Si folje jokalimtare, flas shënjon ligjërimin e njeriut si akt në vetvete, pa i kushtuar ndonjë vëmendje përmbajtjes, ose asaj çfarë thuhet; të njëjtin akt, por këtë herë në mënyrë kalimtare dhe me fokusin te përmbajtja, e shënjon pastaj folja them, e cila merr kundrinë të drejtë (them këtë dhe atë). Edhe pse flas mund t’i referohet edhe një ligjërimi të vijueshëm, në të shkuarën dhe në disa modalitete të tjera (si në urdhërore), kjo folje priret ta japë aktin si të menjëhershëm, ose si produkt të çastit të një vendimi për ta thyer heshtjen: foli. Edhe titulli i një libri të njohur të Nietzsches, Also sprach Zarathustra, i përkthyer në shqipe si Kështu foli Zarathustra (njëlloj si në anglishte, Thus spoke Zarathustra dhe në italishte Così parlò Zarathustra) përdor foljen “foli”, në vend të “tha” (me interes do të ishte të krahasohej midis titullit ekzistues dhe atij hipotetik Këto tha Zarathustra ose Ja ç’tha Zarathustra); këtu foli, në të kryerën e thjeshtë, i referohet një akti të përmbyllur, i cili i kundërvihet heshtjes në mënyrë gati binare: dikush mund të heshtë ose të flasë, dhe brenda këtij ekuacioni elementar përmbajtja e atyre që thuhen del në plan të dytë ose gjithsesi nuk merret parasysh. Në këtë kuptim, dallimi midis foli dhe tha nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën si e vendos folja raportin me veprimin përkatës, por edhe me aktin vetë: të vendosësh të flasësh është diçka tjetër nga të vendosësh të thuash këtë dhe atë; ai që flet, zgjedh të flasë ndaj alternativës së heshtjes, ndërsa ai që thotë këtë ose atë zgjedh midis shumë alternativave. Dallimi ka rëndësi edhe politikisht edhe ideologjikisht. Në çfarëdo tubimi publik, akti i dikujt që foli ka rëndësi përtej dhe pavarësisht nga çfarë ai tha; sepse të folurit e konstituon atë si subjekt publik në mënyrë të pavarur nga përmbajtja e fjalëve. Prandaj edhe, në praktikë, t’i heqësh dikujt të drejtën e fjalës (ose “gojën”) është gjë tjetër nga t’i heqësh të drejtën për të thënë këtë ose atë (p.sh. për të bërë agjitacion dhe propagandë). Kodi penal i regjimit të Hoxhës, përmes nenit 55, rregullon me ligj të drejtën për të thënë diçka, në një kohë që për të drejtën e fjalës si të tillë hesht; edhe pse shtetasit, si subjekte të ligjit, e kishin të qartë se regjimit i interesonte para së gjithash akti sovran i të folurit, ose i marrjes së fjalës në publik; dhe jo vetëm ngaqë, për një arsye gramatikore banale, nuk mund të thuash asgjë, pa folur. Duke kërkuar me çdo kusht të disiplinonte fjalën, ose aktin e të folurit, regjimi hiqej sikur po disiplinonte përmbajtjen e çfarë thuhej në publik. I interesonte jokalimtarësia e aktit ligjërimor, pa çka se dukej sikur shqetësohej vetëm për objektet e thënies, ose kundrinat. Dhe kjo kryesisht ngaqë liria, përfshi këtu edhe lirinë e fjalës, është jokalimtare – meqë është liri për të folur, jo liri për të thënë. Në tubimet e të gjitha llojeve, prej shtetasve pritej që të shprehnin solidaritetin e tyre, ose të mbështetnin pa rezerva çdo politikë që u shërbehej nga lart, që nga vendimet e instancave më të larta, te çikërrimat për orarin dhe shfaqjet e huaja. Nga pikëpamja diskursive, kjo do të thotë që prej folësve publikë pritej që të rimerrnin ose të ri-artikulonin diskursin zyrtar – të formuluar në dokumentet e PPSH-së, fjalimet e Enver Hoxhës dhe materiale të tjera të ngjashme, në mënyrë të tillë që të provonin, para kolektivit dhe eprorëve, se e kishin përvetësuar dhe e zotëronin këtë lloj zhargoni. Në këtë mënyrë, kush fliste në publik e bënte për të konfirmuar një situatë diskursive ndaj së cilës nuk kishte asnjë lloj kontrolli; dhe ndarja e kolektivit midis atyre që folën dhe atyre që nuk folën kish më tepër domethënie se analiza e çfarë u tha pikërisht. Përkundrazi, kur një mbledhje a tubim merrte përgjegjësinë e gjyqit popullor, atëherë të akuzuarit i kërkohej vërtet të fliste, por jo më për të ri-artikuluar zhargonin zyrtar; tani prej këtij kërkohej që të pranonte fajin, të tregonte “shokët”, ose “me kë kish folur (biseduar)”, pra të rrëfehej. Prandaj edhe për dikë dikur me pozitë në pushtet, por që pastaj përfundonte i arrestuar thuhej: “nuk ka folur,” në kuptimin që nuk ka treguar asgjë, nuk e ka pranuar akuzën. I akuzuari që rrëfehej në hetuesi, me ose pa shtrëngim, dhe pastaj në sallën e gjyqit, “e zbrazte edhe ai barkun” në një farë mënyre, ose nxirrte jashtë atë çfarë e kish mbajtur brenda; duke u detyruar të përsëritë, por në rrethana të tjera, një akt që do të konsiderohej armiqësor, po të ish konsumuar lirisht. Janë dy kuptime në thelb të kundërta, të së njëjtës folje, flas; por që i referohen realitetit social dhe politik, jo atij ngushtësisht gjuhësor. Kur në një mbledhje kolektivi sekretari i organizatës bazë u drejtohej të pranishmëve me pyetjen “kush do të flasë?” ose “kush ka për të folur?”, nuk është se kërkonte pranime fajesh ose rrëfime; por vetëm një lloj bashkëpunimi ligjërimor, të tillë që mbledhja të mos dështonte. Në këto raste, të folurit shërbente vetëm si qefin për të mbuluar heshtjen; meqë kush fliste nuk kishte asgjë për të thënë, dhe vetë të folurit reduktohej në akt performativ, të ngjashëm me votën ose duartrokitjet në fund të një fjalimi politik (askush nuk lëvdohej pse duartrokiti; por tregohen gjithnjë histori për shtetarë dhe pushtetarë që kanë përfunduar në hekura, ngaqë udhëheqësi i ka kapur në flagrancë, duke mos duartrokitur). Përkundrazi, atij që fliste “mbarë e mbrapsht” në një kafene, do t’i matej pastaj çdo fjalë dhe çdo nuancë – nëse regjimi e shihte të udhës që ta persekutonte; pa çka se, edhe në këtë rast, shpesh në vend që këtë ta përshkruante me fjalët “tha kështu dhe ashtu”, shqipja do të parapëlqente sërish ndërtimin jokalimtar, duke i shtuar foljes një ndajfolje: “foli kundra”. Ndërtimi është lapidar. Ajo “kundra” (ose edhe “kundër”), parakupton dhe nënkupton kundërvënien me gjithçka zyrtare, të imponuar, të miratuar, pozitive; sikurse parakupton dhe nënkupton rebelimin e njeriut që është lodhur së fshehuri sovranitetin e vet individual. Një shprehje e ngjashme me këtë ishte: “foli më shumë se ç’duhej”, e cila parakuptonte dhe nënkuptonte ekzistencën e një mase në të folur, të një caku, përtej të cilit e kishe kokën në rrezik.
[vijon]