Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Media

GOMARI ÇALON NGA VESHËT

Pata marrë pjesë vjet në konkursin për çmimin Kadare dhe do të merrja pjesë edhe në edicionin e sivjetshëm, po të kisha ndonjë dorëshkrim në prozë të pabotuar në sirtar.

Mora pjesë vjet i dyzuar e këtë vit do të përjetoja të njëjtat mëdyshje, të cilat nuk do të kishin të bënin, siç ndodh rëndom me të pakënaqurit prej konkurseve e çmimeve, me gjykimin e jurisë apo hatëret e mundshme në të tilla raste. Nëse marr pjesë në një konkurim, e di qysh më parë se ç’më pret aty, ndaj nuk ka asnjë arsye për të bërë të zhgënjyerin paskëtaj.

Nisma, si e tillë, është për t’u përshëndetur, çmimi mban emrin e shkrimtarit tonë më të shquar, shoqërohet me një vlerë jo të papërfillshme financiare, dhe vjet i shkoi Shkëlqim Çelës për vëllimin »Embriologji«, një autori të panjohur për jurinë, pa u ndikuar nga tarafllëqet aq të përfolura të anëve tona, pa interesa të tjera pos atyre letrare dhe me gjithë këtë një pjesëmarrës në një garë me përfundim të ndershëm nuk mund të jetë veçse në një mendje.

Mirë është gjithashtu që ka, në mungesë të një përzgjedhjeje prej një kritike të besueshme mediatike, prej tregut të shkalafitur të librit, prej botuesve të painteresuar për letërsinë që shkruhet në shqip, që në mungesë të një shoshe kulturore të mëvetshme pra, që ka sipërmarrje të tilla nga një mecenat që sjell edhe forcën financiare që duhet për të organizuar tërë këtë. Edhe çmimet e përvitshme Kult, që jepen prej kohësh, janë një nismë e tillë e mirë është që janë.

Me një fjalë, nuk po dua as të kontestoj juritë, as kë merr pjesë në to, vendimet e tyre, as të dyshoj organizatorët e këtyre nismave, nuk po dua të hedh baltë mbi ndërmarrje kulturore, që në thelb janë të vlefshme, mbase edhe jetike për frymëmarrjen e letrave tona.

E megjithatë, ajo që të trishton gjithnjë e sërish e nga e para është humnera mes synimeve, që organizatorët i venë vetes dhe shpallin bujshëm përgjatë këtyre aktiviteteve, dhe pamundësia e dukshme për t’i organizuar si ç’duhet ato.

Ngjan e thjeshtë, mëse e thjeshtë dhe elementare, të shkruash një lajmërim për të qenë, pa gabime drejtshkrimore, pa fjali të pakuptueshme e filloreske, disa muaj më parë se të zhvillohet aktiviteti në gazetën që të përket, por ja që edhe kaq gjë, një organizim serioz e shpalljet e lajmërimet mëse të zakonshme në të tilla raste, në kohë e si ç’duhet, këta nuk janë në gjendje t’i bëjnë si ç’duhet, i bëjnë shkel e shko, në momentin e fundit, me ngut e me analfabetizëm, a thua se e kanë për barrë të ndërmarrin të tilla nisma e jo se këto qenkan vullnetare e të painteres.

Ndërkaq, media e tyre, gazeta MaPo në këtë rast, nuk mungon përditë të na informojë se dikush i paskësh shtënë një shishe në të pasme një tjetre, me fotot përkatëse: për të tilla informacione çuditërisht nuk mungon asnjëherë gatishmëria e zelli e puna profesionale, në mund të quhet kështu publikimi i kësaj zgjyre porno-makabre.

Institucionet që mëtojnë të ngrenë në këmbë po këta nismëtarë kanë nga ana tjetër emra të bujshëm hierarkikë, bëhet fjalë për departamente të tëra, për doktorë e profesorë e tema që do trajtohen rigorozisht në mënyrë shkencore – e mirë do të ish po të qenkësh kështu, siç është mirë që mblidhen njerëz e diskutohet për kujtesën, filozofinë, të shkuarën e kështu me radhë.

Pyetja dhe dyshimi që i lind një përftuesi të jashtëm, mua në këtë rast, është se si qenkëshin të zotët po këta njerëz, të mos shkruajnë dot pa gabime një tekst të thjeshtë pa gabime elementare e fjalë të huaja, po këta që përmbytin mediat e atyre vetë me vulgaritete për metodat për të zgjatur penisin, nga njëra anë, me kulturën e lartë e elitare që do të duhej për t’u marrë me kujtesën apo përzgjedhjen e letërsisë që do të meritonte emrin që mban çmimi, nga ana tjetër.

E megjithatë, pa çka se kjo dilemë, ky absurditet mes fasadës e brendisë, të klith sot e kaherë prej faqeve të gazetave tona e prej ekraneve, nuk duhet bërë këtu gabimi i rrafshimit, i identifikimit të të tërë elitës sonë, apo asaj pjesë të shoqërisë që mëton të jetë e tillë, me shfaqjet e shëmtuara të vulgut, të plehut të po asaj shoqërie.

Ndaj mund t’u sugjerohej me dashamirësi mecenëve dhe organizatorëve të këtyre sipërmarrjeve, pa rënë në nihilizëm, marrja më seriozisht e idealizmit kulturor që vetë ata po ofrohen të rimëkëmbin, mund t’u sugjerohej më shumë modesti në fjalorin e tyre të fryrë mediatik, parë që lëvrimi i fjalës si të tillë është ajo që po synojnë edhe vetë.

Edhe kaq e vështirë kjo nuk është, nuk është aq e pamundur sa ç’na duket shpesh. Nganjëherë mjaftojnë tre-katër gazetarë që zotërojnë gjuhën në të cilën shkruajnë, një redaktor që nuk bën gabimet që i bie të redaktojë, dhe punë, punë mbase e bezdishme burokratike e organizative për t’i bërë gjërat si ç’duhen, sepse shpesh, sidomos anëve tona, gomarët çalojnë pikërisht nga veshët.

E njëjta vërejtje mund t’u bëhej kritizerëve të panumërt të nismave të tilla, mund t’u thuhej atyre që është më mirë të ndërmarrësh qoftë edhe një dështim, se sa mos të ndërmerret fare, se na duhet të jemi konstruktivë në ndërhyrjet tona e që rrafshimet nuk po na çojnë asgjëkundi.

Në këtë kuptim duhen përgëzuar të tërë ata që marrin pjesë në këto rrekje, në këto përpjekje për të rimëkëmbur identitetin tonë kulturor, me gjithë të metat, sëmundjet e fëmijërisë që mund të vihen në dukje pa shumë vështirësi. Pasi të vësh në dukje të meta e gjëra që nuk shkojnë, është një gjë, e të japësh një dorë, të ndihësh që ato të mos ndodhin, është një tjetër. U urojmë dorë të mbarë pra këtu shkruesve e përzgjedhësve këtë vit. Ndoshta përftohet ndonjë vlerë e paparishikueshme nga e gjithë kjo tollovi me qëllim të mirë. E parë që shpresa vdes e fundit, uroj vërtet të jetë ashtu.

 

4 Komente

    1. Keni të drejtë zoti Lanksch. Më duhet të shtoj këtu, jo për të mbrojtur gabimet e mia, por si alibi për ato të që bëjnë të tjerët, që unë vetë më së pari bëj gabimet që kritikoj. Nuk besoj se duhet të jem këngëtar operistik, bie fjala, për të dalluar në këndon dikush mirë a me gabime. Dhe, në rastin në fjalë, unë nuk po e organizoj konkursin, por po e komentoj atë; këto janë gjëra të ndryshme.

      Madje, jo për t’u justifikuar, por për të patur empatinë e duhur në të tilla raste (nuk keni pse e besoni këtë) disa gabime drejtshkrimore i vura re dhe vetë dhe i lashë qëllimisht të pakorrigjuara, pikërisht për të ilustruar këtë që sapo shkrova.

      “Kush qenkësh pa mëkate, le të hedhë gurin e parë” – vetëm të gurëzojmë kënd nuk po duam, më së paku ndërmarrësit e një nisme në thelb pozitive e të cilën kryesisht po duam ta inkurajojmë, jo ta mbytim.

      1. Haha, me bere te buzeqesh me ate “nuk keni pse e besoni kete” ne kllapa, e lezecme.

  1. Dhe, si për të më vërtetuar në gjasën time, më tregon një i njohur që paska dërguar një dorëshkrim për konkurimin në fjalë, që ka tri-katër ditë që e ka dërguar e akoma nuk ka marrë konfirmimin e marrjes.

    Kjo është simptomë tipike e institucioneve, por edhe privatëve, në Mëmëdhe. Të gjithë bëjnë si aq të zënë me punë, deri në grykë me punë, sa kanë paturpësinë të mos u kthejnë njerëzve përgjigje, sidomos neve “këtej”, pasi ne i bie të kemi kohë, kushedi pse.

    Mbase edhe kanë punë, nuk ke nga ta dish, porse nisur nga stërmbushjet e kafeneve në çdo orë të ditës dhe përtacia proverbiale e jona, si dhe nga rezultatet e punës së supozuar, që nuk ka duk gjëkundi, ka shumë të ngjarë që të duan të bëjnë si “të rëndësishëm”, që t’u vesh nga pas, apo t’u futësh edhe ndonjë zarf në xhep që të ta varin, nëse ke njeri, mos e dhëntë Zoti, në spital e ua ke vërtet nevojën.

    Por më së shumti është katundari e gjitha kjo e provincializëm, për të mos thënë përkeqësuesin “malokëri”, që e përdor këtu thjesht për të përshkruar mungesën e qytetarisë e jo se kam ndonjë gjë me banorët e zonave të thella.

    Se dikush që ka respekt për tjetrin, ka respekt më së pari për kohën e tij, për të mos folur këtu për mirësjelljen më minimale, normat më elementare të komunikimit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin