Një nga ato elemente të shtëpisë që zënë vend në hapësirën ku e brendshmja me të jashtmen mbivendosen; ose që sigurojnë komunikimin, midis dy botëve që shtëpia i kërkon të mbeten rigorozisht të ndara.
Nga dritarja hyn drita, hyn dielli, hyn ajri i pastër, hyjnë zhurmat e rrugës dhe pluhuri dhe aromat e mbrëmjes; më rrallë na shkon mendja te çfarë del nga dritarja, edhe pse këto ndërprerje të vijueshmërisë së mureve gjithnjë kanë për funksion qarkullimin e dyanshëm.
Kujt nuk i ka ndodhur që, duke ecur rrugës, të mos ketë hedhur vështrimin, vjedhurazi, përmes një dritareje të katit përdhes, për të kapur diçka nga çfarë po ndodh aty brenda – një skenë nga e përditshmja familjare, një moment nga privatësia e një familjeje të panjohur; një kërci lakuriq a një llërë a një krevat i shprishur a një mace të përgjumur; teksa ka ndier erën e një gjelle të huaj që i ka ngacmuar flegrat e hundës, me ingredientë të panjohur, ekzotikë, kushedi të rrallë e të ndaluar; trazuar me aroma të tjera, herë qetësuese herë alarmuese, që vijnë nga hapësira përtej.
Kjo është dritarja. Vëreni perdet, që e shoqërojnë gjithnjë: të thonë se janë atje për të ofruar një mbrojtje të mëtejshme, më të sigurt se tejdukshmëria e xhamit; por perdet të sjellin ndërmend teatrin, në kuptimin që një perde e mbyllur nesër mund edhe të hapet, njëlloj sikurse një perde e ulur nesër mund edhe të ngrihet. Mjafton pak durim, dhe voyeur-i brenda teje do të ketë rast të shijojë momentin e depërtimit.
Normat e bashkëjetesës dhe të mirësjelljes kërkojnë që dritarja të funksionojë si valvulë a diodë e vështrimit: të lejojë vetëm atë nga brenda jashtë, ndërsa ta ndalojë a ta shkurajojë atë në kah të kundërt. Këtu kanë një detyrë për të kryer edhe grilat, ndonjëherë edhe gazetat me tituj surrealë të një bote që tashmë ka ndodhur; dhe në rastet më ekstreme, errësira. Përndryshe, një dritare që i fton të hyjnë vështrimet nga rruga, rrezikon të katandiset në vitrinë.
Dritaret marrin jetë veçanërisht natën; sepse prapa çdo drite të ndezur, çdo siluete që shfaqet e që zhduket, çdo muzike a dialogu filmi që derdhet përjashta, qëndron jeta e Tjetrit, që nuk do të jetë kurrë e jotja.
Përndryshe, dritarja është vendi për të vrojtuar botën – që nga rruga, me kalimtarët dhe ngjarjet dhe incidentet e vogla, zhurmat dhe meloditë dhe ngjyrat; dhe pastaj dritaret e pallatit përballë, me konfiguracionet dhe personazhet tashmë të njohura – me këta të fundit madje edhe për të shkëmbyer një përshëndetje të rastit; dhe më në fund horizontin përtej, malin e Dajtit nëse dritarja ka fatin të jetë e kthyer nga Lindja; dhe natyrisht qiellin, me retë dhe yjet dhe gjithçka tjetër midis; pa folur pastaj për verifikimin e motit.
Çfarë është skenë dhe çfarë sallë?
Sipas traditës urbane, që nga koha tashmë e largët e serenatave, dritarja është e femrës: e vajzës, e gruas; sepse aty ajo ndihet, njëlloj si dritarja vetë, më e mbrojtur, pse jo krejt jashtë, por as edhe krejt brenda; diku në hapësirën midis, ose e strehuar nga vetë ambiguiteti i statusit të saj. Natyrisht, zhargoni e kërkon femrën që të dalë në dritare; dhe këtu folja dal, me ngarkesë pak a shumë idiomatike, ka një kuptim të ngjashëm me atë që e gjejmë në përdorime të llojit dal në fotografi ose dal në televizor; ti mund të shfaqesh në dritare për të soditur botën dhe luajtur me yjet, ose thjesht për të kthjelluar vështrimin dhe mendjen, ose fundja edhe për t’iu larguar mjedisit brenda ose për t’u shkëputur që andej përkohësisht; por që nga momenti që je shfaqur atje, dritarja është korniza që të prezanton ndaj syrit anonim të rrugës.
Deri që nga kati i tretë – ndoshta – dritarja të lë të mbash gjallë bisedën me dikë poshtë në trotuar; më lart se aq, ndoshta veç mund të shkëmbesh shenja. Kjo ka pasur rëndësi kritike, në kohët kur telefoni, edhe ai i linjës tokësore, ishte luks; dhe një vajzë e re nuk mund të dilte lirisht nga shtëpia. I dashuri, miku, jarani ose edhe mëtonjësi do të priste, ndonjëherë me orë, me vështrim të ngulur te hapësira katërkëndëshe: herë e errët, herë e ndritshme; me perde herë të mbyllur herë të hapur; derisa të fillonte shfaqja.
Dritarja ka përmbushur, me aq sa mundej, edhe funksionin e një rrjeti televiziv lokal, me qark të mbyllur: mund të ndiqje, që andej, zhvillimet në lagje, madje edhe të ndërveproje, duke pyetur të tjerët poshtë; njëlloj siç ndërveprohet sot, duke i telefonuar stacionit. Nga dritarja të hidhnin lekët, kur duhet të bleje diçka urgjentisht; ose çelësat e biçikletës. Ishte një mënyrë komunikimi me shtrirje dhe kapacitet të kufizuar, por efikase: amvisat në Napoli deri edhe ushqimet i blejnë që nga dritarja, duke ulur që andej një shportë xunkthi, së bashku me listën e porosive dhe paratë, drejt një kamionçine që priste poshtë tek rruga.
Hapësirë komunikimi, valvulë e dritës dhe e vështrimit, vrimë për ajrim dhe normalizim të trysnisë atmosferike – por edhe kalim ndërmjetësues drejt vdekjes, për ata që e dëshironin; me kusht që lartësia të premtonte. U hodh nga dritarja – këtë thonë për dikë që kërkon të vrasë veten, duke shfrytëzuar gravitetin: por sa brutalisht i kundërvihet kjo fluturimit, si ëndërr elementare e të gjithëve dhe realizim i lirisë në imagjinatë! U hodh nga dritarja: shpesh nga e njëjta dritare, ku viktima – vajzë e lënë nga i dashuri, e mbetur shtatzënë, e kërcënuar nga prindët – kish dalë dikur për të shkëmbyer shenja dhe premtime me atë tjetrin Poshtë, dhe që tani përdoret për daljen tjetër, atë të mbramen. Hyrja dhe dalja, nga hapësira sakrale e shtëpisë, mund të kërkonin ndonjëherë sakrificat e tyre të dhimbshme.
Përndryshe, po ta vështrojmë shtëpinë si një hapësirë jo vetëm të mbyllur, por edhe të mbrojtur ndaj rreziqeve që vijnë së jashtmi, ose në marrëdhënie me prejardhjen e saj nga kulla, ndërtesa e fortifikuar ose fortesa feudale, atëherë dritarja nuk mund të jetë veçse një pikë e dobët, nga ku gjithçka e padëshiruar mund të depërtojë më lehtë brenda. Dhe kjo duke filluar që nga erërat e këqia, tymi, pluhuri, zhurma, uji i shiut dhe vështrimet e pamirëpritura nga rruga, dhe duke vazhduar pastaj me polenin, insektet (miza, grenxa, mushkonja) dhe agresorë të tjerë biologjikë; për të përfunduar me vetë hajdutët, që mund të hyjnë lehtë nga një dritare e hapur.
Nëpërmjet dritares mund të humbasë një kapital nga më të çmuarit, që lidhet me thelbin e shtëpisë vetë si hapësirë banimi: ngrohtësia; çka do të thotë edhe se hapja dhe mbyllja e dritareve është përdorur gjithnjë për të rregulluar temperaturën brenda, veçanërisht gjatë stinës së ftohtë. Nëse muret e jashtme e bllokojnë komunikimin e shtëpisë me mjedisin, duke krijuar mundësinë për një brendësi të qëndrueshme, dritaret janë një agjent kompromisi, meqë gjithnjë lejojnë komunikimin pikërisht me atë mjedis ndaj të cilit është kërkuar bllokimi dhe izolimi; dhe këtu s’bëhet fjalë vetëm për komunikim social, por edhe thjesht fizik, ose me elementet.
Faleminderit Ardian që e solle këtë shkrim! Mes shumë gjërash, dritarja si një lidhje midis botës së brëndshme dhe botës së jashtme është edhe një simbol që përsëritet vazhdimisht tek pikturat e Edward Hopper.
E kisha shkruar prej kohësh, pastaj përdora disa ide të saj në bisedën që pata me Ema Andrean, tek emisioni “Turni i tretë” në RTSH.
https://www.youtube.com/watch?v=ACgtLkq5iO0&t=11s
Faleminderit shumë Ardian që ma dërgove këtë intervist. E ndoqa me shumë kënaqësi.
Simboliken e dritares dhe perdorimin e saj si nje “nderfaqe”, e shoh edhe si inversion te asaj qe ne teater quhet “thyerje e murit te katert”. Normalisht ne teater aktori brenda dhomes ben sikur e injoron pranine e spektatorit ne salle dhe tregon ” intimitetin” e personazhit te tij, qe “nuk ka dijeni” per ata qindra vete qe e shohin pertej “dritares”, por nganjehere ndodh qe e “thyen” ate mur te padukshem dhe i drejtohet drejteperdrejte spektarorve, per te shprehur nje te vertete tjeter nga ajo qe i kerkon roli ate çast, nderkohe qe ne jete dikush qe shfaqet ne dritare e “thyen” edhe ai kete mur (duke hapur dritaren), por per mendimin tim, jo per per t’u shfaqur siç eshte ne te vertete, por duke fshehur intimitetin e tij, sepse qe nga çasti qe hedh kraheve nje robe- kostum te caktuar ben aktin e pare per t’u shfaqur, ne te shumten e heres, ashtu siç nuk eshte.