Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori

KAVALIOTI I PAFAN (IV)

Fakt është që Voskopoja la gjurmë të ndjeshme në botën ortodokse të Ballkanit; por historiografisë shqiptare, me të drejtë, i është dashur të përcaktojë edhe nëse këto gjurmë kanë vazhduar pastaj në lëvizjen për zgjimin dhe konsolidimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në shekullin XIX (Rilindjen). Kemi historinë e Voskopojës në Ballkan nga njëra anë, dhe historinë e Voskopojës në kontekstin e Historisë së Shqipërisë: qasja optimale do të ishte ajo që arrin t’i kombinojë të dyja këto perspektiva harmonishëm. Është e provuar që Kavalioti – pavarësisht nga prejardhja e tij etnike – ka treguar interes për shqipen; sikurse kanë treguar interes të ngjashëm edhe disa nga nxënësit e tij, pavarësisht se gjithnjë në suazën e përpjekjeve për të siguruar dhe mbrojtur hegjemoninë e ortodoksisë greke në Ballkan. Përmendëm më lart një fjalës të Dhanil Voskopojarit, që ishte nxënës i Kavaliotit në Akademi; në një kohë që një nxënës tjetër i këtij, Konstantin Xhehani (informatori i Thunmann-it), pat shkruar në greqisht biografinë e Skënderbeut; një tjetër voskopojar, Nektar Terpo, është autor i një gravure në Manastirin e Ardenicës, afër Fierit, ku veç mbishkrimit të madh në greqishte, lexohen edhe mbishkrime të vogla në latinisht, arumanisht dhe shqip. Xhevat Lloshi, në librin e tij “Rreth alfabetit të shqipes: me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit” (Logos-A, 2008) merret hollësisht me efektin rrezatues të Voskopojës në shkrimin e shqipes nga komunitetet e krishtera ortodokse në trevat e Shqipërisë së Mesme dhe në Toskëri, duke cekur përpjekjet e autorëve të tillë si Dhaskal Tod’hri (nxënës i Kavaliotit), Grigor Voskopojari ose i Durrësit, Jan Evstrat Vithkuqari që kish studiuar në Akademi dhe kish qenë mësues në Voskopojë, Kostantin Xhehani që e përmendëm më lart, Kostandin Berati, që mbahet si autori kryesor i Kodikut të Beratit dhe i dy fjalësve greqisht-shqip, Kostandin Cepi, “vllah shqiptar nga Vithkuqi, [që] ka lënë një kodik greqisht në të cilin përfshihen edhe 22 faqe shqip”. Të gjithë këta, nuk është se krijuan vepra shqip të mirëfillta, por të paktën, në gjakimin e tyre për t’i shërbyer ortodoksisë, provuan ta shkruajnë shqipen, me alfabetin grek, në treva shqipfolëse ku kjo nuk kish ndodhur më parë dhe ku, paralelisht dhe në një tjetër hapësirë sa të afërt gjeografikisht aq edhe të largët kulturorisht, nuk po mungonin përpjekjet për ta shkruar shqipen me alfabet arab[1]. Madje Lloshi, në veprën e lartcituar, ka vënë re edhe diçka tejet kurioze: në shekullin XVIII “shfaqet parapëlqimi për elemente të së folmes së Elbasanit në shkrimet fetare në gjithë Shqipërinë jugore”, ose për krijimin e një koineje rudimentare të shqipes së shkruar, të pavarur nga koineja e shkrimtarëve katolikë të Veriut dhe nga koineja tjetër, ajo e arbëreshëve. Lloshi e shpjegon këtë me faktin që, duke qenë të gjithë këta shkrues të shqipes vllehë dygjuhësh, nuk mund të pritej prej tyre “që t’u përmbaheshin me rreptësi dallimeve dialektore kur shkruanin shqip”; për të vazhduar pastaj se “te Kavalioti nuk ka disa gegizma, siç është folur deri më sot, por ka një vazhdë të qartë të një tradite të shkruar mbi bazën e gegërishtes së mesme.” Unë këtu do të shtoja se këto përpjekje, sado të pavetëdijshme e sado sporadike, për të integruar elemente heterogjene në shkrimin e shqipes, nuk mund të ndodhnin jashtë atij mjedisi kulturor që mundësoi Voskopoja – si qendër kontaktesh, shkëmbimesh dhe ballafaqimesh mes ortodoksëve të zonës: arumunë nga njëra anë, shqiptarë të viseve të ndryshme, nga ana tjetër[2]; një mjedis që Elbasani, sa për të sjellë një shembull, nuk e siguronte dot. Dhe kudo shohim përpjekje të ngjashme, nga njerëz që kanë kaluar nga Akademia, si vatër e formimit profesional, por edhe e kontakteve, shkëmbimeve dhe ballafaqimeve të tilla, në rrafshin mirëfilli kulturor.

Meqë totemi i shkronjës greke e sundonte kulturën ortodokse në këto treva të Ballkanit, përfshi këtu edhe atë të shqiptarëve ortodoksë të shekujve XVII-XVIII, nuk është për t’u habitur që orvatjet e para për ta shkruar shqipen në këto komunitete do të mbështeteshin në alfabetin e greqishtes (edhe pse pati edhe përpjekje për alfabete tërësisht origjinale). Shqipen me alfabetin grek e shkruan jo vetëm autorë të arealit të Voskopojës, dhe që ishin ndikuar nga autoriteti i Akademisë, por edhe autorë të cilët i përkisnin më shumë ndikimit kulturor të Janinës (çfarë duhet të lidhet deri diku edhe me prirjet centrifuge të sundimit të Ali Pashait). Që këtej u kalua te Vangjel Meksi (për ca kohë, mjek personal i Ali Pashait), marrëdhëniet e tij me Shoqërinë Biblike, e cila ia pagoi përkthimin e Ungjillit të Mateut (1824) dhe më pas të krejt Dhjatës së Re (1827) në Korfuz, me redaktim të Grigor Gjirokastritit; Vangjel Meksi shtroi pastaj rrugën për ardhjen e Kostandin Kristoforidhit në kulturën shqiptare, si figurë madhore të lëvrimit të shqipes së shkruar. Roli i Voskopojës, në këto zhvillime, mbetet gjithnjë i tërthortë – por gjasat janë që pa Voskopojën, vetëdijen qytetare voskopojare dhe ndikimin e saj kulturor në komunitetet ortodokse shqiptare dhe vllahe të Shqipërinë së Mesme dhe të Jugut, edhe puna e Kristoforidhit do të kish qenë më e vështirë dhe suksesi i ndërmarrjes së tij më i rrezikuar.

Siç mund të merret me mend, në këtë kontekst, fakti që Kavalioti ka qenë apo jo shqiptar nuk ngre peshë; dhe sikurse nuk ngre peshë problematizimi i identitetit “etnik” dhe as vetting-u kombëtarist i këtij voskopojari të shquar. Argumentet e tipit “nuk na duhet”, që vijnë nga Lloshi dhe në mënyrë edhe më të prerë nga Sh. Rama nuk më duken shkencore, kur formulohen kështu, ose nga një perspektivë grupi; meqë askush nuk i ka vënë këta të dy të përcaktojnë objektin e studimeve albanologjike, historike, kulturologjike e kështu me radhë. E shumta që mund të bënin këta, si njëri ashtu edhe tjetri, është të shpjegonin pse ata vetë, si studiues individualë, kanë zgjedhur të mos i kushtojnë vëmendje Kavaliotit; ose, në një perspektivë tjetër, të kritikonin studimet e derimëtashme për Kavaliotin dhe Voskopojën, të bëra nga studiuesit shqiptarë, rumunë, rusë, grekë, bullgarë, kinezë… Përndryshe, koha e dogmës historiografike dhe e vijës ideologjike për t’u ndjekur në albanologjinë shqiptare ka kaluar dhe studiuesit, si në Akademi si në universitetet si dhe kudo gjetiu, nuk mund të disiplinohen dhe as duhet të lejojnë që të disiplinohen duke u thënë se cili personalitet i së shkuarës meriton vëmendje dhe cili jo, cili ka qenë pro-shqiptar, dhe cili ka qenë anti-shqiptar. Mua ndërhyrja e Lloshit m’u lexua më tepër si monologu i një studiuesi të fushës, që i shpjegon vetes arsyen e një vendimi që ka marrë, për të mos i dhënë rëndësi një autori të caktuar (Kavaliotit), në polemikë edhe me kolegët e tij, që ai i gjykon se kanë gabuar; ndërsa i i Sh. Ramës diçka që ky mund edhe ta kish shmangur, por që, tani që është publikuar, të paktën tregon se ku mund të çojnë qëndrime dhe argumentime përjashtuese, si ai i Lloshit. Më në fund, përpjekjet për të zbatuar, ndaj një figure të shekullit XVIII, në një kontekst multi-fetar, multi-kulturor dhe shumë-gjuhësh si ai i Ballkanit, koncepte të identitetit të përpunuara një shekull më pas dhe të rrënjosura në zhvillimet historike të shekullit XIX dëshmojnë – për mendimin tim – se edhe dijetarë dhe studiues profesionistë dhe kompetentë, si të dy këta, vazhdojnë t’i japin përparësi ideologjisë ndaj objektivitetit, në çështje të historisë dhe të historiografisë; madje deri në atë masë sa të meritojnë të studiohen ata vetë, për këto qëndrime.

[fund]

(c) 2017, Peizazhe të fjalës


[1] Divani i Nezim Frakullës, nga Berati, mendohet të jetë shkruar në vitet 1731-1735.

[2] Unë madje do të supozoja këtu se pikërisht mjedise të tilla etnikisht dhe gjuhësisht heterogjene, ofrojnë edhe kushte ideale për përftimin e identitetit etnik: në ballafaqim me Tjetrin, ti bëhesh i vetëdijshëm për çfarë të dallon nga Tjetri. Dukuria është përshkruar mirë – shpesh emrat etnikë i vënë të parët ata të etnisë tjetër.

19 Komente

  1. Sa i përket origjinës së Kavaliotit, mbaj mend të kem lexuar ndër të tjera për origjinën e tij nga fshati Marjan, Kavalioti i përkiste një familjeje me emrin Zhava – sipas kësaj teorie, vetë mbiemri Kavalioti është një sendërgjim nga Zhavalioti > Kavalioti, pasi greqishtja nuk i jep mirë tingujt ç, sh, xh, zh. Megjithatë, kjo nuk do ta pengonte atë të shkruante Zavalioti ose Xavalioti (Ζαβαλιώτης, Τζιαβαλιώτης), po këto janë vetëm hamendësime. Për më shumë mund të lexohet Ligor Mile : «Shënime të reja për Voskopojën dhe për Teodor Zhavën (Voskopojarin)». Në: Drita 21, Tiranë, 1980, 26; f. 12.
    Teza se Kavalioti ka lindur nga një baba shqiptar dhe nënë vllahe është e njohur, unë mbaj mend të kem lexuar diçka për këtë nga Ilo Mitkë Qafëzezi.
    Pasi u tha kjo, duhet përmendur edhe njëherë se Kavalioti është një shkrimtar, mësues ortodoks dhe botues i një fjalori trigjuhësh që njihet si një nga përpjekjet e para të gjuhësisë së krahasuar në Ballkan. Jeta dhe puna e tij është bërë në Shqipëri ndaj dhe është e kotë të flitet për shqiptarësinë e tij, a ishte kuq-e-zi apo jo, në ndryshim nga Dhanil Mihal Adham Haxhi (Dhanil ose Daniel Voskopojari) i cili e shkroi leksikonin e tij të mëvonshëm me qëllim për të greqizuar popullsitë shqiptare, sllave dhe vllahe të Ballkanit. Në vend që të merremi me debate të tilla të kota, do ishte e dëshirueshme që të bëhej një mbledhje e gjithë shkrimeve dhe dokumenteve të Kavaliotit dhe rreth jetës së tij në një botim kritik me përkthim në shqip. Pasi përmenden e stërpërmenden punimet e tij mbi Logjikën dhe Metafizikën, por prej tyre nuk janë përkthyer asgjë.

  2. Nga Konst. Satha (Bibl. fq. 495) mësojmë se Kavalioti ka shkuar me bursë të rufetit të bakërxhinjve në Janinë, ku ka studiuar nën Eugjen Vulgarin, klerik dhe profesor. Fakti se ky i fundit ka qenë bibliotekar (1806) i Katerinës së Madhe dhe më pas kryepeshkop i Sllavinisë dhe Kersonit, ndoshta prej gjaku arbëror nga Hidra – ku ka një derë të madhe me mbiemrin Vulgari – nuk e bën me patjetër Kavaliotin agjent të interesave ruse në Ballkan, a të implikuar në kryengritjen e Orlovit (shkurt 1770). Besoj në ato vite Kavaliotit i këndonin të tjera qyqe… ish duke u marrë me botimin e librit në shtypshkronjën e Antonio Bortolit, në Venedik, pikërisht në vitin e mrekulluarshëm 1770. Në dijeni time nuk ka ndonjë dokument që ta lidhë Kavaliotin me rusët ose që ky të paskësh vepruar, sipas Shinasi Ramës “si agjent i hapur i Rusise ne (sic!) Ballkan”.
    (Të dhënat mbi Kavaliotin i kam marrë nga I. M. Qafëzezi, në revistën Leka, janar 1935.)

  3. Ilo Mitkë Qafëzezi jep si datëlindje të Teodor Kavaliotit vitin 1726, në Voskopojë. Shkollën fillore dhe letërsinë i paska mësuar po në vendlindje. Si profesor letërsie ka pasur një voskopojar shumë erudit, me emrin Halkevs (Ιωάννης Χαλκεύς, i. e. Jani Faber, “bakërxhi”, ose “kazanxhi”), si dhe Sevast Kosturin, i cili në vitet kur shkruan Thunmanni është ikonom i kishës së Kosturit. Filozofinë dhe matematikën Kavalioti i mësoi në Janinë prej Eugjen Vulgarit, i cili ishte drejtor i shkollës “Karajani-Maruci” po në atë qytet dhe që më 1774 gjendej në Petrograd, Rusi.
    Pas mbarimit të studimeve dhe hirotonisjes si hieroqirik (predikues), në një kohë të shkurtër Kavalioti fiton prej patrikut Niqifor i Ohrit (1753-) shkallën protopapë i Voskopojës dhe drejtor i shkollës fetare-tregtare “Akademia e Re”. Kjo shkollë qe ngritur më 1774, në ditët e despotit Niqifor. Thunmanni, i universitetit të Halles në Saksoni, e quan protopapën “njeri shumë të mësuar, më të mësuarin nga gjithë populli i tij” (Untersuchungen). Thunmanni vazhdon: “meqenëse gjuhët greke, shqipe dhe vllahe (cincare) i zotëron si gjuhë amtare, bashkatdhetari i tij z. Jorgji Trikupa, i mbiemëruar në Venedik Kosmiski, e pat shtyrë të shkruajë Protopirinë dhe e shtypi në Venedik me shpenzimet e tij. (Untersuchungen, 178). Këto na thotë Thunmanni mbi Kavaliotin, në ditët e sulltanëve Mustafa III dhe Abdyl-Hamid I.
    Veç kësaj, Kavalioti ka shtypur më 1760 një libër në greqisht me emrin “Hyrje gramatike”.
    Në fq. 29 të kodikut të Shën Jan Prodhromit jepet edhe data e vdekjes së protopapës: 1789 αύγούστου 11 ἡμέρα β’ ἐπλέρωσεν τὸ κοινὸν χρέος ὁ ἱεροδιδάσκαλος καὶ ἱεροκήρυξ προτοπαπᾶς Θεούδωρος Ἀναστασίου Καβαλλιώτης. (Më 11 gusht 1789 [kalendar i vjetër], ditën e martë shleu borxhin e përbashkët hierodhaskali dhe hieroqiriku protopapa Teodor Anastas Kavalioti). Shkrimin e plotë të Qafëzezit mund ta lexoni po në revistën Leka, vjeti VI, nr. 8, gusht 1934, “Priftër të qëmoçëm punëtorë të shqipes: protopapa Theodhor Nastas Kavallioti Voskopojari (1726-1789).
    Identifikimin Halkevs = Faber e kam bërë (E. P.) në bazë të librit të Dhimitri Prokopit: Joannes Chalceus (Faber) Moschopolita, presbyter, sapiens vir & eruditissimus … gessit Venetiis in Collegio Flanginiano, dmth. Jani Halkevs (Faber), voskopojar, prift, burrë i dijshëm dhe shumë erudit … ka drejtuar Kolegjin Flangjinian. (Demetrii Procopii Macedonis Moschopolitae “Epitetmemene Eparithmesis”, 1720, f. 800).
    © Edion Petriti, 2017.

  4. Ardian Vehbiu, nga tri pjesët e mëparshme nuk po kuptoja ku do mbërrije. Jam dakord me përfundimet. Stërhollime të mëtejshme do të kishin qenë më shumë se reagim publicistik, të paktën në këtë pjesë të fundit. Ca gjëra, në pjesët e tjera, do t’i kisha formuluar ndryshe. Sidoqoftë, këtu të tok dorën.

  5. Vertet mbreselenese shtjellimi i Zotit Petriti , nese mundem te shpreh edhe une hamendesimin tim ( jo per protagonistin e diskutimit e as per thelbin e ceshtjes), me shume per ‘zbavitje’ sesa per nevoje reale, me duket se profesori i Kavalitoti ne Janine , Eugjen Vulgari , me gjase munde te ishte nga dera e fisit te mirenjohur Vulgari/Βούλγαρης nga Kallarita ne jug-lindje te Janines , ironik eshte fakti qe fshati ne fjale aktualishte eshte Arumune/Vllah .Fiset me te njohura te ketij fshati ishin Duruti, Parasko,Bahomi,Papajorgji,Turturi,Neshi,Zguri..etj

    1. @andreagrampsi17 Nga një kërkim i shpejtë në internet, pashë se familja e Vulgarit – pasi ka disa – janë nga Korfuzi, ku ka lindur edhe Eugjeni.

      1. Pershendetje Zoti Edion, po keni te drejte (mea culpa) , familja Bulgari evidentohet te pakten qe nga viti 1462 ne Korfuz, sipas Pr. Nikos Karapidakis , pervec kesaj del edhe ne ‘Libro d’oro’ te Korfuzit , nga Marmora viti 1672 , linku ; https://www.corfuhistory.eu/?p=931 , me beri pershtypje fakti qe hasim edhe mbiemra tipik Arberore mes seres fisnike korfiote psh ; Bua,Avloniti(gr.Vlonjati),Kavasili,Gonemi,Mazaraki,Scura etj

        1. Gjithashtu po te shkojme mbrapa ne kohe , e te rremojme ne dokumentat Veneciane te mesit te Shek ’15-te (te botuar po nga Pr.Karapidakis, linku me poshte), do hasim disa mbiemra zyrtaresh/ofiqaresh grek me prejardhje arberore Psh ; Janis Leca,Nica Zoti,Januli Auloniti (Vlonjati),Juan Musachiti ,Francesco Sguro,Lazaro Petta,Dimitri Canussi,Marco Casnetzi(Kasneci),Zuan Cavassila,Francesco Bua, Zorzi di Gini,ser Gini Bassa etj https://www.academia.edu/7052756/Les_conseils_de_Corfou_au_XV_s

          1. Në mos gaboj, Sotir Vulgari i argjendarisë BVLGARI duhet të jetë nga Kallariti. Ndërsa Kavasila është mbiemër greko-bizantin, i arrirë deri vonë. Për Auloniti dyshoj pak, pasi Vlora në mesjetë ka qenë një qytet kozmopolit, madje deri vonë kishte edhe dy komunitete çifutësh sefardim, një spanjoll dhe një portugez. Korfuzi ka qenë zonë e preferuar emigrimin për shqiptarët e zonave të Vlorës, Himarës dhe Çamërisë, pasi ishte nën sundim venedikas. Madje edhe shumë suliotë në mos gaboj shkuan në Korfuz pas prishjes së Sulit. Ndoshta Korfuzi ka qenë një oazë disi më e qetë në krahasim me perandorinë e trazuar osmane. Sathas ka botuar nja 8-9 vëllime me dokumente që ilustrojnë praninë dhe përpjekjet e elementit shqiptar në Ballkanin e jugut, mund të gjendet edhe në version elektronik.

  6. Pikerishte asaj familje BVLGARI i referohesha ne postimin e pare , ne lidhje me mbiemrat Kavasila dhe Kasneci , qe une i hamendesoje si Arberore , mbeshtetem ne arsyetimin , se kemi te bejme me Patronime tipike Arberore te pas vales migratore te viteve 1415/16-te , ne drejtim te Greqise .Pra mbiemri i pare eshte thjeshte toponim i kthyer ne patronim ( dukuri e rendomte e farave Arberore), fshati ndodhet cik ne veri te Konices, ( ne Greqi ndodhen dy fshatra me kete emertim te themeluar nga Arberoret) mbiemri i dyte Kasneci, ka etimologji shqip dmth Ambasador a Lajmetare ne mos gabofsha .Per te konkretizuar ndopak , hidhi nje sy listes se Kryefamiljareve Arberore te regjistruar ne Defterin e Morese viti 1461,http://www.lithoksou.net/p/onomateponyma-ton-albanon-arbaniton-tis-boreiodytikis-peloponnisoy-ton-15o-aiona-2009 , aty do te gjesh Komnen Kavasila dhe Andrea Kavasila nga fshati Kavasila ,pak me poshte Andrea Kasneci ,Gjin Kasneci dhe Jorgji Kasneci etj

  7. Ndersa ne lidhje me Avloniti apo Musachiti , (nga onomastika tek defteret e Trikallase e Larises ,vitet 1455,1506,1570-te) me erdhen ndermend si shembuj dy kryefamiljare ne nje lagje te Trikallase Aleksi Erseka’, dhe Qirjako Dhimo nga Vlona/Vlora, po ne kete lagje spikaten Jani Arberori,Sekira Gjoni,Romano Gjoni etj .Ndersa sa per kersheri ne Larisen me 1506-te, ndodheshin 12 lagje myslimane dhe 2 te krishtera ,njera nga lagjet e krishtera quhej Arnavudan , emra tipik Arberore hasen mjaftueshem ne te dyja Lagjet psh;Dhimo Gjoni,Gjergji Thomai,Tiko Doda etj Referenca nga ;https://www.academia.edu/26038382/OI_KATOIKOI_KAI_OI_ΣYNOIKIEΣ_ΤΗΣ_ΛΑΡΙΣΑΣ_ΚΑΙ_ΤΩΝ_ΤΡΙΚΑΛΩΝ_ΚΑΤΑ_ΤΗΝ_ΠΕΡΙΟΔΟ_1454_55-1602_2

  8. Këtu, disi përtej shkrimeve të XhaXhait, ringrihen disa teza interesante për tu rikushtuar vëmendje.

    Duket se ka një ngatërresë tipike te akademizmit shqiptar ne rastin e Akademise te Voskopojes. Akademizmi shqiptar e percepton gjithcka dhe cdo vlere si ne funksion te nacionalizmit. Ta zeme, nje studim qe perceptohet si antishqiptar nuk ia vlen te lexohet e as diskutohet mundesisht te digjet ne turren e druve, nderkohe vemendja absolute eshte te qemtohet cdo veper albanologe sado proshqiptare. Interesante sa ska kjo per studiuesit e ardhshem te kozmologjise te akademizmit tone.

    Nderkohe tradita akademike, pjese e se ciles ishte Akademia e Voskopojes, sot eshte trasheguar kudo ne universitet e botes. A mund te diskutohet perkatesia etnike apo fetare e profesoreve apo studenteve ne Yale, Harvard, Stanford, Princeton, Columbia, John Hopkins? Mund te thuhet se meqe aksh studiues apo akademik shkruan ne aksh gjuhe kjo duhet ta penalizoje ne historigrafine e vendit te tij te origjines?

    Ngaterrohet me duket tek ne roli i letersise artistike, teksteve fetare dhe shkrimit akademik.
    Kjo ne fakt korrupton rolin e tekstit apo mendimit akademik i cili tek ne eshte kthyer ne amalgam te tekstit fetar me ate letrar.
    Nese si kompromis per kohezionin tone te nevojshem nder fetar kemi kthyer fene tone ne shqiptarizem duke identifikuar fene me kombetarizmin, atehere shkrimi akademik nuk eshte tjeter vecse krijimtari letrare.

    Nje koment tjeter mbi komentin e hyllin.
    Ne koment te tij shkruan nje pohim interesant: “…shqiptaret myslymane u mbrojten nga Islami (mund edhe te kete vepruar vete islami si qender shqiptarizimi )”
    Kjo mundesi e fundit e vene ne kllapa por e lene hapur ne imagjinate, te kete goxha baze te vertete duke menduar se me siguri nje pjese popullsish te ardhura ne Ballkanin e banuar nga shumice shqipfolese, duke qene pjese e te njejtes kulture fetare, pra duke i perkitur fese islame, mund te jete asimiliuar ne kulturen shqiptare. Pra islami mund te kete luajtur rol ne asimilim ne kulturen shqiptare per te ardhur ta zeme nga Persia apo Turqia apo qofte edhe sllave te islamizuar.
    Eshte fenomen i vazhdueshem qe ndodh me cdo kulture ku i ardhuri heret a vone integrohet dhe asimilohet ne kulturen dominuese pritese, sic ndodh rendom me familjet e emigranteve te sotem shqiptare ne perendim.
    Do te ishte absurde te mos pranojme kete hipoteze si nje fakt, sidomos kur ka me shumice familje shqiptare shume qytetare si ne Shqiperi dhe Kosove qe jane te vetedijshem per prejardhjen e tyre nga lindja e mesme.
    Pra numerikisht, numri i shqiptareve duhet te jete shtuar ne disa momente historike nepermjet asimilimit te se ardhurve nga treva te tjera te botes, ashtu si me siguri keto prurje kane sjelle dhe pasuruar kulturen vendase me elemente kulturore dhe identitare.
    Kjo eshte normale ne zhvillime shekullore ne troje brenda perandorish te medha, sic ka qene historikisht Shqiperia.

    Nga ana tjeter eshte oksimoron te thuash shqiptaret myslymane u mbrojten nga islami, pasi nenkuptohet se derisa flitet per shqiptaret myslymane, sigurisht qe keta nga islami do te mbroheshin ne kohen e revolucioneve nacionaliste ku lufta per pavaresi ne vendet e tjera te Ballkanit kishte trajte sa etnike aq edhe fetare. Ketu Shqiperia edhe pse me ndonje episod te vone reaksioni si ne rastin e kryengritjes se Haxhi Qamilit, ben deri diku perjashtim edhe pse te mos harrojme se shqiptaret nuk bene ndonje lufte apo revolucion si fqinjet tane per pavaresi. Pavaresia tek ne erdhi si perpjekje e patrioteve te shkolluar shqiptare pavaresisht perkatesise etnike, fetare apo kulturore te tyre. Ndikimi nga jashte natyrisht ka qene vendimtar, por per influencat e secilit patriot shqiptar eshte e veshtire te aludohet pasi edhe sot eshte e veshtire te thuhet se nga cfare eshte ndikuar XhaXhai apo Shinasi Rama pa i pyetur e pa u shprehur per kete ceshtje keta te fundit, edhe pse mund te marrim disi me mend nga shkrimet e tyre ndikimin qe kane idete e kesaj kohe apo te ndonje kohe tjeter.

    Ne kete raport ndoshta tek ne mbetet ende ne hije se cfare ndikimi mund te kete patur ne pavaresine e Shqiperise edukimi qe njerezit arrinin te merrnin ne medresete apo shkollat fetare islame ne territoret e banuara nga shqiptaret.
    Dime ndikimin e françeskaneve apo jezuiteve ne veri, sic dime ndikimin e arberesheve ne shekullin e XIX.
    Por kur flasim ne raport me dijen akademike ne trajten e saj klasike, nuk di a mund te identifikohet ne trojet shqiptare ndonje akademi e ngjashme me Akademine e Voskopojes apo Zosimene e Janines ne arealin e islamit shqiptar?

    XhaXhai shkruan: “Është e provuar që Kavalioti – pavarësisht nga prejardhja e tij etnike – ka treguar interes për shqipen; sikurse kanë treguar interes të ngjashëm edhe disa nga nxënësit e tij, pavarësisht se gjithnjë në suazën e përpjekjeve për të siguruar dhe mbrojtur hegjemoninë e ortodoksisë greke në Ballkan.”

    Per kete nuk jam shume i bindur se ka lidhje me hegjemonine e ortodoksise greke sesa me dijen ne pergjithesi dhe gjuhet e dijes qe mbeteshin ende dy ne shkollimin klasik: latinishtja dhe greqishtja, ende ne perdorim ne akademite e siperpermendura te sotme edhe pse te zevendesuara tashme globalisht ne mase te gjere nga anglishtja dhe diku me terren me te humbur frengjishtja.

    Nga diskutimi mbi Kavaliotin, nuk mund te mos me shkoje mendja per nje pyetje te fundit: Si i behet me ndikimin e Samiut dhe Naimit ne kulturen iraniane duke qene se vinin te shkolluar nga Zosimea e Janines?
    Kam ndermend ketu vepren e Naimit mbi Gramatika e gjuhes perse dhe faktin se Irani i sotem i ka dedikuar naimit edhe nje pulle postale.

    1. Unë vetë e kam gjithnjë një problem me termin “ortodoksia greke”, për shkak të ambiguitetit të mbiemrit. Më një anë, ky term vlen për ta dalluar nga “ortodoksia sllave” dhe si përkthim të termit “Greek Orthodox”; në të dy rastet, nuk ka ndonjë lidhje me Greqinë e sotme si shtet dhe me kombin grek, por ka lidhje me shkronjën greke, si vektor të kësaj feje. Më anë tjetër, “ortodoksia greke” ndër ne shqiptarët shpesh kuptohet si “feja e grekut”, brenda një sistemi kuptimor që e njëson fenë me kombin, dhe që vetë kombëtarizmi grek shpesh e ka përdorur në përpjekjet për të asimiluar të tjerët. Si pasojë e kësaj rrëshqitjeje të kuptimit, del ndonjëherë sikur Kavalioti dhe Akademia të kenë qenë në shërbim të shovinizmit grek, madje edhe para se vetë kombi grek të afirmohej në Ballkan dhe të krijohej shteti grek. Krijohet kështu një keqkuptim i madh, që disave edhe u intereson. Por në paragrafin ku jam cituar më lart, e kam natyrisht fjalën për “ortodoksinë greke” si atë fe që i referohej Patrikanës së Stambollit; dhe përpjekjet për ta përhapur këtë fe nuk i njësoj me përpjekjet e shovinistëve grekë për të greqizuar popullsitë shqiptare dhe për të asgjësuar ndonjëherë me dhunë çdo manifestim të shqiptarizmit (si librin shqip), në Ballkanin e mëvonshëm të nacionalizmave. Që feja “greke ortodokse” mbështetej aso kohe – ose në shekullin e Voskopojës – në shkronjën dhe në fjalën greke, kjo nuk i bën përpjekjet për përhapjen e saj mes shqiptarëve ASO KOHE vetvetiu anti-shqiptare – sepse edhe ata që donin t’i bëjnë shqiptarët të ndërrojnë gjuhë, e bënin të nisur nga dëshira për t’i afruar këta me Perëndinë e për t’i shpëtuar nga “armiku turk” dhe nga rreziku i islamizimit, jo për t’i poshtëruar dhe as për t’i skllavëruar. Dhe, më në fund, atë konsideratë për Kavaliotin e kam marrë nga literatura, pas një krahasimi të kujdesshëm; sepse unë përndryshe nuk e njoh veprën e Kavaliotit dhe qasja ime mbetet ajo e një albanologu.

  9. Per perkatesine dhe devotshmerine fetare te te krishtereve ne Shqiperi, natyrisht edhe voskopojareve, nuk mund te kemi dyshime, sidomos kur kemi parasysh kishat dhe artin kishtar qe kemi trasheguar nga ajo kohe. Mbetet pa diskutim nga pasurite me te medha tek ne, pavaresisht nga cfare tradite familjare vijme. Eshte per tu thene se ajo qe perandoria otomane nuk e preku, perkundrazi e la te lulezoje te pakten nga 1600 e tutje, u demtua nga vete shqiptaret ne komunizem; sidomos akoma me keqas keto vite demtimet kane shkuar me tej. Ne kete kontekst, shija e holle estetike e porositesve ashtu si dhe e ekzekutuesve te artit dhe arkitektures, deshmon se ka patur burra e gra jo pak te sofistikuar ne qytetet dhe rrethinat tona. ‘Perendimi’ ne kohen e Kavaliotit ka patur shume pak nemos aspak informacion per pjesen tone te botes. Nderkohe Kavalioti me shoke jane marre jo pak me Dekartin, gje qe deshmon se keta burra nuk ishin vetem te interesuar per ‘ortodoksine’ por disi me vecanerisht per filozofine. Pra interesi i tyre ishte i lidhur me dijen ne teresi dhe gjuha greke ishte universalja e arealit te tyre ne raport me tekstet qe dispononin apo arrinin te prodhonin dhe shperndanin. Eshte pak e veshtire per njeriun e sotem te kuptoje dallimin mes erudicionit dhe devotshmerise fetare, gje qe besoj ne perendim qe nga mesjeta e tutje erdhi dhe u degezua ne zhvillimin apo transformimin e manastireve ne akademi te dijes e me tej ne universitete. Nuk dime shume per Kavaliotin sepse nuk ja njohim vepren, por duke u nisur vetem nga titujt mund te shohim se interesimi i tij edhe pse prift nuk eshte liturgjik por gjeresisht i ndikuar nga filozofet e antikitetit apo te pakten rilindja europiane. Theksoj se tek veprat kemi ‘Logjiken’, ‘Fiziken’, ‘Gramatiken’, ‘Metafiziken’ etj. Nuk jane pak per nje vend qe viti 1945 e gjeti me 95% analfabete. Qasja albanologjike pastaj eshte tjeter gje, pasi eshte disipline shume me e vone se filozofia, por qe po ta shohim terthorazi, perseri nuk do te ekzistonte pa perpjekjet e hershme te humanisteve. Ku qendron tamam Kavalioti ketu nuk mund ta di, por di qe edhe sot kesaj dite nese ke deshire te lexosh Aristotelin apo Platonin ne shqip do te duhet te mjaftohesh vetem me 2-3 tituj per secilin. Nuk di a ka nje perkthim te Dekartit ende ne shqip, por te pakten Etika e Spinozes u perkthye para njady vjetesh.

    1. Ndjesë XhaXha, e kuptoj saktësimin që bëni dhe në tërësi duhej bërë, por më duhet të saktësoj mendimin tim. Nuk më duket e besueshme që Kavalioti me shokë të kenë patur synim të bëjnë përpjekje për të përhapur fenë ortodokse, pasi në atë shekull më afër mendjes është të kenë dashur të ruajnë traditën, ose më tej në përsiatje erudicioni të zgjerojnë mundësitë e zhvillimit të mendimit të tyre dhe të nxënësve të akademisë me mendimin klasik si dhe atë bashkëkohës. Nuk besoj se Kavalioti ka shkuar shtëpi më shtëpi e fshat më fshat për të përhapur ortodoksinë, pasi ishte feja per se për të paktën disa shekuj në trojet shqiptare, pra totalisht e përhapur. Duke parë botimet e tyre më duket se ata njerëz nuk ishin misionarë të tipit françeskanë apo dominikanë, por shkollarë të mirëfilltë në një qytet tregtar.
      Është shumë e besueshme të kenë ndjerë ose jetuar rrezikun e islamizimit, pasi kjo ka qenë një nga shqetësimet e vazhdueshme të të krishterëve, këtu jam dakord.

      1. E kuptoje drejt apologjine karshi veprimtareve Voskopojare , fundja perfshirja e shqipes ne fjaloret e Kavaliotit dhe Moskopolitit perben nje fakt kuptimplote , por kam pershtypjen se qasja , prapavija e ideologjia ne baze te se ciles ata kane vepruar perben ne vetvete nje alibi dmth e kam te qarte interesin e tyre per lemite letrare-shkencore , por frytet e punes se tyre ,qofte edhe terthorazi sherbyen ne ngjizjen e promovimin e identitetit ‘greko ortodokse’, feja ishte mjet i suksesshem ( rasti i incidentite te Nektar Terpos me 1724 ne Dragot), gjuha greke gjithashtu ( Shen Kosma Aetoli,packa se nuk Ka nje lidhje te drejperdrejte me Akademine e Voskopojes). Pra ashtu si me drejt u shtrua ceshtja ,c’perfituan Vllehet ne te njejtin mynyre parashtrohet pikepyetja c’perfituan Shqiptaret ?!Dhe me kete raste dua t’ju kujtoje diskutimin e Naum Bredhit me nipin e tije , kur Bredhi theksonte dobishmerine e levrimit te gjuhes e vetdijes Shqiptare, nipi i tije e skartonte ne favore te asaj greke ngushtesishte e nderlidhur me Ortodoksine !!

  10. Sesa dobiprurese ka qene roli i ortodoksise greko-bizantine , ne ruajtjen e Idenitetit , shembull emblematike eshte ai i Arberesheve , nje rol relative ka pasur edhe katolicizmi roman nder geget katolik ( veprat e Bogdanit,Buzukut,Budit,Bardhit etj e deftejne me se miri kete afinitet), personalishte sm

  11. – smund te pohoj te njejten gje ne lidhje me Islamin, per te qene me konkrete edhe une kam pasur rastin te takoj Prizerenas (Shqiptare etnike), qe krekoseshin me Turkofonine e tyre,ose shtimi fiktive i ‘Turqve’ te Gostvarit, nga 70 veta me 1910 ne 7000 sot !!Keshtu qe ,nevojitet me shume neutralitet ne shqyrtimin e rolit te fese ne zhvillimin identitare te Shqiptareve.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin