Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

TË FLASËSH DHE TË THUASH (V)

Thuhej për dikë: “e hëngri për një fjalë goje”; diçka analoge, për dikë që është dënuar pse ka shkruar kundër, vështirë se mund të formulohet. Dhe kjo, para së gjithash, për shkak të një asimetrie midis të folurit dhe të shkruarit – fjala kërkon zakonisht edhe dikë që ta dëgjojë, me përjashtim të atyre herëve kur dikush flet me vete: por nuk kemi dëgjuar të arrestohet dhe as të dënohet kush, për diçka që ka thënë duke folur me vete (ose edhe thjesht ngaqë ka folur me vete). Ligjërimi i folur kërkon një audiencë, një publik; ai që flet, e bën këtë me vetëdijen se do ta dëgjojnë menjëherë, në mos me synimin që ta dëgjojnë menjëherë; përkundrazi, ligjërimi i shkruar u bindet skemave të tjera. Kur ulemi të shkruajmë – ose të hedhim fjalët tona në letër – zakonisht e bëjmë në vetmi; të shkruarit është gjithnjë të folur me vete; vetëm më pas ia japim çfarë kemi shkruar atij tjetrit që ta lexojë, ose edhe ia lexojmë ne me zë. Në krahasim me të folurit, të shkruarit e ndan aktin në dy etapa: përftimi i ligjërimit më parë (fjalëzimi), komunikimi i tij më pas. Unë mund të ta jap poezinë ose esenë time dhe ti ta lexosh shumë më vonë; njëkohësia e të folurit tashmë shpërbëhet, duke lejuar në mes një distancë, të krahasueshme me hapësirën. E megjithatë komunikimi ndodh, ndryshe nga pengimi që ia bën ligjërimit me gojë distanca gjeografike. Prandaj edhe kemi dëgjuar për dikë që është dënuar “për një fjalë goje” dhe, ngjashëm, për një libër të ndaluar; sepse fjalët vërtet mund të fluturojnë (verba volans), por në një tekst të shkruar ua gjen gjithnjë vezët, gati për të çelur. Më tej akoma, po ta shohim nga afër teorinë juridike pas nenit 55 dhe në përgjithësi persekutimit të fjalës nga regjimi, nuk do të na shpëtojë marrëdhënia e vendosur, haptazi, me agjitacionin dhe propagandën; ose theksi që vendoset në faktin që ka ndodhur një shkëmbim mendimesh, ka ndërruar duar një informacion, ose është krijuar një bashkësi mendjesh nëpërmjet bashkëndarjes së fjalës. “Fjala e gojës” krijon vetvetiu një grup; dhe regjimi grupe të tilla nuk i toleronte. Për këtë arsye edhe, kush fliste kundër krijonte menjëherë bashkëfajësi, sepse edhe ai tjetri, që veç dëgjonte, konsumonte një vepër penale. Përkundrazi, fjala e shkruar mund të ruhet e mbyllur me çelës, gjithnjë larg syve të së tjerëve; shumë kanë mbajtur ditarë, ku rrëfeheshin për gjithçka nuk ua thoshin dot të tjerëve. Këta ditarë ndonjëherë kanë përfunduar edhe si dëshmi në gjyqet politike; por vetëm kur janë gjetur gjatë bastisjeve, ose kur autori ua ka dhënë miqve të vet, i shtyrë nga dëshira e papërballueshme për komunikim. Përndryshe, një ditar i ruajtur me kujdes, i mbyllur në dollap, i fshehur nën dyshek, i shkruar me shifër, ende nuk përbënte rrezik për regjimin, pa çka se i afrohej mendimit të lirë ndoshta më shumë edhe se vetë fjala e folur; subversioni, madje edhe kur i artikuluar mirë, nuk përndiqej veçse atëherë kur ndërronte duar, ose kur i ofrohej tjetrit: Pa lexoje pak këtë që kam shkruar; ose: Si të duket kjo poezi ose: Si të duket kjo pikturë? Të thuash se fjala e shkruar merrte forcë vetëm në momentin që i dhurohej tjetrit, ose kur e përmbyllte udhëtimin ligjërimor dhe treni arrinte në stacion. Pa çka se një ditar subversiv mund t’u vlente organeve të Sigurimit për të kuptuar se si mendonte një individ i pakënaqur, një njeri “me lakra në kokë”, një kontingjent i armikut, një i gënjyer, ose edhe një armik i klasës a i popullit; ose çfarë lloj subversioni e lejonte akoma shqipja e shkruar. Në Muzeun e dikurshëm të Ministrisë së Brendshme kanë qenë ekspozuar dokumente të dorëshkruara, që i ishin kapur një grupi subversiv në Shqipëri, programe me natyrë politike; po t’i lexoje, të bënte përshtypje natyra e asaj që Roland Barthes-i e quan écriture – sa kohë që ligjërimi aty dukej i dalë nga të njëjtat shabllone të teksteve politike zyrtare; në rrethanat kur Partia e kish vënë ligjërimin publik nën kontroll, edhe subversioni i artikuluar (i arsyetuar, raisonné) do të merrte trajtat e totalitarishtes zyrtare, jo sepse donte, por sepse vetëm ato trajta ishin në dispozicion të shkruesve. Ligjërime të tjera, alternative, ishte vështirë të kultivoheshin, nga individë të shkolluar në sistemin totalitar. Prandaj në tekstet e shkruara me natyrë subversive, sidomos në ato politiket, mund të gjeje të formuluara qëllime armiqësore ndaj pushtetit, por jo një ligjërim të tillë që t’i kundërvihej drejtpërdrejt zhargonit totalitar. Nga kjo pikëpamje, shqipja e folur, pavarësisht nëse dialektore ose thjesht bisedore, e ruante natyrën subversive madje edhe kur i rrinte (enkas) larg politikës; thjesht nëpërmjet refuzimit për t’iu nënshtruar klisheve të shqipes publike, që aq lehtë e kishin gjetur rrugën në gjuhën e shkruar. Në mënyrë karakteristike, militantët politikë, aktivistët e Rinisë dhe të deleguarit e forumeve të larta të PPSh-së, përpiqeshin të flisnin në publik duke importuar – sado artificiale të tingëllonin – teknika dhe stilema të shqipes së shkruar standard, siç i gjenin te fjalimet e Enver Hoxhës dhe te “Zëri i Popullit”; kjo përpjekje mund të arsyetohej me dëshirën e tyre për të tingëlluar “zyrtarë” ose “të kultivuar”, pa çka se publiku vetvetiu do ta interpretonte si një shenjë të identifikimit të folësve me pushtetin.

[vijon]

3 Komente

  1. Pa shumë lidhje me temën, gjithsesi tani më vjen ndërmend që “fjalë goje” ka po atë logjikë semantike si edhe “trutë e kokës”, “sytë e ballit”, apo “zorrët e barkut”. A thua se kemi “fjalë dore”, “tru të shpinës”, “sy të këmbës” dhe “zorrë të kokës”. Nuk e di nëse ka në gjuhë të tjera përdorime të ngjashme?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin