nga A.A.B.
Largësia midis zgjatimit më të skajshëm të trupit tim, në rastin konkret gishti i madh dhe tregues i dorës sime të djathtë, dhe fletores që mban kaliqafë këto shënime është rreth tetë centimetra, me sy të lirë. Këtë segment të shkurtër të përftytyruar, hipotenuzën e trekëndëshit që formon fleta e lartpërmendur dhe tre gishtat e tjerë të dorës së lartpërmendur të djathtë, e zë, pashmangshmërisht, pena.
Instrumenti i tejshkrimit të masës—si gjithmonë vështirë të përshkrueshme, na sigurojnë një numër romancierësh realistë seriozë—të mendimit njerëzor për një goxha copë të mirë të historisë nuk është aq mbresëlënës. Vetë çasti sublim, ai i tejbartjes së verba-s së pafolur në scripta, Karonit[1] larë në bojë Indie, rregjet i tëri në një gërvimë të lehtë metalike, nervagërricëse. Një balet i shkathët, gjysmë i padukshëm në mes të shkëlqimit të paqetë të majës vithegjerë prej iridiumi dhe farfuritjes fragmentare të bojës para se të thahet. E gjithë kjo lehtësisht e dukshme dhe magjepsëse nëse e merr mundimin, me kushtin e vetëm që të mos jesh shkrimtari. Këtij i jepen ndenjëset më të këqija në sallë.
Këtë penë, e me këtë kam ndërmend vetë fjalën, ma solli ndërmend shkrimi i fundit i Eda Dërhemit, përveçse e kisha lënë edhe vetë disi varur nga një temën më të gjerë shkrimit me dorë nga një përsiatje e mëparshme. Në ditët tona, ajo nënkupton ekskluzivisht simbolin, metaforën e stërpërdorur letrare, për fat të mirë të pacënuar nga ngjyrime të forta ideologjike si shumë të tjera që na kanë lënë trashëgim. Mjeti konkret, nga ana tjetër, hipotenuza e përfytyruar, ai ka ngecur në fundërrinën e ca kujtimeve të stërlashta mësimesh shkrim-këndimi në monizëm. Përket, në ketë dukje, bashkë me historizat e Bokës për derdhje kallamarësh dhe të ftohurën tragjike të Nemçekut.
Duke qenë se—së bashku me shumicën e atyre që u duhet të shkruajnë tekste të gjata—përdor një kompjuter për të mbaruar punë shpejt dhe lehtë, shkrimi bëhet një llastim i ngeshëm, po të doni hobby. Shkrimi me penë bëhet një ushtrim në nerva dhe kaligrafi, ose ndoshta njëfarë riti shëlbimi démodé për penëtarin. Kompleti im dhuruar ca ditëlindje të shkuara, me penë majëqelqtë e letërthithëse e kallamar, nuk ia del të dalë më shumë se një herë në vit nga kutia. Siç e thashë, gërvima metalike, bashkë me ndërprerjen irrituese të mendimeve nga zhytja e vazhdueshme e majës në kallamar dhe rezultatin e pakënaqshëm estetik pas gjithë atij mundi, ma kthejnë përvojën ish-abstrakte të shkrimit me penë në një angari fizike.
Me ketë mbyllim diskutimin dhe shkojmë hareshëm në përfundimin e zakonshëm të shmangies së shkrimit me dorë kur të jetë e mundur dhe, kur të mos jetë e mundur, shkujdesjen e qëllimshme të lapsit e letrës së parë që të kap dora, ashtu si të gjithë. Edhe unë e mbyll shkrimin me një përfundim të kënaqshëm, megjithëse pak metafizik, të përçapjes së dështuar të penës sime imagjinare për të krijuar një prani të sajën mes fletës së bardhë dhe dorës sime. Çështje e mbyllur. Kështu?
Jo saktësisht. Për të thënë të drejtën, jo fare. Kjo për shkak se hamendja, hipoteza kyçe është e pavërtetë. Pena, me gjithë mosmarrëveshjet e mëparshme, është në dorën time. Për t’i dhënë emrin e saj të plotë, pena stilografike është në dorën time, sot dhe mot: një Parker Sonnet me majë H (të hollë) tetëmbëdhjetë karatëshe, mbushur me bojë blu J. Herbin Éclat de Saphir që shkruan mbi një bllok Life N30, formati B6, me vija. Nuk është stilografi im i preferuar, por mbaron punë, aq më tepër që letra e këtij blloku shënimesh nuk është aq e trashë. Ndërsa recitimi i panevojshëm i të dhënave teknike të tyre, katekizma standarde e çdo përdoruesi stilografësh, ka efekt qetësues.
Mund të provoja të flisja për ndjesinë gati orgazmike të një maje që rrëshqet si mbi gjalpë kur shkruan në letër të mirë, si mënyrë për të përligjur këtë fiksim. Shumë e bëjnë. Ka një argument tjetër, edhe ky i njohur, sipas të cilit një masë e caktuar lodhjeje fizike nënkupton njëfarë angazhimi në një veprimtari të caktuar, që e përmirëson këtë të fundit. Mund të thuhet që një numër i mirë shkrimtarësh refuzojnë të pranojnë përparime teknologjike në procesin e tyre krijues. Kadareja dhe Agolli, pjesërisht për shkak të moshës, janë më të njohurit në letrat shqip prej tyre. Për të përmendur vetëm dy nga të huajt, Nabokovi përdorte skeda në vend të fletëve për t’i lehtësuar veten redaktimin, ndërsa Truman Capote-i shkruante me laps në shtrat.
Po të më duhej t’i përgjigjesha vetëm për veten time pyetjes, do të thosha se kjo mani—sepse stilografët të tillë krijojnë—vjen nga një përpjekje për të bërë të prekshme rezervën që ndrydh pjesën më të madhe të asaj që (nuk) do të artikulohet në letër. Me një fjalë, skrupujt jo dhe aq të mistershëm që shtyjnë dikë të shkarravisë, fshijë apo gërrisë një tekst të shkruar gjejnë sivëllanë e tyre më të butë, por po aq të efektshëm, në mosgjetjen e stilografit, bojës apo letrës së duhur. Zëvendësimi i pasigurisë së ajërt të bashkueses së paparë të gishtërinjve me letrën, me plastikën, metalin dhe abanozin—në diametër sa më të madh—të penës plotëson një nevojë terapeutike të shkruesit, të cilin nuk po e bëj detyrimisht shkrimtar.
Romani krejtësisht privat i shkrimtarit dhe penës së tij, instinktivisht i shkrimtarit para se të bëhet pena e tij, është një i vetëm. Një i vetëm që, ashtu si një fugë, krijon dukjen e shumëllojshmërisë nëpërmjet variaconeve midis variaconeve të temës së përsëritur ad nauseam: kërkimi për përvojën e përkryer të shkrimit. Në një pikë të caktuar të jetëve të tyre artistike, jo shumë larg asaj kur përcaktohet shkalla e suksesit të tyre në tregun lexues, ata bien në një amulli, jo larg asaj martesore, të kënaqjes me atë që kanë në atë çast. Ndoshta mund të shpresohet, për hir të hirshmërisë së paragrafëve mbyllës të kësaj eseje, se, më në fund, ata zbulojnë rrejshmërinë e ndrydhjes së tyre ose, më e zymtë kjo, mungesën e plotë të nevojës për të.
Sa për mua, megjithëse më ka ngelur edhe ca për të shkruar ende, ajo që mé mungon ende është: një OMAS 360 Vintage me majë të mesme (M), bojë P. W. Akkerman Shocking Blue dhe një bllok Rhodia R Nr. 19, format A4, pa vija.
Natyrisht, një ide gjithashtu.
[1] Lumi Akeront, sa për muhabet, është një rrjedhë e ngadaltë e barishteshumë, plot pemë të zhytyra në ujë, mbuluar nga lëtyra e vajrave dhe karburanteve të varkave shëtitëse që shpien një numër gjithnjë në rritje shqiptarësh në atë qoshk të gjirit të Ammoudia-s, diku afër Pargës. Po të ngjitesh më tutje përpjetë lumit, bie në Nekropol, në ditët tona vetëm një sit modest arkeologjik. Mitet me koordinata gjerografike rrallëherë janë ide e mirë, më duket mua.