Ka qarkulluar këto ditë në Internetin shqip një dokument i çuditshëm: një “Fletë-Rrufe” e Bibliotekës Kombëtare drejtuar “shokut Llazar Gusho”, për ta qortuar se nuk ka kthyer brenda afatit një libër të asaj biblioteke dhe për t’i kërkuar që ta dorëzojë librin brenda një date të caktuar.
Edhe pse i titulluar “Fletë-Rrufe”, dokumenti nuk ka trajtën tipike të fletë-rrufesë: ndërtohet si formular, nuk nënshkruhet nga një individ a nga një kolektiv, por nga një institucion, dhe kërkon jo që personi në fjalë të pendohet dhe të bëjë autokritikë, duke shpjeguar edhe shkaqet që e shtynë të gabonte, por thjesht që ta shlyejë gabimin.
Viktimës i kërkohet të veprojë, jo të rrëfehet fajtor.
Të tilla letra nga biblioteka kemi marrë të gjithë aso kohe; edhe pse nuk mbaj mend që të quheshin “fletë-rrufe”. Meqë burimi i këtij dokumenti nuk thuhet gjëkundi (siç do të ishte e udhës), po ia lejoj vetes të dyshoj se titulli “Fletë-Rrufe” në krye të jetë shtuar më vonë.
Që kemi të bëjmë me një formular, i cili u dërgohej si rutinë të gjithë atyre që i vononin librat e Bibliotekës, kjo duket edhe nga natyra tipografike e dokumentit: nuk është i shkruar me makinë shkrimi, por është prodhuar në një shtypshkronjë, pas gjase në mijëra kopje.
Kemi të bëjmë me një akt administrativ, i cili do të arrinte qëllimin sikur ky dokument t’i dërgohej marrësit në shtëpi ose në zyrë; në një kohë që fletë-rrufeja afishohet në një vend publik.
Nga ata që e kanë parë dokumentin tani, disa janë habitur ose irrituar me kontrastin midis banalitetit administrativ të këtij qortimi dhe personit të goditur: poetit Lasgush Poradeci. Ndoshta ka pasur edhe nga ata që kanë pyetur: si ka mundësi që të akuzohet për diçka kaq të vogël një artist aq i madh sa Lasgushi?
E parë në këtë kontekst, akuza tingëllon absurde – por njëkohësisht dëshmon për një burokraci funksionale, që ndjek rregullin, pa pyetur për përjashtimin.
Ndoshta shumë nga ne do të donin që personaliteteve si Lasgushi t’u njihej privilegji, së paku brenda sferës së letrave; në kuptimin që duket qesharake t’i kërkosh të kthejë një libër në bibliotekë dikujt që i ka dhënë kulturës shqipe dy nga librat më të bukur me poezi.
Qesharake vërtet: por kush tha që burokracia nuk duhet të jetë qesharake?
Nga kjo anë, dhe vetëm nga kjo anë, mua nuk po më duket e papranueshme që një institucion publik, si Biblioteka Kombëtare e vitit 1972, nuk bën dallim midis Llazar Gushos dhe mijëra anonimëve anëtarë të saj; por u dërgon atyre të njëjtin formular, me të njëjtën gjuhë të drunjtë dhe moralizuese, që pritet prej dokumenteve të kohës.
Le të kemi parasysh se kjo gjuhë, me formulat e saj akuzuese për “shkelje të disiplinës proletare” dhe imazhet e “dhjetëra e dhjetëra qytetarëve” që presin të lexojnë librin e vonuar, nuk i drejtohet Lasgushit si person, por thjesht e shoqëron kërkesën për dorëzim të librit si të ishte pullë poste.
Është një gjuhë që thotë: “unë i nënshkruari jam institucion.”
Në vështrim të parë, teksti duket sikur kërkon ta korrigjojë marrësin, jo vetëm duke i përmendur fajin që ka bërë, por edhe duke i shpjeguar pasojat përkatëse – që këtej edhe toni edukativ, paternalist dhe konstatimi se Lasgushi qenka bërë “pengesë për përhapjen dhe leximin e librit.”
Mirëpo ka edhe një lexim tjetër të mundshëm: që Biblioteka, duke u dërguar anëtarëve letra të tilla, përmbush edhe zotimin që ka marrë, kushedi se ku dhe ndaj kujt, “për të luajtur rol edukativ” me lexuesit.
Përndryshe, mua po më pëlqeka kjo Bibliotekë, që kërkon ta ruajë fondin e vet, qoftë edhe duke i qortuar abonentët sikur të ishin fëmijë. Pa e paragjykuar aksidentin që ndodhi tani së fundi në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, po lejohem të shtoj se më pëlqen më shumë se një bibliotekë ku librave u bie zjarri.
Dhe gjithsesi, burokracia – veçanërisht ajo e nivelit të ulët – nuk mund të bëjë përjashtime, sepse asaj i mungon fleksibiliteti; një burokraci që bën përjashtime herët a vonë do të pushojë së funksionuari si burokraci, për t’u kthyer në një institucion klientelist; ku të riprodhohet jo rregulli, por privilegji.
Pa çka se unë do ta kisha formuluar ndryshe letrën më lart, duke theksuar: “A nuk ju ka shkuar mendja, i nderuar shok, se duke e mbajtur librin përtej afatit të caktuar, ju po na detyroni t’ju dërgojmë një dokument të tillë?”
Pa e përjashtuar këtu mundësinë që, kush e ka plotësuar këtë formular dhe e ka dërguar me postë, nuk e ka ditur që shoku Llazar Gusho ka qenë, në fakt, Lasgushi.
Pa diskutim qe fletrrufeja ndaj Lasgushit do kete qene me qellim, pasi Lasgushi nuk kishte biografi te mire per ata te partise! Keshtu nje gabim i vogel i tij kritikohej menjehere nga ata me rigorozet, thjesht per ta diskretituar ne syte e opinionit, meqe per Lasgushin njerzit kishin ne pergjithsi respekt (ata qe e njihnin). Zakonisht fletrrufete beheshin me dore, por biblioteka ka patur privilegjin e nje makine shkrimi, (keto te fundit ishin te regjistruara dhe nuk lejoheshin te tilla private).
Dy vërejtje: (1) Nuk besoj se Biblioteka kombëtare kish vendosur të persekutonte politikisht Lasgushin dhe (2) “Fletë-rrufeja” nuk është e shkruar me makinë, por është printuar në shtypshkronjë. Sikurse e shkrova edhe më lart, bëhet fjalë për formular.
Edhe sipas meje eshte nje formular i hartuar paraprakisht dhe per cdo rast –sigurisht qe te beje efekt me te forte se kujtesa apo verejtja e thjeshte (dhe me respekt te vecante per dikursin dhe ideologjine e fleterrufese)– por ne boshllekun e te cilit, sic eshte vene emri i Lasgushit, do ishte vene edhe emri i Thimi Harillit apo Fitnete Mazrekut, pa asnje ndryshim.