Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PËR ROBERT FROST-IN

Nga John F. Kennedy[1]

Forca shfaqet në trajta të ndryshme, dhe jo gjithmonë ato më të dallueshmet janë edhe më domethënëset. Burrat që krijojnë pushtetin japin një kontribut të çmuar për madhështinë e Kombit, por burrat që vënë në dyshim pushtetin japin një kontribut po kaq të pazëvendësueshëm, sidomos kur ky dyshim ndodh pa asnjë interes, pasi kjo tregon nëse jemi ne që përdorim pushtetin, apo pushteti na përdor ne.

[…]

Robert Frost çiftoi poezinë me pushtetin, pasi e pa poezinë si mjet për të shpëtuar pushtetin nga vetvetja. Kur pushteti e çon njeriun drejt arrogancës, poezia i kujton atij kufijtë e vet. Kur pushteti ngushton hapësirat e shqetësimeve të njeriut, poezia i kujton atij pasurinë dhe diversitetin e ekzistencës së vetë atij. Kur pushteti korrupton, poezia pastron. Sepse arti përcakton të vërtetën bazë të humanizmit që duhet të shërbejë si kriter i gjykimit tonë.

Artisti, ngahera besnik ndaj këndvështrimit të tij personal mbi realitetin, kthehet në kampionin e fundit të mendimit individual dhe të ndjeshmërisë kundër një shoqërie që fut hundët kudo dhe të një shteti autoritar […] Në mënyrë që të ndjekë vizionin e tij mbi realitetin, shumë shpesh atij i duhet të udhëtojë kundër rrymave të kohës së vet. Kjo e bën atë jo fort popullor […] Nëse ndonjëherë artistët tanë më të mëdhenj kanë qenë ata që kanë mbajtur qëndrimet më kritike ndaj shoqërisë sonë, kjo ka ndodhur për shkak se ndjeshmëria dhe shqetësimi i tyre për të drejtën – aspekte që duhet të motivojnë çdo artist të vërtetë – i kanë bërë ata të ndërgjegjshëm se Kombi ynë po dështon në pikën më thelbësore. Nuk shoh gjë më të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe të qytetërimit tonë, sesa t’i japim artistit vendin që i takon. Nëse arti duhet të ushqejë rrënjët e kulturës sonë, shoqëria duhet ta lërë të lirë artistin që të ndjekë vizionin e tij, kudo ku mund ta çojë. Nuk duhet të harrojmë se arti nuk është një formë propagande; është një formë e së vërtetës […] Në një shoqëri të lirë, arti nuk është armë dhe nuk i përket ideologjisë. Artistët nuk janë inxhinierë të shpirtit. Mund të jetë ndryshe në vende të tjera.

[…]

Por në një shoqëri demokratike, në një shoqëri të tillë, detyra më e lartë e një shkrimtari, kompozitori, artisti është të jetë dhe mbetet i vërtetë me vetveten dhe t’i lërë zaret të bien si të duan. Duke i shërbyer vizionit të tij ndaj së vërtetës, artisti i shërben më së miri kombit të tij. Kombi që e përbuz misionin e artit do të ketë fatin e njeriut të  punësuar me mëditje, si tek poema e Robert Frost-it,[2]  fatin e të mospasurit

“asgjë  që  e bën krenar, teksa hedh sytë pas,

dhe asnjë  shpresë, kur hedh sytë  përpara.”

 

Përktheu e përgatiti: Mikaela Minga


[1] Këtë ligjëratë Kennedy e mbajti në Amherst College, në vitin 1963, pas ndarjes nga jeta të poetit. Përkthimi është marrë nga origjinali i daktilografuar që mund të gjendet këtu:

https://www.amherst.edu/library/archives/exhibitions/kennedy/documents

Dy vjet më parë, në ceremoninë e betimit të Kennedy-it, Robert Frost bëri një dedikim në vargje. Ishte një odë për t’i bërë poezinë dhe artet pjesë të qeverisjes. Mund të lexohet këtu:

http://archive.boston.com/bostonglobe/editorial_opinion/blogs/the_angle/2011/01/frost_at_kenned.html

[2] E ka fjalën për poemën: The death of the hired man (1914)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin