Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Kulturë

KËNGA E SHKRONJAVE

Sot të lexuarit e përfytyrojmë si akt që ndodh midis faqes së shkruar, syve dhe mendjes. Megjithatë, leximi në heshtje është krijim i kohëve moderne.

Tradita e mban Shën Agustinin si të parin që filloi të lexonte pa zë, natën në kuvend, për të mos shqetësuar murgjit e tjerë që flinin.

Vetë Shën Agustini shkruan se këtë virtyt të leximit pa zë ia kish njohur mësuesit të vet, Ambrozit nga Milanoja, i cili e praktikonte ngaqë nuk donte që t’i mblidheshin njerëzit rrotull kur lexonte dhe ta cingërisnin me pyetje për tekstin.

Gjithsesi, andej nga shekulli i 9-të, ndeshen edhe rregulloret e para në manastiret dhe bibliotekat, që u kërkojnë shkruesve dhe murgjve ta mbajnë zërin të ulët, gjatë punës (leximit, kopjimit).

Në krye të herës, leximi ka qenë akt publik – për vete dhe për të tjerët. Zhvendosja e tij nga sfera në publike në privaten, nga zëri në heshtje, nga komunikimi me të tjerët rrotull teje në komunikimin me autorin imagjinar të tekstit të shkruar, është karakteristikë e modernitetit.

Ambrozi nga Milanoja dëshironte të lexonte për vete, jo për të tjerët; meqë kërkonte ta kuptonte tekstin vetë, ta përvetësonte – jo t’ua përcillte të tjerëve. Tek ai ndeshim shembullin ndoshta të parë në histori, të dikujt që e përdor artin e të lexuarit jo për t’i shërbyer dikujt tjetër, por për të pasuruar mendjen e vet.

Nëse leximi ka qenë, përndryshe, akt publik ose me zë të lartë, për veten dhe për të tjerët, madje njëkohësisht për veten dhe për të tjerët, atëherë edhe koncepti i analfabetizmit, në Mesjetë, ka nevojë të rivështrohet. Njerëzit nuk kishin nevojë të lexonin vetë, sa kohë që dikush tjetër do të lexonte për ta.

Ky akt i të lexuarit me zë të lartë përmbledh në vetvete akte të tjera, secili i respektueshëm më vete: së pari, zotësia për t’u dhënë zë dhe kuptim shenjave të shkruara; së dyti, gatishmëria për t’ua përcjellë këtë zë dhe kuptim të tjerëve, duke filluar nga vetja.

Folja lexoj vjen nga venecianishtja ledzere, dhe kësisoj është e njëjtë me italishten leggere dhe latinishten legere (nga e njëjta rrënjë indo-europiane që ka dhënë në shqipe mbledh). Megjithatë, shqipja e sotme ka ruajtur një relike mesjetare kurioze, në foljen tjetër, këndoj të përdorur me kuptimin “lexoj”.

Këndoj vjen nga latinishtja cantare, sikurse këngë nga latinishtja canticum; por kalimi kuptimor drejt të lexuarit do të ketë ndodhur brenda shqipes.

Interpretimi i leximit si një lloj të kënduari na çon në një kontekst kulturor arkaik, krejt të ndryshëm nga ai i sotmi, por karakteristik për shoqëritë analfabete, ku leximi është gjithnjë me zë të lartë dhe realizohet në formë të një komunikimi publik.

Kjo është një shoqëri ku të kënduarit dallon prej ligjërimit të zakonshëm jo aq ngaqë modulohet në mënyrë melodike ose shoqërohet nga një instrument muzikor ose mund të përcillet nga shumë vetë njëherësh (polifonia) – por ngaqë është akt njëdrejtimësh, nga ai që këndon drejt publikut; jo dydrejtimësh, si dialogu ose biseda e rëndomtë.

Fjalori i Shqipes së Sotme (1984) i trajton këndoj (cantare) dhe këndoj (legere) si homonime; duke pranuar se lidhja kuptimore mes tyre nuk ekziston më, dhe duke futur në fjalën e dytë edhe kuptimin “ysht”, të ilustruar me thënie si e këndoi prifti.

Në studimin e vet për gjuhën e Frang Bardhit, kur trajton foljen kënduem në kuptimin e të lexuarit, M. Kruja shkruan:

Âsht pra kisha, këndim’i ofices, i lutave e i meshës me zâ të rregulluem mbas disa notash të caktueme, si kângët, qi u dha besniket ndëgjues iden’e “këndimit” të çdo libri, edhe me zâ si çdo zâ; mbasandej edhe pa zâ, e mâ në fund edhe të çdo shkrimi.

Kruja vëren edhe se, në fjalorin e Bardhit, latinishtja legere përkthehet si me zgiedhune, prandaj shndërrimi kuptimor i këndoj, thotë ai, duhet të ketë ndodhur dikur më vonë se gjysma e parë e shek. XVII; ndërkohë, fjala që përdor Bardhi për “legere”, zgjedh, lidhet për nga prejardhja me mbledh, duke qenë – sipas Çabejt – të dyja këto folje shqipe të formuara me parashtesime të ndryshme të së njëjtës rrënjë, e cila i referohet ndër të tjera latinishtes lego.

Gjithsesi, mendimi i M. Krujës se këndoj, në kuptimin “lexoj”, e ka zanafillën nga komunikimi i një prifti (ose i një hoxhe) me popullin duket i mbështetur – meqë për popullin analfabet libri dhe teksti i shkruar ishin, para së gjithash, shkrimet e shenjta (skriptura).

Natyrisht, këndoj në kuptimin lexoj e jetoi epokën e vet të artë gjatë Rilindjes, prej nga kemi trashëguar edhe Librin e Këndimit – një term ky, këndimi, që përdoret vetëm për të lexuarit, jo për të kënduarit (duke iu kundërvënë kështu këngës, e cila nuk përdoret kurrë me kuptimin e të lexuarit).

Kuptimplotë është, në këtë kontekst, kalimi emërtues nga libri i këndimitlibri i leximit, i cili përkon me kalimin – virtual – nga leximi me zë në leximin pa zë. Mes nesh që e kishim ndërruar tashmë në çantë librin e këndimit me atë të leximit, gjeje ende ndonjë që i lëvizte buzët, kur lexonte; ves për t’u mbajtur i fshehtë, pse shenjë e prapambetjes, atavizëm po aq i pahijshëm sa hirsutizmi ose bishti. Por i kapnim ndonjëherë duke i folur vetes, si ata të tjerët, që “e thoshin” mësimin me zë të lartë, në shtëpi në park në ballkon, edhe pse ndonjëherë nuk kishin kujt t’ia shfaqnin këtë karaoke të trishtuar, të përditshme e të varfër, veç maces.

Shqipja e ka edhe një folje tjetër për leximin, sot disi të vjetruar dhe letrare: lëçit (lëçis), huazim nga serbishtja ličiti, “publikoj, shpall duke thirrur”. Edhe te kjo fjalë, të lexuarit i referohet, së paku etimologjikisht, komunikimit me zë të lartë nga një folës me zë te një masë dëgjuesish. M. Krujën e irriton një zhvillim i tillë kuptimor, i cili sipas tij ka ndodhur vetëm në toskërishten, në një kohë që fjala në gegërishte e ka ruajtur kuptimin e vet origjinal: “Zoti e di se si, disa shkrimtarë jugorë [e] kanë marrë e përdorë si synonym […] me verbet kënduem e lexuem,” shkruan ai, i pezmatuar.

Shpjegimi i M. Krujës, i arsyeshëm në vetvete, të bën të mendosh edhe për një farë force magjike të tekstit të shkruar, e cila manifestohet në momentin e leximit me zë të lartë, nga një medium, ose magjistar ose njeri me dhunti gati mbinjerëzore, që arrin ta transformojë serinë e shenjave pamore (ose të milingonave) në fjalë.

Po të kemi parasysh se shqipja nuk ka qenë shkruar as mësuar gjëkundi në shkolla masivisht para fundit të shekullit XIX, atëherë gjithnjë me arsye i bie të nxjerrim përfundimin se lexuesit e dikurshëm (ose këndonjësit) jo vetëm dinin të deshifronin shkronjat e t’i lidhnin ato në fjalë e pastaj t’i shqiptonin fjalët me zë të lartë, që t’u jepnin kuptim për të tjerët (e ndonjëherë edhe për veten); por edhe përkthenin nga një gjuhë në tjetrën – sa kohë që tekstet e shkruara do të kenë qenë në gjuhë të tjera: greqisht, arabisht, latinisht.

Leximi me zë, si përkthim nga një suport material në tjetrin, i bashkëlidhej përkthimit, si lexim nga një gjuhë në tjetrën.

Gjithsesi, të kënduarit e shkronjave (të harfeve) do të ketë qenë perceptuar nga njerëzit si dhunti komunikative gati-gati artistike, si ajo e këngëtarit (rapsodit) ose fyelltarit ose falltarit.

Në një kontekst tjetër, atje ku anglishtja do të thoshte read the tea leaves, shqipja e sotme thotë shoh filxhanin – për një praktikë divinatore të njohur edhe si taseografi; pa çka se praktika vetë nuk mund të kuptohet pa rrëfimin shoqërues, në trajtë ligjërate. Edhe italishtja thotë leggere i tarocchi – meqë ky lloj falli kërkon një njeri (një medium) që ta zotërojë kodin e nevojshëm për të përkthyer shenjat vizuale në ligjëratë gjuhësore.

Këtu shqipja devijon sërish – duke parapëlqyer forma të tilla si shtie fall (hedh fall).

Megjithatë, çfarë i bashkon të gjitha këto praktika ndërmjetësimi, lidhet jo vetëm me teknikën e kalimit nga një suport (pamor) në një suport tjetër (dëgjimor), por edhe me natyrën themelisht sociale, ose ndërpersonale, të praktikës vetë.

Kur unë lexoj, zëri im në mendje i mbivendoset atij të kallëzimtarit të tekstit (autorit imagjinar, që nuk i mungon asnjë teksti). Kur dikush tjetër lexon për mua, jo aq në vend tim, sa në shërbimin tim, ai ndërvendoset mes tekstit dhe meje, siç ndërvendoset aktori mes personazhit të mishëruar dhe spektatorit në sallë.

Një proces i tillë – pavarësisht nëse është leximi i një shkrimi të shenjtë, i një vendimi të Bashkisë, i një filxhani kafeje, i një falli letrash ose i një partiture – ka gjithmonë diçka të përbashkët me teatrin, me skenën, me një hapësirë të shenjtë brenda së cilës “këndohet”.

Situata përfton edhe mediumin: njeriun e kënduar, njeriun në zotërim të kodeve, njeriun që ka çelësat për të hapur dyert – priftin që të interpreton shkrimet e shenjta, fallxhorin që të parathotë fatin, mjektarin që të qëmton sëmundjen nga simptomat, plakën që të ‘sheh’ filxhanin e kafesë, tellallin që të lajmëron vendimet e hyqymetit, mësuesin që të lexon letrën e ardhur nga larg.

Që nga momenti kur në shoqëri vijnë e qarkullojnë tekstet, kësaj i duhet një elitë semiologësh; si bashkësi zërash që të riprodhojnë në skenë komedinë njerëzore.

Alfabetizimi, ose ky manufakturim i një aftësie deri dje magjike dhe pushtetdhënëse, e që shkon krah për krah me shtypshkrimin ose riprodhimin mekanik të teksteve në modernitet, synon ta shndërrojë gjithsecilin prej nesh në prift, në mjektar, në fallxhor, në tellall, në mësues të vetvetes – një mikrobotë e fshehur brenda nesh, një skenë virtuale e ngritur në mendjen e secilit prej nesh.

Një mbretëri e tillë e heshtjes, e shtrirë pa mëshirë mbi të gjitha marrëdhëniet, përbashkimet, interpretimet, që na ka lënë vetëm e përballë me autorët imagjinarë, të teksteve të cilat ashtu i shenjtërojmë edhe më shumë; kjo mbretëri, pra, i ka synimet e veta, herë të hapëta e herë të fshehta: ta dëbojë fjalën fluturuese, ta zëvendësojë me shenjën, të çarën e thikës në gjirin amnor ku na projektohet bota.

Përndryshe, shqipja e ka ruajtur edhe një mbiemër që do të rrezikoja ta quaj të bukur: i kënduar, me kuptimin i ditur, i lëçitur, i mësuar, si në togfjalëshin njeri i kënduar. Natyrisht, shqipja e Rilindjes i pranonte formime të tilla prejpjesore, ku tema e humbte kuptimin pësor, sa kohë që i mësuar do të thotë “që ka mësuar”, dhe i ditur do të thotë “që di”, dhe i lëvizur do të thotë “që lëviz shumë”, dhe i qeshur do të thotë “që i qesh buza”, e kështu me radhë; prandaj edhe i kënduar shënjon atë që ka kënduar shumë, është marrë me këndime, prandaj edhe meriton respekt të madh – e kundërta me ç’ndodh me ekspertin, i cili meriton honorar të madh.

Por unë bukurinë këtij mbiemri sot të mbetur disi në harresë dua t’ia shoh te një keqlexim, ose te interpretimi i tij si “njeri të cilit i kanë kënduar shumë”, dhe me këtë kam parasysh që t’i kenë kënduar mundësisht edhe hoxha edhe prifti edhe fallxhorja edhe plaka që ia ka parë filxhanin edhe mjektari edhe yshtarja edhe mësuesi edhe tellalli në pjacë, madje edhe radioja (“këndon radioja,” mbaj mend që thoshte gjyshja ime).

Tek e fundit, vetmia jonë sot ka të bëjë edhe me atë që nuk na këndon më njeri – edhe pse të gjithë këndojnë, dhe në të gjitha kuptimet dhe homonimitë e fjalës; prandaj edhe njerëzit e kënduar i kemi tanimë kaq të rrallë e gati të padukshëm.

[2011]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin