Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Përkthim

HANE SHËN, HANE GRAAL

Duke përkthyer një tekst për tempullarët, m’u desh të flisja për “The Holy Grail”, të cilin pa e vrarë fare mendjen e dhashë në shqipe si “Shën Graali”, me siguri ngaqë e kisha parë të përkthyer ashtu më parë. Këtu më vunë në dukje se versioni “Shën Graali” nuk ishte përkthim i saktë dhe as logjik, meqë nuk ishte fjala për ndonjë shenjt, por vetëm për një objekt të shenjtë; në një kohë që shqipja “shën”, si formë e shkurtër e palakueshme e mbiemrit “i shenjtë” a e emrit “shenjt”, që tani funksionon gati si titull a si ndajshtim, është specializuar për të treguar shenjtët.

Edhe pse argumenti qëndron nga ana logjike, nuk më bind deri në fund; sa kohë që në gjuhë nuk vepron vetëm analogjia, dhe as rregulla e treshit, por veprojnë edhe forca të tjera, të tilla si tradita dhe zakoni, por edhe analogji që ndonjëherë e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Aq më tepër që kur vihet njeriu të japë në shqipe një emër të tillë si “The Holy Grail” ose “Il Santo Graal”, nuk është se e bën përkthimin pjesë-pjesë, as mendon se është i pari që po e provon dorën me këtë shqipërim; por ndjek – me ose pa vetëdije – një traditë.

Diskutimi që pasoi më shtyu të kërkoj shembuj; e gjeta Shën Graalin te një ese e Moikom Zeqos për mbishkrimet dhe graffiti-t në Gramë (Akrokeraune, Kalorësit e Shën Graalit); sikurse m’u kujtua pastaj Shën Triadha, një kishë në Berat, ku pjesa e parë e emërtimit, Shën, nuk është se tregon ndonjë shenjt.[1] I kërkova një mendim Sokol Çungës, i cili më shpjegoi se ka disa kisha të quajtura Shën Triadha në Shqipërinë e Jugut; dhe se këtë Shënnuk i paraprin emrit të ndonjë shenjti e ndeshim edhe në emra shqip kishash të tjera, si Shën Evangjelizmoi në Tiranë; por edhe te Shën Sofia e mirënjohur, ku Sofia nuk i referohet ndonjë shenjtoreje, por “urtësisë së Perëndisë.”

Sokoli më shpjegoi pastaj se ai vetë “Shën Graal-in” do ta kish dhënë si “Kupa e Shenjtë/Graali i Shenjtë”; dhe se emërtimi zyrtar në shqipen e sotme i një kishe si Ναός της Αγίας Τριάδος do të ishte “Tempulli i Trinisë së Shenjtë”, duke përfunduar se, për mendimin e tij, “prepozitivi [shën] në shqip është thjesht dukuri vernakulare”, kur bëhet fjalë për emra të tillë.

Ledi Shamku-Shkreli, me të cilën u këshillova gjithashtu, më përmendi Shena Krygjë të gegnishtes, të cilin e ndesh p.sh. te Kolegja e Shena Krygjes, dhe që do t’i përgjigjej italishtes Santa Croce; duke vërejtur edhe që emri i vjetër shqip i asaj që toskërishtja e quan Shën Triadha është Shindërtat, një term që e ka analizuar edhe Çabej gjerë e gjatë; dhe ku sërish ndeshim këtë shën/shen/shin në pozicion prepozitiv, që shoqëron një emër jo shenjti.

Këta shembuj do të mjaftonin – besoj unë – për të provuar se prepozitivi shën, në ligjërimin popullor, nuk ka qenë përdorur dhe as përdoret detyrimisht me kuptimin “shenjt”, por sipas rastit edhe për të dhënë kuptimin “i shenjtë”, me gjasë nëpërmjet një përkthimi mekanik të emërtimit origjinal. Dhe nëse është kështu, atëherë nuk përjashtohet mundësia që kjo të ketë ndikuar edhe në formën “Shën Graali”, të cilën dyshoj fort se edhe unë, edhe Moikomi, e kemi gjetur të gatshme në tekste të tjera shqip më të hershme dhe e kemi bërë tonën.[2]

Vetë Graali, si objekt mistik, mendohet ta ketë zanafillën jo në literaturën e krishterë, por në në rrëfimet e mbretit Artur, tek të cilat del që në një romancë të pambaruar, nga Chrétien de Troyes, të vitit 1190. Vetëm dy shekuj më pas do të shpjegohej se i njëjti Graal paskësh qenë kupa e Jezuit në Darkën e fundit (në versione të tjera, pjata ku iu shërbye Jesuit qingji i Pashkëve), të cilën pastaj Jozefi i Arimatesë e përdori për të mbledhur gjakun e Krishtit të kryqëzuar. Paskëtaj, legjenda e Shën Graalit u gërshetua me legjendën e Kupës së Shenjtë (Holy Chalice).

Të paktën zyrtarisht, Kisha nuk e ka bërë të vetën legjendën e Graal-it.

Etimologjikisht, fjala graal thuhet se vjen nga frëngjishtja e vjetër ku ka pasur kuptimin e një “kupe ose tasi prej balte, druri ose metali” (nga latinishtja gradalis, kjo vetë e ardhur nga crater ose cratus, të huazuara, nga ana e tyre, prej greqishtes κρατήρ, një enë e madhe ku përzihej vera. E megjithatë, në mesjetë San Graal-in e frëngjishtes e patën ri-analizuar si sang réal, ose “gjak mbretëror”; etimologji që sot e mbajnë për të gabuar, për arsye që nuk ia vlen të sillen as të shtjellohen këtu.

Shën Graali ka qarkulluar në kulturën europiane si pjesë e epopeve kalorësiake dhe më pas e literaturës okulte; prandaj gjasat që të jetë përmendur në shqipe para shekullit XX më duken fare të pakta; mundet që si term të jetë futur nga ndonjë përkthyes që nuk e ka vrarë shumë mendjen, sikurse mundet që të jetë shqipëruar kështu nga dikush që ka besuar se ndajshtimi Shën mund të përdoret për të përkthyer Holy ose Saint ose Santo edhe në ato raste kur nuk është fjala për shenjtorë.

Këtu ka rëndësi të kuptohet sa themelor është dallimi midis pyetjes: “Si ta përkthejmë Holy Grail në shqipe?” dhe pyetjes “Si e kanë përkthyer Holy Grail në shqipe?”, meqë pyetjes së parë duhet t’i përgjigjen përkthyesit, ndërsa së dytës jo doemos përkthyesit, por kushdo që mund të kryejë kërkime në databazat leksikore ose tekstuale. Pyetja e parë do të kish kuptim, nëse është hera e parë që na duhet ta japim këtë term, Holy Grail, në shqipe; përndryshe, nuk është korrekte të provojmë ta përkthejmë një term që është përkthyer dhe përdorur tashmë. Për shembull, është absurde të pyesim se si duhet ta japim në shqip Сою́з Сове́тских Социалисти́ческих Респу́блик (CCCP), sa kohë që përkthimi për këtë ekziston: Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Nëse dikush do të ngrihej sot dhe do të argumentonte me sukses se përkthimi më i saktë do të ishte Bashkimi i Republikave Sovjetike Socialiste (BRSS), kjo megjithatë nuk do të arrinte dot që ta kundërshtonte traditën e konsoliduar.

Është tipike për profanët që të parapëlqejnë pyetjen e parë ndaj së dytës, dhe aq më tepër në kultura si jona, ku përmasa kohore (diakronike) nuk është konsoliduar akoma, dhe teksteve u mungon “trashësia” intertekstuale, ose referimi i tejdukshëm ndaj teksteve të tjera, të mëparshme; sikurse mungojnë fjalorët me citate dhe databazat e përdorshme nga publiku dhe studimet e mirëfillta filologjike dhe tekstologjike, të atyre pak teksteve që kemi përftuar gjatë këtyre pak shekujve gjuhë të shkruar.[3] Unë, për shembull, e kam praktikisht të pamundur të gjej tani okurrenca të Graal-it në shqipe para viteve 1990 – çfarë do të më lejonte ta çoja më tej analizën dhe arsyetimin. Përndryshe, është njëlloj si të nisesh për të shkuar diku, por pa e ditur adresën. Dhe meqë diakronia ende nuk mirëmbahet, punonjësit e gjuhës – përkthyesit, redaktorët, shkrimtarët, gazetarët – ende gënjehen se janë të lirë ta nisin gjithnjë nga e para dhe të përkthejnë atje ku duhej të rrëmonin; ndonjëherë zgjidhje tjetër praktike nuk gjen dot.

Një keqkuptim ose moskuptim i tillë, si ky me Shën Graalin, nuk do të kish lindur, sikur të ekzistonin – online ose gjetiu – tekste kanonike që fiksojnë në letër kodin gjenetik të kulturës së një periudhe, fjalorë me natyrë enciklopedike ose të specializuar, madje edhe fjalorë të mëdhenj që ta vinin përballë shqipen me gjuhë dhe kultura të tjera europiane. Deri edhe faqen për Holy Grail në Wikipedia e gjen praktikisht në të gjitha gjuhët europiane, me përjashtim të shqipes; një tjetër shembull se, atje ku na jepet mundësia t’i bashkohemi vullnetarisht kulturës Perëndimore, nuk e bëjmë, sepse nuk shohim ndonjë “përfitim”; pa çka se faqen përkatëse e gjen edhe në tajlandishte, vietnamishte, indonezishte, koreanishte dhe azerbaixhanishte, gjuhë kulturash që nuk kanë pasur lidhje me këtë artifakt kulturor – në një kohë që nëpër trojet shqiptare thuhet me të madhe të kenë kaluar dhe ndaluar kryqtarët që udhëtonin nga Perëndimi drejt Lindjes, edhe në kërkim të Shën Graalit.

Kjo varfëri lidhet me shumë shkaqe; por mes tyre do të përmendja vështirësinë me të cilën ne, si kulturë, e pranojmë përmasën e shkruar, e cila sjell me vete diakroninë; dhe ende i falemi oralitetit ose sinkronisë. Oraliteti në vetvete nuk është për t’u qortuar; por oraliteti në një kulturë që ka adoptuar gjithçka nga kulturat e shkruara shndërrohet në handikap – sikurse e shohim të ndodhë kudo, nga arsimi në art dhe nga historiografia në politikë.


[1] Në tekste shqipe të vona gjendet relativisht shpesh termi “Graali i shenjtë”, edhe në formën “Grali i shenjtë.” Siç mund të verifikohet nga një kërkim në Google, shumë nga këto tekste i referohen njëri-tjetrit. Ka edhe tekste ku të dy variantet, Shën Gra(a)li dhe Gr(a)ali i shenjtë pranohen si sinonime.

[2] Moikomin e pyeta drejtpërdrejt se ç’e kish bërë të përdorte formën “Shën Graali.” Më tha se në raste të tilla është më mirë të ndjekim traditën. Më pas gjeta që ai e ka përdorur këtë formë, si Shën Grali, edhe në shkrime të tjera (këtu dhe këtu).

[3] Le të shtoj këtu se është tipike, për shumë profanë, gjysmakë dhe autodidaktë, që të kujtojnë se një pyetje nuk ka marrë ndonjëherë përgjigje më parë, para se t’u binte këtyre “barra.” Natyrisht, këtë e them në përgjithësi, dhe jo në referim me debatin në shkrimin e mëparshëm, aq më tepër që sugjerimi që m’u bë atje ishte në thelb i drejtë.

4 Komente

  1. Po me behet qejfi qe me sa kuptoj kam perdorur nje forme me logjike te libri im Santiago de Compostela.
    Po sjell paragrafin ne fjale, meqe e kam kete mundesi:

    « …Mua një gjë dukuri e tillë ( qe pasi kishin bere nje here shtegtimin ne Santiago, njerzit nuk ndalnin më dhe viheshin te ecnin pa reshtur kryq e terthor botes, shenim per PTF) kishte filluar të më sillte ndërmend legjendën mesjetare të kalorësit Perseval, i cili ishte vënë në kërkim të Graal-it të Shenjtë. Problemet e vërteta atij i lindën sepse e gjeti shumë shpejt kështjellën ku ruhej kupa e famshme. Që nga ai çast Persevali nuk dinte më ç’të bënte dhe u vu përsëri të endej nëpër pyje të dendura. Atëhere, vërtet, cili është qëllimi, El camino (rruga ne vetvete, shenim per PTF) apo mbërritja në Santiago?
    Diku në të gdhirë të asaj nate isha pothuajse i binduar se mjaft nga ata që mbërrinin në Santiago shfaqnin shenja të një lloj sindrome të ngjashme. Sindroma e Percevalit, të themi. Hë për hë nuk kisha as emër e as shpjegim tjetër më të detajuar » (faqe 219 botimi shqip, Botime Çabej)

  2. Ne perkthimin me mendje sa here e kam hasur ka pasur me se shumti kupa e shenjte e ndonjehere Grali i shenjte.
    Shen Grali apo Shen Kupa nuk me shkuar asnjehere te vetme ne mendje, megjithese shoh se Shen Gral paska njefare kuptimi, kurse Shen Kupa me duket humoristike.

    Ne kohen e tepsise dhe kazanit ti xha xha e gjete te flasesh per kupe 🙂

  3. Eh c’ben feja!? Mire dikur, qe i fuste turmat e dykembesorve ne sherr, por edhe sot e gjen fistilin dhe i fut njerezit ne grindje! E biles edhe ata, te cilet i mbajme per pakez te qut!
    Tani, pasi lexova shpejt e shkarazi debatin ne shkrimin e kaluar, do thoja se nderhyrja me takt e arb-elos per punen e gralit te shenjte qendron. Ndonese nuk eshte kjo ajo kryesorja ne ate debat te zgjatur. As edhe argumentat e Ardianit, qe gjithashtu qendrojne, e biles per kete shkak ia vlen ta theksojme ate kryesoren: gjuha shqipe eshte shume me pasur nga ana gramatikore (menyra e te shprehurit) ne krahasim me anglishten, gjermanishten, etj. Ndaj perdorimi nga ana e te nderuarit tone, Moikom Zeqos, si “Shen Grali”, nuk eshte argument per aprovimin e kesaj forme ne gjuhen shqipe te kesaj shprehje. Nje shumice gjuhesh ne europe kane forma mjaft te theshta te shprehuri, nga fakti historik i perzierjes se shume popujve dhe gjuheve brenda nje kohe te shkurter (disa qindra vjet), cfare e shohim edhe sot me disa gjuhe ne kete periudhe akoma me te madhe perzierjesh. Nese une e perkthej -bie fjala- nje gjerman fjale per fjale ne shqipe, duket sikur flet nje tre vjecar. (Une dhashe kete atij; ai tha mua, qe nuk do te me ardh.) Edhe anglishtja, me aq pak sa e njoh, ka nje thjeshtesi te shprehuri! Ndaj “shen grali” ne ndonje gjuhe europiane (tre vjecaresh) mund te jete normal, pra nuk bie ne sy. Sic zene nganjehere vend edhe ne gjuhen shqipe disa forma jo te llogjikshme te shprehuri, qe i permendi Ardiani, por qe jane paksa “me te vogla” nga rasti i shen-gralit. Mendoj se kur ka mundesi dhe, gati-gati, shprehja ia ben muuu, (si tek grali i perrallave fetare), ne mund ta rregullojme sa nuk eshte vone, pra: grali i shenjte. Dhe kur duam ti qendrojme besnik origjinalit, mund te perdorim thonjzat apo (sot me kompjuter) shkronjat e pjerrta.
    S.d.q., fetaret do te donin qe grali te ish shen-grali, pasi cdo gje e prekur nga Krishti, Zoti pra, te kishte vetite e nje shenjti. Dhe shancet sot per ‘ta nuk jane te keqia! Arsimi ka rene, feja po lulezon!

    1. Nuk është puna se e ka përdorur Moikomi – meqë Moikomi nuk është “autoritet” për t’iu referuar; por se e ka përdorur (ndryshe nga unë) në një shkrim që i kushtohet Graalit; dhe se ai vetë e pranon se nuk e ka përkthyer fjalën, por vetëm ka ndjekur një traditë. Përdorimi nga Moikomi mua më provon jo se duhet thënë “Shën Graal” (është një çështje me pak interes) por se ka një traditë të përkthimit të këtij termi, të cilën disa prej nesh e njohin dhe e ndjekin; por se kjo traditë është praktikisht e padokumentuar, sepse mungojnë fjalorët dhe veprat e tjera të referencës (kjo është një çështje me shumë interes).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin