Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

DËSHMIA E MBISHKRIMIT

Mikaela Minga më tregoi disa foto që kish nxjerrë, gjatë një vizite në rrënojat e kampit të së burgosurve politikë në Spaç, ku mes pamjeve të lënies pas dore, shkatërrimit dhe shpërfilljes ndaj këtij monumenti të dhunës totalitare, më tërhoqi vëmendjen një mbishkrim praktikisht i palexueshëm, mbi derën e një ndërtese të ulët.

Me mundim, në rreshtin e fundit të këtij mbishkrimi mund të lexohen jo aq fjalët, sa “hijet” e fjalëve “LEJOJMË NË ASNJË MËNYRË QË”, dhe në rreshtin e parë “KEQ”; fjalët e tjera nuk i kanë bërë dot ballë kohës dhe elementeve dhe tashmë nuk duken më; me përjashtim të togfjalëshit RRUGË TË SHTREMBËR, i cili ka mbijetuar.

Arsyen pse disa shkronja të mbishkrimit a parullës janë tretur, ndërsa disa të tjera janë ruajtur vetëm mund ta marrim me mend; dhe po të përjashtojmë që dikush i ka kruar fjalët në mënyrë përzgjedhëse, atëherë do të pranojmë se kjo RRUGË TË SHTREMBËR ka mbetur gjallë sepse është shkruar me një bojë të ndryshme nga fjalët e tjera.

Çfarë do të thotë se fjalët e tjera kanë pasur ngjyrë të ndryshme nga e zeza – të kaltër, të gjelbër dhe, më me gjasë, të kuqe.

Tekstit i është bërë, si të thuash, një lloj redaktimi (foto)kimik.

Përftesën “koloristike”, sipas së cilës fjalët e një parulle politike do të shkruhen me ngjyra të ndryshme, sipas ngarkesës së tyre ideologjike ose morale, e ndesh rëndom në mbishkrimet e atyre kohëve – ku PPSH dhe ENVER HOXHA do të dalin të shkruara me ngjyrë të kuqe, atje ku shkronjat dalin me të paktën dy ngjyra.

Për të njëjtën arsye, e zeza do të rezervohet ndonjëherë për fjalët dhe shprehjet me ngarkesë kuptimore negative – ku doemos hyn edhe kjo RRUGË TË SHTREMBËR, e parullës në Spaç.

Në metaforikën folklorike të ngjyrave, e zeza i kundërvihet para së gjithësh së bardhës, siç e dëshmon edhe gjuha shqipe, me dhjetëra shembuj; por kjo vlen për një botë ku ngjyra e mirëfilltë ende nuk jep shumë informacion, dhe ku pamja analizohet sipas saturimit me dritë, jo sipas ngjyrës.

Përkundrazi, e kuqja është ngjyra e socializmit dhe e komunizmit; por edhe ngjyra e “pushtetit popullor” në Shqipëri; i cili edhe e kish ngritur e pajisur kampin në Spaç, madje edhe e kish pajisur me aparatin propagandistik përkatës.

Bardhezia dhe e kuqja në një pllakat të periudhës totalitare.

Shkrimet në mure, në hapësira publike ose gjysmë publike, janë karakteristikë për vitet e regjimit totalitar; njëlloj siç mund të jenë karakteristikë për të sotmen posterët publicitarë ose ato me natyrë thjesht politike – p.sh. në periudha zgjedhjesh.

Posteri mund të jetë me cilësi të lartë imazhi dhe tipografie, por ka natyrë të përkohshme; meqë duhet të jetë gati për t’u zëvendësuar nga një poster tjetër – sa kohë që hapësira e ekspozimit është e kufizuar.

Madje jo vetëm hapësira sot është e kufizuar dhe kushtëzon konkurrencën, por edhe vetë posteri, duke qenë materialisht i ndryshëm nga mediumi ku vendoset (mur, dritare, stendë) e kufizon mesazhin brenda kornizës së vet.

Përkundrazi, mbishkrimet publike në vitet e totalitarizmit – sloganet, parullat, thirrjet, citatet, pllakatet – shpesh krijoheshin për të mbetur të dukshëm në mënyrë të përhershme, ose të paktën po aq të përhershme sa edhe mediumi ku vendoseshin.

Një parullë e shkruar në mur me bojë nuk kish pse të mos jetonte aq gjatë sa edhe muri vetë; madje shpesh mbishkrime të tilla ribëheshin, ose restauroheshin – meqë kuptimi i tyre nuk duhej t’i ekspozohej kohës.

Sot e kësaj dite, po të kërkosh në skaje të rrëgjuara të qyteteve ose mes rrënojash industriale, do të gjesh akoma të shkruara parulla të 20-30 vjetëve më parë, si “RROFTË SHOKU ENVER HOXHA”, ose “TË ZBATOJMË VENDIMET E KONGRESIT…”, ose “LAVDI MARKSIZËM-LENINIZMIT”.

Këto mbishkrime pak i ndan, për qëndrueshmëri, nga mbishkrimet e gdhendura në gur, të kohës së Romës; pa çka se këto të dytat zakonisht informonin, ose jepnin koordinatat historike të një monumenti a ndërtese – përfshi këtu emrin e autoritetit ndërtues dhe vitin përkatës.

Përkundrazi, mbishkrimet totalitare, në tërësinë e tyre, nuk in-formojnë, por formojnë, duke synuar, në çdo rast, disiplinimin moral të qytetarëve në hapësirën publike, nëpërmjet riprodhimit të pushtetit politik dhe ideologjik.

Këtu duhet shtuar edhe se, gjatë periudhës së regjimit totalitar, vetëm autoriteti shtetëror kish të drejtën, dhe e ushtronte këtë të drejtë nëpërmjet organeve përkatëse, për të shkruar në muret dhe në sipërfaqe të tjera vertikale të hapësirës publike.

Graffiti sot në Tiranë

Në një kohë që sot sipërfaqe të tilla përdoren rëndom për të vendosur mesazhe, mbishkrime, graffiti dhe gjithfarë muralesh me natyrë subversive, ose të tilla që ta çrregullojnë disiplinën karakteristike të një hapësire publike të rregulluar dhe të policuar.

Gjatë regjimit totalitar, mbishkrime të tilla, ideologjikisht të rregullta dhe të miratuara, mund t’ia lejonin vetes të ekzekutoheshin edhe në mënyrë amatoriale; në një kohë që sot mbishkrimi publik i miratuar nuk mund të jetë veçse i ekzekutuar profesionalisht, ndryshe nga mbishkrimi subversiv, i cili shpesh konoton in-formalitetin.

Paradoksalisht, nëse dje regjimi totalitar i përdorte muret si dërrasë të zezë të një klase që përfshinte, virtualisht, mbarë Shqipërinë, regjimi i sotëm – ose demokratura – synon t’i përdorë muret për të shprehur një filozofi të caktuar të jetës dhe të dukjes urbane, për shembull duke i pikturuar pallatet.

Pazari i ri, Tiranë

Gjuhës ia ka zënë vendin ngjyra, ose ornamentalizmi abstrakt.

Nga ana tjetër, dhe për t’u kthyer te mbishkrimi në muret e Spaçit, me të cilin nisi kjo trajtesë, le të mos harrojmë se parullat në vende të tilla, si burgjet ose institucione të tjera ndëshkimore ose korrektive, kishin një funksion të ndryshëm nga të njëjtat mbishkrime, por të ekspozuara në hapësirat publike standard.

Kështu, RROFTË SHOKU ENVER HOXHA në muret e një ndërtese qëndrore në Tiranë do të kishte një efekt të ndryshëm nga RROFTË SHOKU ENVER HOXHA në muret e burgut politik.

Çfarë paraqitej si rutinë e performativitetit publik në rastin e parë, do të ndryshonte funksionin në kërcënim të drejtpërdrejtë, kur të lexohej nga të burgosurit politikë.

Le të kujtojmë këtu edhe që burgjet dhe kampet e punës në Shqipërinë totalitare, ndryshe nga ç’ndodhte për shembull në Kinën e Maos, nuk synonin gjë ri-edukimin e armiqve të klasës, ose atyre që “kishin shkelur në dërrasë të kalbur”, ose edhe kishin gabuar a kishin bërë faj “kundër Partisë” ose “kundër popullit”; por thjesht mënjanimin e tyre me forcë nga jeta publike dhe privimin e tyre nga të drejtat dhe liritë qytetare, për t’i ndëshkuar.

Me fjalë të tjera, prej të burgosurve nuk pritej, as shpresohej që t’i lexonin parullat e shkruara në muret e mjediseve të tilla me “zërin e tyre.”

Mbishkrimi në foton nga Spaçi, që thotë diçka për “rrugën e shtrembër” që kishin marrë shumë prej atyre që e lexonin përditë; dhe që vazhdon me “(NUK) DO TË LEJOJMË NË ASNJË MËNYRË”, flet me gjuhën e rojeve të burgut dhe, detyrimisht, të “pushtetit popullor.”

Në parim, nuk përjashtohet dot që ai t’u jetë drejtuar edhe personelit të institucionit: rojeve, policëve, gardianëve dhe të tjerëve që punonin aty, por që nuk ishin të burgosur. Megjithatë, vështirë të mos supozosh se funksioni i tij ishte, para së gjithash, kërcënues.

Theresienstadt

Ky funksion, ose të paktën ky efekt, duket sikur bie ndesh me çfarë synonte, mes të tjerash, parulla në një numër kampesh naziste të përqendrimit (duke filluar nga Auschwitz-i): ARBEIT MACHT FREI, ose “puna çliron”; dhe që pushteti totalitar hitlerian e kish huazuar nga teori dhe doktrina pedagogjike të kohës, të cilat besonin se kriminelët mund të riedukoheshin dhe, në analizë të fundit, të fitonin lirinë nëpërmjet punës.

Historianë të terrorit nazist besojnë, megjithatë, se një parullë e tillë nuk u premtonte viktimave të panumërta të këtyre kampeve gjë tjetër, veç një farë lirie “spirituale”, të arritshme nëpërmjet vetë-sakrificës.

Nga aparati propagandistik primitiv i regjimit totalitar të Tiranës nuk mund të pritej asnjë lloj sofistikimi i tillë, sado djallëzor; pa çka hapësira e burgut, ku të drejtat civile nuk ekzistonin, qeverisej edhe ajo nga i njëjti pushtet, i cili i kishte themelet në dhunën ndaj Tjetrit.

Prandaj, në rrethanat kur mbishkrimet, parullat dhe citatet, në muret e brendshme të burgjeve dhe të kampeve të punës, nuk pritej të luanin rol edukativ ndaj “banorëve” të institucionalizuar, atëherë roli i tyre detyrimisht do të reduktohej në shenja të zbrazëta të vetë pushtetit që i kish vendosur aty.

Çdo akt individual i leximit të tyre do të shënjonte, kësisoj, nënshtrimin e detyruar ndaj pushtetit.

Shenja të tilla sot, kur kanë mbijetuar, marrin vlerë historike – pa çka se ne i lexojmë ndryshe nga të adresuarit e tyre të dikurshëm; duke i interpretuar si indekse të një epoke tjetër, dhe ndonjëherë duke shpërfillur funksionet që përmbushnin atëherë.

Le të mos vijë ajo ditë kur brezat e ardhshëm të nisin t’i admirojnë, si vepra arti.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin