Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Sociologji / Totalitarizëm

RRETHI VICIOZ I MODESTISË

Mbaj mend si njëherë, në një forum diskutimesh online, një person që shkruante me pseudonim m’u pat drejtuar haptazi personalisht; dhe kur iu ktheva dhe i vura në dukje që etiketa e donte që të më prezantohej, m’u përgjigj: “po unë një askush jam, edhe sikur të ta thoja emrin, kjo nuk do të ndryshonte gjë.”

Mund ta kuptoj dikë që, tashmë i njohur për publikun, tundohet të shkruajë një herë me pseudonim, thjesht për ta hequr qafe ballastin e reputacionit të vet, së bashku me pritshmëritë që ka lexuesi a publiku për të, në bazë të atyre ç’ka shkruar e të pozicioneve që ka marrë në të shkuarën. Autorësia si intertekstualitet, ose si marrëdhënie midis teksteve të nënshkruara nga i njëjti person, ndikon rëndshëm edhe në produksionin, edhe në recepsionin e teksteve të reja.

Këto ditë, për shembull, doli në qarkullim një album i ri nga Roger Waters, ish-Pink Floyd: Is This the Life We Really Want?; shumë prej nesh, që e mbajnë mend Waters-in në mos nga herët në vitet 1970 të paktën nga koha e albumit dhe filmit “The Wall”, do ta dëgjojnë këtë album të ri duke e krahasuar – detyrimisht – me muzikën e mëparshme nga ky artist, kur ishte pjesë e Pink Floyd dhe më pas kur doli më vete. Reagimi në raste të tilla është: ka marrë fund, është plakur, i ka ikur frymëzimi, i ka ikur zëri; po përsërit veten, nuk sjell asgjë të re; ose, është jashtë forme, nuk iu afrohet dot krijimeve të periudhës së tij të artë, etj.

Me fjalë të tjera, publiku i qaset tani albumit me bindjen se “e di” se çfarë do të dëgjojë, madje edhe kur pretendon risi absolute; sepse kantautori Roger Waters nuk është më njeri, por motiv, rregullsi, pattern – ose kombinim i një filozofie ekzistenciale urbane të protestës në tekstet dhe i një blues-i herë monoton dhe herë teatral në kufi të një musical-i a recitativi. I pari që e vuan këtë artistikisht do të ishte Waters-i vetë, madje edhe në rrethanat kur përsëritja e formulës së suksesshme është mëma e parave të fituara.

Kjo është pesha e autorit si intertekstualitet, që të bën ndonjëherë të duash ta nisësh nga e para, të riformulosh veten, të shkëputësh lidhjet nga çfarë ke thënë dhe ke bërë më parë në publik; ose të kthehesh në anonimitet.

Një anonimitet i tillë mund të ndërmjetësojë për të shijuar lirinë: të paktën unë, dhe shpresoj shumë të tjerë, ashtu e kam përjetuar kur jam gjendur në mes të një metropoli, ta zëmë Roma ose New York-u; veçanërisht i ardhur nga një qytet relativisht i vogël si Tirana, ku e çoja jetën në qarqe të ngushta, të kufizuara, të mbrojtura; ose në komunitete të kristalizuara prej kohësh, madje produkt i të cilave edhe isha. Në metropol jo vetëm askush nuk e di se kush je, por edhe askujt nuk i bëhet vonë që të dijë se kush je: anonimiteti yt është kështu dyfish i mbrojtur.

Te “Xha Gorioi” i Balzakut, ambiciozi Rastignac, kur shkon të përcjellë plakun në varr, kundron Parisin nga lartësitë e varrezës Père Lachaise dhe i thotë: “À nous deux, maintenant!” Kacavarrësi social gjithnjë e fillon duke sakrifikuar, në altarin e karrierës, anonimitetin e vet, të cilin e sheh si handikap për planet e veta; i vetëdijshëm se do t’i duhet të heqë dorë nga liria, gjatë ngjitjes; por edhe me shpresën se do ta rigjejë lirinë, kur të ketë arritur në krye; por i pavetëijshëm se çdo hap drejt majës është edhe peshë e shtuar në reputacionin e tij.

Anonimi përkundrazi, nuk është gati që ta dorëzojë lirinë, kushedi edhe pse nuk është gati që t’i nënshkruajë fjalët e veta; kushedi e ndien, me intuitë, që është një fuqi tjetër, super-individuale, që ia lëviz fijet prej buratini dhe ia jep zërin në gojë dhe ia formulon ligjërimin. Kërkon të fluturojë si plumbi, i papenguar, por refuzon çdo përpjekje të tjetrit për t’ia lidhur trajektoren me ndonjë grykë pushke.

Edhe sikur të ta thoja emrin, m’u përgjigj ai tipi, kjo nuk do të ndryshonte gjë – ti jo vetëm nuk më njeh, por edhe nuk ke pse të më njohësh; sepse unë nuk jam njeri i njohur. Ja një deklaratë që do të shërbente si urë bashkuese e anonimitetit me privatësinë: tek e fundit, ç’të duhet ty kush jam unë? A nuk të mjafton argumenti im? Unë jam një njeri i thjeshtë, që nuk dua as të shquhem dhe as të dukem; nëse flas, këtë e bëj për të mirën e përgjithshme.

Një argument ky që e kemi pasë dëgjuar dikur në mbledhjet e lagjes, në gjyqet popullore, në ndërhyrjet e kontrollit punëtor dhe fshatar, në linçimet, ose në çdo situatë tjetër sociale, kur individi vendos që, para se të aktivizohet dhe të veprojë publikisht, duhet të heqë dorë nga individualiteti i vet, duke e fshehur privatësinë pas të drejtës për anonimitet.

Ky individ edhe e rithemelon praninë e vet publike mbi parimin se interesi i përgjithshëm duhet vënë mbi interesin vetjak; dhe se njëshi është një hiç, në krahasim me masën, shumicën, kolektivin, fshatin, lagjen, “popullin.” Dhe nëse është kështu, atëherë mungesa e emrit, ose ndarja e zërit nga trupi dhe nga përgjegjësia (të paktën morale) individuale, do të ishte kusht për aktivizimin publik; madje edhe sikur të rreziku për reperkusion të jetë zero.

Kjo qasje na kthen në totalitarizëm, ku “socializmin e ndërtojnë masat”, dhe ku prej individit pritet që të flasë në publik me “zërin e masës” – ose në një skenë të tillë të veprimit publik, ku çdokush që e besonte veten për njeri të thjeshtë, të tabanit, të popullit, “raboçnij klas”, pa pretendime, ose edhe që vetëm hiqej kështu, do të mësohej, me kohë, që ta konsideronte individualitetin e vet, së bashku me privatësinë, si pengesë për angazhimin social.

Nëpërmjet këtij mekanizmi, shteti totalitar e shndërronte anonimitetin në virtyt, çfarë do t’i vlente edhe për të izoluar elitat intelektuale dhe për t’i paragjykuar këto si “kontingjent të armikut.”

“Njeriu i ri,” njeriu socialist, njeriu pararojë, njeriu i masës dhe i klasës, idealisht nuk duhej të kish fare jetë private – ose ta çonte jetën e vet të përditshme sikur të ishte para kamerave, në një reality show të cilin e ndiqte, virtualisht, vetë shoku Enver – ose autoriteti moral i përditshmërisë socialiste. Dhe me zhdukjen e jetës private, edhe vetë emri, si ankorë e individualitetit, reduktohej në një kod identifikimi, të barasvlershëm me numrin që u vënë të burgosurve.

Kjo nuk u arrit kurrë; pa çka se gjurmë të përpjekjeve të atëhershme i gjen sot të materializuara, në atë që do ta quaja “krenari të anonimëve”, tek të gjithë ata që e fshehin identitetin në publik, me justifikimin janë duke ndërhyrë të nisur nga “interesi i përgjithshëm”, jo për t’i ngritur monument vetes; ose që ende gjejnë ngjyrim keqësues dhe hije morale, në kuptimin e fjalës “individ.”

Autori i njohur ndodh që ta urrejë emrin e vet, sepse i zë frymën, gjithë duke i dhënë famë; krimineli ose maskarai dëshiron ta heqë qafe, sepse ata që kanë njohur gjithnjë do ta gjykojnë në bazë të së kaluarës; ndërsa anonimi e shmang, sepse beson (ose dëshiron që ne të tjerët të besojmë) se ai emër nuk ka asnjë kuptim, asnjë peshë, asnjë domethënie; prandaj edhe duhet mbajtur i fshehtë, sa kohë që nuk ka ndonjë arsye mirëfilli për t’u mbajtur i fshehtë; a thua se emri krejt anonim i autorit do ta zhvlerësonte njëfarësoj argumentin.

1 Koment

  1. Anonimiteti eshte nje nga temat qe nuk diskutohet fare dhe as ka pse te diskutohet, nga fakti se i jep mundesi lirise se fjales; dhe kundra kesaj te fundit nuk ka dale njeri deri me sot hapur, panvarsisht se ka shume qe, nga ana tjeter, do te donin ti prisnin gjuhen nje kritikuesi/ llapaqeni. Edhe ne kulmin e kohes se fleterrufeve, vitet 70, kur mjaft zera leshoheshin kundra fleterrufeve dhe shkruesve anonime, prapseprape partia (ata lart) nuk doli hapur kundra ketyre lloj fleterrufesh, apo dhe letrash anonime, me argumentin e perfolur shpesh me mburrje, se nga frika mund te humbiste fare mendimi dhe fjala e lire.
    Sot ky problem del neper komente interneti, sepse shume komentues jane laskare te subjekteve madhore, si firma, gazeta, politikane, parti, organizata, mafioze, rryma fetare, koalicione shtetesh, etj.-etj., te cilet, me te pare nje kundervenie ndaj grupimit qe perfaqsojne/ mbrojne, hidhen menjehere ne sulm me gjithfare triksesh, si fyerje, sharje, provokime, si e si ta zbulojne apo largojne shkruesin e padeshirueshem. Besoj cdo kush nga lexuesit dhe komentuesit e ketushem e ka provuar kete ne lekuren e tij, ndaj nuk ka nevoje te zgjatem me eksperienca personale!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin