Ka zënë tashmë vend të qëndrueshëm, në diskursin politik dhe mediatik, metafora e kazanit – e popullarizuar nga kryeministri Edi Rama dhe e rimarrë në forma të ndryshme nga përkrahësit dhe kundërshtarët e tij.
Meqë fjala në shqip ka disa kuptime të kodifikuara, mund të pyetet se cilit prej tyre i referohet metafora: atij të enës për gatim (dhe ndonjëherë për të zier rroba); atij të enës ku përgatitet rakia (kazani i rakisë); apo atij të koshit të madh ku hidhen plehrat (kazani i plehrave).
Nëse bëhet fjalë për enën për gatim, atëherë kazani (i mediave) do të ishte një “makinë” për të gatuar a gatitur diçka; nëse bëhet fjalë për kazanin e rakisë, atëherë metafora i referohet një ene ku përftohet një pije alkoolike, ose dehëse; nëse, përkundrazi, nëse kazani është ai i plehrave, metafora ka të bëjë me mediat si mbledhëse dhe përpunuese mbetjesh gjithfarësh. Në të gjitha herët, kazani sjell me vete, si kuptime anësore, rrumbullakësinë, të qenit metalik, përzierjen dhe trazimin, transformimin, përmasat e mëdha, gati gargantuane që pak i ndan nga hiperbola dhe anën e pasme (bøthën) që e ka gjithnjë të zezë.
Nuk e kam të qartë se për cilin kazan flasin Rama dhe të tjerët, as kam bërë kërkime për ta gjetur. Më pëlqen t’i mbivendos kuptimet, për ta përfytyruar “kazanin” (mediatik, politik) si një pajisje ku edhe mblidhen plehrat, edhe lihen të fermentohen, edhe rikombinohen pastaj në diçka ushqimore ose dehëse – për konsumatorin.
Ky imazh do të përkonte me kazanin e shtrigës, i cili shfaqet rëndom në përrallat popullore, dhe ku përzihen me shkop a luhare gjithfarë lëndësh, shpesh mbeturina (si flokët, thonjtë, të pëgërat) dhe pastaj zihen në zjarr, për t’u fermentuar dhe për të krijuar një pocion magjik, ose një lëndë me veti për të transformuar realitetin sipas dëshirës.
Kazani i shtrigës ka lidhje me sakrificën, lëngjet trupore dhe ritualin, shpesh edhe në trajtë formulash magjike; si vegël, bashkon alkiminë me kiminë, dhe synon të arrijë tek e larta (magjia) nëpërmjet së ulëtës (lëndës, shpesh mbetjeve).
Ndoshta freudianët mes nesh do ta krahasonin sakaq me barkun e gruas, ku krijohet jetë e re nëpërmjet “nxehtësisë” së jetës së brendshme.
Nëse metafora e tanishme i ngërthen të gjitha elementet kuptimore të kazanit, atëherë do të na ftonte t’i përfytyronim mediat si produkte (pjella) të fermentimit të plehut, që i jepen publikut për konsum dhe mpirje – nëpërmjet tashmë industrializimit të një procesi dikur artizanal, gati shtëpiak, brenda një hapësire që shërben edhe si kuzhinë edhe si laborator.
Fermentimi, në këtë kontekst, si proces i mistershëm dhe në thelb i padukshëm, që ndodh në nivelin bakterial në mos molekular, do t’i referohej kakofonisë – mediatike, por po të duam edhe politike – që shoqëron përgatitjen e pocionit; dhe që ushqehet nga zjarri i pasioneve politike. Sa për magjinë, nuk është e thënë që kjo t’i detyrohet mjeshtërisë së shtrigës; kur vihet kazani në zjarr, magjia njëfarësoj gjithnjë do të ndodhë – por kjo është magji e ngjashme me atë të Circes, që i shndërroi marinarët e Uliksit në derra. Që jemi ne.
Nese magjia ka kete fuqi, lind pyetja: Po Shqiperia ne syte e te magjepsurve, pra derrave, eshte dicka me shume sesa Kazani?
Varet përgjigjja nga kush e bën pyetjen: po ta bëjnë mediat, pyetja është retorike. Po ta bëjnë derrat, derrat nuk bëjnë dot pyetje. Po ta bëjë Homeri i Odisesë, Shqipëria është si Itaka – edhe larg, edhe plot mëtonjës.
Metaforat nuk janë realitet, por më shumë tregues të imagjinatës së atyre që i përdorin.
Them që është fatkeqsi për shqiptarët që nuk kanë njohur asnjëherë liderë që të arrijnë ta shohin dhe interpretojnë realitetin kthjellët dhe sakt, veçse paranojak dhe me imagjinatë… “kazani”.
Gjella nuk behet ne kazan I dashur Vehbiu, plehrat po ose kazani I shtriges, kam parasysh Faust-in
Shkruani:
Nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe:
Mbase do të keni dëgjuar edhe të flitet për kazan të supës ose kazan të fasuleve.
Më vjen keq që harxhoni kohën tuaj dhe timen me këto budallallëqe.
Pak e rende kjo “budallalleqe” si per here te pare qe hyra ne sitin tuaj, dikush ma rekomandoj si one of the best Albanian sites, me gjith ate do vazhdoj te te lexoj derisa te sigurohem qe nuk jeni kazan
Ju vini për herë të parë në një faqe, dhe e filloni komentin me një kritikë pa bazë, e cila vë në diskutim krejt racionalen e shkrimit tim? Unë nuk e di nëse Peizazhet është apo jo “one of the best Albanian sites” (dhe nuk ju njoh aq sa të vlerësoj gjykimin tuaj ose të përcjellë prej jush), por di që tek ne këto lloj komentesh si juaji dekurajohen. Bëni edhe një gabim tjetër: më drejtoheni mua me emër duke shkruar vetë me pseudonim. Edhe kjo nuk shkon. Ndoshta ngaqë nuk jeni mësuar me sajtin tonë, ndoshta ngaqë jeni infektuar nga sajte të tjera. Nuk ka gjë të keqe që të vazhdoni të lexoni këtu (është sajt i hapur dhe falas), por ndoshta shfletoni ndonjëherë edhe fjalorin, para se të gjeni “gabime” si ky që kishit gjetur më lart. Ju sugjeroj edhe që, kur t’i afroheni një shkrimit tim në të ardhmen, të supozoni se unë i kam bërë detyrat e shtëpisë dhe i kam verifikuar premisat e arsyetimeve të mia.
Ju jeni autor dhe natyrisht s’ka kuptim te botosh pa emer!! un jam vetem nje lexus si mijra te tjere(uroj te jen mijra) dhe nuk shikoj ndo nje te vendos emrin per me teper mos me vlersoni kaq shume duke mu pergjigjur!! te hidhem tek thelbi mua me duket habi qe njerezit te han neper kazane (vizualisht duket teper artistike), kusia me kazan eshte big difference, ne ushtrin e dulles apo ne te tjerat po. Sa per infektimin mos u bej merak nuk eshte se harxhoj kohen me plehrat shqiptare (dhe s’kerkoj aspak ndjes per shprehjen) por ama dicka kerkoj te lexoj dhe une si shqipfoles dhe po te siguroj se jam teper selektiv megjithate e ashtuquajtura “kritike” ishte vetem nje rastesi ne ato qe me intereson te lexoj eshte vetem kualiteti i shkrimit, pastaj kritika eshte ushqim per krijuesin, vetem jo profesionistet kane fobi kritiken
Meqe jemi te saktesimet gjuhesore:
*rekomandoi
une rekomandoj ( e tashme, veta e pare njejes)
ai/ajo rekomandoi ( e kryer e thjeshte, veta e trete njejes)
*megjithate
Shkrim tepër i bukur si përher.