Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji / Totalitarizëm

PATOS + ENVER II

Në variantin e dytë të kësaj historie, unë rritem në Enver.

Shumë prej detajeve mbeten njëlloj (megjithëse vështirë të thuash se çfarë lloj aventurash do më kishin ndodhur mua në Enver): penxherja me diell, bahçja me gardh, hardhitë, greqishtja e gjyshes, nafta kërcënuese, puset e zeza ku binin brenda rregullisht inxhinierët komplotistë.  Ndryshimi i vetëm, por është goxha ndryshim, ka të bëjë me një mbledhje—sigurisht të panjohur për mua kalamanë—mbajtur të premten e datës 30 maj të vitit oh-shumë-të largët 1952.

Mblidhet Byroja Politike e Partisë së Punës të Shqipërisë. Rendi i ditës është fare i zakonshëm. Një raport i Degës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme mbi punën e partisë në repartet e këtij dikasteri. Një instruksion mbi administrimin e dokumenteve sekrete të partisë. Një relacion mbi mbajtjen e dosjeve të kuadrove teknike të larta. Veprime të ndryshme kuadri. Shqyrtimi dhe aprovimi i planit të punës për muajin qershor.

Çfarë më tërheq vëmendjen është një propozim tjetër, vendosur mes pikave pikave 2 dhe 4, siç duket pas diskutimeve mes vartësve rrotull Udhëheqësit, e si rrjedhojë, ndoshta edhe pa dijenë e këtij. Punonjësit e Komitetit Qendror këtë propozim e kanë titulluar kështu: “Relacion mbi pagëzimin e qytetit të Patosit me emrin ‘Enver’, dhënien e çmimit ‘Enver’ dhe mbi dhënien e titullit të “Heroit të Punës Socialiste”.

Elidor Mëhilli, 2006-2007

Sic duket, aparatçikët kanë dashur ta nderojnë Udhëheqësin. Zgjedhja e Patosit për këtë nder të dyanshëm dëshmon për rëndësinë që i mvishej këtij në rendin e ri industrial (gjysëmëndërr, gjysëmllucë) të socializmit. Pastaj, si qytet i ri, Patosi ishte ende në formin e sipër, që do të thotë se ishte një vendbanim pa një identitet të kristalizuar. E ç’mund t’i jepte identitet më mirë një vendbanimi që donte të bëhej qytet se Komandanti vetë? (Qyteti do të “pagëzohej”,  thuhej aty për më tepër, duke na sinjalizuar se fjalori fetar dhe komunizmi ende nuk ishin ndarë përdhunshëm.)

Mirëpo Udhëheqësi nuk e pret mirë propozimin. “Unë nuk jam dakort me këto gjëra”, qorton ai Byronë. “E para përsa i përket çmimit ‘Enver’ unë them se është më mirë të lëmë çmimin e republikës”. Dhe, tjetra, çka është edhe më e rëndësishme për rrëfimin tonë: “Po kështu nuk jam dakort edhe për t’i vënë qytetit të Patosit emrin tim”.

Dhe kaq. Patosi ngeli Patos. Pse s’e pati këtë fat të madh? Pse nuk u shkrua historia e tij me gërma të mëdha floriri?

“Ne jemi akoma të rinj”, sqaron Enveri 43 vjeçar, “dhe të kemi kujdes të mos kopjojmë nga të tjerët. Eshtë vënë çmimi Stalin, ose Dimitrov, po ata janë Stalini dhe Dimitrovi dhe ne të vemë tani çmimin ‘Enver’, më duket se nuk është e drejtë. Prandaj them se ka kohë, të punojmë akoma që ta meritojmë përgjegjësinë që na ka dhënë partija, d.m.th. të plakemi në punë, pastaj të shohim. Pastaj edhe duke mos i vënë këto gjëra puna nuk na pengohet aspak në lidhje me dhënien e çmimeve. Po kështu edhe për emrin e Patosit. Në se janë vënë emrat e udhëheqësve të partive të tjera kjo ndodh se ata kanë një aktivitet të gjatë revolucionar që kur kanë qenë të vegjël”.

Le të vëmë re si strukturohet modestia e Njëshit. Jo mbi kundërshtinë në princip ndaj kultit, sepse kulti shihet si nevojë strukturore, por mbi ndërgjegjësimin se kulti ka kohën e vet, dhe se koha e kultit shqiptar nuk ka ardhur akoma, kryesisht për arsye biologjike.

Elidor Mëhilli, 2006-2007

“Përsa i përket qytetit të Patosit”, shton Njëshi, “kur të vete unë 50-55 vjeç ahere e shohim në se mundet apo jo t’i vihet emri tim. Vënia e emërit ka vetëm këtë që do të shtohet emulacioni në punëtorët, por po të bëhen shpejt gjëra të tilla bëhen të rrezikshme. Prandaj jam i mendimit që këto gjëra tek ne të bëhen me raste”.

Me një fjalë, ngaqë ora biologjike ende nuk kishte ardhur “këto gjëra” duheshin bërë “me raste”. Në praktikë, kjo do të thoshte se vartësit e tij do vazhdonin të bënin propozime të kësaj natyre, për t’i bërë qejfin Udhëheqësit, për të treguar zellin dhe besnikërinë e tyre të pamatë (vini re ç’bën zelli i idiotëve përreth Njëshit post-modern shqiptar edhe sot e kësaj dite) dhe ky, sipas kontekstit, do vazhdonte të refuzonte (ose mbase jo?) “kërkesat” që i vinin nga poshtë.

Mohimi ishte shprehia që rrëfente pushtetin.

Pushteti kishte nevojë të madhe të dukej i thjeshtë, pa pretendime, pa teprime, popull. Mirëpo duhet vënë re, gjithashtu, se Udhëheqësi e ka kuptuar që herët—vite para se të bëhej problem i madh politik në Bashkimin Sovjetik—rrezikshmërinë e Kultit të Njëshit. Kulti nuk qe vetëm cirk për masat; në rradhë të parë, ishte instrument disiplinimi brenda aparatit të partisë, brenda “rradhëve tona”, brenda fisit tonë revolucionar. Ndodh, pra, që modestia të shumojë vuajtjet, vetëmohimi i pushtetit të të mbërthejë më fort në grushtin e tij të çeliktë.

(Tre vjet më vonë, çekosllovakët do dërgonin fjalë në Tiranë që të mos viheshin emra udhëheqësish komunistë çekosllovakë që ishin ende gjallë. Kërkesa të tilla, sqaronte Praga, do refuzoheshin. Po Enverin s’kish nevojë ta mësonin çekët.)

Elidor Mëhilli, 2006-2007

Pikërisht kjo lloj vetoje e Njëshit, me gjithë shfaqjen që e shoqëronte në mbledhje, me mërmërimat që do shpërndaheshin nëper aparat pas mbledhjes, me ndërgjegjësimin se do plakeshin në punë, d.m.th. se do vdisnin në pushtet—gjithë kjo e vishte pushtetin me një lloj paevitueshmërie. Kulti ndërtohej mbi pikëpamje të thjeshtësisë, por edhe mbi vetëdijen se vetëm Njëshi mund të kundërshtonte kaq ashpër adhurimin ndaj Njëshit. Parë në këtë dritë, pushteti nuk na shpaloset vetëm si funksion i fuqisë për të ngritur realitete hibride si Patosi, pothuajse nga hiçi, apo për të burgosur naftëtarë, por si fuqia supreme për të mohuar alternativa historike. Patosit iu mohua një emër nga emri vetë.

Po të kishte dashur, Enveri 43 vjeçar do t’i kishte ndjekur nga pas patosallinjtë e shkretë, hap pas hapi, dekadë të kuqe pas dekade të kuqe, nëpër çertifikata lindjeje, nëpër pashaporta, nëpër lajmërime vdekjesh. Manovrat me pyetjen “nga je” do qenë bërë ku e ku më të koklavitura për banorët e këtyre anëve. Përveç origjinës para-patosiane, që ishte kokëfortë në një vendbanim të ardhurish si ky, ku katundet vazhdonin të bashkëjetonin me ritet e reja të punëtorisë alla sovjetike, banorëve do u ish dashur të mësonin edhe përgjigjen e re: “Nga Qyteti Enver”.

Kur njerëzit pastaj do të kujtonin vitet e rinisë, shumë kohë më vonë, mbase do ishin shprehur edhe kështu: “Ne u dashuruam në Enver”. Ndërsa mua më vjen të imagjinoj ndonjë anëtar kokëkrisur të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dërguar enkas nga qendra për të gjetur frymëzim mes njerëzve të punës, i cili do kish shkruar një novelë skandaloze me protagonist një inxhinier nafte (i zgjuar, nga fshati) që dashuronte një teknike të mesme (e shkathët, me tipare mesdhetare), dhe novela do fillonte me fjalinë: “Enveri ishte zbrazur atë mbrëmje të acartë”.

Në këtë variant të dytë të historisë, vitet sfilitëse ’90 do e kishin gjetur Enverin në një krizë të dyfishtë identiteti. Nga njëra anë, do ish dashur të ndryshohej emri patjetër (me gjithë komplikacionet që vijnë me ndryshime emrash në të dyzetat), siç u ndërruan shumë emra në vitin e shenjtë 1991—kur kandrrat jo fort të bukura komuniste u bënë flutura mahnitëse kapitalisto-kontrabandiste.

Nga ana tjetër—dhe këtu kam frikë se historia nuk më del më si ndërmjetësim marrëdhëniesh e veprimesh, i duruar lexues, por si rrjedhë e fortë e një lumi të rrëmbyer që me zor e kontrollojnë të vdekshmit—Patosi njëlloj do qe zbrazur (siç edhe është zbrazur) nga njerëzit, të cilët do lëshoheshin nëpër botë (siç edhe janë lëshuar) që nga Greqia e pensioneve deri tek Kanadaja e bujarisë sociale, duke lënë pas gjysëmgërmadha pusesh, privatizime-spektakël, papunësi sublime, dhe pensione të vogla gjyshërish që vërtet u plakën në punë, u dërrmuan, perënduan, dhe ikën pa lënë pas ndonjë ankesë për gjëmën.

 

1 Koment

  1. Ka patur shume situata te tilla, ku diktatorit te Shq. i eshte propozuar venia e emrit te tij nje institucioni, kombinati, ferme, qyteti, etj., dhe ai nuk i ka pranuar te tilla propozime, si gjithnje, per te mos zhvilluar kultin e individit. Kjo tregon se Enveri nuk ishte aq budalla, as edhe aq oriental, apo aq aziatik, sa te pranonte menjehere gjithfare lajkatimesh te tilla, qe i sillnin fshataret gjysem-analfabete, te etur per karriere. Qe, nga ana tjeter, kjo sjellje e tij ia ngrinte vlerat, pra edhe kultin e individit, (ne potence, te pakten), kjo ka te beje jo vetem me zgjuarsine dhe rafinuarsine e tij, por edhe me ate qe ky popull ishte ne mase te tij oriental dhe gjysem-analfabet. Sepse njerzit me shkolle (pakica) e kuptonin, se kjo lufte e tij kunder kultit te individit ishte vetem e siperfaqshme, pra sa per sy e faqe.
    Pastaj te mos harrojme edhe traditat jugore, ku ai ishte rritur, te cilat i denojne qysh ne embrion kulte te tilla individualizmi, si budadallek dhe fluturim me pras ne b…; te mos harrojme edhe pjekjen (prekjen) e tij me thjeshtesin e socialisteve perendimore, te mos harrojme edhe parimin teorik marksisto-leninist te mos lejimit te kultit te individitit, qe permendet edhe ne shkrim, (e qe une po e ilustroj me faktin, se Koci Xoxe ndaloi turmen ne 1947-8 ne Durres te therriste “Enver Hoxha-Enver Hoxha”, sepse perbente shkelje te atij parimi komunistesh). Te gjitha keto tregojne natyrishem pse Enveri nuk ra teresisht ne orientalizma dhe aziatizma te shkuar kohes, por luajti me kete popull ne emer te parimeve.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin