Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

SA TELASHE PËR NJË KURORË

nga Edon Qesari

 E gjithë polemika e paradojavshme mbi gjakun e hamendësuar të shprishur të Skënderbeut, e nxitur nga disa pohime jo-origjinale të publicistit Mustafa Nano, para se të rezultonte qesharake, ishte me tërë mend jo serioze. Dhe sigurisht jo për faj të Kastriotit, as si bir i mundshëm i një nëne sllave, e aq më pak si pjellë e një zënke shtypi të vaposur. Por ja që ca terma të hedhur me zell tek lexuesi duhen sqaruar medoemos. Ndonjëherë është e udhës që të sqarohet se Filipi i Maqedonisë dhe Filipi në Maqedoni janë dy gjëra që s’përkojnë. Dhe pse rrjedhin nga njëra-tjetra.

Kështu, fillimisht, duhet thënë se vetë paqartësia dokumentare që hasin historianët e etur për saktësimin e përkatësisë etnike të një familjari të Skënderbeut – mua, të paktën, s’më duket se një përgjigje e prerë mbi këtë affaire është e mundur – na tregon, tek e fundit, se sa i vështirë është sot një përcaktim i tillë për një person që pati jetuar më shumë se pesë shekuj të shkuar. Në kohën e martesës mes Gjonit dhe Vojsavës, treguesit e sotëm (dhe etnia me gjasa është mes tyre) vështirë se mund të renditeshin në listën e ngushtë të të dhënave që një individ i asokohe – le ta përfytyrojmë në prani të priftit, krushqve apo funksionarit civil – duhet patjetër të shfaqte, le të themi për reductio ad absurdum, në dokumentin e vet të identifikimit.

Megjithatë, lipset gjithashtu të sqarojmë se dallimet mes popullatave të trevave ballkanike të shekujve XIV dhe XV – dallime të bazuara në elemente si trungu etnik, gjuha e folur apo doket dhe zakonet e një bashkësie të caktuar – natyrisht që qenë dhe ia bënin mu. Që në një pjesë të trevave ballkanike përdorej një gjuhë e përditshme, teksa diku tjetër, afër apo larg qoftë, flitej një tjetër, e që kjo kullë Babeli ishte lehtësisht e vrojtueshme madje dhe nga një shërbyes analfabet i ndonjë oborri princëror, në një kohë kur gjuha e pazarit ishte krejt e ndryshme nga ajo e kancelarit, s’do as mend e as kalem. Thënë kjo, një hesap është etnia e një tjetër kombësia, nisur nga fakti që kjo e dyta është përkthyeshmëria politike e së parës. Më shkoqur, zoterinjtë që shfletojnë qitape dhe që dijet e tyre ua pasojnë urtësisht lexuesve, duhet ta kena parasysh se një gjë është të folurit në arbërishte (apo protoshqipe, nëse doni) dhe krejt tjetër vetëdija politike e të qenit arbër (a shqiptar i hershëm qoftë). Vështirë se një vetëdije e tillë, nën shëmbëlltyrën e një ngrehinë ideologjike, ishte e pranishme në Arbërinë e motit të Skënderbeut, në veçanti në atë segment shoqëror që ishte, po e quaj, fisnikëria vendase.

Tani, kur flasim për familje politikisht (e sidomos territorialisht) sunduese në Ballkanin e mësyrë nga otomanët në shekujt XIV-XV, duhet mbajtur parasysh se kriteri etnik (apo gjuha e nënës, e mbase ndonjë veçanti e lokalizuar dokesh dhe zakonesh) zor se gëzonte ndonjë epërsi mbi ca të tjera – do të thonim sot se nuk i shkonte ndërmend njeriu për to, të paktën jo si shenja dalluese dhe/apo përjashtuese, në krahasim me sërën, pasurinë, fuqinë etj. Siç pohonte në këtë faqe dhe Ardian Vehbiu, familje të atilla ishin etnikisht të përziera, vokacion nga i cili, në përvojën europiane, nuk do të heqin dorë deri në ditët tona[1]. Andaj nuk lemeritem aspak nëse Gjergj Kastrioti, arkitekt i vetëdijshëm i një aleance politike ndëretnike (ergo, me pjesëmarrës nga etni të ndryshme, jo vetëm arbërore), siç dhe qe Besëlidhja së Lezhës, të ketë qenë ai vetë pinjoll i një bashkimi ndëretnik kurorash (tjetër mjet politik i kohës ky).

Po flasim për një periudhë në të cilën bërthama e një bashkësie shtetformuese mbështetej mbi vullnetin pronor nga ana e kryezotit të një njësie të caktuar territoriale. Ky shtet patrimonial pak ka të bëjë me atë që më vonë do të lakohet si shteti-komb, të mishëruar nga përfshirja e masave gjithmonë e më të gjëra në pronësi (ndryshe thënë, në sovranitet). Kësisoj, edhe më i çiltri mes kolopuçëve shkollarë e ka mësuar se Gjergj Kastrioti e mori zotërimin mbi Krujën e t’et duke valëvitur, veç kordhës, të drejtën (mbase hyjnore) të trashëgimisë, e jo duke i rënë gjoksit mbi dejet e tija shqiptare në një referendum mbarëpopullor. Çka na ndihmon të kuptojmë rëndësinë minimale, në mos inekzistente, që kishte asokohe dallimi ndëretnik në sendërtimin apo pohimin e një identiteti, individual apo kolektiv qoftë.

Conditio sine qua non për daljen në skenë të Kombit do të ishte përpunimi i një aparati ideologjik, zakonisht prej dorës së një elite intelektuale, e mandej shpërndarja e këtij materiali në gjirin e një bashkësie të tërë. Ky proces i mirëfilltë politik, kjo përfshirje e masave deri në elektoralizimin e plotë të politikës mes shek. XIX dhe XX, siç pohon Gellner-i[2], mëtonte që kryezoti absolut i qëmotit (apo gjithë sëra e tij), së bashku me masat e dyndura në skenën e modernizmit, të gjunjëzoheshin para të njëjtit altar mëmëdhetar, çka duhet të çonte në zvenitje të hallkave të ngurta mesjetare dhe shpalosje të parametrave të përbashkët përcaktues (trungu etnik, gjaku, gjuha, territori, besimi, tradita – përcaktues shpeshherë të sintetizuar keqaz në atë çka në përfundim duhet të ishte kombësia, megjithse përbërësit e këtij mishmashi, si dhe vetë marrëdhëniet në mes tyre, do hanë debate të panumërta në dy shekujt pasues).

Do të ishte një profesor italian i historisë moderne, me emrin Federico Chabod, i cili, pikërisht në vitet e konfliktit të dytë botëror – atëherë kur mosha e kombeve vlerësohej gjerësisht si e vjetër po aq sa ajo e njerëzimit – do ta shihte nocionin e kombit si të lidhur ngushtë me risinë e modernitetit. Në hulumtimet e tij, Chabod-i gjykonte se lindja e kombeve karakterizohet nga “parimi i individualitetit”, nga yshtja pra për ta dalluar vetveten rrënjësisht kundrejt tjetrit (shqiptarin nga serbi, serbin nga kroati e via dicendo), “kundër prirjeve përgjithësuese dhe universalizese”. Kësisoj, “[ç]do komb shndërrohet në një quid të përveçëm, të mbyllur në vetvete, i padepërtueshëm nga të tjerët; qoftë dhe fizikisht, tiparet e tij quhen ‘të përhershme’, jetojnë me mijëra vjet pa përzierje me të huaj, ‘nëse rri ngulitur në tokë bash si bima.’” – shton Chabod-i, duke cituar krijuesin e vetë termit “nacionalizëm”, autorin gjerman Johann Gottfried Herder[3].

Një prirje e tillë në marrëdhëniet ndëretnike të para shek. XVIII nuk ishte e pranishme. Komunitetet parakombëtare mbase e dallonin veten mes tyre (gjuha e folur ishte një element i pashmangshëm dallimi në këtë kuptim), por kjo s’përbënte kurrësesi thelbin e organizimeve shtetërore apo metashtetërore që ato kishin ngritur. Nuk ishte parimi i tyre sendërtues. Do të duhet të pritet agu i Romantizmit që të mund të lindte (që të sajohej, do të thoshte Hobsbawm-i[4]) një koncept i kombit i përafrueshëm – gjithsesi as ky i njëjtë – me atë të sotmin[5]. Koncept i cili rrëmben dallimet, veçimet déjà ekzistuese në mesin e bashkësive etno-lingustike dhe i kthen ato në parim politik, kundër universalizmit perandorak si kahje primare e shoqërive parakombëtare. Përpunimi paskëtaj i këtij boshti kuptimor në Ballkan, megjithë njëtrajtshmëritë e secilës përvojë kombëtare dhe kombëtariste, zë fill vetëm në shek. XIX si pasojë e shkërbimit të modelit perëndimor.

Duke u kthyer te Kastrioti si figurë historiko-politike e shek. XV – e jo si personazh naimian i shek. XIX e këtej – për të “tjetri” s’mund të ishte kësisoj as sllavi, as serbi, as bullgari, siç nuk qe as italiku (kujdes, s’thashë “italiani”)[6]. “Tjetri” ishtë detyrimisht “turku”, në po atë kuptim multietnik, perandorak e sidomos fetar që nacionalizmi qemalist, me zhbërjen institucioneve të  Sulltanatit dhe Kalifatit në vitin 1924, do të përmbysë[7]. Nëse ajo boutade e Mustafa Nanos, sipas së cilës Skënderbeu ishte më shumë i krishterë se shqiptar (sic), do të ishte e përkorë, pra nuk do të ishte e mbarsur në mënyrë provokuese nga po ai vrull nacionalist që autori synon t’i gërricë sedrën, do të ishte prapë së prapi pjesërisht e saktë, pasi, në vazhdën e po së njejtës dialektikë, duhet pohuar se Skënderbeu ishte i gjithi i krishterë dhe asfare shqiptar. Jo të paktën në kuptimin që sot i përveshim këtij identiteti, e me të cilin jemi mësuar të karakterizojmë lirshëm madje dhe arbërit mesjetarë. Kombësia, të qenit pra politikisht i vetëdijshëm për përkatësinë etno-linguistike e më gjerë, në shek. XV ishte një hiçmosgjë, ndërsa përkatësia fetare gjithçka. Ishte kjo e fundit që përcaktonte thelbin e një blloku perëndorak, kahjen diplomatike të një formacioni (para)shtetëror dhe madje pronësinë e një kryezoti mbi të nënshtruarit e vet – sipas parimit Cuius regio, eius religio.

Por natyrisht Nano, sua culpa, e përdor termin “shqiptar” (siç dhe vetë atë “serbe” për nënën e Kastriotit) në një hambar publicistike ku ai e di mirë se konotacioni me të cilin jemi/kemi mësuar ta shqiptojmë ka marrë vetitë e një çekiçi në dorën e një trupi gjykues. Ndaj, mirë t’i bëhet! Ai vetë i ngatërron termat e bisedës sipas të njëjtit avaz prej zemërlënduarish mëmëdhetarë. Sa për sulmet që pasuan, ato janë dhe mbeten një manë nga qielli për çfarëdolloj oreksi publiçitar (lexo: plebishitar) të një mase lexuesish të uritur veç për pak rreshta buke, cirku, gjaku, rrënjësh dhe rrace.

[divider style=”double” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]

[1] Shumëkush mund ta dijë sesi Lufta e Madhe e 1914-s (ajo që sot lakohet konvencionalisht si e Para Botërore) shpërtheu në kulmin e një epoke të ravijëzuar nga acarimi i përplasjeve nacionaliste mes shteteve europiane. Në po të njëjtën periudhë, edhe përzierja etnike në mesin e familjeve aristokrate (disa prej tyre mbretërore) europiane kishte arritur gjithashtu kulmin. Nipërit e mbretëreshës Victoria ishin ulur mbi fronet e shumë kryeqyteteve të kontinentit të vjetër, ndërsa dy kushërinjtë e parë, kaizeri Vilhelm dhe cari Nikolla, udhëhiqnin në mënyrë autoritare dy kombet e tyre teksa kacafyteshin llogoreve të frontit lindor. Emblemë e kësaj rrufeje kombëtariste në qiellin e pastert të aristokracisë ndërkombëtare ishte simbolikisht kryeqytetit rus, Petersburgu, i cili me shpalljen e luftës, pikërisht për shkak të ngarkesës teutone që mbartte emri i tij, u shndërrua zyrtarisht në Pjetërgrad. Një metamorfozë të ngjashme, kishte pësuar familja mbretërore (me origjinë gjermane) britanike, para se të zhdukte nga qarkullimi mbiemrin e saj gjerman (Saxe-Coburg and Gotha) dhe ta pajiste atë me emërtesën më puritane të një kështjelle (Windsor).

[2] Ernest Gellner, Nationalism, Widenfeld & Nicolson, London, 1997, fq. 27-28 dhe 31. Botimi në shqip i këtij libri nga ana e Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, me përkthimin e lëvdueshëm të Bashkim Shehut, mbetet një lexim sa i përshtatshëm po aq dhe i detyrueshëm për t’u shpërndarë në ambientet universitare të shkencave sociale dhe humane, atje ku ende gëlojnë ligjërime historike dhe antropologjike të mësuara përmendësh prej mëse tre dekadash a më tepër tashmë.

[3] Federico Chabod, L’idea di nazione, Laterza, Roma-Bari, 1967, fq. 17 dhe 47. Ky libërth, i përgatitur mbi bazën e shënimeve të Chabod-it, është një përmbledhje e leksioneve mbi idenë e kombit që ai mbajti në vitin akademik 1943-1944 në Universitetin e Milanos dhe dy vjet më vonë në atë të Romës. Përkthimi i pasazheve të mësipërm dhe i atyre në vazhdim është imi – E.Q.

[4] Eric Hobsbaëm-i niset nga një pohim i mirënjohur i Gellner-it (“Kombet, si një mënyrë natyrore, hyjnore e të klasifikuarit të njerëzve, në bazë të një … pashmangshmërie politike, janë një mit; nacionalizmi, i cili me raste merr kulturat pararendëse dhe i shndërron ato në kombe, disa herë i sajon ato, ndërsa më shpesh i fshin ato nga faqja e dheut: ja çka ndodh në të vërtetë” (E. Gellner, Nations and Nationalism, Oxford, 1983, fq. 48-49.) duke e çuar atë në skaj të aksiomës: “Me pak fjalë, nacionalizmi vjen përpara kombeve. Kombet nuk ndërtojnë shtete dhe nacionalizma, por e anasjellta”. – në Nations and nationalism since since 1780. Programme, myth, reality, Second edition, Cambridge University Press, 1990, fq. 10.

[5] Vetë përdorimi i termin “komb” në literaturën intelektuale të shekujve XV-XVII, thekson Chabod-i (cit. fq. 183-190) që përmend enkas translatio-n e e këtij termi me origjinë romake-mesjetare nga shumë autorë humanistë, përfshinte asokohe një horizont semantik të mirëdallueshëm nga i sotmi.  Në këtë vazhdë, Barleti, i cili shkruante latinisht në Venedikun e fundshek. XV, apo dhe Muzaka i shumëcituar gjatë këtyre ditëve, ishin të ndikuar fort, siç dimë, nga qasja erudite dhe gjuhësore e përtej Adriatikut. Vështirë pra se shkonin larg saj kur përdornin tekstualisht përcaktime dhe/apo përcaktues që sot mund t’i paralelizojmë (akoma më keq, t’i shartojmë) mendjelehtësisht me botëkuptimin tonë semantik.

[6] Ndonëse, pres bast, se zbulimi i një kryqëzimi, politik a makar biologjik, me këtë të fundit – siç dhe ndodhi me pasardhësit e drejtpërdrejtë të Kastriotit pak kohë pasi ky dha grahmën e fundit – s’do të shkaktonte aspak turbullira publicistike.

[7] Për sa shekuj, para, gjatë dhe pas Skënderbeut, në përfytyrimin kolektiv europian, “turku” do të qe i njëjtë me piratin e pandehur mysliman (pak rëndësi kishte nëse e ëma i kishte folur në gjuhën sllave, greke apo shqipe)? Shprehja e mirënjohur italiane “Mamma, li turchi!”, pavarësisht përdorimit të sotëm gazmor dhe tallës, mendohet se e gjen prejardhjen në fundin e shek. XV, kur piratë të ardhur nga lindja, të përfytyruar detyrimisht si myslimanë dhe të paguar nga shteti osman, kryenin sulme të herëpashershme mbi brigjet e Italisë jugore; të njëjtat brigje që në atë kohë (saktësisht në vitin 1480) njohën hapin më perëndimor të shënuar nga një sulltan osman, kur ushtritë e Mehmetit II – i njohur për zellin e tij fetar – pushtuan dhe zotëruan për pak muaj qytezën aragonase të Otrantos në brigjet e Puljës.

3 Komente

  1. “…duhet pohuar se Skënderbeu ishte i gjithi i krishterë dhe asfare shqiptar. Jo të paktën në kuptimin që sot i përveshim këtij identiteti, e me të cilin jemi mësuar të karakterizojmë lirshëm madje dhe arbërit mesjetarë. Kombësia, të qenit pra politikisht i vetëdijshëm për përkatësinë etno-linguistike e më gjerë, në shek. XV ishte një hiçmosgjë, ndërsa përkatësia fetare gjithçka”

    “Ndaj, mirë t’i bëhet! Ai vetë i ngatërron termat e bisedës sipas të njëjtit avaz prej zemërlënduarish mëmëdhetarë”

    Ky shkrim i zotit Qesari vjen si nje kamardare per Nanon e gjendur tashme mu ne mesin e detit virtual te shkumezuar, te shqiptarizmes apo nacionalizmes te lenduar.
    Dhe si nje qortim jo vetem per pakorrektesine e terminologjise se perdorur por edhe per lehtesine e paperballueshme te qenies publicist, per tu futur ne limeret e historise. Dhe te historise mesjetare , ku te vertetat vijne mes mjegullave te miteve.
    Te dyja qortimet e bera me delikatese jane te vonuara.
    Teza e Nanos per perkatesine serbe te Vojsaves, e hedhur ashtu shqeto ne nje bisede me studentet , nuk eshte e re. Po perse bie kjo daulle ne piskun e vapes? Apo sjell nje kumt te ri daullexhiu? Jo, thone kritikuesit e tij. Daullja bie thjeshte per te kthyer vemendjen nga daullexhiu vanitoz dhe kesisoj vjen si marketing per librin e tij. Dhe keshtu , sic vren me te drejte Qesari, “daullja” publicitaree Nanos u be shkas per nje peblishit te ri kombetarist, bash sic pat thene Renan dikur per konceptin e kombit.
    Duke pohuar se ” Skenderbeu ishte me shume i krishtere sesa shqiptar”, Nano jo vetem qe u be viktime e lapsusit te tij gjuhesor por dogdisi keq midene e turmave te ushqyera me shume me mite romantike se sa me shkence lidhur me historine, kombin, nacionalizmin tone etj.
    Nano u nis per lesh e doli i qethur keq sepse keto ceshtje te koklavitura historike nuk mund te trajtohen ne mexhilis , ne hapsiren virtuale pra, ku kulcedra kombetariste dhe demone te tjere te demosit anonim rrine zgjuar nate e dite.
    Te flasesh para ketij mexhilisi per tema dhe terma kaq delikate, eshte si te cosh Ajshtanin te flase per teorine e relativitetit para tribuve ne Amazone.
    Kombi krijohet nga nacionalizmi dhe shteti komb ushqen dhe fuqizon nacionalizmin, e sidmos “nacionalizmin vulgar” pikerisht permes shkolles, arsimit, propagandes.
    Tek ne edhe shkenca ka kusuret e veta , perderisa jo rralle operon me mite dhe qasje romantike por, sidoqofte, vetedija e shqiptarit te zakonshem eshte e ushqyer nga poetet, shkrimtaret, nga keta ” inxhiniere te shpirtit kombetarist”.
    Bota qe kur eshte zene
    Shqiperia gjall ka qene – kendon Naimi. Qasja primordiale duket ashiqare. Por qe ne mesjete “Shqiperia” qe konceptojme sot nuk ekzistonte e qe Skenderbeu nuk ishte “shqiptar”, por kryezot i Arberise mesjetare dhe Arberia mesjetare nuk ishte vecse nje teresi pricipatash , me pricer te cilet kishin vetedijen e territorrit dhe jo te kombit shtet, e tregon dhe vete shfaqja e mevonshme e konceptit “shqipetar”, nje ceshtje kjo ende e pandricuar nga historiografia jone. Dilentatizmi dhe pasioni kombetar ne kurriz te shkences , ne historiografine tone duket, bie fjala, edhe kur trajton Despotatin e Epirit, ku etnocentrizmi neglizhon jo vetem kufijte dhe perberjen demografiko-etnike te Epirit ne Mesjete , por edhe faktin se si ky despotat kalonte here ne dore te princerve serbe, here te atyre arber e here te atyre bizantine.
    Qe komponentja fetare dhe vetedija e pronesise mbi territore ngjizte aleanca, shtete, perandori dhe qe ,bashkimi nen nje prijes te shpates, mbrojtes dhe garant i rendit, bente me shume fajde sesa ndjenja mbi perbashkesine e gjuhes dhe dokeve te popullsise se principatave arberore , kete e nenvizon edhe Durham tek Brenga e Ballkanit , liber te cilin e shkroi pikerisht duke u endur e prekur me dore ate “laborator” mesjetar ende ne veprim, ne agun e pavaresise kombetare.

    1. Ju jap të drejtë për çështjen e vonesës. Arsyeja është më banale se ç’mund të mendohet. Megjithatë po ua sintetizoj:
      Debatin e ndoqa vonë për kushte rrethanore, në dy ditët e fundit të korrikut. Dy ditë gjithashtu m’u deshën për ta hedhur kritikën në letër dhe për shfletime materialesh të cilat i përmenda tutje-tëhu në shkrim.
      Ndaj, ju falënderoj për mendimin.

  2. Mendoj se duhet çmitizuar ky miti i perzierjes etnike te aristokracise, mjafton te besh nje llogari te thjeshte rreth çfare thote Muzaka, shumica derrmuese e martesave jane mes feudaleve arber.
    Jam i sigurte qe edhe ne arealin serb apo principatave serbe ndodh e njejta gje apo ne arealin bullgar, ne arealin gjerman apo italian.
    Tjeter gje kur shkojme tek mbreterit, sepse eshte çeshtje sere dhe interesi madhor, mbretit zakonisht i duhej nje princeshe per ta bere mbretereshe. Por edhe aty gjate mesjetes jane krejt te zakonshme, martesat e mbreterve me vajza te feudaleve qe e njihnin per mbret dhe pothuaj inekzistente me vajza te feudaleve te huaj.
    Rregull pak a shume u be pas mesjetes, ne epoken moderne, kur mbreti do kishte pothuaj gjithnje si mbretereshe, bijen e nje mbreti tjeter, kjo edhe si pasoje e nje fuqizimi qe mori institucioni monarkik ne fazat e para te krijimit te shtetit kombetar, krahasuar me dobesimin e atij institucioni gjate fazes se shkelqimit te feudalizmit, kur mbreti ndodhte te mos ishte as me i forti as me i pasuri.

    Prandaj duhet bere pakez qartesi qe perjashtimin e rregullit te mos e quajme rregull, se pastaj na duhet te grisim faqet e librave te historise.
    Pasi pranojme qe rregulli ishte qe feudalet nuk perziheshin, kerkojme edhe arsyen pse nuk perziheshin. Me kryesorja sepse me fqinjin do terezitej nje marreveshje per ndonje fshat a ndonje pyll, ku martesa vuloste paqen. Mes feudalesh fqinji zakonisht ishte i se njejtes etni, hiq zonat kufitare, kur mund te ishte fare mire i ndonje etnie tjeter.
    Egjiptianet dhe hititet per te vulosur paqen kane bere martesa mes familjeve monarkike dhe ky eshte nje rregull kudo (perandoret kineze kane marre nuse nomade te stepave mongole dhe anasjelltas), nuk ka ndonje specifike as mesjetare, as fetare, as etnike as ku di une, prandaj ngritja e ndonje teze mbi kete fenomen universal eshte krejt e pabaze, produkt analfabetizmi ne historine universale.

    Cmitizimi i dyte eshte roli i fese ne mesjete dhe sidomos mesjeten e vone dhe ne veçanti areali ballkanik.
    Feudalet dhe mbreterit, nuk kane pyetur per fene, qellimi i tyre ka qene gjithnje si te shtonin tokat e pasurite, nqs feja me mbeshtet aq me mire per fene, nqs feja nuk me mbeshtet, aq me keq per fene.
    Papati theu hundet si me perandoret gjermane si me mbreterit franceze, pasi disa shekuj me pare kishte thyer hundet me perandoret bizantine. Nderkaq ne lindje, perandoret bizantine kane defenestruar cdo patriark te kishes bizantine, sa here qe keta i viheshin kunder. Halli i perandoreve bizantine kane qene uzurpatoret qe mblidhnin ushtri, po patriarkun e fluturonin me ceremoni.
    Fuqia e fese ne mesjete ishte shteti i vogel i Papatit, i krijuar nga dhurime te perandoreve bizantine dhe mbreterve franke.
    ideologjia mesjetare ne zonen lindore, pra edhe Ballkan ka qene nje Perandor, nje Fe. Edhe Stefan Dushani kishte enderr te behej perandor ne Kostandinopoje, Ivan Aseni II bullgar po ashtu e shkojme prapa deri tek Simoni i Bullgarise, i cili Cezar arriti te behej por jo August (Basileus/imperator/autokrator).
    Kuptohet qe paresia e Perandorit ndaj fese eshte absolute ne arealin ortodoks, feja eshte mire persa kohe qe nuk kundershton monarkun, feudalin, kryeministrin, presidentin. Ne momentin e kundershtimit, patriark, peshkop, prift, fluturon nga kisha.

    Kjo ishte situata ideologjike, nderkaq sa rendesi kishte feja duket fare mire nga depertimi i ngadalte i turqve, asnjeri nuk e vuri ujin ne zjarr seriozisht derisa u preken zoterimet. Ne ate moment çdo i prekur beri aleance, ashtu sikunder ka qene perhere ne historine e njerezimit.
    Kur asiret sulmonin sirine bregdetare dhe palestinen, nje me dy krijoheshin aleanca masive te mbreterve te vegjel qe prekeshin nga sulmet asire, kunder maqedonasve antike, rregullisht ilire, trake, pajone e dardane benin koalicione.
    Po e njejta situate eshte kudo ku ka nje fuqi nje ekpansion, kunder Gjermanise hitleriane, bashkohet Franca me Angline, mandej shtohet edhe Rusia me Ameriken.

    E kam fjalen qe feja vlen ne Ballkanin e shekujve 14-15 aq sa ka vlejte politikisht gjithnje, diku afer zeros.

    Nuk dua ta zgjas me, por qe keto jane dy raste mitizimesh qe duhen çmitizuar, ka edhe disa mite te tjere qe qakullojne ne artikull, njehere tjeter.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin