Mafia në ekran: ja një kombinim gjithnjë fitues. Seriali i fundit që po ndiqet me interes, anembanë botës, është Gomorra – një produkt i televizionit italian, i frymëzuar nga libri Gomorra i Roberto Saviano-s (ndryshe nga filmi Gomorra (2008), që mbështetet në libër). Edhe ky serial i tanishëm rrëfen, në mënyrë hiper-realiste, jetën – dhe vdekjen – e bandave kriminale të Camorra-s në lagjet e jashtme të Napolit, në luftë mes tyre për të ndarë territoret dhe për të ruajtur monopolin e shitjes së drogës.
Shikuesve menjëherë u bën përshtypje që seriali, sikurse edhe filmi që i parapriu, flitet i tëri në dialektin napoletan, që nuk kuptohet mirë gjetiu në Itali; në fakt, RAI3 e ka transmetuar me titra “të italianizuar”, çfarë ka ngjallur jo pak polemika (të mirëkuptueshme: përfytyroni sikur të shfaqej në Tiranë, i titruar, një serial i prodhuar në Kosovë, ku personazhet të flisnin në dialektin urban të Prishtinës). Nëse filma të tjerë e përdorin rëndom dialektin për t’i dhënë një “ngjyresë” lokale mjedisit dhe ndërthurin italishten standard me ndonjë shqiptim ose shprehje dialektore, te Gomorra duket sikur italishtja nuk gjen dot vend: bota e folur fillon dhe mbaron brenda dialektit kampan (napoletan).
Parë për së largu, duket edhe kjo si përftesë e llojit fotografik: le t’i lëmë personazhet të flasin “ashtu si në realitet”. Kush ka jetuar në Napoli, e ka të qartë që atje dialekti nuk i lëshon vend italishtes standard përveçse në komunikimin me shkrim; përndryshe, qyteti dhe krejt krahina ia mbyll dyert gjuhësore një italiani që mund t’i vijë, të themi, nga Firenze-ja ose nga Milano-ja. Këtë mund ta dëshmoj edhe unë, që kam jetuar në Napoli disa vjet: italishtja që kisha sjellë me vete vetëm sa vlente për të më shenjuar si “të ardhur”.
Mirëpo kur një serial televiziv me kaq popullaritet, që rrëfen bëmat dhe dramat e grupeve kriminale të periferive, vendos ta bëjë këtë në dialektin napoletan, gjithnjë sjell me vete rrezikun që shikuesit të fillojnë ta shoqërojnë, në mendje dhe në sjellje, këtë dialekt me krimin kamorrist dhe Tjetrin që duhet shmangur ose, përndryshe, shënjuar; ta shohin, pra, si zhargon të kriminalitetit në Napoli dhe zonat përreth.[1] Në të vërtetë, shumë komunitete dhe autoritete lokale, në Campania, e kanë qortuar serialin për këtë zgjedhje lokalizuese (në thelb artistike), madje kanë refuzuar që të japin leje për xhirime të episodeve në komunat përkatëse.
Nga ana e tyre, kritikët dhe gjuhëtarët e kanë vënë re se dialekti ashtu siç del në serial nuk përkon me dialektin territorial si variant gjuhësor gjeografik, që i përket së njëjtës sferë të komunikimit dhe të kulturës si zakonet dhe traditat lokale, veshjet popullore, artizanati dhe gjellëtaria karakteristike. Është vënë në dukje se autorët e tekstit kanë zgjedhur të kombinojnë, në skenar, elemente nëndialektore nga qytete të ndryshme në zonën metropolitane të Napolit, të cilat e bëjnë ligjërimin në ekran të tingëllojë artificial, për bartësit realë të së folmeve të zonës – edhe pse këta janë një pakicë e papërfillshme, në raport me milionat e shikuesve anembanë botës, që e identifikojnë dialektin në film si të Napolit.
Ky debat, për artificialitetin e dialektit në një film ose serial televiziv, i shoqërohet një debati tjetër, paralel, për iluzionin fotografik që jep qasja estetike hiper-realiste, ose përpjekja a pretendimi për t’i treguar ngjarjet “ashtu siç kanë ndodhur.”
Hiper-realizmit, te Gomorra, i duhet të negociojë edhe me vendimin krejt të vetëdijshëm të Saviano-s dhe të autorëve të tjerë, për të krijuar një serial ku të fliste vetëm “e keqja”, dhe ku “e mira” të mungonte krejt; ose pa personazhe me të cilat të mund të identifikohej shikuesi – të tilla si detektivi, një qytetar i ndershëm që e nxjerr bukën me djersën e ballit, një prokuror i rreptë por i drejtë. Seriali fillon dhe mbaron si spektakël i së keqes, e cila ndahet më dysh dhe pastaj të dyja të këqijat i hidhen në fyt njëra-tjetrës. Dhe nga kjo pikëpamje, Napoli i periferive – ose dy lagjet e Scampia-s dhe të Secondigliano-s që u shërbejnë si sfond ngjarjeve të rrëfyera – paraqitet në bllok si vendbanim i krimit, i njohshëm jo vetëm nga gjeografia, por edhe nga zhargoni; çfarë e plotëson efektin e tëhuajzimit (estrangement). Krimit i jepet kështu një truall dhe një gjuhë specifike dhe “dialekti” shërben si shoqërues zanor i serialit, teksa përvijohet një izomorfizëm midis çfarë thuhet dhe si thuhet.
Edhe konfigurimi urban i këtyre lagjeve merr pjesë në zhvillimet narrative, duke marrë ndonjëherë rolin e protagonistit. Shumë nga episodet kyçe të serialit ndodhin në një projekt strehimi urban të njohur si Le Vele di Scampia (“velat e Scampia-s”), të quajtur kështu, për shkak të formës në trajtë vele të pallateve. Ky kompleks apartamentesh me kosto të ulët u projektua nga Franz Di Salvo, në bazë të parimeve të hartuara nga Le Corbusier. Siç merret me mend, projekti pastaj dështoi, blloqet e banesave kaluan në dorë të krimit të organizuar dhe u braktisën nga forcat e rendit, për t’u shndërruar shkallë-shkallë në geto. Sot e kësaj dite rreth 40,000 vetë ende jetojnë në këto struktura të rrëgjuara.
Ideja e promovuesve dhe entuziastëve të projektit ishte që t’u dhurohej banorëve mundësia për të krijuar komunitete të qëndrueshme, nëpërmjet hapësirave që do t’i kushtoheshin socializimit. Për shkaqe të ndryshme, përfshi këtu edhe efektet e tërmetit të vitit 1980, këto hapësira ndihmuan për ta shndërruar kompleksin në një non-lieu, në kuptimin që i jep këtij termi Marc Augé: si vende publike që nuk i shërbejnë socializimit, as komunitetit. Te Velat, korridoret e gjëra në banesat, mbikalimet dhe nënkalimet, ugaret e gjelbra midis blloqeve, tarracat e pallateve, sheshpushimet midis kateve dhe të tjera hapësira të ngjashme kalimtare, fillojnë të shërbejnë si infrastrukturë e krimit të organizuar, fill pasi kanë dështuar funksionalisht. Çfarë është non-lieu për banorët e getos, shërben si habitat për organizmin parazitar të krimit.
U zgjata pak në këtë përshkrim të lagjeve dhe të projekteve të strehimit popullor te Gomorra, sepse – për mendimin tim – edhe “dialekti” i përdorur në serial, si zhargon i kamorrës, vërtet ndërtohet me material qartësisht nga dialekti lokal, por ky material ri-organizohet tashmë për t’i shërbyer edhe ai krimit; në kuptimin që e folmja napoletane, në gojën e personazheve, merr disa karakteristika të një non-lieu gjuhësor, ose të një shtëpie sado të improvizuar të qenies kriminale. Çfarë do ta largonte edhe më, nga natyra dhe konfigurimi tradicional i dialektit gjeografik.
Sikur të mos mjaftonte kaq, edhe vetë sjelljet dhe manierizmat dhe ritualet sociale të kamorristëve në serial, të cilat janë modeluar sipas vëzhgimeve sociologjike të Savianos dhe të së tjerëve në jetën “reale”; edhe vetë këto sjellje, manierizma dhe rituale kaq karakteristike për kamorristin e tanishëm, rezulton të jenë produkt i fantazive hollywood-iane tejet të përpunuara për mafian italiane dhe italo-amerikane. Këtë e thekson vetë Saviano-ja, në librin e vet Gomorra, kur vëren se disa prej personazheve, të gjithë keqbërës, i kishin mësuar përmendësh të gjitha batutat e filmave të tillë si Godfather, Scarface, Taxi Driver dhe Pulp Fiction, deri në atë pikë sa sjellja e tyre e përditshme, si kamorristë, të mund të kuptohet më mirë si lojë aktoriale (recita), e bazuar në modelin kinematografik. Shkruan Saviano-ja:
Nuk është kinemaja, që qëmton në botën e krimit, për të gjetur dhe mbledhur prej saj sjelljet më interesante. […] Ndodh saktësisht e kundërta. Brezat e rinj të bosëve nuk kanë ndonjë karrierë qartësisht kriminale, nuk i kalojnë ditët në rrugë duke i bërë temena guappo-s së lagjes, nuk mbajnë thikë në xhep dhe as kanë vrraga plagësh në fytyrë. Shohin televizion, studiojnë, ndjekin universitetin, diplomohen, udhëtojnë jashtë shtetit dhe sidomos studiojnë me kujdes mekanizmat e investimeve […] Shembulli i filmit Godfather flet vetë. Asnjëra nga organizatat kriminale, si në Sicili ashtu edhe në Campania, nuk e kish përdorur ndonjëherë termin padrino, produkt i një përkthimi jo shumë filologjik të anglishtes godfather. Termi i përdorur me këtë funksion ka qenë gjithnjë compare. Pas filmit, familjet mafioze me origjinë italiane në Shtetet e Bashkuara filluan të përdorin fjalën padrino në vend të compare dhe compariello. Shumë të rinj italo-amerikanë të lidhur me organizatat mafioze imituan syzet e errëta, kostumet me vija, fjalët e përshpirtshme. Vetë boss-i John Gotti deshi të shndërrohej në një version real të don Vito Corleone-s. Edhe Luciano Liggio, boss i Cosa Nostra-s, zuri të dilte në fotografi duke nxjerrë nofullën përpara, si kryefamiljari i Godfather. […] Kamorristët duhet të krijojnë një imazh kriminal që shpesh nuk e kanë dhe që e gjejnë te kinemaja. Duke e artikuluar imazhin e tyre sipas një maske hollywood-iane të njohshme prej të tjerët, zgjedhin një lloj rruge të shkurtër, për t’u dalluar si personazhe për t’ua pasur frikën […] Kinemaja është një model prej nga të huazojnë mënyrat e shprehjes. […] Edhe truprojet e grave boss-e vishen si Uma Thurman në Kill Bill: flokët kasketë bionde dhe tuta të verdha fosforeshente. […] Kinemaja, sidomos ajo amerikane, nuk shihet si ndonjë territor i largët ku ndodhin çudira, jo si vendi ku realizohet e pamundshmja, por si afërsi e pandërmjetme.
Woody Allen pat thënë një herë se “Arti imiton jetën, por jeta imiton televizionin.” Një serial me pretendime foto-realiste, si Gomorra, rrëfen ngjarje dhe personazhe që flasin një zhargon pseudo-dialektor, të shndërruar në dialekt social; në një mjedis të uzurpuar që nga utopia e projekteve urbane me ambicie emancipuese, për t’u përdorur si place d’armes e krimit dhe e tregtisë së drogës; dhe ku protagonistët, edhe pse produkte me kilometër zero të degradimit urban, imitojnë në sjellje, në gjeste dhe në rituale heronjtë mitologjikë të mafias të ri-konceptuar nga Hollywood-i. Nuk është lehtë të orientohesh në këtë labirint pasqyrash; e vetmja gjë që mund të thuash me siguri, sa i përket serialit Gomorra, është që deri më tash ia ka arritur qëllimit.
[1] Mua, që kam jetuar disa vjet në Napoli, “muzika gjuhësore” e serialit gjithnjë më kujtonte lagjen time, të varfër dhe të kontrolluar nga camorra, por pa ndonjë kriminalitet të spikatur; sikurse më kujtonte një botë të mbyllur në vetvete, që nuk i ngjan shumë imazhit që kemi pasur ne shqiptarët për Italinë. Çfarë më bënte përshtypje, atëherë në Napoli, ishte sa të vështirë e kishin atje të gjithë, për të folur italishten standard. Kam pasur kontakte të dendura me napoletanë nga të gjitha shtresat sociale – dhe deri edhe më të shkolluarit dhe të rafinuarit parapëlqenin dialektin, sidomos pasi familjarizoheshin me ty. Por unë dialektin vendës nuk e mësova dot, edhe ngaqë komunikoja kryesisht me njerëz të ardhur në Napoli si unë – përfshi këtu edhe kolegët në universitet. Mësova deri diku melodinë e të folurit, ose kantilenën; dhe pak shprehje pikante, për t’i përdorur me efekte parodike. Përndryshe, nuk është kollaj të mësosh një dialekt, ku një fjalë si teléfono përfundon e shqiptuar si tjefn.