Simpozium ndërkombëtar i organizuar nga Universiteti Humboldt, Berlin, Shoqata e Europës Juglindore (Südosteuropa Gesellschaft).
Berlin, 12-13 janar 2017
Raport nga Andreas Hemming, Halle (Saale)*
Pluricentrizmi gjuhësor shpesh e ka një aspekt politik të vetin, dhe askund më tepër se në ato rajone ku janë të mprehta çështjet e identitetit dhe të përkatësisë – dhe kësisoj ato të gjuhës si shënjuese të identitetit dhe shenjë të autoktonisë. Prandaj nuk është për t’u habitur që gjatë periudhës që i parapriu simpoziumit “Shqipja pluricentrike”, të mbajtur në mes të janarit 2017 në universitetin Humboldt në Berlin dhe të bashkëfinancuar nga Shoqata e Europës Juglindore si pjesë e programit të saj të granteve për studiues të rinj, vendimi për të diskutuar qoftë edhe vetëm mundësinë e divergjencës gjuhësore dhe – për spekulim – të legjitimimit të saj në një forum dituror u prit me një farë hilariteti. Lista e atyre që do të flisnin nuk e lehtësoi gjë dyshimin se ky diskutim dituror do të njollosej nga ideologjia.
Organizatorja e konferencës – Lumnije Jusufi (Universiteti Humboldt, Berlin) – bëri mirë që e ceku këtë çështje në fjalën e saj të hapjes. Edhe pse provokues në vetvete, synimi nuk ishte që të shkaktoheshin dasi politike, por për t’u marrë me zhvillime në përdorimin e gjuhës që nuk duhen shpërfillur; dhe që u paraprinë zhvillimeve politike bashkëkohore që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008.
Simpoziumi do të ishte krejt gjuhësor në fokusin e vet, objektiv dhe i pavarur, sikurse duhet të jetë, idealisht, dija. Me këtë parasysh, aty do të cekeshin detyrimisht historia, kultura dhe – në mënyrë të pashmangshme, meqë edhe shtetet kanë ndikim në gjuhë, pavarësisht nëse duan apo jo – politika. Por ta vësh politikën përpara shqyrtimit objektiv të gjuhës është ta trajtosh çështjen së prapthi.
Kjo fjalë hyrëse u ndoq nga referati i mjeshtrit të madh të gjuhësisë në Kosovë, Rexhep Ismajlit nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës në Prishtinë, i cili dha një histori të gjatë dhe të hollësishme të “Varieteteve te shqipes” dhe ashtu diskutoi jo vetëm zhvillimin e gjuhës dhe të standardeve të ndryshme letrare që janë përftuar gjatë shekujve – gegnishtja letrare (shek. XVI), arbërishtja letrare (shek. XVI), toskërishtja letrare (shek. XIX) – por edhe një numër sistemesh klasifikimi që janë përdorur për të përshkruar gjuhën dhe varietetet e saj. Këtu nuk ndihmon as fakti që standardi i sotëm mori trajtë vetëm gjatë viteve 1960-1970, ose në një kohë që shumë e mbajnë mend akoma, dhe që deri në një farë shkalle është ende duke u përcaktuar në hollësitë e veta.
I detyruar të marrë një pozicion për të ardhmen e shqipes (mes të tjerash nga dy përkthyes që interesoheshin, me arsye, për rregullat gramatikore dhe drejtshkrimore të drejtpërdrejta), Ismajli vuri në dukje, pa ngurrim, se pavarësisht nga fakti që gjithçka është sot në lëvizje dhe gjithnjë ka qenë dhe që dialekte dhe variacione të ndryshme mund të përdoren në praktikën e përditshme dhe mund të ndikojnë, në afat të mesëm dhe të gjatë, mbi gjuhën standard, kjo e fundit nuk ishte në ndonjë mënyrë e rrezikuar.
Kumtesat e panelit të parë kushtuar ‘Faktorëve për zhvillimin e pluricentrizmit’ nuk kishin natyrë linguistike, por më shumë u morën me aspekte kontekstuale. Nëpërmjet një eksperimenti teorik, Robert Pichler (Universiteti Humboldt, Berlin/ Universiteti i Graz-it) e zbatoi termin pluricentrizëm ndaj larmisë së marrëdhënieve midis kombit dhe fesë, mes shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe kjo doli me sukses: Sikurse gjuha, edhe feja luan rol të dorës së parë për idetë lokale të identitetit etno-kombëtar; madje edhe për fenë, si edhe për gjuhën, ekzistonte një model qendror ose “model i Tiranës,” siç e quajti Pichler-i, i tolerancës dhe i indiferencës fetare, ky model ka gjithashtu variacionet e veta lokale.
Por eksperimenti nuk doli aq mirë me kumtesën e Idriz Idrizit (Akademia e Shkencave, Vjenë) për ‚Kontrollin partiak ndaj historianëve në Shqipërinë komuniste‘. Me këtë parasysh, edhe pse nuk u trajtua kurrë drejtpërdrejt, u bë e qartë se, çfarë ishte e vërtetë për historianët shqiptarë – pra mandati i tyre për të mbështetur synimet, aspiratat dhe ngjarjet politike me një narrativë ambicioze, historikisht të legjitimuar – ishte po aq e vërtetë edhe për disiplina të tjera, mes të cilave gjuhësia.
Në panelin e dytë, fokusi u kthye te linguistika, por në proceset zhvillimore në gjuhë të tjera. Christian Voß (Universiteti Humboldt, Berlin) parashtroi shembuj interesantë për gjendjen e zbatimit të gjuhëve standard në Maqedoni në vitet 1940, 1950 dhe 1960 dhe në Malin e Zi, gjatë dy dekadave të fundit. Në të dy rastet, u deshën zhvilluar standarde të reja, të cilat me ngadalësi u pranuan nga popullata lokale. Perceptimi i rëndomtë se përkatësitë kombëtare dhe gjuhësore janë të bashkëlidhura dhe se promovimi i njërës do të ndikojë mbi tjetrën duket se nuk vlen, sidomos në rastin e Malit të Zi, ku kjo bashkëlidhje duket të jetë relativisht e dobët.
Rexhep Ismajli, në një nga komentet dhe anekdotat e shumta me të cilat e pasuroi simpoziumin, vërejti se, për çudi, folësit më virtuozë të shqipes standarde shpesh ishin anëtarë të pakicave kombëtare, të cilat e mësuan standardin në shkollë dhe u munduan që ta flasin mirë, duke u përpjekur që të integrohen në shoqërinë e shumicës. Nga ana tjetër, për pjesëtarët e shumicës kombëtare, zotërimi i përsosur ose pothuajse i përsosur i standardit nuk ishte aq i rëndësishëm për t’u pozicionuar shoqërisht, madje shpesh ka ndodhur e kundërta.
Marija Mandić (Universiteti Humboldt, Berlin) pastaj i çoi të pranishmit te një tjetër rajon margjinal i Europës, me diskutimin e saj për gjuhët e pakicave nordike. Disa procese në Ballkan nuk janë vërtet unike, që këtej edhe prurjet e saj. Shqyrtimi prej saj i zhvillimeve në Europën veriore tregoi se zhvillimet e atjeshme janë pak a shumë të kundërta me ç’po ndodh në Europën juglindore. Nëse gjuha ende konsiderohet si jetike zë vend qendror për kombet në Ballkan, në zonën nordike (dhe gjetiu në Europë), të flasësh dhe të promovosh gjuhën e një pakice – një politikë eksplicite e BE-së – shpesh nuk është veçse një ndërmarrje mirëfilli kulturore, pa lidhje me pretendimet territoriale.
Lumnije Jusufi pastaj u kthye në podium, për të parashtruar disa nga rezultatet e punës së saj me folësit e shqipes gjatë kufirit maqedono-shqiptar, dhe pikërisht në zonën rurale të Dibrës/Debar. Duke analizuar përdorimin e gjuhës në katër fshatra në të dy anët e kufirit, ajo siguroi një sasi të madhe të dhënash për përdorimin real të gjuhës, si p.sh. një prirje, nga ana e Shqipërisë e kufirit, për të përdorur standardin në të shkruar dhe dialektin lokal në komunikimin gojor, në një kohë që vetëm dialekti përdorej në Maqedoni, pa çka se shumë pak nga kjo bëhej me vetëdije. Shpesh pyetjet për gjuhën priteshin me habi dhe hutim, ndërsa përpjekjet për t’iu përgjigjur çonin në pështjellim të kategorive dhe koncepteve. E gjithë kjo ishte e mirëkuptueshme; tek e fundit, tha Jusufi, ata nuk janë gjuhëtarë.
Dita e dytë e simpoziumit u hap me një trajtesë afatgjatë, nga Bardh Rugova (Universiteti i Prishtinës) e përdorimit të gjuhës në mediat e shkruara shqip. Duke analizuar një kampion prej 15 numrash të secilës nga dy gazetat Shekulli dhe Panorama të botuara në Shqipëri dhe dy gazetat Koha ditore dhe Kosova sot të botuara në Kosovë, gjatë viteve 2011-2013, Rugova gjeti një dallim të rëndësishëm: 29% e fjalëve/formave të fjalëve në gazetat e botuara në Kosovë nuk gjenden në fjalor dhe një e treta e këtyre fjalëve nuk përdoreshin fare në gazetat e Shqipërisë. Kjo përfshinte huazime (64 % nga anglishtja, 15 % nga italishtja), fjalë me parashtesa/prapashtesa të shtuara (si ri-, -i), kalke dhe variante drejtshkrimore. I pyetur, mes të tjerash, nëse debati akademik kish ndonjë efekt në përdorimin e gjuhës nga gazetarët, Rugova nuk la shteg për shumë shpresë: Dijetarët kishin pak ose aspak ndikim mbi këto zhvillime dhe ai nuk ishte optimist që kjo mund të ndryshonte.
Giovanni Belluscio (Universiteti i Kalabrisë) paraqiti një kumtesë tërheqëse, të bazuar në analizën e hollësishme të 20 minutave nga dy programe televizive, ku ai kish matur, mes të tjerash, numrin e rrokjeve të folura për frymëmarrje. Ky numër ishte mjaft më i lartë në Tiranë se në Prishtinë, çfarë duket se vërteton përshtypjen se, të paktën në televizion, njerëzit në Shqipëri flasin shumë më shpejt se në Kosovë. Ky ishte vetëm një faktor në atë çfarë Belluscio e identifikoi si dallesë midis Kosovës dhe Shqipërisë. Por pa e lënë me kaq: Si pozicionoheshin në këtë aspekt shqiptarët e Maqedonisë? Dhe a mos ishte më mirë që të flitej jo për një situatë gjuhësore bifokale (siç kish përsiatur në titullin e kumtesës së vet), por për një situatë tri- ose multi-fokale?
Në diskutimin që pasoi, Rexhep Ismajli nguli këmbë se këto dallesa nuk ishin gjuhësore, por thjesht kulturore (pa u kthyer në diferenca të mirëfillta) dhe se ishte e parakohshme të flitej për ndonjë standard të pavarur të Kosovës. Ai pranoi, duke bërë të vetin imazhin e një rruge në prezantimin e Belluscio-s me PowerPoint, se edhe mes dijetarëve të brezit të tij, shqipja standard, pasi pat filluar të marrë formë në 1972, shpesh konsiderohej si gjuhë e drunjtë, ase “gjuhë e asfaltuar” që u rezistonte ndryshimeve dhe zhvillimeve të mëtejshme. Një faktor i kësaj shtangësie ishte, pa dyshim, se kjo shqipe standard ishte një standard fiksional, jo i natyrshëm.
Pabarazia mes rregullave formale të dijes dhe dinamikës së përdorimit ditor të gjuhës, dhe që deri në atë pikë kishin mbetur më shumë të nënkuptuara, dolën në plan të parë me diskutimin e Rrahman Paçarrizit (Universiteti i Prishtinës) të asaj çfarë ai e quajti “netlekt”, ose vernakulari i Internetit. Duke zënë vend midis gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar, zhvillimet në komunikimin në Internet po kryhen me shpejtësi më të madhe se ajo me të cilën janë mësuar gjuhëtarët. Një faktor kyç për këto zhvillime – që përfshijnë shkurtime, neologjizma dhe huazime dhe fraza, dhe për të cilat Paçarizi dha një numër shembujsh me interes (si flm = faleminderit, ntm = natën e mirë) është shpejtësia e Internetit dhe e aplikacioneve për komunikim të bazuara në Internet.
Robert Pichler vërejti këtu se kish një dallim të qartë midis mënyrës si përdoreshin këta terma në Tiranë dhe në Prishtinë: Të rinjtë në Tiranë dukeshin se i pranonin më lehtë termat që shfaqeshin më parë në Prishtinë, ndërsa të rinjtë në Prishtinë prireshin të tregoheshin më dyshues ndaj terminologjisë me burim nga Tirana. Mos vallë kjo ishte, pyeti Pichler-i në mënyrë pak provokuese, shenjë e një kompleksi inferioriteti në Prishtinë apo e një reaksioni ndaj kolonizimit nga Tirana? Në përgjigje të kësaj u tha se e njëjta gjë ndodhte në pjesët më të vjetra dhe të stabilizuara të popullsisë së Tiranës në krahasim me të ardhurit prej zonave rurale-urbane. Jo për herë të parë gjatë këtij simpoziumi, Tiranës iu atribuua një farë arrogance (gjuhësore) kryelartë.
Lindita Mëniku (Universiteti i Tiranës) diskutoi për gjuhën administrative në Shqipëri dhe në Kosovë dhe për ndryshimet që janë shfaqur në këtë gjuhë administrative pas 1991-shit në Shqipëri dhe 1999 në Kosovë. Krahasimi se si emërtohen njësitë organizative – që nga emrat e ministrive tek ato të njësive të nënvendosura – dëshmoi, mes të tjerash, për historitë e ndryshme të këtyre dy vendeve. Terma të tillë si divizion ose udhëheqës janë të zakonshme në Kosovë, por konsiderohen arkaikë (në rastin e dytë) ose përdoren vetëm në kontekste ushtarake (në rastin e parë), sa i përket Shqipërisë.
Konferenca u mbyll me një diskutim nga Lindita Sejdiu-Rugova (Universiteti i Prishtinës) për përdorimin e shqipes standarde në shkollat e Kosovës. Gjendja në klasë është shumë dinamike dhe studentët kalojnë, pa e vënë re, nga shqipja standard (me mangësi) në vernakularin e tyre të përditshëm, sipas rastit. Përgjithësisht, studentët e perceptonin shqipen standard si tejet akademike dhe jo-praktike. Nuk është pra për t’u habitur se ata nuk kishin ndonjë dëshirë ose vullnet për ta folur ose shkruar shqipen standard si duhet. Kjo gjendje vjen e keqësohet për shkak të cilësisë së teksteve shkollore në Kosovë, të cilat janë jo vetëm të mërzitshme dhe të dala mode, por edhe plot gabime gramatikore.
Kështu përfunduan dy ditë tepër interesante dhe ndriçuese, ku u eksploruan aspekte të ndryshme të zhvillimit të gjuhës në vendet shqipfolëse të Ballkanit; duke u pasuruar edhe me biseda të frytshme dhe plot humor në pushimet dhe gjatë drekave dhe darkave – me sa duket, gjuhëtarët kanë një sens të veçantë humori. Gjuha shqipe po zhvillohet me shpejtësi dhe ende nuk mund të thuhet se ku do të çojë kjo. Me siguri vëllimi i planifikuar me materialet e konferencës do të ofrojë sugjerime më të hollësishme.
Shënim: Versioni në anglishte i këtij relacioni do të botohet në ‘Südosteuropa Mitteilungen Vol 2/2017.’
(*) Falënderoj kolegen Lumnije Jusufi që e mundësoi këtë bashkëpunim. Përkthimi i materialit është imi (A.V.).