Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PORTRETI I CULIKA DOBSON-IT

“Culika Dobson” ose “Histori Dashurie në Oksford” është romani i parë dhe i vetëm i Max Beerbohm-it, eseist dhe parodist anglez; një roman i vlerësuar nga kritika dhe jashtëzakonisht i sukseshëm në nivel botëror. Modern Library e ka rankuar Culikën të 59 në listën e 100 romaneve më të mira angleze të shekullit të XX, ndërsa e përditshmja britanike The Guardian i ka rezervuar asaj vendin e 40 nga 100 në një listë të ngjashme. Ky libër vjen për herë të parë në shqip nga shtëpia botuese Pegi, me përkthimin e kujdesshëm të Alina Karaullit.

Në qendër të historisë është Culika, mbesa e një rektori, një femme fatale që duket se zbarkon në botën e akademikëve të privilegjuar të Oksfordit me qëllimin e vetëm për ta dekonstruktuar atë. Duke paragjykuar titullin shumëkush mund të mendojë se “Histori Dashurie në Oksford” është një ngjarje klasike romantike me në qendër një ҫift të dashuruarish, të cilëve kushedi ҫ’peripeci mund t’u jenë rezervuar deri në finalizimin e suksesshëm (ose jo) të ndjenjës së tyre. Në fakt, konflikti kryesor në vepër zhvillohet midis formës dhe përmbajtjes, midis asaj që duket dhe asaj që është. Culika me kast portretizohet në një fragment si narciste por ajo është veҫse pasqyrim i shoqërisë narciste të Oskfordit për kohën. Në libër ngjarjet zhvillohen në periudhën e mbretit Eduardi i VIII, pra midis viteve 1901 – 1910, megjithatë romani gëzon vlera universale dhe përshtatet në ҫdo kohë, sidomos në epokën e teknologjisë së cilës i përkasim. Përse është i rëndësishëm ky roman sot?

Zhvillimi teknologjik jo vetëm që na e ka formësuar realitetin por në një mënyrë ose në një tjetër na e ka paracaktuar atë. Rrjetet sociale janë shndërruar në një vend ekzibicioni narcist, në vitrina vezulluese me në qendër të tyre reklamimin e dëshirave mbi veten dhe përditshmërinë; nxitëse të vanitetit, absurdit, ankthit dhe ripërtëritjes së vazhdueshme të shterpësisë socio-kulturore. Lufta për mbijetesë sot zhvillohet për parametrat fizik, për ruajtjen e përhershme të rinisë; për like-t në Instagram; për këndin më të përshtatshëm nga ku mund të fotografohet ushqimi; për shpalljet e pasinqerta të dashurisë (së munguar); për ndërtimin e sa më shumë marrëdhënieve online në mungesë të lidhjeve reale offline; pak rëndësi ka se ҫfarë thuhet, se ҫfarë mendohet, se ҫfarë është – rëndësi mbart ajo që duket, madje ajo që duket…më bukur (për të bukurën si standard ҫnjerëzor i normalizuar). Ky bombardim vizual të godet butë, gati pa e kuptuar; të josh me larmishmërinë e formave dhe ngjyrave; t’i bën ëndrrat të duken të rrokshme por përtej këtij shkëlqimi nuk të rezervon asgjë. Këtë teoricieni francez Guy Debord do ta pagëzonte si ‘Shoqëria e Spektaklit’ (1967). “Sikurse kapitalizmi industrial i hershëm e zhvendosi fokusin e ekzistencës nga ‘të qenurit’ tek ‘të pasurit’, kultura post-industriale e ka zhvendosur këtë fokus nga ‘të pasurit’ tek ‘të dukurit’. Në shoqëritë ku mbizotërojnë kushtet moderne të prodhimit, jeta e gjitha prezantohet si një grumbullim spektaklesh. Ҫdo gjë që më parë është jetuar, tashmë është zhvendosur në paraqitje.”, shpjegon ai. Në këtë kontekst, Culika na ndihmon të ngremë disa pyetje, të zhvillojmë më tej disa hamendësimë mbi atë se ҫfarë kriza ekzistenciale e njeriut të epokës sonë përfaqëson. Por përse ky libër ka vlerë edhe në shoqërinë shqiptare?

Me ndërrimin e sistemit politiko-ekonomik Shqipëria u hap ndaj perëndimit dhe brenda një kohe shumë të shkurtër u mundua të përftonte prej andej gjithҫka i kishte munguar në 45 vite diktaturë. Me grykësinë dhe joshjen ndaj ҫdo gjëje që mbante vulën e këtij “wild-wild west”-i, Shqipëria e vogël dhe e brishtë nuk rezistoi dot pa rënë pré e kulturës konsumiste. Gjërat filluan të mos kishin më vlerë nëse nuk shiteshin dhe u pa se ato mund të prodhonin pasuri të jashtëzakonshme komerciale dhe monetare nëse iu atribuohej një vlerë e cila mund të ishte edhe krejt absurde. Dalëngadalë antivlerat u shndërruan në vlera dhe kotësia u mundua të arsyetohej dhe më pas të pranohej. Ȅshtë disi englendisës fakti që Culika Dobson i ofrohet publikut shqiptar pikërisht në muajin shkurt të cilit ndryshe i referohemi si muaji i dashurisë për hir të festës së Shën Valentinit, një ngjarje që teorikisht supozohet t’i ngrerë lavd dashurisë dhe të gëzohet në intimitet – një ngjarje ama që në praktikë është zhvlerësuar në ofertat “2+1” të pijeve falas në bare dhe restorante, në dhuaratat llamburitëse që dëshpërimisht tentojnë të përҫojnë idenë e dashurisë perfekte, dashurisë që ka pësuar deflacion si shumëҫka tjetër, një mënyrë e trishtë për të fshehur depresionin dhe vetminë ku njeriu sot gjendet i përplasur.

 

Nëse Culika do të ishte burrë ajo do të ishte Dorian Grej i Oscar Wilde-it, kështuqë ata/o të cilët/at e kanë shijuar portretin e Dorianit, ironinë dhe humorin karakteristik anglez të tij, me padyshim do ta shijojnë edhe Culika Dobsonin.

3 Komente

  1. Te tille romane jane bere sot ne Shqiperi e kudo te realizueshem nga vete njerezit, ndaj keta nuk kane as qejf e as kohe te rilexojne pershkrime te stergjatura te jetes se tyre, te cilat ata i realizojne ne 1/10 e kohes se personazheve te romanit! Kam frike mos edhe kritika letrare eshte ne grahmat e saj te fundit! Mos qofte ashtu!

    1. Mund të sqaroni çfarë doni të thoni me “te tille romane jane bere sot ne Shqiperi e kudo te realizueshme nga vete njerezit”?

      1. Ngjarje te tilla romanesh ndodhin perdite dhe me kuintale ne realitetin “konservator” shqiptar. Biles ndodhin dhe realizohen ne kohe shume me te shkurtera se sa c’ndodhin neper romane.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin