Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim / Totalitarizëm

TË FLASËSH DHE TË THUASH (I)

Të kuptuarit e lirisë së fjalës nën totalitarizëm, vështirë ta shterosh dot me formulën “po fole, e hongre” – edhe pse formula vetë ka të paktën bukurinë e paraqitjes së fjalës si akt jokalimtar (intransitiv): fole (flas), dhe jo si aktin kalimtar the kështu dhe ashtu; meqë liria e fjalës do menduar pikërisht liri për të vendosur lirisht që të flasësh, dhe jo për të vendosur lirisht që të thuash këtë dhe atë. Një batutë tjetër e shpreh të njëjtën ide, nëpërmjet një narrative të kondensuar: “piu, foli, e hongri”[1]; e cila të fton të përfytyrosh dikë që e kanë arrestuar dhe me siguri dënuar, ngaqë ka “folur” diku, i shpenguar edhe nga pija. Batuta e dytë, e cila sërish e vë theksin e jokalimtarësia e aktit (“foli”) dhe në faktin që çfarë është thënë pikërisht nuk ka rëndësi, sa kohë që nuk duhej thënë; kjo batutë e dytë, pra, sa kohë që përmend pijen (alkoolin) si faktor ndërmjetësues, parakupton edhe ekzistencën e disa ndalimeve ose tabuve, në mendjen e atij që flet; dhe që zakonisht e di se çfarë mund të thuhet në publik dhe çfarë nuk mund të thuhet; një mund i krahasueshëm me anglishten may jo me anglishten can, sepse bëhet fjalë për çfarë është lejueshme (permissible), jo çfarë është teorikisht e mundshme për qenien njerëzore (possible). Dhe meqë jemi te batutat, ja edhe një e tretë: i foli goja, ku përgjegjësia për gabimin i lihet “gojës”, një agjencie të pavarur nga mendja; të cilën edhe mund ta interpretojmë si atë pjesë të mendjes e cila “ndërfaqet” me të tjerët, ose konstituohet nëpërmjet komunikimit dhe pastaj sipas rastit “hapet” ose “mbyllet”; ndryshe nga pjesa e tjetër e mendjes që, bie fjala, gjykon ose vlerëson ose arsyeton. Ndonjëherë madje, atë që flet dhe duke folur e vë veten në pozitë delikate, ngaqë shkel një tabu ose edhe thjesht “një dërrasë të kalbur” e shfajësojnë me anë të batutës tjetër: “i foli (i llapi) goja para mendjes”, çka i referohet faktit pak të njohur por të nënkuptuar se këto dy agjenci, “goja” dhe “mendja”, nuk bien gjithnjë dakord ose të paktën nuk koordinohen dot mirë.  Batuta tripjesëshe, “Piu, foli, e hongri,” që sintetizon një dramë të tërë të gabimit njerëzor, i referohet edhe një fjale tjetër të urtë, “ç’ka barku e nxjerr bardhaku” (bardhaku ka këtu kuptimin “gotë uji a rakie”); e cila sjell edhe ajo një narrativë me vete, këtë herë gati psikanalitike, meqë ndryshe nga “goja”, barku është ajo pjesë e mendjes e cila përmban informacion, kujtime, përshtypje, gjykime, e kështu me radhë të cilat nuk u thuhen të tjerëve, nuk u tregohen të tretëve; të cilat janë dënuar me heshtje, sepse kënaqin kriterin e ndalimit. Për dikë që flet në këtë mënyrë, ngaqë ka pirë por edhe pa pirë fare, thuhet edhe se “nxori zorrët e barkut”, një metaforë e dyfishtë ose me dy kate, e cila më parë i referohet të vjellit, si një akt i cili gjithashtu konsumohet duke nxjerrë diçka nga goja; shpesh madje “të vjellit vrer” (“volli vrer kundër pushtetit”); por në një nivel edhe më të thellë zorrëve që derdhen nga një bark i çarë, imazh i përsosur, edhe pse makabër, i unit të mbajtur nën ujë, në errësirë, në bodrum, ose i asaj pjese të mendjes që nuk duam ta ndajmë me të tjerët, me të tretët, me ata që nuk i njohim. Një tjetër shprehje, paralele me i foli goja është edhe i dha gojës, e cila shton një intensitet në aktin e të folurit gabim, që zakonisht i detyrohet besimit të tepruar të viktimës ndaj atyre që ka rrotull dhe që më pas do ta denoncojnë; përndryshe me i shkau goja kemi hyrë në territorin freudian të lapsuseve, por që nuk çlirojnë gjë nga përgjegjësia; në një kohë që i hëngri goja (mut) shton edhe distancimin e folësit, ose nota ndëshkimi edhe moral, të trazuara me keqardhjen për diçka që nuk duhej të kish ndodhur – ose arrestimin e burgosjen e viktimës. Përndryshe, flas si folje jokalimtare përdorej edhe më vete, me një thjeshtësi lapidare, për të shënjuar aktin e dikujt që ushtroi lirinë e fjalës dhe më pas e pagoi këtë. Pyetjes “pse e arrestuan filanin” ndonjëherë do t’i përgjigjeshin edhe kaq shkurt: “Foli.” Në këtë kontekst, përmbajtja e aktit ligjërimor ose çfarë u tha pikërisht nga tipi në fjalë nuk ka më rëndësi, deri në atë shkallë sa nuk ia vlen të përmendet; çfarë ngre peshë, përkundrazi, është shkelja e ndalimit, e tabusë, e prohibicionit zyrtar. Çuditërisht, tabuja vetë, ndonjëherë edhe e formuluar në ligj, nuk i referohet shprehimisht aktit të së folurit, por përmbajtjes, gjërave që thuhen – vetë neni 55 i kodit penal, që dënonte shtetasit për veprën penale të agjitacionit dhe të propagandës, e përkufizonte këtë të fundit nëpërmjet përmbajtjes, ose të çfarë thuhej (përkatësisht, të çfarë nuk duhej thënë ose të çfarë ndalohej me ligj për t’u thënë); pa çka se shkelja e këtij ligji do të bëhej nëpërmjet një akti ligjërimor jokalimtar: foli. Për të njëjtën arsye, të drejtën e fjalës e përkufizojnë si të drejtë për të folur, jo të drejtë për të thënë këtë dhe atë; aq më tepër që për të thënë diçka çfarëdo, duhet më parë të flasësh. Shto këtu se, edhe nga pikëpamja psikologjike, impulsi për të folur është më i fortë se impulsi për të thënë diçka.

[vijon]


[1] Te kjo shprehje kaq sintetike, secila nga foljet e shpreh ndryshe marrëdhënien me transitivitetin: piu është folje absolute, sepse kalimtare, por e tillë që të përdoret pa objekt; foli është jokalimtare e mirëfilltë; e hongri është kalimtare, për shkak të trajtës së shkurtër e, pa çka se referenca e këtij përemri nuk është shumë e qartë: e hongri plumbin? qafën e patës? etj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin