nga Ilir Ciko
Kazani është i bekuar nga zoti, në të ka jetë dhe njerëz të lumtur. Ka salla ballosh ku të rinjtë e çdo moshe vallëzojnë mbrëmjeve, vazhdojnë të vallëzojnë në rrugë, e vijojnë të vallëzojnë në ëndrrat e tyre. Kazani nuk ka det, por ka lundërtarë të sprovuar, që edhe pa patenta, konkurrojnë të zotë e fitojnë trofe në gara ndërkombëtare, krah për krah me vendet me traditë me velat dhe dashurinë për detin. Ka qiell të pastër si kristal, ku ditën ndriçon kaltërsia dhe mbrëmjeve vezullojnë miliona yje e shpupurishen aureola shumëngjyrëshe që tërheqin si magnete njerëzit që gojëhapur i sodisin ndër sheshe. Ka lumë madhështor që njihet anembanë botës, ku nuk sheh gjurmë shishesh, por plot anije druri me vela të bardha që me melodi kumbuese lundrojnë në paqe dhe e lidhin atë me dhjetëra qytete. Kazani ka universitete dhe Akademi Artesh të ngritur në shekullin e 19-të, në çdo shesh ka një teatër, në çdo bulevard një kinema dhe bibliotekë, në çdo rrugë parqe për fëmijë e të rritur, në çdo shtëpi gjelbërim.
Kazani, është një oazë e ëmbël dhe krejt e dashur me njerëzit. Krimi, thuajse nuk ekziston në të. Rreziku për të ecur fillikat në rrugë në çdo orë të natës, numri i vjedhjeve, vrasjeve apo rasteve të dhunës, është më i ulët se në çdo kryeqytet të Europës dhe thuajse dy herë më i ulët se në Stokholm. Hashashi nuk mbillet, nuk kultivohet, nuk ambalazhohet, nuk transportohet, nuk tregtohet, nuk trafikohet. Nuk vret, nuk blen, nuk shet, nuk shkatërron. Nuk njihet.
Thuajse askush këtu nuk njeh as kryeministrin e vendit. Shumë vetë, as emrin nuk i dinë. Madje as nuk duan t’ia dinë. Papunësia llogaritet nën 1% , kjo në sajë të aktivitetit të shumë industrive dhe investimeve të huaja që kanë vërshuar nga Amerika, Gjermania, Kina, Japonia dhe shumë vende të tjera. Njerëzit duken të mësuar me një kulturë të shëndetshme pune dhe sipas të dhënave të OECD-së, çdo i punësuar këtu punoi afërsisht 2000 orë gjatë vitit 2016, shifër kjo që është rreth 44% më e lartë se në Gjermani apo 18% më e lartë se në Britani. Këtu varfëria është shumë e ulët dhe rrugëve nuk të zë syri lypës. Falë punës, fuqia blerëse është rreth 40% më e lartë se në vendet e Ballkanit, gjë që u mundëson qytetarëve që të kalojnë më së miri pushimet e tyre në plazhet e Mesdheut: Mali i Zi, Kroacia, Greqia, Bullgaria apo Turqia janë destinacionet e preferuara për turizmin e verës dhe linja direkte fluturimi lidhen me aeroportet kryesore në këto vende gjatë sezonit veror. Kazani ka aeroportin e tij, me mbi 2 milionë pasagjerë në vit, me të cilin lidhet përmes metrosë elektrike nëntokësore apo autobusëve që kushtojnë 5 euro, si dhe taksive të shumta që kushtojnë vetëm 10 euro.
Kazani, çdo vit pret miliona turistë prej anembanë botës, që e vizitojnë dhe mahniten prej bukurive të tij. Që magjepsen me mikpritjen, mbushen me kujtime dhe rikthehen sërish me mall në të. Në të ka karroca të bardha tërhequr nga kuaj të praruar që shëtisin në parqet dhe bulevardet e gjerë të shtruar me kalldrëm, nga ai i rralli, i pastër, që kurrë nuk i lëvizin gurët apo fsheh ujë nën të. Ka kisha plot ngjyra dhe histori, katedrale të hajthme dhe xhami të përsosura, sheshe dhe monumente të mahnitshme që të bëjnë të mbash frymën kur kalon pranë tyre – vepra arti të historisë mijëvjeçare dhe pjesë e trashëgimisë së kulturës botërore, të mbrojtura nga UNESCO dhe ca më tepër, të respektuara, nderuara dhe të çmuara nga njerëzit që u japin jetë. Këtu historia ndihet mirë, është e prirur të të jepet me dëshirë për ta lexuar haptazi, pa komplekse dhe as frikë nga dora e njeriut apo bëmat e qeverisë. Nuk gjen rrënoja, vjetërsira e shkatërrime, nuk sheh askund ndërtime, të vogla a të mëdha. Në këtë zemër të monumenteve të historisë, sado të përpiqesh, po aq më mirë do të kuptosh se këtu e bukura është arritur ndër shekuj dhe sot, veç mund të shijohet. Ke për të ndeshur beton e tulla, po aq sa ç ‘mund të hasësh, bie fjala, sallam apo kremviçe të tymosura gatuar prej gjithfarësoj mishi nga ai Brazili i largët. Në fakt, gjithçka ka mbetur klasike, fotografi e gjallë e skalitjes së kohës.
Kazani u ofron shëndetësi cilësore dhe falas qytetarëve të tij. Spitalet dhe qendrat mjekësore publike janë moderne dhe eficiente, të pajisura me teknologjitë më të fundit të shkencës dhe me doktorë të specializuar në universitetet më të mira të Europës. Fakulteti i Mjekësisë këtu është hapur që në vitin 1814 dhe prej mbi 200 vitesh nuk rresht së funksionuari si një qendër e mirëfilltë e kërkimit dhe krijimit të brezave të suksesshëm të mjekësisë.
Kazani ka furnizim me drita, gaz dhe ujë pa ndërprerje. Ka klimë të ftohtë e të shëndetshme, dhe shtëpi e shpirtra të ngrohtë. Sportet më të përhapura janë skitë, vallëzimi në akull, lundrimi dhe sportet e ujit. Por të gjithë janë të gëzuar që këtu do të luhen disa nga ndeshjet e Kampionatit Botëror të vitit të ardhshëm dhe përgatitjet për të kanë kohë që kanë nisur. Do të shfaqemi në Kampionat me të gjithë lavdinë tonë, kjo është motoja e sotshme që pret në ethe, ngazëllim e punë afrimin e 2018-s.
Kazani, natyrisht, ka dhe mediat e tij. Disa gazeta dhe revista, pak televizione modeste, që përpiqen të sjellin për publikun e tyre, kurioz nga natyra, lajmet dhe të rejat më të fundit nga bota. Thuajse të gjitha gazetat e revistat botohen në format të përmbledhur edhe në anglisht. Këto shpërndahen falas për turistët përmes shumë pikave të informacionit turistik që i gjen kudo.
A ka korrupsion këtu? Po oligarkë? – i pyet bashkëbiseduesit, të cilët duke buzëqeshur të thonë se si kudo, me ca para më shumë, mund të marrësh shërbime publike pak më shpejt se të tjerët. Si kudo, po jo si në Europë, të thonë buzagaz. Oligarkët? Ata sigurisht duhet të jenë diku. Nuk i njohin, por kanë dëgjuar se kontrollojnë tregtinë e naftës në vend.
Kazani, ndërkohë që jeni duke lexuar këtë shkrim, në çdo pikë karburanti të tij, e ka çmimin e naftës nën 50 lekë/litër.
Mbas Shen Petersburgut, Kazani eshte qyteti me me shume turiste, sidomos nga Kina dhe vendet e ish B.S., per faktin se aty ka studjuar V. I. Uljanovi (Lenini). Kazani ka patur nje here e nje kohe me shume myslimane (tartare e gjithfare lloj), te cilet humben betejat me ushtrine e Carit. Ne Kazan kane lindur shume legjenda dhe perralla, mbi te cilat ekzistojne edhe shume filma rus. Por ne Kazan eshte edhe ftohte ne dimer.
Lexuar në një kohë kur kazani (objekt) shumëpërflitet në Shqipëri, ky shkrim ka një tërheqje intriguese në titull.
Është një reportazh nga Kazani, ku papunësia llogaritet nën 1%! Nëse lexuesi nuk e ka idenë se ekziston vërtet një qytet që quhet kështu, mund të bjerë lumturisht pre në çarkun e një metafore imagjinare, të stërholluar dhe inverse përkundër negativitetit që rrethon distopinë e ligjërimit kundër mediave ndër anët tona.
Një pyetje për autorin: A mundi të vërejë në cilën zonë të qytetit ndodheshin zyrat e punës?