Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

SHËMTIA ETIKE DHE EMPATIA E SHTIRUR

Orvatjet e herëpashershme mediatike për të futur emrin Eda Zari në sirtarin “persona non grata” përmes lajmeve sensacionaliste, shihet tashmë haptazi! Do ta konsideroja këtë si një fushatë “begenisjeje” gazetareske e mediatike, siç nuk e kam ndjerë ndonjëherë për artin që bëj dhe imazhin e Shqipërisë që transmetoj ndërkombëtarisht! Cilin inkurajim etik kërkon të transmetojë publikisht Gazeta Shqiptare dhe kujt i vjen në ndihmë artikulli i datës 06/05/2017 “Dhunoi mamanë, gjykata dënon me 6 muaj burg Eda Zarin”?

“Liria e të shprehurit” është, vallë, refreni? Lirinë e shprehjes e keni fituar, tani keni nevojë të fitoni aftësinë për t’u shprehur! Fakt është se në Shqipëri liria e shfrenuar e të shprehurit e ka shndërruar fjalën e lirë në një mafia të opinionit, duke iu imponuar shoqërisë që ndërgjegjshëm dhe në vobektësi të bjerë dakord me gjithçka. Mungesën dhe urinë e të shprehurit lirshëm në periudhën pas diktatoriale shqiptari, por, sidomos, media dhe politika, po e gëzojnë deri në ekstrem! Në këtë mënyrë kjo liri të shprehuri “si qeni kur lirohet nga zinxhirët” është kthyer në liri përbaltjeje, duke ua zënë frymën edhe atyre individëve që këtë liri e përdorin me ndërgjegje personale dhe profesionale.

Publikimi i artikullit denigrues ndaj meje nga ana e Gazetës Shqiptare gjeti jehonë të unifikuar jo vetëm nga mediat tradicionale dhe portalet digjitale, por edhe nga media vizive, si televizioni News 24, etj., të cilat e katapultuan “magjishëm” lajmin në “top list” në fundjavën e datave 6-7 maj. Një raportim alarmues i cili vinte kushtrimin për një RREZIK JETE kanosur kombit shqiptar!

Gazeta Shqiptare e ilustronte artikullin me një dokument mbi të cilin vetë gazeta, për të ruajtur ekskluzivitetin e “zbulimit”, kishte vendosur logo-n e saj dhe, ndërkohë, pretendonte se dokumentin e kishte siguruar në rrugë ligjore. Ironike kjo, pasi faktet tregojnë të kundërtën: asnjë gjykatë e Tiranës nuk pranon të ketë lëshuar dokumentin në fjalë, çka do të thotë se dokumenti është pa zot.

Gjithmonë kam qenë dhe do të jem e vetëdijshme se figurat publike kanë më pak të drejtë për privatësi; por a përbënte rëndësi jetike për interesin e publikut lajmi i Gazetës Shqiptare? Shtoj, legjitimisht, pyetjen: cilat rreziqe jetike po i kanosen shoqërisë shqiptare prej Eda Zarit? Mos u cenua vallë shëndeti publik apo siguria e tij, mos u gjet, mos u ekspozua, mos u zbulua apo mos u parandalua ndonjë krim, teksa unë po shpërdoroja pushtetin tim artistik, për të nxitur trazira dhe shkaktuar çorientim në masë? Mos bëhej fjalë për tradhti kombëtare? Mos vallë po përvetësoja pasuritë publike a po falja territoret etnike? Mos vallë ky lajm rrëfente një akt të paligjshëm kundër grupeve minoritare, komuniteteve fetare dhe përbënte vepër të drejtpërdrejtë në cenim të të drejtave të njeriut, të drejtat e komunitetit LGBTI, kulturën, historinë, traditën, mos vallë po mbillja tokat pjellore të Shqipërisë me beton, apo mos po pushtoja lumenjtë dhe parqet kombëtare të vendit të shqiptarëve? Interesi publik nuk justifikon sensacionalizmin. Turp! Ju veç u tallët me publikun!

Gazetaria e mirëfilltë, nëse, gjithmonë, flasim për gazetari dhe jo për përbaltje, fillon me respektimin e rregullave morale e ligjore. Meqenëse nuk gjeta dot autor/autore të artikullit në fjalë, pyes kryeredaktorin e Gazetës Shqiptare, z. Erl Murati, nëse ka zënë vend ndonjëherë në tryezën e tij të punës Kodi i Etikës i Mediave Shqiptare? Apo në tryezën e eprorëve të tij? Fatkeqësisht, kryeredaktori nuk ndjen përgjegjësi për këtë fabrikim të mirëfilltë mediatik, por përgjigjet: “Unë jam kryeredaktor i gazetës, dhe gazetarët nuk i tregojnë burimet e tyre. Burimin fiks nuk e di as unë”. Sa ishte, i nderuar kryeredaktor, tirazhi i shitur i gazetës më dt. 6 maj 2017? Sa vlejti lëkura ime dhe e kujtdo fshihet pas jush?

Ajo që ndjej me dhimbje është angazhimi dhe gatishmëria e mediave për thepe lajmesh, për skupe, ku Kodi i Etikës zëvendësohet me Kodin e Xhunglës, kurse ligjet e vendit zbatohen me dy standarde. Shprehja “Një gazetari e keqe shkon me këmbët e veta në derë të gjykatës” nuk nënkupton përgjegjësi profesionale për krerët e mediave, sepse në gjykata, rëndom, nuk përcillen rastet e fyerjes, cenimit apo të mosrespektimit të Kodit Etik dhe të ligjeve në fuqi. Teksa zoti kryeredaktor nuk i përgjigjet drejtpërdrejt pyetjes së të dëmtuarës nga puna e pamoralshme e tij, mbetet, atëherë, që t’i përgjigjet Kodit Penal për shpifje, nëse dokumenti është i fabrikuar, apo Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nëse dokumenti që Gazeta prezanton është i vërtetë, ligje të cilat nuk përjashtojnë asnjë person fizik apo juridik nga përgjegjësia ligjore. Vërtet, është shumë e thjeshtë çelja e një padie në Gjykatën e Tiranës, madje më e thjeshtë se të shkruash këto radhë. Mirëpo, vallë, a do ta ndërgjegjësonte kjo një kryeredaktor apo cilindo kryeredaktor dhe gazetar? Përshkallëzimi i dobësisë së sistemit gjyqësor në Shqipëri, pandëshkueshmëria, drejtësia që blihet dhe korrupsioni është heqja e parë e lirisë që i bëhet shoqërisë shqiptare. Shumë informative tingëllon “liria e fjalës” në gojën e opiniondhënësve, analistëve, politikanëve, deri tek kreu i qeverisë, i cili thotë: “Prokuroria dhe Gjykata shqiptare janë faltore korrupsioni”! Apo, diku tjetër, në një fjalim, Kryeministri i Shqipërisë thotë: “Le të çohet njeri këtu e të thotë se e fitova çështjen pa paguar!” E frikshme!

Gazeta Shqiptare nxori një “Fletërrufe morale”, një armë e ndryshkur e trashëguar nga koha e sistemit enverist, si procedurë ndëshkimore dhe propagandistike kundër një individi të shoqërisë, i cili ka kryer ose manifestuar shfaqje të huaja, duke rrezikuar kështu “moralin e shoqërisë proletare”! Ky individ qenkam unë (nënë e dy fëmijëve), që, sipas “hetimeve” gazetareske kisha kryer dhunë ndaj nënës sime (gazetari nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë, sepse as emrin e sime mëje nuk e di mirë), nisur nga një konflikt pronësie! Gazeta në fjalë dhe mediat shqiptare që transmetuan “lajmin” në formë virale, le të nisin dhe të përdorin MORALIN për t’u treguar shqiptarëve të vërtetat e lojërave që luhen pas shpinës së tyre, aty ku drejtësia bëhet ortake me krimin. E, meqë jemi tek pronat, tregojini qytetarit përse dhunohet e drejta e natyrshme e njeriu për të kërkuar pronën e tij, e cila i është marrë me forcë, dhe tani, gabimisht, i bie qytetarit të zgjidhë problemet e nisura qysh më shumë se 70 vite më parë. Tregojini shoqërisë nëpërkëmbjen që u bëhet qysh prej 25 viteve kërkesave të ligjshme dhe të ndershme të njeriut për drejtësi. Po ashtu, trumbetoni edhe të drejtat e të përndjekurve politikë, të cilët ENDE nuk janë dëmshpërblyer. Dhuna, sot, ashtu si dikur, nxitet në podiumin e Parlamentit, apo aty ku drejtësia ushtron ende diktaturë despotike, aty ku morali i analistëve “të ndriçuar” vë në hije të drejtën dhe përdhunon haptazi intelektin qytetar, duke prostituuar me koketeri nëpër tryezat televizive, me vokabular prej individualistësh psikopatë.

Në shoqërinë dele-moderne shqiptare merret e mirëqenë ideja fikse se niveli, cilësia dhe prodhimi i një lajmi të institucionalizuar mediatik përcillet më mirë kur është i paligjshëm, i pakontrolluar, i paverifikuar, denigrues, fyes dhe, si i tillë, ai fiton sistematikisht mbi nivelin e vërtetë të një veprimi apo informacioni të bazuar në fakte dhe aspak të njëanshëm. Pra, edhe këtu rregullat e “peshkut të madh” janë dizajnuar për të pasur kurdoherë imunitet nga të drejtat e “peshkut të vogël”.

Po le t’i lëmë mënjanë hallet e shoqërisë.

Kthehem dhe pyes gazetarët, punonjësit e mediave në Shqipëri, a e njohin moralin e fabulës: “Mos fajëso karrocierin, kur pranon të bëhesh kalë?” Kësisoj, në fund të muajit, mos pyesni më: Si ndodhi që u bënë tre muaj pa marrë rrogat? Ky është rezultati i fjalës së lirë në Shqipëri, për të cilën duhet trumbetuar me kujë, si dhe të solidarizoheni me kolegët tuaj që pushohen nga vendi i punës, nga drejtimi i emisioneve televizive apo çfarëdo pozicioni tjetër, thjesht sepse duan të jenë profesionistë, të jenë shembull i një gazetarie të shëndoshë! Kur gazetari punon në kushtet e pasigurisë ekonomike, pa kontratë pune, gjëja e fundit që i shkon në mendje është profesionalizmi apo Kodi i Etikës! Madje, një kolege thotë se kjo e fundit u tingëllon si tallje!

Jam e ndërgjegjshme se edhe pas këtij shkrimi do të vazhdoni të më sakatoni padrejtësisht me ç’të mundeni. Fjalën time do ta shisni sërish nëpër gazetat tuaja. Heshtjen time të deritanishme e keni përkthyer si përgjigje që konfirmon shpifjet tuaja. Nuk e kam profesion të merrem me replika, as kam kohë të ndërpres artin tim për t’u marrë me përgjigje ndaj mediave. Por sot ma ka ënda të jem luan për një ditë dhe të mos jem dele e dorëzuar përjetësisht ndaj fuqisë suaj poshtëruese. Ju them se gjetët personin e gabuar për ta kryqëzuar, duke e kthyer në shembull diskreditimi në dobi të shoqërisë dhe për ta sensibilizuar atë. Ky akt “raportimi” dhunon, së pari, nënën time, dinjitetin, sferën dhe rehatinë e saj private. Mbi të gjitha, aty ku fillon liria juaj e shtypit dhe e fendëfjalës suaj, aty hoqët të drejtën e lirisë së saj! Nuk kam folur kurrë për jetën private, për prindërit apo për familjen time, i kam të shtrenjtë, dhe për t’u futur në atë hapësirë nuk shes bileta për askënd! Nuk jam e interesuar të ndjej dhembshurinë apo empatinë sipërfaqësore të askujt. Nëse do të dalë nevoja të bëj një hap të tillë, garantoj se do të jetë në shërbim të shoqërisë për një sensibilizim të përbashkët. Dizavantazhin e krijuar nga një empati e lartë kolektive e hasim shpesh tek shoqëritë e përbëra nga njerëz të cilët nuk arrijnë të merren me nevojat, hallet dhe kujdesin ndaj vetes, por “kujdesen” dhe qasen lehtësisht pranë halleve të huaja, duke i vendosur ato përmbi nevojat reale vetjake, ose duke u kthyer në apostuj të moralit. Këtë përfundim nxora teksa lexoja komentet pas skupit se qeshë dënuar me burgim, komente të cilat, teksa vuanin dukshëm nga mungesa e qytetarisë, më dhanë përshtypjen e një tufe të mërziturish që nuk kishin pasur mundësi të bëheshin subjekt i dhunës hipotetike të ushtruar nga unë.

Për ndjeshmërinë kolektive dhe atë mediatike kam ca pyetje: Kush i doli për zot nënës sime dhe tim eti kur ua vranë djalin në kufi në shkurt 1990, dhe ata pësuan traumë psikologjike deri në rrënim? Pse shteti nuk u ktheu asnjë përgjigje 70 letrave nga Amnesty International, dërguar nga 35 vende të botës, për të kërkuar transparencë mbi vrasjen e tim vëllai, Ilirian Zari, në kufi? Vallë, kush i doli për zot nënës sime kur kërkonte kufomën e të birit në kufirin shqiptaro-grek në rrethinat e Ersekës dhe shteti tallej duke e përcjellë me fjalët “Ik, mos e kërko kot, hajde pas 15 vitesh ta marrësh”? Ku ishte keqardhja ndaj nënës, familjes sime dhe ndaj meje kur në hetuesi për ditë të tëra kryefjala ishte shkopi i gomës? Sa e madhe ishte empatia dhe solidarizimi i shoqërisë sonë kur Dega e Punëve të Brendshme përjashtoi nga puna time më dhe tim atë, kurse mua m’u hoq e drejta të studioja kanto, sepse menjëherë u quajta e deklasuar? Vallë, a i doli kush për zot nënës sime, kur sëmundjet e saj kërkonin dhe kërkojnë ende mijëra euro për t’u kuruar jashtë vendit, sepse sistemi shëndetësor në Shqipëri nuk ofronte dhe ende nuk ofron asnjë mjekim bashkëkohor anti-tumoral, asnjë terapi për pre-Alzheimer apo Alzheimer të avancuar, por ofron higjienë zero, pamundësi të mbulojë kostot përmes sigurimit të shëndetit dhe metoda mjekimi kasapçe, ku literalisht çnjerëzorja dhe dhuna janë martuar prej kohësh?

Në shkurt të këtij viti, teksa u ngacmova nga kujtimet dhe disa materiale që nuk i njihja më parë, shkrova një artikull problematik dhe sensibilizues për totalitarizmin e kamufluar që është ende aktiv në Shqipëri. Diskutova në ato radhë mungesën e reflektimit dhe të ndërgjegjësimit për krimet e komunizmit që ende nuk ka ndodhur në shoqërinë shqiptare. E botova artikullin në Gazeta Shqiptare. Me kureshti prita reagimin e publikut “intelektual” shqiptar. Tani, bëj pyetjen: a u interesua me po këtë kureshtje rrjeti mediatik në Shqipëri, a u përhap viral ai artikull, a u kthye në lajm dhe shqetësim të ditës po kaq sa fletërrufeja e 6 majit në Gazeta Shqiptare? Një shqetësim që prek thelbin e shoqërisë nuk pati nderin të begenisej as sa çereku i lajmit se qenkam dënuar me 6 muaj heqje lirie!

Empatia dhe ndërgjegjja kolektive e shoqërisë sonë solidarizohet, inkurajohet dhe bëhet e pranishme vetëm atëherë kur nuk flitet për padrejtësitë e post-komunistëve që ndodhen ende në pushtet (sepse në Shqipëri, fatkeqësisht, nuk gëzuam një “Nürnberg”); teksa na mungon kuraja civile që të ngremë zërin për importin e mbetjeve dhe plehrave, mbrojtjen e natyrës, sigurimin e shëndetit. Nuk ka ndjeshmëri civile kolektive ndaj dhimbjes së rinisë shqiptare dhe brezit të ri që ende kërkon, si në fillim të viteve ’90, të gjejë fatin e jetës jashtë vendit. Statistikat e këtij eksodi të sotshëm gjenden kudo, publike, në institucionet që trajtojnë emigrantët në Gjermani a gjetiu tjetër në Evropën perëndimore.

Shëmtia juaj, o gazetarë dhe gazeta betonieresh, o ju gojë thashethemexhie të shoqërisë shqiptare, nuk ma prish bukurinë e paqes sime, as dashurinë për familjen, as dashurinë për artin, për të cilin sakrifikoj dhe këndoj me pasion, teksa i mbetem besnike së drejtës dhe urtësisë, të cilën im atë ma ka dhënë me vete: të jem Njeri!


(c) Peizazhe të fjalës. Ndalohet shprehimisht riprodhimi i plotë pa lejen e autores. Të interesuarit për temën lejohen ta përcjellin profesionalisht, duke riprodhuar 2-3 paragrafe sipas dëshirës dhe duke vendosur pastaj linkun drejt faqes origjinale – ju sigurojmë se te faqja jonë nuk numërohen, as ngrenë peshë klikimet, prandaj ne nuk konkurrojmë kënd.

Shënim: Titulli është i Peizazheve. Fotografia ilustruese nga Ed Pagria.

5 Komente

  1. Empati te shtirur nuk ka. As peizazhi i fjales nuk ta lejon qe me shijet e kujteses te luash keshtu edhe nese behet fjale per romance pamjeje. Me vjen keq per Eden, por fjala don bythe ta shkruash, sidomos kur shkruajme shqip!

    1. Ne fakt peizazhi i fjales, po aq nuk do lejonte fjalen b…th por prapanice, nese do fjaloseshim per “romance pamjeje” (nga ky cast nuk pretendohet me per etike nga Linda)! Gjithcka mund te marri nje epitet. Nese “Linda” do kishte shfletuar sadopak teorite filozofike-psikoanalitike te Martin Heidegger, Susanne Langer apo Nietzsche´s ku flitet specifikisht per fenomenin e “Empatise” ekstreme, dhe renditjen e tezave kur empatia kuptohet dhe trajtohet si nje aftesi emocionale irracionale, termi empati e shtirur nuk do te ishte aspak i huaj per te. Diku ka nje shembull shume domethenes: Babai i Tomit, eshte perfshire ne nje aksident automobilistik dhe vdes. Tom eshte i shkaterruar psikologjikisht dhe shpirterisht. Camell, nje e njohur e tij e ngushellon duke i treguar se sa fort ajo e ndjen dhe e perjeton urrejtjen qe Tom mbart ndaj personit qe beri kete aksident. Ajo e siguron Tomin se sa e madhe eshte ndjeshmeria e saj, sa shume ajo eshte perfshire ne zemerimin i tij, cfare ai mendon, poziten e tij tragjike etj. Kur dikush behet fatkeq nuk mundet askush te ndjeje cilesine e vertete te deshperimit te atij personi. Ndaj dhe Nietzsche jep ne nje rast te tille metaforen se si dikush mund te ndjehet ne kepucet e tjetrit pa i patur vete ne kembe! Deshira per t´u solidarizuar me dhimbjen e dikujt, duke treguar nje mbindjeshmeri apo sensibilitet te rreme, pa qene pjese deshmitare e ngjarjes nuk e perligj shkallen e empatise se Camell, sepse ne te vertete ajo nuk njeh parimet mendore dhe shpirterore te Tom, por shtiret. Ne lidhje me Eden: bravo per b…then e saj qe shkruan shqip e sidomos kur shprehet troc shqip.
      Ps. Denada, nese ke etje per filma horror, thuam te te nis disa adresa.

  2. Vetem nje gje nuk ne tha e ka rrahur apo jo te emen. Po si duket e ka bere ,sepse e justifikon per bukuri veten. Nejse ndodhin dhe konflikte te tilla. Po ti zonje je person publik dhe ky eshte fati yt i keq. Per ty ka dhe te mira dhe te keqija kete here eshte rasti i keq Gjthsesi ne thelb ke te drejte.

  3. Më në fund paskan filluar të frekuentohen Peizazhe të Fjalës nga zonjushat e UET-së. Çfarw fati!

    Ka njëmijë tema në këtë blog që prekin probleme nga më seriozet, shumë më pak sensacionale. Por Linda dhe Denada nuk kanë denjuar t’i zbukurojnë me komentet e tyre.

    Do t’i këshilloja të hijeshojnë më mirë ndonjë kafene, sesa të frekuentojnë hapësira që nuk u përshtaten.

  4. Prona?.. C’ishte kjo?.. Ah, ndonje fjale e harruar e gjuhes meme! Kaq vite larg Shqiperise dhe … kuptohet, nuk i dime te gjitha ato qe ndodhin tashme atje, po-po, atje!
    Gjithe ky artikull i stergjate per gazetarine shqiptare?! Apo thjesht per reklame, sepse i kane firuar tashme lexuesit! Reklame per veten? Besoj se jo! Sapo pashe ne internet. Eda Zari, alamet zeri, per tu admiruar, e njohur nga publiku, nga gazetat po ashtu, autoria e nje shkrimi para 3-4 javesh ketu tek PF. Me pak fjale mund te ishte sqaruar me shume edhe per faktin privat te permendur, se sa gjithe ato “tirada” pa fund per gazetarine shqiptare, qe tashme e njohim!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin