Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

PËR TË SHITUR BILETA

Po të gjykosh nga faqet dhe portalet online, debati intelektual në Shqipëri ka adoptuar rregullat dhe tabiatet e çfarë e kemi quajtur “mundje amerikane” dhe që përndryshe njihet si professional wrestling – një lloj argëtimi, i maskuar si sport.

Lexoj, për shembull, se sot Çili i përgjigjet Fugës, meqë dje Fuga i është përgjigjur Çilit; më tej, Fuga i kërkon të falur Dhimës, pasi ky i fundit ka dy ditë që shkruan për veten, duke denoncuar një vendim sipas tij të padrejtë të Akademisë së Shkencave për të mos e pranuar si anëtar; më tej, Mustafaj flet për Tufën, ndërsa Tufa i përgjigjet Bejkos, në lidhje me përplasjen midis Tufës dhe Çulit, ndërsa Vehbiu del kundër Tufës, i cili ia prish takimin Çulit, ndërsa analistët “përplasen” për dorëheqjen e Tahirit, dhe Fuga sërish, këtë herë duke iu përgjigjur Muratit, në lidhje me “dy Fugat”, dhe Lubonja sulmon Dakon dhe Kikia i përgjigjet Tufës për problemin e filmave të realizmit socialist…

Një përrua që nuk ndalet; dhe e gjithë kjo pa e prekur fare pajën ditore të Facebook-ut dhe pa e sjellë fare në vështrim psikodramën e talk show-ve televizive të një nate më parë, ku të njëjtët persona i thonë njëri-tjetrit “më lër të mbaroj” ose “unë nuk ta preva ty fjalën kur fole, tani ti pse ma pret mua”?

Këtë herë nuk kam asgjë për të thënë për përmbajtjen e debateve: madje të gjitha ato që ceka më lart janë me brumë; vetëm se jo ngaqë në to janë përfshirë Fuga, Çili, Tufa, Fevziu, Çuli, Murati, Bushati, Lubonja e kështu me radhë, por për nga interesi publik për temat e trajtuara, forca e argumentit, kritika dhe përndryshe “drama e ideve” – në kuptimin që përplasja e tanishme mes Çilit dhe Fugës, sa për të sjellë një shembull, risjell në vëmendje anë të njohura e të panjohura të arsimit të lartë publik dhe privat, të artikuluara nga dy personalitete të fushës, me njohuri përkatëse të thella dhe të provuara në praktikë.

Çfarë nuk shkon, është së pari, mënyra e dramatizuar ose spektakolare si po përcillen këto debate nga mediat, të cilat përqendrohen në personat që debatojnë, jo në përmbajtjen dhe shtjellimin e argumenteve; dhe së dyti, qasjet që vërej te ndonjë prej këtyre pjesëmarrësve, që i ndikuar nga trajtimi që i bëhet nga mediat, po e paraqit veten si të ishte celebrity, ose protagonist i rubrikave lifestyle; në kuptimin që ky “ndonjë” po fillon të kujtojë vërtet se debati është me interes ngaqë aty po merr pjesë pikërisht ai: një lloj paranoje e induktuar nga vëmendja e tepruar e anonimëve.

Të thuash se agora e ideve, në Tiranë, paska nevojë për një Kim Kardashian të vetën.

Vallë të ndodhë kjo, sepse mediat besojnë se është e vetmja mënyrë për t’i tërhequr dhe mbajtur të lidhur, lexuesit dhe publikun në përgjithësi, pas temave përndryshe të ezauruara; ose më mirë, pas përplasjeve të ezauruara, midis të njëjtëve personazhe?

Apo mos vjen si efekt anësor i mungesës së profesionalizmit nga ana e atyre që i zgjedhin dhe që i formulojnë këto lajme, dhe që e kanë bërë “shkollën e gazetarisë” në faqet e showbiz-it, duke u marrë me bëmat e reperëve dhe të femrave pneumatike; dhe duke kujtuar pastaj se kjo qasje është e vetmja e mundshme, për një media komerciale, që për mbijetesën e vet po ia mjel sisët bujare Facebook-ut 24/7?

Dua të them: gazetarë që janë mësuar të japin lajme për Encën dhe Noisy-n, transformimin e Kamela Islamajt në superfemër, vajzën e Eli Farës, Arminën dhe Sadijen, statusin romantik që i dedikon Orinda Huta Turit dhe gruan që ia pret thonjtë Lorik Canës, Tunën në muajt e fundit të shtatzënisë, Piro Çakon sërish beqar dhe Bleona Qeretin që bën joga nudo; këta gazetarë pra, kujtojnë se njëlloj mund të flasin edhe për Fugën, Çilin, Lubonjën, Zhejin, Ngjelën dhe të tjerë protagonistë të debateve kulturore në mediat; ose me të njëjtat mjete, teknika fokusimi, vënie në pah dhe figura retorike; sepse nuk dinë ndryshe.

Apo mos, më keq akoma, Lifestyle, ose showbiz-i i mikro-celebriteteve të hapësirës shqiptare, ia ka dalë të imponohet tashmë si e vetmja formë e organizimit mediatik të publikes, në kuptimin që, kushdo që merr mikrofonin, jo vetëm do të trajtohet automatikisht si ndonjë professional wrestler, por edhe ashtu do të detyrohet të sillet, nëse shpreson që fjala e tij t’i arrijë publikut; me fjalë të tjera, që ligjërimi publik sot ka përfunduar në një tatuazh të spërdredhur, mbi të pasmet super-kardashiane të vulgaritetit në media.

Kjo na risjell te professional wrestling; një formë e thjeshtë madje naive argëtimi, ku sporti vjen i koreografuar dhe gjithnjë në shërbim të krijimit dhe të mirëmbajtjes së personaliteteve të atletëve-aktorë, të cilët nuk përfaqësojnë aq veten, sa rolin që u është besuar nga regjia në narrativat bazë, me të mirë dhe të ligj, të drejtë dhe të padrejtë, heronj dhe antiheronj; ku dhuna skenike nuk është veçse një mekanizëm për ta mbajtur spektaklin të gjallë dhe për ta çuar përpara; çfarë edhe publiku e di, e pranon dhe e përshëndet. Na risjell, sepse të gjitha këto karakteristika mund të rishfaqen edhe aty ku nuk e prisnim; ose në skenën ku riprodhohet vetëdija kulturore dhe intelektuale e shoqërisë mbarë, teksa opinion leaders, të veshur me mëndafshin egomaniakal të roleve që u kanë dhënë mediat, shkëmbejnë mes tyre dhunë të ritualizuar, duke i shërbyer jo më ideve, por shitjes së biletave.

1 Koment

  1. Ajo shprehja “aty kërcen qeni i kallajxhiut” sigurisht që u krijua për talk-show-t me politikanë dhe opinionistë të televizioneve shqiptare ose si një lloj perifraze për “kultura e debatit” në Shqipërinë e sotme… :d

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin