mirëfilltë për regjimin, me të gjitha pasojat e kobshme që i njohim. Meqë shteti totalitar nuk i ndan dot “dy trupat e mbretit” (Kantorowicz), në kuptimin politologjik të këtij termi, atëherë sëmundja fizike e leader-it u lejua të molepste krejt makinën e shtetit, aq sa energjitë politike të shtetit të kanalizohen gjithnjë e më tepër drejt nevojës për të mbrojtur shëndetin dhe për të siguruar mbijetesën e të dy trupave të leader-it.

11 Komente

  1. Fakti qe trupi natyror i Liderit dhe trupi politik i shtetit degraduan njekohesisht dhe rrokullima qe mori sistemi pas vdekjes se tij, tregon se Enveri ishte shpirti i nje sitemi pa shpirt, zemra e nje sistemi pa zemer. Lideri ishte ai qe i jepte fryme dhe forme sistemit. Ai ishte Demoni dhe Engjelli mbrojtes i sistemit qe projektoi.
    Ndryshe nga raste te tjera brenda ish bllokut komunist , ku pasardhesi krijonte profilin e tij duke ridimensionuar qendrimin ndaj ish Liderit suprem, Alia ishte nje hije e zgjatur e hijes se liderit te vdekur.
    Enverit propaganda dhe populli kendonjes i atribuan nje rol mesianik per fatet e kombit. Gjithe ” magjia ” e qendrimit te tij te gjate ne skene si sundues, u bazua ne tre shtylla: suksesi ( deri ne vitet 60-te), sigurimi shtetit dhe struktura psike e nje populli te ekzaltuar pas kapidanit, prijesir, bajraktarit.
    Konteksti historik dhe karizma e tij jane vetem premisa per t’ u ngjitur ne skenen e historise.

  2. Ardian Vehbiu,nuk paskeni lene hapesiren e perhershme per komente tek rubrika “foto e castit”.Duket se nuk do te perballeni me to.Kam pershtypjen se edhe vete dyshoni se mund te keni keputur ca te trasha,prandaj nuk rrezikoni te perballeni me komentet.S’kam se c’emer tjeter ti ve kesaj,vecse burracakeri intelektuale.
    Ju jeni shembulli i perkryer,sesi mund te ta percudnoje logjiken bindja e ideologjike(e majta,ne rastij tuaj).
    Ne te vertete,ato qe keni “keputur” jane shume me shume se te trasha.Jane per te vene duart ne koke.
    Ju keni akuzuar shpesh historianet,dhe me shume te drejte,qe i bejne shume dem se vertetes duke qene kombetariste.
    Dhe,harroni se te njejtin “mallkim” e keni edhe ju.Me nje ndryshim shume te vogel: ju i beni dem se vertetes,duke qene majtist.Ideologji e tyrja,ideologji e juaja.Ideologji per ideologji domethene.
    Dhe,ketu jeni mat zotni!

    1. Timur, ti ke kohë që komenton këtu por unë sërish po të pyes: a je i sigurt se je në vendin e duhur?

      Hapësira për të komentuar te “Foto Çasti” aty ka qenë, madje për temën që të intereson ty ka pasur komente të kolegëve që mbrëmë.

      Sikurse ka pasur komente të kolegëve edhe sot.

      Ti vjen këtu me pritje të caktuara – dhe me një negativizëm që unë, sinqerisht, do t’ia kurseja kësaj faqeje.

      1. O zotni Vehbiu,shkrimi juaj te “Foto Casti” dhe pamundesia per te komentuar,te le ate ndjesine e hidhur sikur te thone:lexo dhe hesht!
        Nuk e di sesa here duhet t’jua them qe nuk kam asnje prirje,pritje(ndaj jush,sepse e di kushtezimin nga ideologjia e majte per tema te tilla),synim a negativizem.Perkundrazi,vij me kenaqesi te madhe;sepse,ashtu sic e keni thene edhe ju nje rast,ketu ka shume c’te mesohet.
        Shkrimet per Voskopojen ishin shume te mira.Edhe ky i mesipermi.Dhe kjo,edhe per arsyen qe kushtezimi ideologjik(majtist),te pakten ne menyre te drejperdrejte,nuk ju demton argumentin.
        Mirepo,sa hidheni ne tema,ndaj te cilave kushtezimi ideologjik eshte i pashmangshem,argumenti juaj bie nga standardi (logjik) i zakonshem.
        (P.S.: me dashamiresi dhe sinqeritet,po ju them nje te vertete,te cilen mund t’jua them vetem une:hiqni dore nga bindja ideologjike,jo thjeshte pse eshte e majte;nje intelektual i vertete nuk ka bindje;nuk duhet te kete;nuk mund te kete)

        1. Shkruan:

          O zotni Vehbiu,shkrimi juaj te “Foto Casti” dhe pamundesia per te komentuar,te le ate ndjesine e hidhur sikur te thone:lexo dhe hesht!

          Timur, te “Foto Çasti” mund të komentohet njëlloj si në çdo shkrim tjetër. Janë bërë 4-5 komente tashmë. Je ti që nuk e ke marrë vesh si të shkosh atje për të komentuar. Dua të them: ti ende nuk di si të orientohesh në faqe – gjë që s’ka të bëjë fare me censurën. Mos më lodh kot tashi!

          1. Une kam komentuar edhe me pare tek rubrika “Foto Casti”,kurse kete radhe nuk mundem,c’ka perjashton mundesine e mosorientimit nga ana ime.Megjithese mendja me shkon(cdokujt ne vendin tim do t’i shkonte) tek ndonje teoricke e vockel konspiracioni dhe duke pare qe ju keni shume deshire te thoni fjalen e fundit,por edhe merzitjen tuaj nga shqetesimi im,po e le me kaq;megjithese,t’ju them te drejten kisha shume per te thene per nje “keqkuptim” te cuditshem qe kane te gjithe ata qe mbajne anen e Kryeministrit per ceshtjen ne fjale.
            Sepse,nuk behet fjale per nje konsiderate intelektuale apo qendrim intelektual ndaj “marrezise” se personit Donald Trump,por per nje qendrim te mirefillte politik te qeverise se nje vendi qe i eshte borxhli ShBA-se,jo vetem per ekzistencen e vet si shtet,por edhe ate te shtetit tjeter te ri shqiptar,Kosoves;qe i eshte broxhli pra,per vete ekzistencen e kombit shqiptar;aq me teper,kur nuk behet fjale thjeshte per nje trill te individit Trump as te Presidentit amerikan,po te doni,por me nje vullnet te shprehur qarte nga perfaqesuesit e popullit amerikan,nga Kongresi amerikan,si demokrate ashtu dhe republikane,pa dallim,njezetedy vite me pare.
            E c’eshte me kryesorja,kur voten kunder fleterrufese turko-jemene,qeveria e ShBA-se ua ka kerkuar ne menyre eksplicite vendeve anetare te OKB,sidomos atyre qe i konsideron mike dhe aleate,dhe ku hyn edhe Shqiperia jone.
            Faleminderit per mirekuptimin.

    2. Timur, ku e vereni ju kete burracakeri intelektuale te Vehbiut dhe majtizmin e tij? Pyetjen ta drejtoj me sinqeritetin me te madh dhe shpresoj te me pergjigjeni.

  3. Fakti qe trupi natyror i Liderit dhe trupi politik i shtetit degraduan njekohesisht dhe rrokullima qe mori sistemi pas vdekjes se tij, tregon se Enveri ishte shpirti i nje sitemi pa shpirt, zemra e nje sistemi pa zemer.

    Pika.s,
    Konteksti, ai historik por sidomos ai gjeopolitik, luajti një rol shumë më të rëndësishëm si në lindjen ashtu dhe në rënien e regjimit në Shqipëri, se sa mendojmë ne. Sistemi komunist në Shqipëri me shumë gjasa do të binte edhe nëse Enveri do të ishte gjallë, bashkë me rënien e komunizmit në njerën qendër të sistemit, në Bashkimin Sovjetik, dhe më tej në Evropën Lindore. Si sistem ekonomiko-social komunizmi kishte falimentuar ekonomikisht dhe ishte diskretituar moralisht; si ti tillë kishte mbetur pa mbështetjen (e mëtejshme) të shumicës së qytetarëve të vet, që është e domosdoshme për një regjim që nuk pretendon haptaz të jetë juntë ushtarake. Për një vend të vogël si Shqipëria, periferik ndaj sistemit dhe për më tepër me një ekonomi të shpartalluar si ajo shqiptare e viteve ’80, fundi ishte i pashmangshëm, me ose pa Enver. Vetëm modalitetet e përmbysjes do të ishin ndryshe nëse Enveri do të ishte ende gjallë – me probabilitet të lartë do të ishte bërë kasaphanë ose do të kishte pllakosur uria gjithandej – por fundi ishte i pashmangshëm.

    Për të qenë të saktë, dy vende komuniste i bën bisht përmbysjes në fund të viteteve ’80: Kina e madhe, që ishte qendër më vete sistemi dhe që e kishte hapur ekonominë për reforma prej të paktën 10 vitesh, dhe Koreja e Veriut. Varianti koreano-verior për ne përjashtohej pasi Shqipërisë “i mungonte” një Kinë e afërt, si një fuqi e jashtme për të stabilizuar dhe mbrojtur pushtetin e brendshëm.

    Sëmundja e Enverit, mefshtësia e R. Alisë që e pasoi pas vdekjes, dhe rënia e regjimit në fund të dekadës ishin një koincidencë fatkeqe për Shqipërinë dhe shqiptarët e atyre viteve dhe më pas, që e bën kalimin (e pashmangshëm) nga një sistem në tjetrin më traumatik dhe me pasoja edhe më katastrofale, sesa po të mos ndodhnin njëkohësisht. Ishte, si të thuash, një interregnum i dyfishtë: i pushtetit dhe i sistemit. Që u pasua pastaj nga një tjetër interregnum për shqiptarët: tranzicioni që vazhdon prej 27 vitesh!

    [Përkufizimin më të saktë të interregnum-it të një sistemi, për mendimin tim, e ka bërë Antonio Gramshi: “Kriza vjen pikërisht nga fakti që e vjetra po vdes por e reja nuk mund të lind akoma; ky interregnum shoqërohet nga një numër të madh simptomash makabre”. (Përkthimi im nga anglishtja: “The crisis consists precisely in the fact that the old is dying and the new cannot be born; in this interregnum a great variety of morbid symptoms appear.”)]

  4. Gjilpera, ne paragrafin qe citoni, une asgjekundi nuk them se , nese Enveri do te ishte gjalle deri ne fund te viteve 80-te, regjimi komunist ( i tij ) nuk do binte. Ajo qe une nenvizoj , dhe kjo eshte fryma e pjeses se pare te shkrimit te Vehbiut, eshte se sistemi ishte ndertuar si misherim i frymes se Enverit.
    Vdekja e Envreit, degradimi sistemit dhe renia e komunizmit ne Lindje ndodhen njera pas tjetres dhe ne nje hark te ngushte kohor, pa na lene hapsire qe sot te hamendesojme skenare alternative.
    Ideja ime ishte se regjimet ne Shqiperi, si trup politik , historikisht jane ngjizur rreth trupit fizik te Liderit dhe jo rreth institucioneve.
    Regjimi komunist , sikur Enveri te kishte vdekur dhjete vjet me pare, nuk do te ishte me si me pare. Kjo ishte me pak fjale ideja e komentit tim.
    Regjimi Zogut psh – Monarkia e tij u tret me largimin e tij fizik. Konteksti jashtem do thuash.
    Regjimi Berishes 1 po ashtu u tret si kripa ne uje ne 97 -en , pikerisht sepse ishte ngritur nga Lideri , ne funksion te Liderit dhe besnikerise ndaj tij dhe jo institucioneve.
    Ky eshte fataliteti nje shekulli qe na ndjek pas. “Prapa na vjen historia” !
    Vehbiu thote se ne regjimet komuniste perzgjedhja e pasardhesit nuk aplikohet sepse pasardhesi do behej kercenim per liderin.
    Ne fakt , R.Alia fill pas vdekjes se M.Shehut, u zgjodh Kryetar i Presidiumit te Kuvendit Popullor dhe u promovua simbolikisht, permes daljeve ne publik, si Pasardhesi. Dhe natyrisht si zgjedhje e Enverit dhe “familjes”. Paranoja e Enverit u konsumua me eleminimin e konkurenteve te emundshem dhe i hapi rrugen te perzgjedhurir nga familja.
    Keshtu u shmang edhe interregum, vakumi dhe u sigurua vazhdimesia e enverizmit pa Enverin.
    A e pershpejtoi pasardhesi ( familja) vdekjen e Enverit , permes mjekeve , siç aludohet ne media ? Veshtire te besohet. Alia dhe bashkeshortia e Enverit praktikisht kishin pushtetin dhe ju leverdiste kufoma e gjalle e Enverit.

    1. Ok. Unë më tepër doja ta vija fundin e komunizmit shqiptar në kontekstin më të gjerë të rënies së sistemit në gjithë Lindjen Evropiane, bashkë me qendrën sovjetike. Sigurisht që çdo regjim brenda një sistemi ka specifikat e veta, përveç të përbashkëtave. Komunizmi shqiptar do të mbahet mend si më paranojak, i egër, folklorik dhe i fiksuar komplet pas kultit të Enverit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin